Mësuesit e mi të dashur !
Ju kujtoj një nga një, si perlat e dijes sonë. Për vite me radhë më rrethuat me dije, përkushtim e dashuri. Ditët e vitet me ju në shkollë “gdhendën” në shpirtin tim fjalët : “mirënjohje” e “adhurim”. Na mësuat me përqafimin e ngrohtë prindëror dhe fjalën e mirë plot buzëqeshje…
Ju mësues të dashur duruat kapriciot tona adoleshente, nazet dhe zhurmën e moshës sonë e duke ruajtur këtë ndjenjë si diçka të vyer, sot kthehet në formë kujtimi me plot mall e dashuri….
Ju të dashur mësues latë “gjurmë” në jetën time, ndjesi dhe hapa mbi të cilët unë shkela e do vazhdoj ta bëjë për shumë kohë akoma në jetë.
Mirënjohje !
………………………SPASSE THANASI
PANDI VAKËFLLIU,mësuesi i Fizikës,tepër elegant, shpirtëmirë dhe miqësor me nxënësit.
Kudo ai vlerësonte identitetin, mirësjelljen,dashamirësinë, dhe përkushtimin e cilësi të tjera të vyera të njeriut…Vetë ishte një mësues perfekt që kërkonte disiplinë, rregull, sjellje shembullore brenda e jashtë shkollës…
Mësimdhënia e tij ishte tepër cilësore bazuar me tekstin mësimor, por edhe me dijenitë nëpërmjet laboratorit praktik dhe literaturës shkencore plotësuese sipas programit mësimor e edukativ të shkollës…Ai shpesh na thoshte: “Ora e mësimit fillon kur fillon shkollën për herë të parë, dhe mbaron kur merr Deftesën e Pjekurisë së Maturës(Diplomën)…”
Në Mars të vitit 1970 është dekoruar nga Presidiumi I Kuvendit Popullor me Medaljen : “ Naim Frashëri të Klasit të 2-të”.
Mësues Pandi Vakëflliu gjithmonë këmbëngulte për diferencat në mësimdhënie dhe e shikonte orën e mësimit në bebe të syrit :
- Mësuesit i duhet ta dojë nxënësin, ta respektojë atë, ta njohë personalitetin e tij, ta ndihmojë në cdo moment, të jetë dashamirës që ai ta kuptojë se gjithcka që po bënë mësuesi, po e bënë për të e ky përkushtim duhet të jetë i përhershëm në shkollë.
Ai ishte bashkëshorti i mësueses së letërsisë Elsa Vakëflliu,që gjithashtu ishte modeli i mësimdhënies në klasë.
I përjetshëm kujtimi i tij !
Elsa Vakeflliu, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, me natyrë krenare për misionin e mësueses dhe edukatores së brezave të nxënësve që kalonin pragun e shkollës brenda 4 vjetëve… Orën e mësimit e kthente në një bashkëbidedim të përkryer me nxënësit. Në orët letrare të klasës ishte si një aktore…Me zërin e saj dhe oratorinë e kristaltë të shprehjes “mbërthente” cdo emocion. Ajo ndiqte me kujdes formimin ndjesor të nxënësve, kulturën e tyre të përgjithshme, dashurinë e të nxënit jo vetëm brenda “kornizës” së librit, por edhe me literaturën kulturore-shkencore dhe botimet e shumëllojshme letrare e historiko-shkencore të vendit…Nxënësit i vështronte me dashuri,komunikonte lirshëm, plot edukatë e mirësjellje dhe mundohej të ishte e përkryera në orën e mësimit.
- “ Një orë mësimi, - thoshte ajo,- është art, cdo orë mësimi ka formën dhe përmbajtjen e vetë, është dituri, kulturë,informacion, është bashkëbisedim, arsyetim, ndjesi, mendim induktiv, logjikë shkencore,atmosferë emocionale, thjeshtësi në bashkëbisedim, qartësi, vetëdije, rendiment, krijim, përballje me nxënësin, vështirësi sigurisht, dhe të gjitha këto duhet të ndodhin brenda 45 minutave, ku gjithcka të jetë e gërshetuar në mënyrën më të mirë të mundëshme..”
