top of page

MIKU IM GJARPЁR XHEPI




Një paradite qershori tek po dilja nga gjykata pas një përfaqësimi që pata u takova me Gjarpër Xhepin, mikun tim të vjetër siç e quanim dikur e gjithë shoqëria, sepse kurrë nuk e fuste dorën në xhep sikur të kishte gjarpërin aty, për të paguar faturën e ndejës, as edhe një herë në jetën e tij...

Kishte shumë vite që nuk ishim parë...

Unë po dilja ai po hynte në gjykatë...

Ooo... ku je shoku më i miri...hajde unë, po ti ç’hall ke që paske ardhur këtu...më tha Xhepi?

E, po, unë për ca halle të huaja isha këtu-, i thashë.

Si thua, për të huajat... nuk e kuptoj...!

Po, unë jam avokat more Gjarpër, i qaj hallet e huaja brenda në gjykatë, kurse kur dal prej gjykatës i vajtoj të miat se nuk më paguajnë...!

Sa u gëzua kur dëgjoi se unë qenkëm avokat, shoku i tij i vjetër...pa një pa dy filloi të më tregojë për hallin që kishte...për një gjobë të shqiptuar prej 350.- eurosh nga inspektori i ...

Kam qenë,- më tha,- te shumë kolegë që ke...edhe te njëri edhe te tjetri..nisi t’i numërojë, por, asnjëri prej tyre nuk e pranoi rastin duke më thënë se gjoba duhet paguar me patjetër...kishte marrë formën e prerë... duke m’u lutur që ta shikoj edhe unë njëherë...

A mundesh,- më tha, me një zë ulët gati të përvajshëm,- të më ndihmosh e të më shpëtosh nga pagesë e kësaj gjobe?

Po si nuk mundem, fare lehtë,- ia ktheva unë, sapo e pashë vendimin për gjobën...

E, ç’duhet të bëj unë, shoku im i moçëm?- dhe përnjëherë i shkëlqyen sytë me shpresë...

Asgjë,- i thashë,- më lër këtë punë në dorën time...ti shko në shtëpi dhe flej rehat.

A je i sigurt se mund të më ndihmosh, me t’vërtetë,- më pyeti me një shikim dyshues.

Pa merak, ik tani në shpi dhe fillo të kënaqesh që tani, gajle mos ki.

E, po ku mund të gjej? - më pyeti në të ndarë.

Zyrën e kam...aty afër kolegut...për çdo rast...lehtë e gjen...ja dhe numri i celularit tim...regjistroje...

O, çfarë gëzimi shfaqi në ato pak çaste të kaluara në bisedë me mua dhe premtimin tim se do t’ia rregulloj çështjen e gjobës.

Unë, e mora nga Gjarpëri aktvendimin e gjobës bashkë me fletëpagesën dhe u falëm me sh’net...dhe menjëherë, sapo u ndava nga ai drejt e në postën e qytetit dhe e pagova gjobën.

Mund ta imagjinoj si është ndjerë Gjarpëri tri ditët e ardhshme që nuk më thirri, duke e pyetur veten se çfarë kam ndërmarrë...dhe të tretën ditë nuk u durua dhe erdhi në zyrën time...

Isha në kalim e sipër, këndejpari, - më tha,- dhe thash po kthej tek ti dhe të interesohem se çfarë bëre me rastin tim?

Rasti yt është zgjedhur, si është më së miri, miku im i moçëm,- i thashë.

Tallesh ti më mua,- më tha me një dozë mosbesimi,- a je i sigurt,- më pyeti.

I sigurt sa s’ka më...lirisht shko në shtëpi dhe flej rehat!

E, more jarani im...te kush nuk shkova unë, s’lashë derë avokati pa trokitur, por asnjëri të të më ndihmojë. Po, ti je engjëlli im shpëtimtar, o njeri. Ti je një gjeni. Kështu ushtrohet profesioni i avokatit e jo si ata avokatë kolegët e tu që iu ka dalur zëri dhe hiç tjetër...

Sa të kam borxh, miku im?- më pyeti.

Asnjë cent,- i thashë.

Mos ashtu,- më tha, ti ke bërë mundin tënd dhe unë duhet të të dal hakut...!

Mirë, pra, - i thashë,- nëse është ashtu, atëherë...kam dëgjuar se këto ditë po e marton djalin, më fto në dasmë...

Ihaaa...po kjo është më e pakta që mund ta bëj,- më tha gëzueshëm Gjarpëri që s’duhet të më paguajë asgjë,- i ftuar je që tani me gjithë familjen...!

Atë ditë, gjatë darkës së dasmës nuk ka mbetur as edhe një i ftuar që nuk ka kuptuar për mua dhe emrin tim...avokat filani...duke më lavduar mua e duke hedhur baltë në emrat në zë të kolegëve të mi të cilët e kishin refuzuar ta pranonin”rastin“ e tij...

Dhe jo vetëm në dasmë, por edhe ditëve të tjera kudo që ka pasur rastin, kur dikujt i duhej edhe kur s’i duhej ndihma juridike,- iu thoshte: unë e kam njerinë e vërtetë për ty i cili mund të të ndihmojë, me garancë...!

Unë, pas këtij rasti kam fituar shumëfish më tepër sesa gjoba e paguar e Gjarpërit...hiç më pak se njëzetëfishin nga klientët që më vinin pas lëvdatave të tij për mua, e vetëm nga rasti i parë...i kam fituar trefishin e gjobës së paguar...!

Investim prapakthehu me të katra - quhet ky...! (s.z.)

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page