top of page

Mihal Gjergji: SAKARI, KËSHTU QUHEJ dhe NGA DO TA SHKOJMË TAFILË?

Updated: Jun 12



 

“… Aso kohe, i besuari i mbretit ishte më i ligu i meshkujve të fshatit, me pamje mulati, trup mesatar, por ngjasonte më i shkurtër, sepse ecte i përkulur. Në Buronjat e fshatit tonë, ka aq ujë sa të mbytet njeriu, mirëpo i "zgjedhuri" ishte sevdalli dhe u afroj grave që ngarkonin bucelat dhe mbanin kutruve të vogla në duar. I zhuritej buza firaunit. Përkulej te këmbët e tyre dhe bënte sikur rrufiste ujin e ftohtë. Mjafton që ai të thoshte fjalën dhe pastaj diçka do dilte...Të bëje një lutje për tu veshur xhandar apo të nisje një fëmijë në shkollë, patjetër duhet ta firmoste ai. Kështu ndodh kur mbetesh në dorën e të ligut (“Ju të ligj e ju sakatë/ Amanet u lëmë gratë!”). Ai të gjente një punë të mirë, ose të hiqte nëse e kishe atë. Ishte si gjarpri i shtëpisë. Ju keni dëgjuar për të, apo jo? Ai nuk vritet, sepse bie tersllëk. Çdo fshat e ka një të tillë. Mirëpo, atij i kishin besuar edhe rolin e gjyqtarit, sepse vëllai i tij i bënte roje nalmadhënisë së tij në qendër të Mbretërisë. Ndodhi që, një mesoburrë, vendosi të ndajë gruan. Djali që kishte lindur e shoqja s’i ngjante. Gruaja bënte be e rrufe që s’kishte pranuar mbi vete mashkull tjetër veç burrit. Ajo kërkoi ndihmën e gjyqtarit. I besuari i mbretit s’pranoi të vinte. Çështjet e nderit s’i merrte përsipër. S’kishte faj. E ëma e tij kishte mbetur vejushë qysh herët, kishte qënë e bukur dhe dorëlëshuar, i vinte keq për burrat e fshatit. Dhe ai vetë s'ngjante me të atin...Sakati, kështu i flisnin kur ishte i vogël, por djemtë e fshatit e kanaqepsnin,-Sakari, sepse ashtu fryhej, dhe ashtu i mbeti. Kur mësoi lajmin u fsheh në dollap të rrobave nga frika mos e gjenin. U mblodh pleqësia. Ishte punë e vështirë të gjykoje me hamëndje. Më i urti i pleqve pyeti gruan që akuzohej:- ka pirë ujë Sakati me buzët e kutruves tënde? –Po, tha ajo, disa herë…Problemi ju afrua zgjidhjes, mirëpo të nesërmen në mëngjes, mësuan se "gjyqtari" që ndryshe njihej “I besuari” kishte ikur natën bashkë me familjen, ishte vendosur afër mbretit. Thonë se ngordhi si qen nga një sëmundje e keqe. Kufoma e tij nuk i ndoti varrezat e fshatit…Ndikuar nga ngjarja në fjalë, Pleqësia vendosi të mbledhë gratë dhe t’u lexojë ajete nga Kurani...Edhe profeti Muhamet pati një ngatërresë me gratë. Disa prej tyre i shkuan të revoltuara dhe e pyetën:-përse s’vendosni drejtësi? Përse burrat i lejoni të marrin disa gra, ndërsa ne të kemi vetëm një burrë? Muhameti po mendohej, s’mund të fliste pa ardhur zbritja hyjnore nga Xhibrili. Në ndihmë i erdhi e bija, Fatimeja. Ajo i ftoi gratë në sarajet e saj, u kërkoi të sillnin me vete nga një gotë qumësht. Ashtu u bë. U afroi një kovë për të hedhur qumështin, pastaj u tha që, seicila të nxjerrë qumështin që pruri me vete. –E kemi të pamundur, i thanë ato, qumështi u përzie. Atëherë, kuptojeni profetin, u tha Fatimeja. Në qoftë se kupën e mbushin disa burra, si mund ta gjejmë babën e fëmijës? Gratë miratuan me heshtjen e tyre, edhe pse brenda gurgullojnë si buronjat. Shpirtit nuk i vihet kapistër…ndërsa kupa s'mbushet me fjalë…" Ja, këto më tregoi një plak i mënçur me një barrë mustaqe. Banonte në afërsi të Buronjave, në Kuçin e Gjonlekajve. Ishte Qershori i vitit 1988. Ndalova për t’u freskuar në ujin e ftohtë të Lëpushës. Nuk di pse më shpuri rruga aty, ku ndahen fshatrat tona, por jo historitë, dhe takohet e shkuara me të sotmen.  Familjet e mëdha ngjajnë me mbretëritë; lindin, lulzojnë, dhe nga lartësitë ku janë ngjitur përjetojnë rrënimin e ngadaltë, gjersa shuhen e mbeten një kujtim i largët. “Kijamet i madh u bë/ Në prag të Gjolekës-ë/ Vrau nëna djalin-ë/ Ç’pati putana  me të?!”. Thuhej se nëna vrau djalin, sepse e pa me të dashurin e saj, të tjerë e tjerrin me kujdes ngjarjen dhe thonë se ishte njerka. Janë vargjet e trashëguara që na bëjnë të kthehemi mbrapa në kohë; “ Në mëngjes me ëngjëll-ë/ duall hysmeqarët-ë/ mu në prag të portës-ë/ gjenë bejn’ e bukur-ë/ me sahat kurdisur-ë/ me thika lanisur-ë/ ç’pati putana me të”.  Ju e merrni me mënd se çfarë ka ndodhur paskëtaj, d.m.th pas vrasjes së Shaqir Gjolekës. “Në llënxhë të Alimehmete/ kërcit martinë e Gjoleke/ Çune Huso atje mbete/ atë që kërkove gjete!”



18 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page