SHPENDI TOPOLLAJ shkruan:
MERITA THARTORI – POETJA QË PIKTURON NATYRËN ME PENË
Vlerësim librit “Vdes të bëhem dritë”
Të gjitha poezitë e përfshira në këtë vëllim, s`janë tjetër, veçse meditime të karakterit filozofik, që autorja ka zgjedhur të na i japë kryesisht nëpërmjet kuvendimit me natyrën. Është një gjetje e saj, ose mundësi për t`iu përgjigjur stadit të lartë kulturor, ku ajo ka mbërritur. E kanë bërë këtë edhe të tjerë para saj, si fjala vjen Ana Ahmatova që ndër të tjera shkruante: “Kujtimi për diellin në zemër u mpak, / Bari i zbehtë. / Flokë të hershëm dëbore që larg / Era po nget….”.
Edhe në poezinë shqipe nuk kish si të ngjiste ndryshe; mjaft të kujtojmë Naimin, “Zolejka” e Çajupit, “Vaji i bylbylit” i Ndre Mjedës, Dritëroin, Kadarenë e sidomos Lasgushin që i ka himne ato meditime poetike, perla të vërteta: “Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir/ Po përhapet dal nga dalë një pëlhurë si një hije./ Nëpër male e në Lëndina, shkrumb i natës që po bije,/ Duke zbritur që nga qielli për mi fshat po bëhet fir...”
R.Ë. Emersoni thosh, se “Natyra gjithmonë vesh ngjyrat e shpirtit”. Por jo me çdo shpirt ngjet kështu. Është shpirti i poetit së pari, ai që duke parë thellë në natyrë, siç vërente Einstein, arrin të kuptojë gjithçka më mirë. Kjo është ndofta dhe arsyeja, pse Merita e nis librin e saj me një esse të shkëlqyer, titulluar: “Ç`është poezia?”, ku pohon se, “Është si një kopsht ku ti të shëtisësh nën fuqinë e ngjyrave, nën zotërimin e ajrit të fushës. Është të mbash frymën nën ujët e freskët të burimit, është të lidhësh në krye shaminë e brengave a gëzimit, është si të mbyllesh vetëm nën paqen e një pylli, është aroma e detit nën lëkurën e bronzuar, është si dielli kur të verbon i lumtur, si dashuria që s`të braktis kurrë dhe si drita që ti kërkon t`i ngjash fatlume”.
Pra, ajo drita për të cilën poetja do preferonte të vdiste, mjaft të ndriçonte botën. Dhe për këtë ajo i drejtohet harmonisë, qetësisë dhe bukurisë më të përsosur, natyrës. Ajo e idealizon atë dhe për ta dhënë pikërisht ashtu siç e percepton vetë, shndërrohet në piktore të natyrës. Kështu, teksa përshkruan pyllin, nuk ka se si të mos kujtohet Ivan Shishkini i madh. Ajo deklaron se kudo; në zemër, në frymë, në flokë, në sy, ndër duar, ndër hapa “Kam ende afshin e pyllit”, pasi për të “… përdëllimi më i dhembshur është pyllit t`i mbetesh rob”. Ajo, duke luajtur me figuracione të zgjuara na thotë, se edhe zogjtë për të përshëndetur stinët, synojnë të arrijnë çatitë ku takohen maja pyjet me yjet. Ndërsa me detin, me të cilin është aq i lidhur qyteti i saj, ajo është tmerrsisht e dashuruar. Ajo kërkon atje gjurmët e nimfave, direkun e Odisesë, historitë e sirenave. Deti i duket si diamant e ajo para tij bëhet zanë. Madje po detit, si të ishte njeri, i premton se do “Të mbjell farën e botës së mirë”.
Janë vargje mjaft të ndjera që të shfaqin para syve tablotë e famshme të Evazovskit. Për poeten, vjeshta, që dimëron ndër ngjyra butësisht, Jezerca, që e ka tokën nën thembrat e saj flatra, Valbona, ku një flirt a një puthje merr tjetër vlerë, po edhe lulet që rriten në to, jo vetëm kuvendojnë mes tyre si qenie të gjalla, por janë përshkruar aq mrekullisht sa të bëhet se je para peizazheve të Isak Levitanit. Kurse vajza e vetmuar që mendohet, dhe që s`është tjetër, veçse autorja, të shpije te piktura e Valentin Serovit, ku pasqyrohet ajo vajza që e mbështetur te një trung peme, të sheh e trishtuar. E trishtuar, por që “Ku buron një yll mëngjesi / Dërgon shpresën që ta kapë, / Ta shohë botën prapë me diell, / Të më kthehet ai gaz”.
