MESAZHI I PËRTËRITJES NËPËR KOHË


Prend Buzhala

Analizë libri


Prend BUZHALA:

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri me poezi “Në lumë bie shi” i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA


MESAZHI I PËRTËRITJES NËPËR KOHË


(Sejdi Berisha: “Në lumë bie shi”-poezi, botoi Club Kultura, Pejë-2015)

Vëllimit poetik “Në lumë bie shi” të Sejdi Berishës, i paraprijnë tridhjetetre tituj veprash e, ndër to, katërmbëdhjetë tituj librash poetike: "Tronditje" (1991), "Feniksi" (1993), " Simfoni pritjeje" (1995), "Gabim stinësh (1996), "Në cep koha (1997), "Heraldika (2000), "Freskia e pluhurit (2002), "Plagë në pikturë (2005), "Fjala e gjakut" (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006), "Kaq shumë vetmi" (poezi të zgjedhura- 2007), "Dashuro një minutë" (2007), "Fjalë e pathënë" (2009), "Kërkoj dhembjen time" (2011), "Vargje të këputura" (2012) dhe "Gjethet e hirta të zemërimit" (2014). Le ta përfytyrojmë këtë libër si një hartë shpirtërore që shtrihet mbi qenien tonë në kohë e në hapësirë, në të cilën ajgëtohen relieve të shumta çastesh lirike-tematike, perigje dhe apogje të panumërta reagimesh emocionale dhe meditative. Le ta lexojmë si një rrjedhë lumi ku parakalojnë ngjarje familjare, personale, historike a kombëtare, peizazhe stinësh, në të cilat gjithnjë na tujgon një shi, një shi që personifikon herë mërzinë e herë romantikën e jetës, herë shtypjen ekzistenciale e herë gëzimin e një mëngjesi; ku shtegtojnë zogj, re, apo ku na ligjërojnë diskurse malli, paradoksesh apo absurdi, epitafesh apo çmendurish, pagjumësish apo prangash nëpër kohë, diskurs legjendash apo lutjesh, kryeneçësish, elegjish apo baladash. Pas kaq e kaq librash zhanresh të ndryshme, krijuesi e sprovon gjithnjë vetveten nëpër këta rrathë të panumërt përjetimesh e këndimesh, duke mos e pranuar asnjëherë debaklin estetik apo etik. Dhe pikërisht këtu qëndron forca humaniste e humanizuese e kësaj poezie...

1. Etimoni lirik: nëpër shtegtime me të bukurën

Duke qenë poet, dramaturg, prozator, eseist, autor monografish të shumta, megjithatë Sejdi Berisha mbetet poet që iu ka përkushtuar vargut poetik për një kohë të gjatë. Këndim-shkrimet paralele (poezi-eseistikë) shpesh e shpesh janë rikëndime eseistike ose poezi e eseistizuar. Në secilën kohë mëkati dhe idealizmi me të bukurën e ëndërrimit sikur shtegtojnë së bashku. Poeti ia vë vetes për obligim të flasë për mëkatet që i bën kjo kohë, që i shkakton vetë kjo hapësirë. Nuk është e habitshme pse në këso rastesh fjala e poetit vishet me revoltë a me klithmë të brendshme, me meditim të pezmatuar a me thënien lirike të acaruar, por të kontrolluar rreptësisht nga shkurtësia e vargut a nga prerjet e saj të shkoqura. Lirika e të pesëmbëdhjetë librave poetikë, gjallëron në horizontin e komunikimit letrar me realitetin tonë, sepse, librat e tillë, të marrë së bashku në distancën kohore prej 1991 (kur e botoi librin e parë me poezi) e deri te ky i fundit, janë vepra që ia dhurojnë kohëve që i jetuam e përjetuam zërin e vet autentik, reagimin emocional dhe artistik karshi situatave, nëpër flakën e të cilave kaluam dhe shtegtuam. Këta libra japin pamjen e rekonstruktuartë të gjithë asaj që nëpër dekada e vite është ndërtuar varg pas vargu, vjershë pas vjershe, cikël pas cikli, poemë pas poeme a libër pas libri, si një ngrehinë artistike kohe e të cilën Leo Shpicer e quante "etimon shpirtëror". Kjo do të thotë se poezia e tillë jo vetëm që është dëshmitare e bashkudhëtare kohësh, por është dhe një univers i tërë që rri kundruall absurdit antihistorik e antinjerëzor, mbylljes, vrasjes së vlerave:

Absurd...

