METAMORFOZA
Shumë nga ata që kryejnë vepra të turpshme, mbajnë fjalime të shkëlqyera! (Demokriti)
Malushi kishte ndryshuar shumë kohëve të fundit. Kështu thoshin të gjithë ata që e njihnin mirë qysh nga fëmijëria. Po, kjo qe e vërtetë dhe, atë e pranonte edhe ai vetë. “More, jeni në vete ju apo keni shkalluar? Unë, vërtet kam ndryshuar, por kjo nuk është ndonjë risi për mua”- pohonte me vete, e herë- herë, këtë ua thoshte edhe atyre pak miqve te zemrës që ende i qëndronin asaj besnikërisë së dikurshme. Dorën në zemër, tashmë ishte më ndryshe, sikur e kishte gjetur rrugën e Zotit. Ani, nuk thuhet kot: më mirë vonë se kurrë! Ishte bërë një Ago Jakup i vërtetë. Sillej mirë e fliste butë, saqë u dyshoje veshëve e syve të tu. Kjo dukej hapur dhe hetohej nga të gjithë, andaj edhe po e merrnin nëpër gojë dhe po e përflisnin kudo e kurdo. “Eu, eu, po ç’ia ka zënë rrota bishtin!- shprehej ndonjëri nga moshatarët e tij që ia dinte zorrët në bark. “Matufi, në pleqëri po mundohet me la m... me sh...!- shfrente tjetri, duke i rikujtuar paudhësitë e tij të mëhershme që patën bezdisur gjithë vendin dhe farefisin. Por, aq i bënte atij! Për të qenë, ore lum vëllai i dashur, në rininë e tij të hershme qe dalluar për të mirë. Si djalë ballisti pati hequr të zitë e ullirit. Mbase, për këtë edhe ia patën shtuar zullumin. Kudo, në shkollë, në shtëpi, në punë, madje edhe në gjumë, ishte i përcjellë nga hija e zezë e mosbesimit... Thyerjen e parë e përjetoi në hetuesi, kur e torturuan aq pamëshirshëm për pjesëmarrje në demonstratat e 68-së. Obobo, sa keq! Karshi shokëve të vet të pathyeshëm, qe treguar ligavec fare. Ata, deri edhe ai thataniku që pantallonat nuk i rrinin në trup, qëndruan si burrat e motit dhe nuk u dhanë dot. Me dara kuajsh ua shkulën thonjtë e mishin, por kot, çele guri gojën. Ky jo. Medet, medet! Fill ishte dorëzuar, si një kalama qa ende i pikon buza tambël. Një pakurrizor i qullur! Dhe, aq më keq, u bë vegël e tyre. Hajde botë, hajde! U bë argat i dreqit, siç thoshte i ati për hyzmeqarët e pushtuesit, i cili, duarlidhur e i futur nën akull te Pusi i Rakitës, kishte ndërruar jetë, në dimrin e egër të aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve. Pësimet e tij evoluan rrokullimë. Kjo metamorfozë ciklike nuk e dëmtoi larvën fare. Përkundrazi, veçse e perfeksiononte dhe e fuqizonte. Me kalimin e kohës rrjeta e merimangës zgjerohej. U gradua dhe u bë i plotëfuqishëm. Ai vrante, ai kthjellti në gjithë rrethin e tij, që shquhej për rezistencë e atdhetarizëm. Emri i vajti larg e larg. U bë tmerr edhe për fëmijët në djep. Flini se erdhi Malushi! Kështu u thoshin nënat e shkreta atyre kur qanin e çirreshin dhe më s’dëgjoheshin për së gjalli. Sjellja prej kodoshi trutharë çmohej lart nga eprorët e tij të sojit tjetër, të cilët antishqiptarizmin e kishin në gjak, trashëguar nga etërit e tyre zbritur nga drunjtë e stepave karpatiane. Ata, me mjeshtërinë prej finoku, gjithë mllefin e urrejtjes patologjike e shfrenin mbi kurrizin e vendorëve të pafajshëm, përmes këtij të fuqishmi “hyjnor”. “Hajt Malush, hajt, se kungulli nuk shkon gjithë mbi ujë!- mërmëriste nëpër hundë plaku gungaç, që më një kërryle të trashë thane sorrollatej derë me derë nëpër katund e të cilin shumica e merrnin për të krisur. Por, jo. Kungulli i Malushit nuk po fundosej dot! Nëpër mbledhjet e gjata të partisë së kuqe askush nuk guxonte të deklarohej para tij se ishte agjërueshëm. Jo, ore jo! Kur dikujt nuk i besonte, edhe e sprovonte, duke ia afruar ibrikun me ujë. Devotshmëria e tij ndaj sistemit tiranik, që të vriste natën e të vajtonte ditën, dëshmohej e përforcohej përherë e më shumë. Bindja se Kryesatanai barkalec e me syze të trasha, kishte bërë shumë për etninë e tij, qe disa guxonin ta quanin edhe të mbërrimë, ende gjëllinte në shpirtin e tij të mykur. Mendjemykuri sylesh nuk po i ndjente fare rrezet e ngrohta të diellit perëndimor që kishin zënë të shkrinin acarin që pllakoste vatrat tona të stërlashta... Koha ecën lumë. Ngjarjet e mëdha ndryshuan ritmin e saj. Puhiza e lehtë e demokracisë ia shprishen ca puplat e kryefodullit. Në rrekët e gjakut mbiu LIRIA. Në sofrën e saj të madhe pati vend për të gjithë. Edhe për ata që, mjerisht, nuk e mbollën farën e mbarësisë. Ne nuk u thamë gjë. Ata, me sjelljet prej kameleoni, u përshtaten dhe vazhduan zvarritjen nëpër zigzaget e jetës. Stili i strucit, duke fshehur kokën të bëhen të padukshëm, nuk u ndihmoi dot, sepse të gjithë i njohin si farën e kuqe... Dhe, ja, sot, me një këmbë në varr e tjetrën mbi dhe, flokëthinjuri Malush, me një thurimë të bardhë në kokë e me tespihe të kuqe në dorë, ecën ngadalë si Sheh Miza i përrallave tona drejt xhamisë për ta zënë safin e parë. -Sa mirë që ekzistuaka ajeti i pendimit!- tha njëri që po e përcillte me sy nga kafeneja përballë. -Ah, sa mirë do të ishte të mos ekzistonte fare procesi i metamorfozës!- ia priti tjetri, duke ngritur gotën e dollisë...
Comentarios