top of page

Meta dekoron "Nderi I Kombit"



Nga Timo Mërkuri


I nderuari zoti President

Të nderuar lëvrues të artit gojor shqiptar dhe miq të pranishëm.


Kur më 25 Nëntor 2005 nga selia qëndrore e UNESCO në Paris, Drejtori i saj i Përgjithshëm, Dr Koichiro Matscura i shpalli botës vendimin e njëzëshëm se “Iso-Polifonia shqiptare” hyn në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, duke lënë mbrapa kandidaturat e 60 shteteve më të mëdha e më të fuqishme ekonomikisht, ky lajm në popullin tonë u përjetua si çasti i daljes së nuses në valle në një dasëm tradicionale shqiptare. Nuk ishte nevoja që të shkreheshin pushkët në ajër, u shkrehën në këngë mijra shpirtëra artistësh popullorë dhe artdashësish.

Gëzimi kishte dhe një anë tjetër, po kaqë të bukur, faktin që iso-polifonia nuk është e vetmja kryevepër e njerëzimit e krijuar nga populli ynë, njohur, vlerësuar dhe marrë në mbrojtje nga UNESCO. Kryevepra të njohura janë dhe Butrinti, Gjirokastra dhe Berati. Por ndërsa këto të treja janë kryevepra të fushës materiale, Iso-Polifonia është një kryevepër e botës shpirtërore. Pikërisht për këtë arsye ajo ka një rëndësi të jashtëzakonëshme, sepse i dëshmoi botës, botën shpirtërore të kombit tonë, jo si një komb“shpellash”, por si një komb autor kryeveprash botrore me shpirt të madh, plot humanizëm, art e finesë, me ngjyra dhe melodi që habiti me bukurinë e tij.

Bota u befasua akoma më shumë kur mësoi se kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi me ligjërime i riteve mortore shqiptare dhe se pikërisht këtë vajtim, populli ynë e shndroi në këngë... Dimë nga Bibla, se Zoti e krijoi njeriun për shtatë ditë, duke gatuar baltën njomur me pështymën e tij, por populli ynë e shndroi vajtimin në këngë, duke e “gatuar” me dhimbjen e lotët e nënave. Jo për shtatë ditë, as për shtatë shekuj, por gjatë gjithë periudhës së egzistencës së tij. Prandaj janë kaq të bukura këngët tona iso-polifonike, se kanë brenda tyre dhimbjen dhe lotët e nënave, prej nga dolën meloditë dhe vargjet e diamantëta[1].

Pranimi dhe çertifikimi nga UNESCO i këngës sonë iso-polifonike si “kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” befasoi, por edhe rriti interesimin e botës mbi artin gojor shqiptar. Fillimisht ky interesim ishte në formën e një kurioziteti..Grupe turistësh nga shumë vende të botës u dyndën drejt viseve iso-polifonike shqiptare me synimin fillestar, kontaktin dhe njohjen me ‘të. Dhe kur takoheshin me këngën, të sugjestionuar nisnin pyetjet nga më të ndryshme për moshën e këngës, për teknikën se si bashkohen zërate një grupi në një të vetëm dhe sidomo pyesnin për faktin se pse popujt e tjerë kanë vetëm polifoni por nuk kanë iso. Kureshtja shtohej më tepër kur u thuhej se për këtë këngë ka shkruar dhe Bajroni te “Udhëtimet e Çald Haroldit” pas dëgjimit të një kënge iso-polifonike.., ka shkruar Pukëvili ( botuar në 1826), ka shkruar Henri Holland në 1813, Marie Ëortley – Montagu në 1817 apo Ami Boue më 1840 dhe pasi dëgjonin këngën tonë, miratonin fjalët kompozitorit të madh grek Miki Teodoraqis, i cili, kur ishte njohur me këngën himariote kishte deklaruar: As zoti nuk e bën dot më të bukur. Studiues të huaj seriozë të arteve orale (si Eckeart Pistrik, Prof. në Frankfurt) krijuan lidhje me grupe folklorike shqiptare, studiuan këngën tonë dhe ajo që është më e rëndësishmja, e propoganduan në universitete dhe ambiente intelektuale të Europës e më gjërë. Kjo bëri që këngët tona (psh kënga Janinës çi panë sytë) të mësoheshin dhe të këndoheshin nga studentë të muzikës dhe grupe këngëtarësh në Skoci, Angli Gjermani, Francë etj.