Herët në mëngjes

Kalin mbatha në kokë

Lumi në shkretëtirë vërshoi lulet

Nga acari u përcëllua toka

E nga helmi lindi dashuria

Sot erdhi e djeshmja

Risi apo reprizë

Absurd nuk është jeta...

Sejdi BERISHA

Nganjëherë poetit i pëlqen ta përqafojë absurdin, si metaforë çlirimi e personifikimi me qytetin:

Në mesnatë u zgjova

Deri në qiell u ngjita

Pashë qytetin tim

Sa mirë flinte

Me tërë fuqinë e përqafova

U dogja me zjarrin

Që e mban në zemër

Qyteti tim i ndrydhur

2. Koha, diskursi i urtisë

A nuk është edhe koha jonë, në të cilën jetojmë, një epokë e proceseve, e thyerjeve dhe e kthesave të rëndësishme? Si gjithnjë, kohëve dhe epokave të tilla, u duhet ligjërimi poetik, u duhet zëri i poetit, i cili nuk hesht, kur po kjo kohë hesht pabesisht, e të tjerët as që dinë të flasin dhe moteve ua veshin shurdhërinë:

Janë do kohëra

Që nuk dinë të flasin

këndon qortueshëm e meditueshëm poeti diku brigjeve të Himarës. Ai i merr vesh edhe ligjërimet që të tjerët nuk i kuptojnë:

Nëpër damarët e tokës

Çdo grimcë dheu më flet

Tutje këndon nëpër të gjithë etnikumin. Kurse koha, në të cilën jetojmë, kafshon e përcëllon herë padiktueshëm e herë egërsisht, thotë diku folësi lirik i kësaj poezie. E si t'i tejkalosh këto barrikadime që na dalin përpara me lakminë e pangopshme a me qëndrimin prej Zeusi mbi kokat tona, me përcëllimet e me kafshimet? Assesi ndryshe, përpos që me mirësi të tejkalohet e keqja, a me dashuri të kapërcehet urrejtja, kurse me harenë e së bukurës ato barrierat e moskomunikimit. E, të flasësh me urtinë e ligjërimit në këso situatash kafshuese, poeti na e thotë se kësisoj, është e domosdoshme, mu ashtu si është i domosdoshëm ndërgjegjësimi i secilit prej nesh,

Unë jam fjala

Nismë e jetës jam

Ashtu sikur lind fëmija

Kjo është pesha ime

Ndoshta mesazh

Ndoshta edhe qortim...

Sepse në filogjenezën e gjuhës, janë shënjuar dhe regjistruar me aq forcë e energji dashuria dhe urrejtja, mu ashtu si na janë pjesë e qenies dhe fjalës sonë edhe hyjnorja, edhe masakrat mbi të martirizuarit. Kurse kjo kohë, duke bartur peshën e rëndë të së kaluarës, lëshon klithmën e saj edhe njëherë si shenjë për ndërgjegjësim jo vetëm të një universi të tërë shqiptar, por edhe planetar:

Në Zürich, Kapeshnicë e Jarinë

Në Stuttgard, Lagje të Trimave

Edhe në Tamnik e në Bernë

Mëhallë t’Hadumit e n’Çarshi të Vogël

Kudo Peja, Prishtina

Gjilani, Ferizaj e Gjakova

Në Sent Galent përfundova (...)

Ec më tej

Bruxel, Amsterdam, Paris

Shqiptarë të Kosovës

Të Shqipërisë e të Maqedonisë

Në mbarim e në nismë

Në Oslo, Malme edhe në Helsinki (...)

Bëra hop deri n’Angli

Gjithkund shqiptarë

Edhe në Australi

Shqiptarë në Egjipt, Turqi e Itali

Në Amerikë e Kanada (...)

Tash unë me vetveten

Në Berlin, Londër e në Gjakovë

Në Diseldorf e në Gjenevë

Sërish vendi im

Kurse krijuesit i mbetet që ta këndojë urtësisht vetëm një baladë dhe të ligjërojë me çiltërinë e shpirtit, posi një fëmijë ("U ndala/ Mendova si fëmijë"). Poezitë vijnë si rrëfime të një shpirti poetik, që rrjedhin pandalshëm, si një lumë jete e arti...

