top of page

MODERNITETI I NJË MELODIE PAGANE





Nga Timo Mërkuri


I-Është interesante poezia "Pagane" e poetit Fatmir Terziu pse përtej dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e bëjnë të vështirë të klasifikohet në një kategori të vetme, ndaj themi se ajo përmban elemente të poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste. Te kjo poezi Terziu përdor imazhin simbolik të një zëri: “Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”, zë i cili përfaqëson një melodi që nuk mund të gjejë gjurmë në botën e jashtme, varg i cili jo vetëm që s’na befason por është i mirëkuptuar nga të gjithë shqiptarët, të cilët ndjejnë egzistencën e një bote pagane brenda vetes së tyre me zërat dhe melodicitetin e tyre i pangjashëm në asnjë komb. Pikërisht ky aspekt i poezisë përfshin elementë filozofike, duke reflektuar për ndarjen midis realitetit fizik dhe botës së brendshme të ndjenjave dhe fantazisë. “Zogu i bindur në kitarë” tregon për një ndjenjë të përfshirjes në këtë muzikë mistike. Nuk e di pse por ai zë i bukur pagan muzikor që kumbon më ngjason me iso-n e këngëve tona, apo me atë thirrjen “eheeeej” të këngëve majekrahit, duke ngjallur një ndjenjë mistike.

Përtej elementit filozofik, poezia përmban edhe një komponent psikologjik. Përmendja e imagjinatës së dashurisë dhe ndezja e ëndrrave tregon për një lloj lirie dhe shpëtimi emocional që poeti gjen në mendje, e cila reflekton marrëdhë-nien e ndërlikuar të poetit me veten dhe emocionet e tij.

Sidoqoftë, poezia ka dhe karakteristika realiste, aty përmenden të dhëna konkre-te, si pentagrami dhe kitara, dhe përshkruan veprimet e personazhit, si të mbledhjes së luleve “Mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas”. Këto elemente konkrete japin një ndjesi të realitetit dhe e bëjnë poezinë më të qashtërsueshme për lexuesin.

Pra poezia "Pagane" e Fatmir Terziut mund të konsiderohet poezi me elemente filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste, ku poeti përshkruan ndjesitë e veta nëpërmjet imazheve të brendshme, reflekton për dimensionin emocional dhe lidhjen me realitetin e jashtëm. Kjo poezi e Terziut shpreh një këndvështrim të paganizmit, i cili shfaqet nëpërmjet muzikës së bukur që kumbon në brendësi të personit. Paganizmi është një shprehje e ndërlidhur me natyrën, dashurinë dhe imagjinatën., dhe poezia shfaq një ndjenjë të thellë të ëndrrës dhe të mbijetesës së dashurisë përmes fuqisë së imagjinatës.

Në këtë konteskt ne mund të shtojmë se:përdorimi i imazheve poetike të zjarrit , ëndrrës, imagjinatës dhe dashurisë tregon se poezia ka një thelb simbolik dhe metaforik. Këto elemente lidhen me përjetimet dhe ndjenjat e personazhit dhe shprehin një lloj sfide për të përballuar realitetin dhe për të gjetur kuptim dhe kënaqësi nëpërmjet botës së brendshme.

Po ashtu, përdorimi i fjalëve si "mbretërisë së zjarrtë të halleve" dhe "gjethe buzë shkallëve" tregon një ndjenjë të vështirësive dhe vuajtjeve të jetës. Këto elemente realiste përcjellin një mesazh për mënyrën sesi ai, poeti përballon sfidat dhe mundësitë e tij për të liruar veten nga kufizimet e jetës së përditshme.

Te vargu: “Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”, shkruan poeti duke i dhënë një klimë të ngrohtë poezisë, si një bashkëbisedim me lexuesin, pra poeti sheh, dëgjon dhe shpreh ndjenjat dhe mendimet e lexuesit dhe leximi i poezisë është një bashkëbisedim ku poeti i “shpjegon” lexuesit si një mjek pacientit kuptimshmërinë e ndjenjave të tij. Sigurisht që këtu poeti i flet vetes së tij dhe ne e dëgjojmë se çfarë i thotë.


II- Poezia është shkruar në stilin e një soneti, me dy strofa me rimë e ritëm dhe dy rreshta mbarësonës në mes. Kjo i jep poezisë një organizim të qëndisur dhe të strukturuar, duke përcjellë një ndjenjë të rregulltësisë dhe harmonisë.

Përmëndëm termin “rreshti mbarësonës”, term që përfaqson zakonisht një rresht (varg) që ka për qëllim të japë një përfundim apo të harmonizojë poezinë dhe që zakonisht përdoret në fund të poezisë. Në disa forma të poezisë, si për shembull soneti është e zakonshme që poezia të përfundojë me një rresht shtesë që ka një funksion të veçantë. Ky rresht mund të përshtatet me strukturën dhe temën e poezisë ose mund të ofrojë një konkluzion apo mesazh përfundimtar.