Një impuls të madh këtij propogandimi të artit gojor shqiptar i dhanë vetë grupet folklorike shqiptare të ngritura në çdo krahinë. Kontributi i pjesmarësve në këto grupe është vendimtar në progresin e këngës iso-polifonike dhe është shprehur në dy panele: brenda vendit :-me pjesmarje në pothuaj çdo aktivitet folklorik kombëtar apo lokal, duke u paraqitur me këngë dhe melodi të reja ose me rizgjimin e këngëve dhe melodive të vjetra; dhe jashtë vendit, me pjesmarje në aktivitete ndërkombëtare apo si të ftuar special në pothuaj gjithë shtetet e Europës, por edhe në Rusi, Amerikë, Australi etj.

Kënga më e hershme iso-polifonike (himariote), e dokumentuar, është kënduar në mbasditen e datës 29 Qershor 1444 në fushën e Torviollit. Shqiptarët e fituan betejën, por humbjet e tyre qenë shumë të mëdha. Himarjotët e rënë në këtë betejë ishin një numër i madh rreth 33 % e gjithë forcave të tyre, madje mes të vrarëve ishte edhe prijësi i tyre, Kapedan Anton Linjërosa. Pasi përcollën me nderime të vrarët, në mbrëmje në festimin e fitores, duke pritur Skënderbeun dhe komandantët e tjerë që vinin t’i uronin, himariotët ja nisën valles së kënduar.Teksti ka aritur deri te ne, falë Barletit dhe përshtatjes nga Noli që thotë: Demave të Shqipërisë/S’u shpëton lop’ e Turqisë/Ali Pasha[2] lopa plakë/Po ta mbajti eja prapë .. Nuk dihet kush është autori[3] i këtij teksti fin për kohën dhe situatën, sepse kënga popullore ka anonimat autorësinë. Është një nga këngët e rralla iso-polifonike që ka mbritur, por është njëkohësisht edhe dëshmi se në atë kohë këndohej kjo këngë.

Shqiptari nuk e shkruante në letër historinë, ai e këndonte atë. Kënga iso-polifonike e ka shoqëruar shqiptarin në çdo luftë, ka regjistruar çdo veprim e gjest të tij. Ajo ka ritur ëndrat e tij për liri, por edhe kaushtuar si kushtrim, sa herë që atdheu ishte në rrezik. Kënga jonë ka fytyrën e historisë sonë. Ndaj këndojmë… Me këngë i kemi përcjellë,/dhembje, halle, derte, Nëpër gjak i kemi mbjellë,/i kemi për vehte….sepse vërtet këngët tona iso-polifonike janë pjesë e qënies sonë, janë domosdoshmëri e egzistencës sonë.

Kënga jonë iso-polifonike me origjinë nga vajtimi dhe me përbërës të saj polifoninë (bashkimi i tre zërave muzikorë marrësit, hedhësit dhe pritësit) bashkuar me iso-n ( që nuk është zë muzikor por përfaqson miratimin popullor) është një nga krijimet më të herëshme të njeriut shqiptar dhe si e tillë, ajo dëshmon për lashtësinë, për identitetin dhe autoktoninë e kombit tonë..

