top of page

MINELLO BOLENA




-Tregim –


-Nga Shkëlqim HAJNO-


Minello Bolena kishte njëmbëdhjetë vjet që kishte rënë në burg. Ky ishte viti i fundit i dënimit të tij. Shtatlart, më fytyrë eshtake, pak brun, flokë kacurrela të gjata dhe sy ekspresivë, ai pinte vazhdimisht cigare, sa të dukej se me bishtin e njerës, ndizte tjetrën.

Kur e futën në izolim dhe do të bëntë hetuesinë për propagandë, kishte veshur një palë këpucë të zeza llustrafin. Ishin këpucë që ia kishte sjellë gjyshi nga kurbeti në Amerikë. Kishin vite ato ne kuti. Këpucë te blera dikur në Boston enkas për nipin në Shqipëri. T’i vishte dikur për dasmë, si kujtim.

Këpucët udhëtuan në baule nëpër detëra derisa mbërritën në Vanovë , në viset e Bregdetetit. Gjyshi Marko, kish bërë ca prokopi në Boston ku punoi për vite e vite tok me bashkëkombas të tjerë, në një manifakturë pambuku. Ish kthyer në vendlindje në mbarim të Luftës së Dytë, si pak të tjerë.

Andej nga kishte origjinën, thoshin se, burgu, në fund të fundit, për burrat është. Gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij e kishin provuar burgun, po në dhe të huaj. Në kohë të turkut dhe në kohë të Venedikut kur transportonin qitro me det nga anëdeti arbëror, në brigjet latine.

Në mendjen e Minellos fëmijë dhe adoleshent, burgu në dhe të huaj, ishte si një detyrim ushtarak, si të bëje ushtrinë në mot të nizamëve.

Kur do të krijohej kooperativa, babai Odhisea e pyeti Markon nëse duhej të hynte, apo jo. “Bëni si shokët,-mbante mend t’i thoshte babait. Këto, i kujtonte me shokët në burg Minello. Në Amerikë i ati, kishte lexuar dhe dëgjuar për kolkozet ruse .”Sot, është kënga e regjimit, bir : “O me ne, o kundër nesh, djal-o,- i kish thënë Odhisea. !

Me këta, te kuqte si ata të Stalos (Stalinit) , nuk ka “kundër”. Domethënë, vetëm : O hop, o top! “


***

Mbante mend mirë kur e futën në burg. Para se të bëhej banor i birrucave të errëta, Minello, kish parë nga makina fasadën qëndrore të qendrës së qytetit të madh bregdetar . Aje, ku bëheshin parakalimet për festen e pavarësisë, lexohej qartë me shkronja të dritëzuara në të kuqe: “Lavdi BRSS!”. “Miqësia me popujt e mëdhenj sovjetikë- është e pavdekshme!” dhe: “Lavdi Stalinit të Madh!”\

Por dhjetë vjet më pas, kur e sollën të vuante vitin e fundit të burgut, në një brigadë pune në gurore; nje dite në fasadën e qytetit bregdetar; tek kalonte kamioni i të dënuarve nga dritaret e hekurta të kryqëzuara , Minello mundi të rrokë me shikim parrulla politike dhe vëllazërie me një tjetër popull të madh:

“LAVDI miqësisë dhe Vëllazërisë së Pathyeshme Shqiptaro-Kineze!” . Pak më tej, lexoi një parrullë qe lidhej me nje kenge polifonike :

” Dy luanë ka sot Bota-një Azia –një Evropa! “


U habit me një parrullë tjeter qe nuk kishte ndryshuar që nga koha e rënies në burg: “POSHTË imperializmi amerikan!”

Në fakt, këtë dashuri të re me Kinën e largët, ai e kishte fiksuar edhe në tabelat e propagandës në kampin e punës. Se fundi, edhe në burgun e Ballshit Madje, në radion zyrtare, kish dëgjuar të transmetohej çdo ditë në programin muzikor, “radioposta” një këngë-valle burrash. Atë kohë, ajo kenga e parrulles transmetohej shpesh nga artopalantët e kampit: Ishte një kangjelë epike e dites.

/”Dy luan’, dy luan’-Dy luanë ka sot bota!! Ho-paa! Një Azi, një Azi…/Një Azia, një Evropa!!/

“Çudi e madhe!” –thoshme vete po edhe me ndonjë të besuar në kampin e punës. Dashuria politike nuk njeh distancë, kapërcen mijëra kilometra. Kontinente të tëra. Ajo është fiks si flama. Zë në fillim disa dhe përhapet si kolerë te gjithë vegjëlia!....”Dy luanë!!! ““Domethënë, miqtë janë shtuar!! Miqtë.! Tani në Çinmaçin!- Çinmaçin, e cilësonin në nahien e tij në viset e Bregut, pleqtë që kishin rrahur kurbetin . Po edhe mesoburrat . “Kujt ia ndjen për Çinmaçinin, more!”


