top of page

Meraku i fundit


Meraku i fundit

Nga Fatmir Terziu


Im Atë nuk kishte nevojë për shumë shkrepëse

edhe pse e pinte duhanin,

e mbante gjithnjë një masat me vete,

me eshka të thata, në gur që kallen,

me to e ndizte një cigare në mëngjes,

e pastaj deri në mbrëmje cigarja ndizte cigaren.


Nuk e pyeta dot pse vepronte ashtu,

e shihja, por se shuaja misterin e tij,

hesht tani para fotografisë kur e shoh këtu,

si atëherë, kur isha thjesht një fëmijë.


Shpesh i mburresha burrërisht vetes,

duke e imituar babain në pasqyrë,

por vetëm me dy gishtat, për hir të së vërtetës,

e mundohesha të prodhoja rrudhat e tij në fytyrë

në ballë e nën sy,

cigarja më mungone gjithësesi.


E dëgjoja të grindej me mamanë,

gjithnjë për hir të duhanit,

ndërsa tymi ngrihej si murg i zi deri në tavan,

mamaja i thoshte ia nxorre frymën katranit.


Atëherë zbutej im Atë,

me të qeshur ia kthente mamasë,

e sheh që e djeg atë me inatë,

të digjet, të tymohet, të pëlcasë.


Një ditë u ngrita herët e i struka paketën,

mendova të mos bënin më shamatë,

im Atë bërtiti aq fort, sikur dikush t'ia kish marrë jetën

e unë s'e bëra më të gjatë.


Pastaj vonë kur tregonte unë e mësova të vertetën,

im Atë e pinte të harronte hallet,

nuk kishte të bënte vetëm me kuletën,

me të donte të harronte edhe „llafet“.


Im Atë e la cigaren,

e la cigarja tim Atë

në sytë e mamasë lotët zunë të falen

në qiellin e pastër atje Lart.


E atë kohë ishte edhe natë, edhe ditë

im Atë ishte veshur me aromën e bardhë

në sy i kishin zbritur vetëm perënditë

dhimbja ime në zemër mbeti sa një mal,

tek shoh tashmë fotografitë,

i ndjej mendimet njëra pas tjetrës të kallen

vetëm një gjë nuk i përvolla tim Eti nga sytë

si të ndez dhe si të fik cigaren.

2 Kommentare


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
19. Aug. 2022

Të emocionon ky krijim, veçanerisht me pafajësinë, sinqeritetin, thjeshtësinë.

Është si pikëllimi, pritja, përqafimi, që pa thënë asnjë fjalë të godasin edhe më shumë.

Kjo poezi e plotë e plotë të tjera tregojnë që Fatmir Terziu është poet i lindur. Urime!

Gefällt mir
Antwort an

Respekte

Gefällt mir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page