Për punë këmbëngulëse dhe pasionante, më 24 Shkurt 1967 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të 3-të”. Ka qënë pjesëmarëse në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë me kumtesën : “ Shkrimi i zanores (ë ) fundore të patheksuar”…
Për kolegët e saj ishte mësuesja e mësuesve, sepse gjatë jetës së saj pedagogjike, nxorri nga bankat e shkollës një armatë të tërë mësuesish.
Si mësuese e letërsisë punoi 28 vjet me radhë dhe iu përkushtua me dinjitet nxënësve të saj !...
Bedri Telegrafi, mësuesi i Historisë mbeti shpirti miqësor me nxënësit dhe kritikuesi i drejtpërdrejt i të gjitha të metave e dobësive të nxënësve që vërente nëpërmjet orës së mësimit, praktikës mësimore apo dhe aktiviteteve shkollore. Ai kudo ishte shoqeruesi i nxënësve për të gjitha angazhimet shkollore dhe komunikuesi i afërtë me prindërit e nxënësve kur ishte mundësia për tu takuar e biseduar…
Jo rrallë herë përcillte dhe ndiqte nxënësit nëpër Universitete ku ata shkonin me studime të larta, sidomos me Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kodër-Kamëz. Një cast i tillë është edhe fotoja që ne kemi bërë në Universitetin Bujqësor Kamëz, Tiranë në vitin 1982 me mësues Bedri Telegrafi e Kozma Cimbidhi e një grup shokësh e shoqesh të ardhur student nga shkolla e mesme ekonomiko-bujqësore “Kristo Isak” Berat, që e kemi edhe në faqet e librit me kujtime të shkollës.
I tillë ishte ky mësues me natyrë krenare, që gjithmonë ishte dashamirës pranë nxënësve të tij, por edhe i rreptë në kërkesën e llogarisë për mësimet dhe etikën e paraqitjes në shkollë. Ai nuk kërkonte as më pak e as më shumë nga zbatimi korektë të rregullores së shkollës dhe në cdo rast ishte i vemendshëm për të mos krijuar problem e konflikte në Drejtorinë e shkollës. Të gjitha cështjet i mbyllte me klasën, me mësuesin kujdestar, me kujdestarët e konviktit , me prindërit e nxënësve etj. dhe në asnjë rast ai nuk u tregua ‘harbut” që trembte nxënësit. Fytyra e tij e qeshur e miqësore ishte një “pasqyrë” e vërtetë e asaj që ti kërkoje të gjeje të mishëruar në figurën e mësuesit brenda dhe jashtë shkollës.
NIKOLLA PERDHIKU,mësuesi i Matematikës dhe Gjeometrisë
Gjatë 4 vjetëve të shkollës së mesme në Berat, ai ishte natyrë e butë dhe mënjanonte në opinion e nxënësve “tmerrin” që sillte matematika në shkollë si lëndë e vështirë dhe e pa përballueshme me ushtrimet e shumta dhe ekuacionet pambarim me një e më shumë të panjohura…( se matematika është 50% me formula, 50% me ekuacione e vërtetime, 50% përbëhet nga imagjinata dhe 50% nga gjëra që nuk i kuptojmë asnjëherë).
Sa herë që mësuesi përdorte simbolet matematike, nuk na tha asnjëherë se cfarë shkruan, por thjeshtë futej në një lojë me shumë rregulla dhe ne nuk arritëm asnjëherë ta kuptojmë të vërtetën se cfarë na tha. Matematika ishte lënda që na e bënte shkollën dy herë më të vështirë, por këtë ndjenjë ne e rruajtëm vetëm si iluzion, pasi asnjëri nuk u dogj nga kjo ofertë mësimore me shumë konvergjenca.