***

Brenda burgut e ndoqi një tjetër rastësi. Në qelinë e tij pas dy javësh i sollën një bashkëvuajtës .Edhe ky, ‘armik i popullit’. Edhe më keq akoma . I dënuar si antikinez.

Mos është ndonjë provokator? -hëngri veten me dyshime Minello Bolena. Antikinez, me emrin Pjetër?! Për më teper, ky armik i ri, kishte edhe mustaqe të shkurtëra të bëra spic në dy anët !.

Në dheun tënd, mendonte Minello, burgu është më i hidhur. Sikur përtyp çdo ditë. me dhëmbë duhan të hapur kutie.


…”Armiku” i ri, Pjetër Përziu ia kish spjeguar Minello Bolenës shkakun e burgut. Në magazinë të kooperativës në Perdardhë , ai kishte sharë Kinën.

“’E ç’ka na duhet na Kina, mor daj;?! Kot nuk i thonë Çinmaçin …Kur kena Italinë, nji ktu ke dera, ç’dreq kena me kërku në filifistuan? A i ka dal partis’ ndoji vlla prej Kinet, me nanë tjetër, a si?! Zoti, jo m’kot’na ka sjellë latinët ke porta, n’Otranto. Nji vrap me varkë n’det dhe qe!!. Po në g…të samës ç’kemi me kërku, he burr?” ?!.Në Çinimaçin?!.......

Bashkëvuajtësit në qytetin bregdetar tregonin gjithashtu se për një fjalë goje bëheshe hasëm dhe armik në breza me qeverinë. Ky ishte rregull. Për këdo.

“Kishte share kinezët.?..Miqësinë e madhe shqiptaro-kineze? Më keq akoma, vetë kryetarin Mao? Ç’t’u desh!? Po për filmat shqiptarë me luftë që shfaqeshin në kinematë e Kinës, nuk di ti, more kokëbosh!? Po për filmat frymëzues kinezë me luftë kundër kolonizatorëve japonezë, nuk ke mësuara ti, more derdimen?”..-thuhej nga propaganda e kohës.


Në qelinë e burgut Pjetri ishte vet i dytë. Edhe ai qe ia sollen, ishte dënuar për shkak të Kinës. Për ta, bashkëvujtësit thoshin me ironi: “Qelia: Republika Popullore e Kinës”.

Disa herë i pyesnin kur i shihnin të dy:

- C’kemi nga Kina?

- Të sat ëme!.-ia priste tjetri....

Pas kësaj, shpërthenin duartrokitje.

Pjetër Përziu u kish spjeguar shokëve të burgut se dinte edhe një parrullë kineze për miqësinë .Por nuk I piu ujë as parrulla, kur I vunë hekurat.

-C’parullë Pjetër? –pytën kureshtarët.

-Parrulla: “Shokë, miqësia jonë është e pathyeshme!”

-Vërtet, e di edhe në gjuhën e Maos? -e pyesnin shokët e gurores.

-Ja, thuaje…Me një bast! Me një copë kackavall 200 gr…që ma sollën nga shtëpia…-u hodh një hokatar vlonjat

- Burrash!-u betua ky.

Pjetri, doli para tavolinave të mencës. Mbërtheu komcën e xhaketës për të imituar kostumet ushtarake gri të zyrtarëve kinezë, mori pozicion gatitu dhe ia nisi:

”Tung-zhë uomën-shi çë-çën-dë, phooo-ng- ju!!”.

Në mensë kishte plasi gazi.

-C’po kurdisin aty brenda?- e pyeti kapter Ganiu Minello Bolenën që doli nga mensa i pari.

-Ka ditëlindjen Pjetër Përziu,- ia priti serioz njeriu nga Bregdeti.

-Ahaaa!- bëri tjetri duke shkuar nga magazina.


***

Askush nuk do ta njihte publikisht njeriun me origjinë nga Vanova e Bregut sikur të mos ndodhte aso kohe episodi i lirimit nga burgu.

Ishte mot vjeshte.Muaji i fundi i dënimit të Minello Bolenës. Doktori I kampit të punës pranë gurores e përshendeti dhe duke puzëqeshur I tha:

-Mora vesh se nesër fluturojnë pëllumbat drejt detit..!Të të vejë mbarë!

-Faleminderit, doktor!

