top of page

Memorja me emrin “Libërbuz”!?



Nga Fatmir Terziu


Kishte kohë që kërkoja një dhuratë të vyer. Një dhuratë që enkas u lëshua atëherë, e krejt nxitimthi, nga xhami i vogël i njërës prej dy “Libërbuzëve” të vegjël që vizitonin Elbasanin e viteve 1980-të nga Prishtina. Dhe njëri prej këtyre xhamave të mbyllur mirë me një perde të vogël shkëndijosi ambientin e errët pranë pishave të vogla që të shpien poshtë në drejtim të Shkumbinit nga ana e Krastës. Dy libërtha të vegjël fluturuan në këmbët e mia dhe të shokut tim të klasës së shkollës së mesme të përgjithshme “Dhaskal Thodhri”, ndërsa ne mbanim me krenari uniformën ushtarake të stërvitjes së detyruar programore të asaj kohe e drejtimi ynë nga mësuesi i Ushtarakes L. T., kishte një drejtim disiplinor. Ne u pamë në sy me njëri-tjetrin, dhe ndërkohë, libërthat shkitën ngjeshazi ndanë këmbëve të mia. Në atë kohë i morra dhe i vështrova nxitimthi. Pastaj shoku im SH. Ç., i ndjeshëm, u skuq në fytyrë dhe menjëherë më tha ti mbaja me kujdes dhe ti strukja poshtë xhaketës me ngjyrën e errët ushtarake. Kaq ishte dhe dy libërthat që kërkoja që nga ajo kohë, sërrish këto ditë më erdhën nga shtëpia ime në një mjedis tjetër. Një dhuratë?

Kjo ndoshta ishte dhurata më e fjetur në bibliotekën time në Atdhe. Ishte e tillë, se kishte kohë që ajo kishte mbetur nën peshën e mjaft librave të tjerë, por që e ndiente peshën e vet nga tërë ajo peshë e dhuruar në një kohë kur libri nga makinat e quajtura “Libërbuza” shkulmej nga një disiplinë e tejthurrur si metaforë propagande. Dhuratë e huaj. E huaj në Gjuhën Shqipe? E huaj nga një makinë me emrin “Libërbuz”!? Por kohët kaluan dhe “Febris” e Ymer Shkrelit (1975) kishte nderin të mbetej si një dhuratë e atillë mes “Fusuli Erbea”-s së të Madhit Naim Frashëri që në shqip vinte nën emrin novela “Katër Stinët” nga dora dhe mendja e përkthyesit të nderuar Vexhi Buharaja.

Kjo dhuratë e vyer, e ndjeshme me dy libërtha në paketimin e saj, natyrisht në një mjedis londinez, ku arkivat flasin në mesore kohërash, ka natyrisht një vlerë tjetër më të madhe. Ndërsa ekzemplarët e këtyre librave ndodhen edhe në British Library, fati i tyre ishte vështirë të sillej i lirë në një mjedis ku kalimthi makina “Libërbuz” realizonte thjesht marrëveshjet kulturore të atyre kohërave mes dy vendeve. Në atë kohë di dhe më kujtohet mirë kur Profesori Vasil Kamami, drejtori i parë i Institutit të Lartë Pedagogjik të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, të Elbasanit shkonte dhe vinte me një makinë të jepte leksione në Kosovë. Më kujtohet edhe ardhja e disa grupeve kulturore nga Kosova, me Nexhmije Pagarushën, Bashkim Paçukun e tj., kur dhe gjetja e një bilete për në ambientet e Teatrit “Skampa” ishte privilegj. Por për librin që dhurohej nxitimthi nga dritaret e vogla të makinës “Libërbuz” nuk kishim dhe ende nuk kam ndonjë ide. Koha ka lënë pas këtë dhuratë, që ndoshta do të përcillet gjatë me një memorje të tendosur.

Ndërkohë që shoh unitetin ndjesor, memorja dhe fakti i dy ekzemplarëve në British Library, më shtyu të hedh disa shënime, ndërsa lidhja është me Elbasanin dhe me vizitën e asaj kohe të makinës tikpike “Libërbuz”. “Febris” e Ymer Shkrelit (1975) e miratuar nga Redaksia e botimeve të Prishtinës “Rilindja” ka për recenzentë Azem Shkrelin dhe Fahredin Gungën. Redaktor i këtij libri poetik është Anton Pashku dhe kopertinën e ka punuar Rexhep Ferri. Ai ka shënimin e bibliotekës “Drita”. Ky libër poetik nis me “Dhe fundi i vjetit shtatëdhjetë”, që pason pastaj edhe tre nëndarje të tjera me titujt respektivë “Herë e shtaëdhjetë e njëshi”, “Për një shtatëdhjetë e dysh” dhe “Këngët e Tan Salit”.