Shpesh mësuesi ynë qeshte. Por edhe punonte me durim me nxënësit e dobët. Ndjehej keq kur ndonjëherë vlerësonte një nxënës me noten 4. Me shkumësin në duar ai nuk përtonte të sqaronte zgjidhjen e ushtrimeve në dërrasë. Edhe vizoren e gjatë prej druri nuk e ndante nga vetja për të bërë sa më të kuptueshëm grafikët e gjeometrisë…Korrektesa e tij mësimore ishte një shembull i artë se si nxënësit të sillen e të mësojnë. Domethënie e gjuhës pedagogjike,alternuar me heshtjen matematikore !....
Mësuesi i matematikës Nikolla Perdhiku, na dukej shpesh si një “margaritar i Planetit” që na shpjegonte si hero me vizore në dërrasë “abetaren e shkencës”….Më ka mbetur në memorie thënia e tij për këtë shkencë ekzakte se “cdo gjë universal është si pika fillestare e mendimit ku gjithësia është fillimi e përfundimi i materies e materializmit”….
Ky mësues tashmë është ndarë nga jeta,duke mbetur ne kujtesën tone shkollore imazhi i një njeriu të drejtë në metodën e mësimdhënies në klasë dhe modeli i një matematicienti human.
AFËRDITA KOTA,mësuese e lëndës së Statistikës në vitin e III e të IV.
Ishte nga Kucova, dhe vinte cdo mëngjes në shkollë me linjën e autobuzave të këtij qyteti. Gjithmonë shoqeroheshe vetëm më mësuesen Gjinovefa Milo, që ishte shoqe e ngushtë e saj edhe gjatë studimeve të larta.
Na shoqeronte me praktikat mësimore nëpër ekonomi të ndryshme të vendit.
Ajo vlerësonte shumë rëndësinë e informacionit nëpërjet shifrave, analizave ekonomike dhe punimeve të pavarura të nxënësve. Në cdo rast mësimdhënie ajo vinte me një fletore të vecantë ku kishte shënuar informacione e kuriozitete bashkëkohore nga literature shkencore dhe aktiviteti ekonomik e jetësor…Nuk linte rast pa sjell në klasë përvojën e përparuar të shumë individëve dhe ekonomive bujqësore të vendit.
Megjithëse ishte “natyrë strikte” me lëndën dhe mësimin në klasë, ajo nuk harronte të nxiste vullnetin, dëshirat dhe kuriozitetet e nxënësve nëpër aktivitetet jashtëshkollore që ishte të shumta gjatë gjithë vitit.
Nuk ruajmë ndonjë fotografi të saj, por ajo nëpërmjet rreshtave të këtij libri kujtimesh do të mbetet e gjallë dhe e përjetshme në memorien e brezave të nxënësve që kaluan pragun e shkollës së mesme “Kristo Isak” në Berat.
PAJTIM ZOTO, mësuesi i Fizikës në vitë të II-të dhe III-të mbahet mend prej nesh për prezencën perfekte në orën e mësimit si në veshje, në oratorin e fjalës, në kontrollin e lëndës, në shpjegimin e mësimit etj. Si lëndë e shkencave ekzakte, FIZIKA ishte e vështirë për tu interpretuar nga ana teorike, por edhe në natyrën e komplikuar të ushtrimeve e problemave që kërkonin një intuit koncize. Mësues Pajtimi ja doli me ne të ishte jo vetëm “djalli” në kuptimin e mirë të fjalës me vështirësinë e lëndës, por edhe inspiruesi autoritar i angazhimit të mendjes dhe trurit në “mbretërinë e vështirë” të Fizikës. Për problemat e vështira ne krijuam një fletore të vecantë ku shënonim zgjidhjet më të mira në mënyrë grafike. Shija që na linte kjo kënaqësi i dedikohet vëtëm mësuesit tonë që cdo 2 javë na bënte detyrë kontrolli me shkrim e me gojë e në fund të vitit shkollor kërkonte nga nxënësit e mirë të 10-ës një “fletore model” me ushtrime e probleme të zgjidhura në disa variante, shoqeruar me figura gjeometrike, grafikë etj.