Dikush nga administrata e kampit e njoftoi zyrtarisht.:

“Bolena, nesër bëhu gati. Bëje gati valiçen që sot në darkë. Nesër .në mëngjes ikën!....Ke njeri që të të presë?

- Asnjë! Babai më vdiq kur rashë në burg. Këtë vit të fundit edhe nëna. Nuk më priti e ngrata ,80 vjeçe…

“Nëna , Aspasia…shkoi lart mbi Akrokeraune të takojë në qiell babain….thosh me vete”.

Këtë ditë të fundit të burgut nuk e kuptonte pse ishte keshtu, as i gëzuar, as i trishtuar.


-Dëgjo këtu, ti Maxhun - iu drejtua njeriut të komandës në kampin e punës: i cili do të bënte gati edhe dokumentin e lirimit:

-Kur rashë në burg, kisha këpucët e mia të zeza llustrafin. Më thanë se ato do t’i japin kur të dalësh prej këtej . Shteti, është shtet dhe ka rregulla!, me thane.”Këtu mUnë dua të m’i sillni ato, sot në darkë, se janë të miat ….!

-Atë s’e di unë -ia priti Maxhuni, një xhudam i shkurtër dhe i trashë që në zyrë mbante tërë kohës bishtin e gjyslykeve optike të varur në buzë, pwr tw imituar zyrtarët.

-Po nuk e di ti, gjejini ku janë!. …Se përndryshe Maxhun shefi, do të iki nëpër qytet zbathur…! Dhe po më pyetën, rrugës do ju them se këpucët m’i mbajtën ata të zyrave se ishin hollë. I mbajti Komanda!....

Maxhun nuk ia vuri veshin. Kaq deshën shokët e kampit që të nisnin ta ngacmonin bashkëvuajtësin nga Bregdeti me të cilin shumë syresh, kishin kaluar me pare ditë shumë të vështira, sa në Burrel edhe Qafë Bar e në Ballsh . Kishin parë te Minello njeriun me karakter të fortë që mbronte gjithmonë më të dobëtit.

-E more Minello edhe ti! C’bëhe për një palë këpucë!.

-Edhe me copa floriri të kishin qenë ato, a derëbardhë, u hodh shoku më i ngushtë, Demoja nga Labëria.

Dhe për të sjellë pak humor e ngacmoi :

-More, pa na thuaj një herë dermën, qysh e qau me ligje kushërira e gjyshes atë plakun, vëllamin e burri që i kish vdekur:”?

Minello hezitoi.

-Jepi, jepi!-Se edhe sot të kemi. Se nuk të ndahet Demua!

-Ku do te gjejmë më, një mik të kinezëve këtu ?..-...dhe plasi gazi i hidhur për të pasur me tutje një heshtje për rrefimin e Minellos.


Ngulnin këmbë si mushka të rrëfente diçka Minello.

-Po ç’tu them, more !-ia nisi ky.- Mbaj mend qe do shkoja për ushtar në Ersekë dhe gjyshja po deftonte ca molloira me ca shoqe të saj ne oborr. . S’e di ç’gëzim familjar ishte…. Kushërira e gjyshes pati shkuar për ngushëllim në shtëpinë e vëllamit të burrit qe kish vdekur ate dite. Ishte dimër dhe po errej. Të nesërmen, i ndjeri xha Gligori, 100 vjeç burrrë , do të përcillej tek të shumtit,. Dy djemtë e tij, tani pleq, nga 70 e kusur vjeç

Kushërira e gjyshes quhej Kalica, po shkurt i thërrisnin Kale. Kishte shtëpinë larg nga ksolli dhe do të kthehej të nesërmen, atje qoftë…për ta përcjellë në varreza .

Ngrihet, shkon në hajat për të veshur këpucët. Sheh, por ia kishim marrë...ose ngaterruar! Kallaballëk I madh. Dikush i kish mbathur. Duket, në vend të shollëve të saj, i kishin lënë një palë këpucë burrash.Besoj numër 44 a 45. Këmba e Kales , e vogël si një kokonë, nja 35-36…I veshi ato që i kishin lënë . I hoqi zvarrë dhe hyri edhe një herë të xhenazeja (dhoma ku ndodhej i ndjeri)…Plakat e tjera e panë me habi.

-Dua ta qaj edhe një herë –u tha Kalica plakave te tjera me rroba të zeza

Dhe u ul në gjunjë:

-Ngrehu Gole, se të qan fëmija ! ….Gjej, edhe shollët e mia!...

