Mendime për romanin "Hija e mbretit"


Viktor Canosinaj



Nga Gladiola Jorbus


Mendime për romanin "Hija e mbretit" të shkrimtarit të mirënjohur

Viktor Canosinaj


Me romanin e fundit për të rritur “Hija e mbretit”, Viktor Canosinaj sjell për lexuesit vizionin e një bote tërësisht fiksionale, të karakterizuar nga gërshetimi i ndryshimeve, i fateve njerëzore dhe i zgjedhjeve të ndërlikuara.

Përballë regjimit të vjetër, koha e re - e përfaqësuar nga një femër (si një kundërvënie patriarkat - matriarkat), fillon të vendosë gjërat në rendin e duhur, me një përshpejtim që nuk ka të ndalur. Librat janë në funksion të kësaj përmbysjeje.

Emancipimi i shkrimtarit Lisan Nghe (një ndër personazhët kryesorë), risjellja në vëmendje e rolit të feminizmit në shoqëri, thyerja e tabuve dhe përmbysja e stereotipeve, krijojnë një imazh real në retinën e lexuesit.

Kronikat fragmentare të romanit zbulojnë një tërësi që shfletohet natyrshëm në të. Idem si në lojën e shahut, edhe në këtë libër figura më e fuqishme është mbretëresha, ndërsa mesazhi tronditës se “autokracia e veshur me petkun e demokracisë mbetet një kërcënim serioz për njerëzimin”, përvijohet natyrshëm në rrjedhën e ngjarjeve.

Canosinaj mbetet një autor që lexohet nga të gjitha gjeneratat sepse përmes personazheve e subjekteve të tij, frazave të goditura, rrëfimeve që përngjajnë me mençuritë orientale renditet ndër ata shkrimtarë të letërsisë shqipe, që cilësohen të integruar dhe ndihmojnë në shpjegimin e aktualitetit.

Duke u nisur nga interpretimi i tekstit, ky roman zhvillon marrëdhëniet midis shkrimit dhe autorit modern, si krijues i risisë dhe i ndërlidhjeve që ai vendos me proceset shoqërore të historisë së njerëzimit.

Gjatë zhvillimit të këtyre proceseve, shfaqen sjellje perverse dhe grabitqare të individit apo shkëputja fatale e tij me realitetin. Por sipas ligjit të pashmagshëm të natyrës, kushdo, sado i pushtetshëm apo i pamposhtur të jetë, një ditë do të tretet në ajër.

Vetë shkrimi i një romani të tillë përbën një nga format e konsensusit shoqëror. Çdo pikë kthese në këtë vepër ndikon në domethënien e saj, në transmetimin e paradigmave dhe paraqitjen e sekuencave politike e sociale.

Ana estetike e veprës gjeneron racionalitetin diskursiv si një forcë riprodhuese, që ndikon në opinionet, vlerat dhe ndërveprimet brenda saj, ku titulli provokon një hulli mendimi se (tek përcaktori me drejtim sipas lidhjes sintaksore, hija e mbretit), hija kërkon mbështetje nga një emër në rasën gjinore{e mbretit}, si për të dashur të trumbetojë se ajo nuk është fajtore, por është gjurma apo prova e fajësisë që fatkeqësisht nuk mund të sigurojë asnjë alibi.

Gjithashtu theksohet hullia tjetër, se në shumë raste të historisë, Uni i gjithpushtetshëm i një individi, përkatësisht i një mbreti në këtë roman, mbulon me hijen e tij fatet e gjithë shoqërisë dhe bëhet përcaktues për të, duke përfshirë edhe fatin e librave të një epoke.

Gjithsesi, reagimet e paparashikueshme të personazheve e bëjnë lexuesin të përjetojë një konfuzion të këndshëm, krejtësisht të panjohur, përmes rrëfimeve të çuditshme dhe në të njëjtën kohë po aq ndjellëse, sa ta gozhdojnë atë deri në fund të këtij udhëtimi letrar magjepsës e intrigues.


20 views0 comments

Shkrimet e fundit