Në kontekstin e poezisë "Pagane" të Fatmir Terziut, "një rresht mbarësonës" mund të referohet dy vargëshi pas strofës së parë te vargjet: “E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë” ku vargu "E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram" përshkruan një proces krijues, ku (ne) “e kemi gatuar me shpirt” diçka (pentagramin) me përkushtim dhe shpirtërot, duke treguar se bëhet fjalë për ndjenja shpirti (gatuar me shpirt)dhe jo diçka materiale (ndërtuar) . Ky varg paraqet një fokus të veçantë në krijimin artistik dhe përkushtimin që autori ka dhënë në krijimin e tij, ndërkohë që vargu "zog i bindur mbeti në kitarë" sjell një imazh të zogut (këngëtar)që mbetet mbi kitarë duke kënduar. Ky varg mund të interpretohet simbolikisht si një tjetër aspekt i krijimtarisë së poetit, ku ai kthen një lirshmëri apo një shprehje të lirë (zogu) në një formë muzikore të kontrolluar dhe të limituar (kitara). Kjo tregon një tension midis lirisë së artistit dhe kufizimeve që mund të ketë në shprehjen e tij. Pra, këto dy vargje japin një përfundim të veprimtarisë dhe mund interprethen si rreshta (vargje) mbarësonës që përcjellin një ide të plotësimi të temës së strofës së parë të poezisë, madje më tepër se rreshti i fundit i poezisë: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” e cila synon drejt rreshtit mbarësonës.

Vargjet:"E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë" janë midisëse në dy strofa të poezisë "Pagane" pse dy strofat kanë një distance kohore mes tyre, ndaj këto dy vargje shërbejnë edhe si një ure lidhëse mes tyre, duke përforcuar lidhjen e temave dhe ndjenjave të shprehura në to. Në strofën e parë, përmendet një zë i bukur pagan që kumbon brenda personit, ndërsa në strofën e dytë përmendet mbledhja e luleve për të dhuruar memorjeve të harruara.

Në përgjithësi, rreshti mbarësonës mund të përshkruajë një ndjesi të përfundimit, pranimi i realitetit dhe gatishmërinë për të qëndruar në këtë gjendje, ndaj themi se këtë funksion e kryen edhe rreshti: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” që përcjell mesazhin se personazhi pranon veten si një individ unik dhe ndjen nevojën për të jetuar dhe vlerësuar përvojën e tij në mënyrë autonome, larg prej pritshmërive të jashtme dhe kufizimeve të vendosura nga bota e jashtme.

Ky është një interpretim i imi i rreshtit mbarësonës në poezinë "Pagane" dhe mund të ketë shumë mënyra të tjera për të kuptuar dhe interpretuar këtë rresht, varësisht nga perceptimet dhe kuptimet individuale të lexuesit, por ajo që dua të shfaq këtu është se në poezinë shqipe, me përjashtim të sonetave, rrallë kemi hasur rreshta (vargje) mbarësonës, pavarësisht bukurisë që ata i japin poezisë, jo vetëm si strukturë poetike por si art poetik.


III-Poezia është ndërtuar me figura artistike që, duke qënë pjesë e kuptimit të saj, ja forcojnë strukturën poetike dhe e shndrojnë poezinë në një krijim prej arti. Kështu metafora:"Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje" përshkruan muzikën si një zë pagan që kumbon në brendësi të (botës) së poetit, duke shprehur me një elegancë poetike përbërjen e traditave të herëshme të botkuptimit të njeriut shqiptar, që edhe tani në kohët modern, vijnë në jetën tonë si një muzikë e ëmbël, ku muzika përfaqëson emocionet dhe frymëzimin e thellë të tij. Po ashtu metafora: "zog i bindur mbeti në kitarë" - përshkruan zërin e qetë dhe të lidhur me natyrën që mbetet në muzikë.

Imazhi:"gjithçka ishte dhe është zjarri i një ëndrre ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të nxitur nga imagjinata dhe dashuria, ku ëndrra është shfaqur si një forcë e ndezur brenda personit, ndërsa imazhi "mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas" përshkruan aktin e mbledhjes së luleve si një mënyrë për të kujtuar dhe për të dhuruar respekt ndaj kujtesës së kaluarës dhe përvojave të jetës. Imazhi "Zogu i bindur në kitarë” paraqet një zog që rri i lidhur në kitarë, duke treguar për një ndjenjë të përfshirjes dhe të magjisë që rrjedh nga muzika. Ai përforcon temën e frymëzimit dhe thellësisë që përshkruhet në poezi, ndërsa imazhi "Ëndrra ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të ndezur në mes të dejeve, duke shfaqur një pasion të thellë dhe një ndjenjë të mahnitshme që lind nga imagjinata dhe dashuria.