-Uaa, kuterina –thoshnin me të qeshur nën zë graria…

…Kështu e qau Kalica të ndjerin…

Tani, unë nuk di, si do t’i qaj këta të këpucëve të mia…nesër!…


****

Të nësërmen që binte e shtunë, Minello me valiçen prej kompensato dhe një bohçe me tesha, u shfaq pas portës me hekura të rënda të burgut në lagjen periferieke të qytetit bregdetar.. Nga këmbët ishte zbathur. .


-Këpucët e mia!-u tha atyre të administratës.-

-Ku t’i gjejmë ne këpucëte tua, njembedhjete vjet më parë,-i tha dikush me cinizëm nga ata me uniformë.-Kësaj i thonë, dua qiqra në hell..!

-Ja, merr ato, brashnjat e punës…të gurores…!

-Dua vetëm mallin tim –tha i zemeruar Minello.

…!?

-Me moret vesh!?

Tjetri beri shurdhin.


…Pas kësaj ai doli zbathur nga porta e madhe e burgut në mëhallën periferike të qytetit bregdetar. Në njërën dorë valiçen prej kompensate.dhe në tjetërn, bohçen e lidhur kryq….

Eci ashtu, zbathur, sa doli në sheshin e madh që i thoshin Sheshi i Flamurit.

Vazhdoi më tej zbathur, deri në Skelë. Aty, e kish ndare mendjen ,të shkonte te një kushëri I babait nga Bregu, të vishte një palë këpucë për të qënë, për të vazhduar pastaj pjesën e mbetur të jetës së tij të vështirë.


Kish qëlluar ditë pazari, dita e lirimit të tij. Zërat e fshatarëve te tregu anës rrugës, erdhën e u shtuan: “Hajde piperka djegëse!””Hajde bukfiqe! Shegë të ëmbla dhe majhoshe! Arre! Mjalte Kanine! Ullinj të kripur…Fasule që ziejnë me një valë-!

Keto thirrje, i binin në vesh si zile të ditës së lirisë…Ndjeu për herë ta parë ajrin e lirisë tok me jodin e detit,


Ndjente edhe njërezit që e shihnin. Kthenin kokën të habitur .Të gjithë e merrnin padyshim për një të marrë, nga që, edhe spitali kryesor, Psikiatriku i Shqipërisë socialiste ose Çmendina në gjuhë të popullit; ndodhej pikërisht në këtë qytet.ak çapa më tej.


“Është i ikur, i shkreti!”. “Goxha burrë! ”Gjynah! ”Do te ketë dalë nga SPITALI!..”., Nga Cmendina,- thosh dikush tjetër me keqardhje.

Minelo Bolena i degjonte pothuaj të gjitha dhe hidhte këmbët me dhimbje para.

“Po,- tha me zë të ulët.-Nga Spitali kam dalë! Nga Çmendina e madhe që quhet Shqipëri! Unë, isha brenda Spitalit! Në pavion! Ndërsa ju, jeni të gjithë në oborrin e madh të Spitalit ! Edhe ata që janë nëpër shtëpira! Edhe ata nëpër zyra…! Në oborrin e madh të Cmendinës sonë janë….Të gjithë.Fyt!

Në tregun buze trotuarit u vedos pak qetësi.


Me thinjat që ia rrihte era e detit, çau mespërmes turmës me një hap të ngadaltë, me një krenari të përkorë dhe dhimbje, duke parë nga deti në perëndim të qytetit. Tani ishte i lirë.

Një copë rrugë andej nga plazhi e bëri fillikat. Asnjë këmbë njeriu përreth. Kishte afro dyqind metra të fundit mbi rrugën me asfalt .

Shputat e këmbëve mbi grimcat dhe guralecët anës rrugës i shkaktonin dhimbje por ai nuk e kishte mendjen atje…Në sytë e mendjes tani, iu përhit gjyshi i kthyer nga Amerika me mbarimin e Luftës .

Fiks këtu, në shtëpitë njëkatëshe anës rrugës dhe përballë plazhit e detit, ai kishte ardhur për herë të parë në këtë qytet të madh. E kishte sjellë gjyshi Marko. Mbi karrocerinë e skodës çeke të Andonit , nga fshati i tij i bukur, Vanova.

Tek bëri edhe hapat e fundit zbathur, tha me ze: “Të falem Gjysh për frymën dhe uratën që na le. Të mos na shkelë me këmbë askush!..

Atë çast, vetja iu duk i lashtë, si të ishte shndërruar pak nga pak në gjyshin e tij Marko. Me flokë kaçurela të bardha që ia merrte pa pushim era e detit.

Po aq krenar sa ai dhe po aq i bukur edhe, në dhimbjen e tij .///


__ o0o__


46 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page