POEZI NGA FLORA BROVINA
VERMA EMRIN TIM
Nëse më njeh – e di emrin tim
ka emrin e fluturimit
nëse e di emrin tim mos më thirr fluturim
Nëse më ke parë – e di kush jam
i kam krihet e thëllëzës
nëse e di kush jam mos më thërrit thëllëzë
Nëse ke dëgjuar këngën time – e di si këndoj
vëlla e kam bilbilin
nëse e di si këndoj këngën mos ma ndal
Nëse lotët i urren – e di se unë nuk qaj
qyqen nuk e kam fis
nëse e di se nuk qaj mos më thuaj se nuk ndjej
GJARPRI
Në themel të shtëpisë
I ftohtë
Në këmbë e dorë
Gjarpër
Rrotull meje
Gjarpër
Ndërron lëkurë
Ti ndërron lëkurë
E gjarpër je
Rrotull meje
GRUAS
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
në aneminë e fjalës
ç’fsheh
barrën e dhjetë
apo vitet e tua
ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
zërin e t’yt shoq
apo në përkëdhelje të humbur
ç’ruan në aneminë e fjalës
këngën e heshtur
apo një pranverë të sosur
ç’ruan
kur përkund kohën në djep
ç’ruan
ç’fsheh
THIRRJE KOSOVËS
Ç'do të bëj une pa ty
Pa ardhjet e shkuarjet e tua
Do të harroj të flas
Me vetveten
Ç'do të bëj une pa ty
Pa shikimin në bar
Si t'i ngroh gjymtyrët
Të ngrira akull
Do të më lësh të bëhem plakë
Me dhembje duarsh
Me dhembje eshtrash
Kam frikë kur shkon
Ç'do të bëj une pa ty
Po nuk erdhe
Do të bëhem gurpragu
Kallkan do të bëhem
Ç'do të bëj unë pa ty
SKËNDERAJ
Kujtim as ëndrra
Për erën e ftoit
Më tha nëna
Sa herë të zu në gojë
Dhëmbët mu mpinë
Hape dritaren
Merr frymë thellë
Sa herë he shtatzënë
E ndien më mirë
Erën e ftoit
Të vendlindjes
Më tha nëna
ORA E PARË
Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla... mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla... mungon
Ylfetja Ylfete Humolli... mungon
Shukrija Shukrije Obëtinca... mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi... Halimi... mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi... mungon
Afrimi Afrim Zhita... mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati... Xhevati... mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi... Afrim Prebreza... mungon
Mos më sillni
Certifika mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t'ua mjekojmë plagët
Do t'i presim
Do t'i presim
Thoni vetë mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon...
MERRE VESËN TIME
Kur jashtë bie shi
Më lejo si fëmijë
Të dëgjoj
Përrallën tënde për shiun
(pikat, rrëkenë dhe lumin)
Kur jashtë bie shi
Me dorë ngadalë
Ma merr vesën prej syrit
Para se të marrë rrugën e shiut
LIRIA
Liria
Fluturim zogu
Në dritare
Zgjim mëngjesi
Duar hapur
Është
Hënë
Prapa grilave
Liria
Erëguri
I porsakorrur
Lojë e fëmijëve
Gaz e vaj
Është
Grua
E çliruar nga barra
Liria
Foshnjë kuqërreme
Në parzëm nëne
Si duket oh si duket
Liria
RRUGA PËR JANINË
Mora rrugën për Janinë o Të takova me pleqërinë o Vetëm me arabaxhinë o kërkoje shkronjat e humbura Sikur të ecim në Veri Të mbaj krahun Bagazh malli robëri Mora rrugën për Janinë o Shetitë Çamarinë o Me arabaxhinë o Kërkuam unë e rruga jotë o Fjalët e ndyra në mote o
Comments