top of page

Mesazhi i fundit i NËNË TEREZËS në 1997


Mesazhi i fundit i NËNË TEREZËS në 1997 për popullin e saj mbetet aktual, e ribotojmë sot në përvjetorin e shenjtërimit

"Shumë i dashur populli im i Shqipërisë, lajmet për rrëmujat që kanë ndodhur në Vendin tonë të mrekullueshëm më kanë shkaktuar dhimbje të madhe. Dini sa e dua unë Shqipërinë. E kam vizituar shpesh e kam dërguar murgeshat e mia për të përcjellë dhimbshuri, dashuri e kujdesje për të varfërit. Tani, me dhimbje të madhe në zemrën time, mësoj që shumë jetë njerëzore kanë shkuar humbur e shumë të tjerë janë plagosur nga dhuna. Kuptoj vuajtjet e atyre që kanë humbur paratë e tyre, po ju lutem mos i shkaktoni edhe më shumë dhimbje njeri – tjetrit. Kujtoni që Zoti ka krijuar secilin nga ne për gjëra më të mëdha: të duash dhe të të duan. Ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë vuajtje s’mund të na i fshijë nga mendja. Ai burrë, ajo grua, ai fëmijë është vëllai im, motra ime. Dhe duhet ta dua siç do Zoti secilin nga ne. Që të duam njëri-tjetrin duhet të lutemi shumë, sepse lutja na i bën zemrën të pastër e një zemër e pastër mund të shohë Zotin tek çdo njeri. Nëse tani nuk kemi paqe do të thotë se kemi harruar si të shohim Zotin tek të tjerët. Në qoftë se çdo kush do të shihte Zotin tek çdo njeri, mendoni se do të kishim nevojën e armëve dhe të bombave?

Jam duke u lutur shumë për gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dojë deri në vuajtje e kështu do t’i sjellë paqe Atdheut e çdo zemre. Të lutemi. Zoti ju bekoftë! Nënë Tereza.”

Pasi ma dorëzoi këtë mesazh, thotë imzot Hnilika, disa herë më pyeti nëse ia kisha dorëzuar autoriteteve shqiptare. Kishte shumë dëshirë që populli i saj ta merrte këtë mesazh.

(c) Iskra Thoma

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page