3. Drama e ikjes nga vetvetja

Te një varg poezish, mërgimi i tillë këndohet si dramë nacionale dhe njerëzore. I duhet të ligjërojë kësisoj, poetikisht, sepse kjo kohë e ka rrudhë tragjikisht të folurit bashkëbisedimin dhe bashkëndjesinë. Në këso situatash të shtrëngesave e të rrudhjes sociale, ekzistenciale e nacionale, dialogu mes qeniesh zhduket. E ku ka situatë më tragjike se njeriu të ikën edhe nga të folurit e vet, në vorbullat e vetmisë e të tjetërsimit,

qoftë edhe duke i marrë rrugët e botës në sy apo duke u mbyllur në vetminë e dhomës, apo duke u endur rrugëve pa cak? A nuk do të thotë kjo se po ike kësisoj, ti ikën edhe nga të menduarit, nga vetëqenia, nga vetë personaliteti vetjak? Cikli a pjesa e parë e librit ka domethënien kuptimplote: “Ikje nga vetvetja”. Kurse cikli i dytë (“Asgjë nuk mbetet”), na i sugjeron mungesat e shumta në jetë, në histori e në realizimin e vetvetes si qenie kolektive a si qenie sociale (“Kur shikoj rreth sofre/ Mungojnë shumë veta”). Sikur qenia moderne, kësisoj, e gjen strehën në vatrën e tillë të vetëdënimit, të braktisjes së shpirtit të vet, sepse është dhuna e jashtme e socialitetit të rëndë ekzistencial që ia dikton një situatë të tillë, kurse vetëdënimi veç sa kërkohet si kënaqësi pothuajse sadiste e mazohiste... E, po qese poeti kërkon të flasë, të ligjërojë, të bashkëbisedojë, atëherë kjo është një kërkesë për t'iu kthyer vetvetes si qenie kolektive, prandaj dhe kambanat e alarmit janë të rrëqethshme:

Thekshëm bien kambanat

Për zgjim

Çelësin e gjumit

Duke kërkuar

Rrugën e mëngjeseve

Me dritë për ta shtruar

Po qe se poeti është i zgjuari, kjo nuk i mjafton botës që na rrethon. Ky ndërgjegjësim urtak na ligjëron se njeriu mund të ekzistojë edhe jashtë një të foluri anemik politik, madje me bukurinë e thënies.

4. Vizioni lirik i mëngjesit, libërleximi i dashurisë

Ai gjendet gjithnjë në këtë kërkim, në kërkim të zgjimit dhe të çelësit për t'i hapur portat e rënda të shpresës dhe zgjimit. Zgjimi dhe poeti JANË NJË. MËNGJESI DHE POETI IDENTIFIKOHEN NJËNJËSHËM ME KRJIMIN. Madje, është poeti që i paraprin zgjimit, mëngjesit dhe agut. Nuk është e rastit përse këtë libër poetik e popullon fjala mëngjes, edhe atëherë kur "Heshtja po i han mëngjeset", poeti nuk e pranon humbjen, humbjen si një e keqe që na pllakos e na zhyt thellë në situata mjegullimi; prandaj ai gjendet në lëvizje ("Ecje mëngjesi"), ai me mëngjesin ndien dritën e lumturisë, bukuria e mëngjesit i ngjason ëndrrës ("Si ëndërr më duket mëngjesi"). Kjo ecje, lëvizje e përjetim në mëngjes, e shënjon përafrimin e poetit jo vetëm ndaj natyrës, por sidomos ndaj realitetit përreth, ndaj botës së gjallë, si një mundësi e krijimit të komunikimit të vërtetë me njerëzit. Kjo hare e komunikimit vjen herë si lajm i gëzuar që sjell madhështinë e bukurisë së lindjes së një fëmije,lindjen e një mbese a për një ditëlindje. Poetikisht, mëngjesi metaforizon kthjelltësinë e vizionit lirik, duke e rikrijuar edhe mitin e dikurshëm antik të Dritës së mëngjesit, si një personifikim të situatave të dashurisë dhe jetës, i gruas së re, Eos-it dhe Eros-it. Ndërsa ky vizion sado që zymtësohet ("nga helmi lindi dashuria"), megjithatë poeti, i gjendur gjithnjë NË LËVIZJE, NË RRUGËTIM, në gjallërim... e ka libërleximin e vet të dashurisë:

