top of page

Mermer shqiptar në Bukuresht



Rumania është vendi i njëzet e shtatë në botë, i cili në vitet ‘70 të shekullit të kaluar ndërtoi metro. Fillimisht magjistralja njëzet e shtatë kilometra e gjatë u shtri buzë lumit Dëmbovica për të vazhduar më tej në të gjitha drejtimet. Punimet për hapjen e tuneleve u kryen në thellësi nga 15 deri 17 metra, në formacione shkëmbore ujëmbajtëse argjilore dhe ranore të paqëndrueshme. Me këtë rast u thyen edhe rekorde. Në një kohë që në vendet e tjera hapeshin mesatarisht 1,5 kilometra në vit, në Bukuresht shifra i kapërceu dy kilometrat. Sa për shkallën e vështirësive mjafton të themi se mjetet e pajisjet që përdoren për 1 kilometër metro janë të barabarta me ato që nevojiten për shtrimin e 60-70 kilometra hekurudhë. Nuk po hyj në hollësi të tjera teknike, por vetëm dua të ve në dukje se në një nga stacionet më të rëndësishme të metrosë së Bukureshtit, që mban emrin Dristor, është përdorur mermeri i kuq, - nga pikëpamja gjeologjike: gëlqeror i mermerizuar, - i vendburimit të Muhurit, në qarkun e Dibrës, në vend të të parapëlqyerit të deriatëhershëm të Moneasës (Rumani). Me këtë rast më erdhi në kujtesë edhe sera e Selenicës, me të cilën është asfaltuar një nga bulevardet më të njohur të Parisit. Gjurmët e djersës, mundit dhe mençurisë shqiptare, por edhe të pasurive të nëntokës e të mbitokës së saj, hasen kudo në botë. Jemi pra si ata fishekët gjurmëlënës.

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page