E admironim si “zotëri” për tundimin e madh që na jepte nëpërmjet orës së mësimit. Ai bëhej interesant me mbykqyrjen e orës së mësimit në 45 minuta dhe nuk krijonte asnjëherë lëmsh zemërimi, neverie e frike sic ndodhte për shembull me lëndën e matematikës në përgjithësi. Ai ishte i heshtur, por njihte mirë dëshirat, opinionet, ëndrrat e nxënësve dhe përpiqej të mos mbetej “abstrakt”. Në të gjitha situatat mësimore ai kishte tiparet e një fytyre “rivale” me vështirësinë më të vogël dhe largohej nga shkolla “ i ngopur” nga dashuiria me nxënësit.
LUIZA KOKAVESHI,mësuesja e Kimisë.
Ishte mishërim i ambicjes për një jetë pa tallaze. Në oborrin e shkollës ecte me madhështi dhe në dritën e diellit jepte një dritë gëzimi dhe buzëqeshje të ndritshme. E vemendshme dhe e përzemërtë ajo vinte në klasë tërë energji dhe rrëfente bukur mësimin e radhës. Herë pas here me vështrime kureshtare në fytyrat e nxënësve, ajo shkëpuste prej tyre ndjenjën e përkryer që rrjedh në lumin e madh të jetës.
Një mësuese - Zonjë , që komunikonte pa komplekse. Ndaj “erërave të tërbuara” që vinin për shfaqet e huaja, ajo mprehte heshtjen e saj “magji” dhe kritikonte me sens që u shkonte përshtat “binarëve” të moshës. E donte me shpirtë ofensivën e rinisë,admironte me ngrohtësi të ëmbël dashurinë e saj dhe gjithnjë duke iu shmangur rutinës ideologjike të edukimit gjente fjalë me humor për të mbyllur cdo keqkuptim të mbetur gjallë nga lufta me“shfaqet e huaja në shkollë”.
Na donte, dhe ne e admironim për këtë qendrim me dijen , me librat, me mësimet, me shkollën. Në shtratin e madh të dëshirave tona ajo kapte castin e panjohur dhe ngulmonte që të hidhnim hapin e pa gabuar.
Sot rrallë gjen mësuese të tilla intiligjente për moralin e rinisë !...
PAVLLO SAHATCIU, mësues matematike, me nofkën “tmerri”!...
Një mësuesi elegant që mbrojti “dashurinë e matematikës” me vitet e rinisë…Breza të tërë nxënësish i “skaliti” në ekuacionet danteske me zgjidhje të mundshme, por asnjëherë nuk mohoi përfundimin e dyshimtë dhe kur humbi kjo “dashuri e zgjatur”, ai i quajti vajzat e Sarandës “bashkësia boshe”. Në kujtimet e brezave janë gjithmonë “momentet e vështira” me këtë mësues në lëndën e matematikës, por shkolla jonë e kishte një mësues intiligjent,që “egërsinë” e lëndës së vështirë e hidhte në Osum !...
Tjetër moment i bukur me këtë mësues, është kur ai shoqeronte nxënësit në praktikat mësimore apo në zboret ushtarake. Nuk harronte të bënte shakanë e bukur : “ Mos harroni formulat e mia dhe ekuacionet e rëndësishme”….Mbaj mend që shoku im Pozaet Qose thoshte në gallatat e tij të pafundme se “Matematika e Pavllo Sahatciut dhe Fizika e Pajtim Zotos, na shoqerojnë kudo si “buka me djath”…
Mësues Pavllo përpos natyrës së tij të ftohtë, kishte cilësi mjaftë itiligjente dhe gjente mënyrën për të formuar në klasë një orë mësimi të këndshme, pavarësisht lodhjes me dërrasën e zezë…Ai habitej shpesh me namin e tij si “tmerri i nxënësve” në shkollë, dhe gjente rastin që ndonjë nxënësi ti thoshte me dashamirësi të plotë : - “Unë vërtetë ju tremb si natyrë, por nuk ju le të vrisni shumë mendjen për matematikën time, merni aq sa mësoni nga ajo…”.
Comments