Simboli "pentagramë" përfaqëson harmoninë, rregullin dhe lidhjen me botën e natyrës dhe spiritualitetin, këtu pentagrami simbolizon identitetin dhe lidhjen e thellë të autorit me natyrën dhe imagjinatën, ndërsa simboli "zjarrtë të halleve" - përfaqëson sfidat, vuajtjet dhe konfliktet e jetës.

Mund të flasim për epitetin:"zë i bukur pagan" që cilëson zërin si bukur dhe e lidh me paganizmin, duke i dhënë një ndjenjë mistike dhe të jashtëzakonshme, te "imagjinata dashuri" ku epiteti "dashuri" i jep ndjenjën e nxehtësisë dhe intensitetit të imagjinatës etj, por mjafton të themi se Terziu është një mjeshtër i të shprehuri artistic jo vetëm në vargje por edhe në prozë.

IV-Fjala dhe vargu në poezinë "Pagane" të poetit Terziu përbëjnë elementë thelbësore të shprehjes artistike dhe përforcojnë mesazhin dhe emocionet që autori dëshiron të komunikojë.

Fjala në poezinë "Pagane" është përdorur me kujdes dhe me qëllim për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe për të shprehur ndjenjat dhe idejtë e autorit. Fjala është e thjeshtë dhe e përzier me fjalët me ngarkesë emocionale dhe simbolike. Për shembull, fjala "pagane" në titull të poezisë vë në dukje marrëdhënien e autorit me natyrën dhe ndjenjën e frymëzimit të papërkufizueshëm.

Vargu në poezinë "Pagane" është i strukturuar në strofa, me katër vargje. Kjo strukturë rregulltësohet me rimë të rregullta në fund të secilit varg duke I dhënë poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë.

Vargjet e poezisë përdorin imazhe të pasura dhe figurat artistike për të shprehur ndjenjat dhe konceptet që autori dëshiron të shprehë. Kombinimi i fjalëve dhe ndërthurja e tyre me metafora, epitetet, simbolika dhe kontraste krijon një tekst të pasur dhe gjen një harmoni mes fjalëve dhe emocioneve që poezia synon të komunikojë.

Poezia "Pagane" ka një strukturë të qartë dhe përdor fjalët dhe vargun me qëllim për të përshkruar thelbin e mesazhit të saj. Përdorimi i fjalëve dhe organizimi i tyre në vargje krijon një efekt tërheqës dhe krijon një lidhje të fortë me lexuesin.

V-Kjo poezia e Terziut ka disa vlera tipike që e dallojnë atë si një veprë të rrëfyer dhe tërheqëse: Poezia përdor njësi të fuqishme të fjalëve për të shprehur ndjenjat dhe idejtë në një mënyrë të thellë dhe emocionale. Përdorimi i metaforave, imazheve dhe simbolikave i jep poezisë një dimension të thellë dhe të pasur.

Poezia reflekton një lidhje të thellë me natyrën dhe spiritualitetin. Autori shpreh dashurinë për natyrën dhe nevojën për të kuptuar sensin e fshehur të jetës. Kjo shkakton ndjenja të frymëzimit dhe reflektimi mbi botën rreth nesh.

Kjo poezi shpreh ndjenjat e zjarrit dhe ëndrrës si forca frymëzuese dhe transfo-rmative. Fjala dhe vargu përdoren për të përshkruar zjarrin e ëndrrës që mbetet i ndezur nga imagjinata dhe dashuria.

Poezia karakterizozhet nga një strukturë e rregullt me katrosha (vargje katërshe) dhe rime të rregullta, aspekt struktural që i jep poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin.

Fuqia emocionale e poezisë është e dukëshme në elementët e saj: Fjala dhe vargu përdoren për të shprehur ndjenjat e frymëzimit, pasionit dhe kërkimit të kuptimeve të thella për jetën dhe botën.

Këto vlera tipike e bëjnë poezinë "Pagane" të jetë një vepër e rëndësishme dhe tipike në letërsinë shqiptare dhe në krijimtarinë e poetit modern Fatmir Terziu, i cili synon drejt një moderniteti më të dukshëm të krijimtarisë së tij poetike, për të cilën ne e përshëndesim.


Sarandë, më korrik 2023


Poezi nga Fatmir Terziu

Pagane

Nga Fatmir Terziu


Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje,

s’mund të ëndërrohet gjithkund (si) e njëjta melodi,

gjithçka ishte dhe është zjarri i një ëndrre ndër deje,

ndezur nga imagjinata dashuri.


E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,

zog i bindur mbeti në kitarë.


Mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas,

mbretërisë së zjarrtë të halleve,

ku harruam të përhumbur nga ai avaz,

se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve...


26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page