top of page

MISTERET E PARISIT TË VOGËL


Kristaq Turtulli

Fragment i shkurter nga romani: MISTERET E PARISIT TË VOGËL


Fshij djersën që më është grumbulluar në folenë e gjoksit dhe mbushem me frymë. Ku m’u gjendën gjithë këto djersë? Era depërton tinëzisht në monopatin e ngushtë të hapur të fustanit dhe më ftoh trupin. E mbërthej kopsën me ngut dhe mbështetem në qoshen e ngurtë të kolonës së derës.

O Zot më janë ngurtësuar këmbët, s’më bëhet të shkoj, të kërkoj drejtësi te Marko Kalemi, nusedjali. Hëm, unë e marra e quaja nusedjali. Epo si nuse e vesha, me të bardha kur i shpëtova jetën, nën hundën e gjermanit. Hëm, nuk e dija që ai ishte e mbetet i zi, si korbi. Eh! Jam, grua, nënë mos qofsha! Oh ç'ditë e përçudnuar, me ëndrra të rënda.

S’e kuptoj përse e drejta mbahet e lidhur në mijëra vargonj dhe e keqja livadhis azat?! Përse ndëshkohet, nëpërkëmbet dhe vdes herët i miri, ndërsa i ligu zhgërryhet për shtatë palë qejfe mbi dafina?! Na thënkan me qesëndi: I plotfuqishmi, Zot ynë i do shumë të mirët, i ka në zemër, i mundon, i sfilitën dhe në fund i merr pranë. Po ku pranë, hë?!

Punë e bukur qenka: T’i marrësh të mirit, ndershmit jetën e bekuar që nuk përsëritet kurrë më. Të braktisë dritën e diellit, ujin e kaltër, ajrin e freskët, këngën e bukur, flladin e maleve, qiellin e kaltër fjalën e ëmbël të mëmës, të shkojë në terr, në errësirë, të bëhet pluhur! Atje, nën dhe, prej nga nuk kthehet më. Hë, a ka bythë vend ku të rrijë kjo, moj motër?!

Domethënë, sipas budallenjve, moj krushkë shtrigë, drita e diellit, qielli, ajri, ylberi, uji, blerimi, pylli, shpendët, kafshët, e çdo tjetër e gjallë e mrekullueshme qenka për të ligjtë, vrastarët, kurvat e kurvarët, spiunët, maskarenjtë, politikanët, hipokritët, kodoshët, mosmirënjohësit! Me pak fjalë, mirësia shpërblehet gjithnjë me të keq?! Hëm! A të jesh kaq budallaqe, moj grua plakë?! Po pse, i gjithë populli është budalla që u beson dokrave njëlloj si unë?! Flisni se po çmendem...Bëra të mira, dhurata, bamirësi, shpëtova jetë, ndërtova një qytet të tërë, gjithçka që munda në jetë, dhe si shpërblim më flaken në kullën e Hirit? Oh nëne...

Nuk mund të qaj mbi qumështin e derdhur prej Marko Kalemit. S’kam fuqi. Një rrjedhë e paktë nuk mund të jetë një vëmendje e madhe, nëse ajo nuk ka filluar të gllabërojë shumë. Por unë përpara kam një lumë, një det të tërë, një oqean dhe nuk e di a do mundem ta kaloj. Pasi përmbytja e mosdashjes dhe e mohimit do jetë e madhe, jo vetëm për mua plakën e gjorë, por për një popull të tërë... Trupi fillon të më dridhet si purtekë e shkulur prej gardhit dhe e dërmuar ashpër prej erës. Shpina më bëhet më akull se akulli prej djersëve të ftohta. Për pas sa nuk më bie zali përpara këmbëve të Marko Kalemit. Në pragun me gurë të lëmuar të ish-shtëpisë sime. Të shtëpisë ku lindën breza të tërë, jetuan, punuan me nder, luftuan me krenari, derdhën gjak për atdhe dhe Shqipëri.

Një zë i ashpër me potere si të më thotë:

‘Pusho moj e gjorë, pusho! Akoma s'e ke marrë vesh që s’ka mirënjohje, s'ka drejtësi? S’ka dreqi ta marrë, s’ka dhe, s’ka..! E nëmën, e pështynë e kafshuan dhe në fund e hëngri kuçedra me dy koka.’

-Plasja të preftë!- grindem dhe rënkoj.

Koka më shungullon dhe them me maraz. Si të ngushëlloj veten:

Mbase gjendet një që njeh, vlerëson mirënjohjen dhe do Zoti...

Si përgjigje, fytyra m’u spërkat nga i ftohtë shi...

Shko, shko gjej drejtësi te njeriu i zi...

Po ai është parti,

i shpëtova jetën atij..!

Ha, ha, ha, ha e gjora ti..!


OH! Më kanë munduar ëndrrat apo realiteti i hidhur? Kërleshja e ngjarjeve, është stërmundim, ferr i vërtetë. Përpiqem të zgjedh saktësinë nëpërmjet përshpejtimit të figurave. Zërat e fiksuara, gati automatike të stërlashta, dynden dhe shumohen. Më mpihet qafa, më bllokohet truri. Flakërimet, shuhen në çast nga shtëllungat e errëta të reve. Bëj të bërtas, zëri më shuhet: Të jetë mosmirënjohja fundi i së keqes?! Apo mos vallë mosmirënjohja është monedha e zakonshme me të cilën të paguajnë njerëzit?! O Zot, si qenka kjo punë: Njeriu i ndershëm nuk u dëshpëruaka vetëm për sëmundjet, fatkeqësitë dhe mizerjen që pëson, por më shumë u hidhëruaka për shpërdorimin e besimit, nëpërkëmbjen dhe mosmirënjohjen e saj... Mosmirënjohja është më e liga e poshtërsive, ose sëmundja e keqe e qenit?! Ndoshta mirënjohja nuk ekziston në natyrë, prandaj është e kotë ta kërkojmë te njerëzit... Në mirëqenie miqtë tanë na njohin neve; në mjerim ne i njohim ne ata. E kuptoj fort mirë që urrejtja nga të tjerët, u fituaka prej tyre, po të bësh vepra të mira. Ndoshta nëpërmjet kësaj këta nuselalët, duan të bëjnë një lëndim akoma më të madh ndaj meje: MËMËS. Mendojnë se ky lëndim do të jetë shumë i rëndë nga hakmarrja, por do të ndodhë e kundërta, të mos kem aspak frikë nga frika...

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page