
URDA ZJARRI
Nga Fatmir Terziu
Në prill dhe në maj
ajri bëhet pakëz i ngrohtë.
Duket si një hapësirë ujore
ku dielli hepon me mjeshtëri,
një materie së pari e profiluar, tornuar
gjersa është bërë gurgacë, flakë minerale,
ama flakë e zjarrtë, e ndezur si buzët
që skuqen në tehun e territ,
grashina e flaktë rituale,
që jep bardhësinë fosforeshente,
të pastër dhe nënujore
të acetilenit... Prill, Maj
dy muaj që i veçojmë, i duam
na ndjekin ndryshe të dy
dielli na zjarrmon drejt e në sy.
Qëndruam në skelën e tyre të ajrit
si dy diej imitues me dritën e ndezur prej fatit
një urdë e ndezur mbi dy ikona
tejçoi në ujëra zjarret tona...
Dhe ujërat alarmuan menjëherë
u shkund nga gjumi hapësira mbarë
kur ti u zgjove,
bota ishte në zjarr.
PËR ATË VEND ANTIK
Nga Fatmir Terziu
E pashë një njeri nga një vend Antik
fliste me veten: “Dy këmbë të gdhendura prej guri,
qëndronin në hapësirë ... Afër tyre, në ballë,
dy gjysëm-koka valëviteshin pa u ndalur, prej të cilave,
një gojë e hapur, e përtharë dhe mëndafshi me komandë të ftohtë,
kujtova se ishte skulptor kur e pashë kokë e këmbë me baltë,
ndjeva se e kishte në gjak këtë pasion
për të mbijetuar heshtjen e trazonte me fjalë,
por kur nata i nxiu dhëmbët përjashtë
njeriu nisi duart ti bëj krahë, fluturoi në qiell të bardhë,
të tjerëve u la vetëm fjalët:
“Atje lashë një egërsirë, disa grabitqarë, gjakpirës dhe imoralë,
dola nga tufa e tyre e mjerë plot frikë
të bëhem njeri të paktën një ditë
për atë vend përrallor Antik...
Kur ktheva sytë asgjë s’kishte mbetur në atë cep. Rrotull
vetëm në Frymë, në gjunjë dhe në gjoks
vetmia tkurrej e bëhej kockë.
SKAJ