Më duhet zjarri

Edhe hidhërimi

Edhe ledhatimi

Edhe loti

Edhe kënga

Edhe terri

Edhe drita

Edhe tradhtia

Edhe ikja e ardhja

Për ta lexuar dashurinë

Kështu

Sa bukur bëhet rrugëtimi

Porse gjatë këtij rrugëtimi, diçka e ka lënduar jashtë mase poetin. Diçka ia ka davaritur të bukurën në jetë e në shtegtim. Ai ende bart peshën e rëndë të së kaluarës, e kësaj të kaluare të paharruar si memento e si peshë jete a si masë historie. Këto lëndime vijnë si mospërfillje ndaj krijuesit, artistit a njeriut të letrave, njeriut të skenës a njeriut të kulturës, për ç'arsye poeti merr tjetër herë rolin e eseistit për t'i zhdrivilluar këtë lëndim në trajtën e një qortimi a këngëvajtimi, revolte dhe pezmi. Poeti udhëton nëpër këso peizazhesh planetare a atdhetare, kurse ai shpesh na dërgon nëpër labirintet e brendshme të tuneleve të mallëngjimit dhe kujtesës. Po sa t’i biesh në fund librit, lexuesi e ka përpara thesarin e pasur të mesazheve, aty ku fjala poetike na drejtohet si udhërrëfyes shtegtimesh, kurse dashurinë do ta gjakojmë si një peizazh i kërkuar, nga përfaljet e të cilit nuk duam të ndahemi. Është mesazhi i përtëritjes së urtisë nëpër kohë.

Zgjohu, o plaku im

Qëndro me mua

Vetëm deri sa ta kaloj

Lumin tënd të rrëmbyeshëm

Se shumë ura stuhitë na i kanë rrënuar

E urtia jote edhe sot më duhet

Kështu e përmbyll librin e tij krijuesi Sejdi Berisha. Frymëzim për ta rikthyer dashurinë në zemrat e të tjerëve (“Dashuroni e mos u frikësoni/ Aty më keni pranë”). Poeti i ekspozon plagët e kohës, në mënyrë që ato t’i shërojë (“Nëse sëmuren poetët/ Kush ua shëron shpirtin/ Bohemët nëse ikën/ Kush do ta shoqërojë verën”).

5. Poetika: thjeshtësia lirike e strukturës së ndërliqshme

Për shkak të shkurtësisë dhe ngjeshurisë së thënies lirike, kjo poezi duket shumë e thjeshtë. Mirëpo, thjeshtësia e lirikës së tillë të realizuar, është rezultat i strukturës së tillë të ndërliqshme, në të cilën lexuesi i pajisur me prirjen e dijen për lexim krijues, do t’i perceptojë reminishencat lirike të ligjërimit poetik e të organizimit ritmik të poezisë. Ai është i kujdesshëm që ta baraspeshojë shprehjen lirike me strukturën semantike, ndërsa fjalët shpesh marrin ngarkesa figurative-meditative. Poeti priret kah paraqitja e situatave vendimtare të rëndësishme e tipike, ku gjithsesi, subjekti lirik i kthehet gjithnjë vetvetes, botës së tij të brendshme (një Unë i depersonalizuar nëpërmes ligjërimit në veten e parë edhe kur tematizon vdekjen, dashurinë, karakterin kalimtar të jetës, atdhedashurinë, historinë, motivin popullor etnografik apo filozofik. Sejdi Berisha është i kujdesshëm që të mos ketë përshkrime narrative të tepruara, së këndejmi, tërësia lirike nuk realizohet duke thurë mbylljen në mes “fillimit” e “përfundimit”, prandaj ajo lexohet si lirikë e hapur, duke dhuruar e nxitur përjetime të pasura e të nduarnduarta. E pasur është edhe bota meditative e poetit. Njohjen e vet mbi jetën dhe realitetin përreth, poeti e realizon nëpërmes meditimeve të ngjeshura, thënies së thuktë, nga njëra anë, si dhe nëpërmes ritmit të vargut të lirë dhe figurës poetike, si themel i lirikës, si dhe nëpërmes njësive strofike të lirshme, nëpërmes të të cilave realizohet me kujdes njësia kompozicionale lirike.

Krijuesi nuk vë kufi tematikë se çka mund të këndohet e çka jo. Është poezi që i frymëzon njerëzit të lëvizin kah urtia, i frymëzon për të vazhduar kah qëllimet e larta në jetë dhe për ta pasuruar jetën e të tjerëve.


#prend #buzhala #sajdi #berisha

11 views

Shkrimet e fundit