I bëra krahasimet me piktorët e dëgjuar ruse, pasi edhe vetë poetja duket se e ka kuptuar që e ka kthyer penën në penel, ndaj ka marrë nga krijimtaria e vajzës së saj Bora, disa piktura mjaft interesante për ta ilustruar këtë libër. Për më tepër, ka zgjedhur dhe diçitura mjaft domethënëse, si fjala vjen: “Natyra është si besimi, ka format, mënyrat e veta të dhënies së ndjesisë, të shfaqes, të kulmimit apo dekompozimit, por gjithnjë me veçantitë e saj, të stinëve që në këndvështrimet njerëzore janë si cikli i stinëve të njeriut. “Ta duash natyrën është si ta dashurosh njeriun”.
A nuk e shkruante edhe Van Gogu, se: “Nëse vërtetë e do natyrën, ti mund të gjesh bukurinë e saj kudo”. Dhe Merita e gjen atë bukuri edhe te një gjethe e vetme. Ja si shprehet ajo për të: “Lulet e vyshkura të vjeshtës, / Gjethe që bien pa radhë, / Kanë diçka më shumë se heshtja, / Diçka që s`mund të vdesë ngadalë”. Ajo e ka bindjen, se simbioza natyrë - njeri, sjell veç të mira: “Retë i zënë vendin njëra - tjetrës / Dhe valët gjithashtu me furi, / Shkëmbinjtë kur në sipërfaqe dalin, / Natyra kur me botën ndan dashuri.”
Në fillim gënjehesh nga mënyra sesi ajo i ka renditur vargjet e strofat; të bëhet se në gjithçka ka respektuar normat metrike. Por jo. Më së shumti atje gjen plot anakoluta (gr. anakoluthon - pa lidhje). As që bëhet fjalë për rima. Por nuk ndihet askund mungesa e tyre, pasi poetja ka operuar me mjete të tjera. Ajo i jep mendim, harmoni e ritëm poezisë. Një ritëm që të rrëmben dhe i lë vendin notave muzikore. E kjo muzikë nuk të ndahet asnjëherë, të mbërthen e të bën për vete, edhe kur librin nuk e ke pranë. Mungesën e rimave asqë e vë re. Kurse për autoren ka qenë një mundësi më shumë për t`u shprehur më lirshëm, më me forcë, pa kufizime dhe më qartazi. Ashtu sikurse ajo është në jetën e përditshme, e sinqertë dhe e pa të keq, ashtu e ka kompozuar edhe poezinë e saj.
Dhe gjithsesi, ajo, siç konstaton në shkrimin e tij shoqërues kritiku Kadri Tarelli, ia ka dalë me sukses të plotë që në të gjithë shtrirjen e këtij libri, të bashkojë dy të kundërtat; vdekjen dhe bërjen dritë, ashtu sikurse realisht i ngjau Naim Frashërit pas 20 tetorit të vitit 1900. Një dritë e lakmuar që s`të lë të vdesësh kurrë. Se fundja, sikurse ngre zërin kjo autore te një poezi e saj, “Bota ka nevojë për njerëz, o Njeri!” Për njerëz me dashuri njerëzore e cila aq shumë universit i ngjan. Dhe për të cilët ajo preferon të mbetet grua “Që në fushëbetejë të ndezë një qiri.”
Mendoj se qysh tani, me këtë libër e ka realizuar dëshirën e saj të bukur: “Të bëhet dritë”.
Shpendi Topollaj
Durrës. Vjeshta e parë 2020.
Urime poetes durrsake per librinme poezi me nivel te larte artistik. Pershendetje dhe Shpendi Topollaj, shkrimtar, studiues dhe kritik ze bukur. Te jera libra dhe shkrime presim!