Me ngjashmërinë teknike, shpirtërore, stilin e iso-s etj. që kanë këngët tona iso-polifonike të krahinave të ndryshme (psh ngjashmëria mes këngëve himariote, skrapariote dhe çame), janë dëshmi e unitetit të etnitetit tonë dhe këtë fakt ato e thonë në tekst, në melodi, në iso-n e tyre magjike. Duhet vetëm të mësojmë t’i dëgjojmë këto këngë, t’i kuptojmë dhe do bëhemi më të ditur, më të mirë, do ta duam më shumë njeri tjetrin dhe vendin tonë. Kënga jonë iso-polifonike, siç mblodhi marrësin, hedhësin, kthyesin dhe grupin e iso-s, ashtu na mbledh edhe neve, jo vetëm për ta dëgjuar, njësoj siç mbledh nëna fëmijët në prehërin e saj. Prandaj duhet ta duam këngën tonë iso-polifonike, ndërkohë që dashuria për këngën fillon nga nderimi dhe respekti për këngëtarët e saj, të cilët kanë sakrifikuar talent, kohë e burime material vetiake për mbarëvajtjen e saj.

Antarët e grupeve folklorike janë vërtet heronjtë e artit të kohës sonë. Pa mbështetje financiare ose me mbështetje shumë të pakët nga kontribute private, duke sakrifikuar kohën dhe mjetet financiare të familjeve të tyre, pa shpërblime, jo vetëm që e mbajtën gjallë këtë pasuri të madhe shpirtërore të kombit tonë, jo vetëm e përsosën atë në nivelet më të larta artistike të aritura ndonjë herë, jo vetëm që e përcollën plot dashuri te brezat e rinj, por me çfaqjet e dhëna nëpër botë, me nivel të lartë artistik e kulturë qytetare, pastruan imazhin e vendit tonë, të prezantuar negativisht nga disa individë. Këta njerëz të thjeshtë, por shpirtërisht të mëdhenj asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë, por shteti u ka një borxh të madh, ndërkohë që atdheu ka vetëm mirënjohje e respekt për ‘ta..

Ne dimë që nëna nuk i haron fëmijët, sado e varfër të jetë. Po s’pati bukë, do tu japë përralla, po ju mbaruan përrallat do tu japë ëndërra, shpresë, besim, por mbi të gjitha do t’i vlerësojë për atë që janë bijtë e saj.

Prania e të nderuarit President në këtë tubim dhe dekorimi i disa prej lëvruesve të këngës iso-polifonike, është së pari nderim për artin gojor shqiptar, por edhe vlerësim për të gjithë ata që nuk e braktisën këngën në këto kohë të trubullta, por e mbajtën thellë në shpirt, duke e përkundur e ritur me dashuri.


Ishte vërtet e bekuar ajo ditë e shkuar e 25 Nëntor 2005 dhe drita e saj vazhdon të na ndriçojë akoma.


Faleminderit.


Vlorë, më 28 Nëntor 2020

[1] Ndoshta këtu është vendi të citojmë emra këngëtarësh, por në festën e fitores, për vetë kohën e kufizuar nuk citohen emrat e gjithë heronjve, sakrifica e të cilëve solli fitoren. Edhe tjua adresojmë ffitoren gjeneralëve të tyre si Neço Muko, Dhimitër Varfi e Katina Beleri, Nazif Çela e Arjan Shehu, Ermioni dhe Katina Mërkuri, Golik Jaupi dhe Paro Zylfaj, Demir Zyko e shumë të tjerë, edhe kjo më duket e padrejtë. Mund të përmënd cilësimet që u adreson populli si “Gjenerali i këngës labe”për Golik Jaupin, “Princi.i iso-polifonisë” për Lefter Çipën, ”Princesha e këngës himariote” për Katina Belerin” etj. dhe për shkak të kohës së kufizuar ta alëmë këtu. [2] Komandanti turk në luftëën e Torviollit quhej Ali Pasha. [3] Shih: Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut T.1962, fq 39-40. Historia e Shqipërisë, Vëll.I, T., fq 277 Në kohën tonë, autorë si Lefter Çipa, Feti Brahimi i Lapardhasë, Meleq Kapllani i Kaninës,Nexhip Seraj i Bratit, Llambro Hysi i Kallaratit, Nertesi Asllani i Bolenës, Kristo Çipa i Pilurit, Felek Bleta i Vërmikutme tekstet e tyre e ngritën në një nivel të përsosur artistic tekstin e këngëve, duke I dhënë një dimension të ri.

190 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page