Ndërsa novela “Katër stinët” (1972) e Naim Frashërit që në origjinal gjendet në Bibliotekë me nr skedari 154-v20 M. Neim; “Fusuli erbea”- Istamboll 1300, në gjuhën turke, ka të 127 faqet e saj të ndjeshme dhe mjaft tërheqëse, duke u lexuar në gjuhën shqipe siç e citova nga përkthimi mjeshtëror i Vexhi Buharajës. Ajo me shënimin e Bibliotekë “Fleçka” dhe me marrëveshjen kulturore të botimin nga “RilindjaPrishtinë natyrisht është e përjetshmja kulturore e librit mes katër stinëve të pavdekshme.

Memorja me emrin “Libërbuz” ndoshta do të jetë një arsye më shumë për të shkuar më tej në atë kohë kur Elbasani ndjehej ende krenar me fuqinë e librit, në atë kohë kur libri ishte dhe mbetej një arsye tjetër. Memorja me emrin “Libërbuz”!? Natyrisht nëse ajo ka vendin e saj mes kohërave, do të ndjehet krenare dhe e ndjeshme në shumë mote të tjera për të shkundur ndjeshëm pulurin dhe arsyen e atij pluhuri që kanos librin në formatin tjetër. Memorja me emrin “Libërbuz”!? Sidoqoftë ajo u zgjua si e tillë, në një lidhje me Elbasanin, librin dhe tërë udhëtimin esaj gjeografik e gjuhësor. Ajo është një etimologji më vete, një memorje kulturore më vete. Memorja me emrin “Libërbuz”!?

Memorja me emrin “Libërbuz” ndoshta kishte arsyet e saj të pikëtakohet me mendimin e shfaqur nga F. F. Bruce që shkruan mbështetur në Aktin 20-të Biblës se Paul udhëtoi nga kufijtë jugorë, nga Greqia dhe është mundur që ai të ketë udhëtuar mes rrugës “Egnatia”. Ndryshimi është se dy makinat me emrin “Libërbuz” vërtet udhëtuan diku në paralelet e kësaj rruge, por ata hynë nga mjedisi tjetër kufitar, në atë kohë me ish-Jugosllavinë dhe bënë ndalesën e tyre kulturore të librit në atë pikë, ku Elbasani gjithnjë i ka dhënë jetë kulturave të ndryshme. Kësaj here kulturat flisnin shqip me një etiketë tjetër të politikës. Librat komunikonin në Elbasanin e dijes me një faktor që kishte mbetur një aktor i ndjeshëm. Libri ishte mes këmbimeve kulturore. Dhe libri në Elbasan ishte traditë. Këtë e cilëson edhe diplomati i parë britanik Harry Eyres, që ka patur rastin të vizitojë Elbasanin. Edhe Peggy Hasluck, që ishte britanikja e parë të kishte një lidhje dashurore me një shqiptar, elbasanasin Lef Nosi, duke qenë një anëtare e SOE gjatë Luftës së Dytë Botërore, natyrisht ka vend në shtesën e kësaj memorjeje. Stephen Caunkroger që ka vizituar Elbasanin dhe disa vende në Shqipërinë e viteve 1994 shton diku në shënimet e tij se “Zoti tashmë në punë në Shqipëri, njësoj si në Britani të Madhe dhe nuk ka ndonjë ndryshim se cilën rrugë është duke ndjekur në shekullin e njëzetë e një”. Kështu shprehej edhe Kristiani shqiptar Berti Dosti, që në kohën kur ai ishte ushtarak i Radiondërlidhjes dëgjonte në heshtjen e tij të palejuar fjalët e Zotit pikërisht në Elbasan, ku ai i memorizonte ato fjalë të dëgjuara nga 1467 kHz e radios “Trans Ëorld” të San Marinos në funksionin fetar. E ato fjalë Zoti i kishte paralajmëruar se ndaj ata udhëtonin e mesazhonin me emrin “Libërbuz”.

Ajo që ishte pasuar dhe lënë në hije për shkak të demostratave të vitit 1980-të në Kosovë duket se kishte mbetur vetëm një grimë në skematikën e dy-tre makinave të vogla “Libërbuz”, që sillnin e merrnin libra pos një marrëveshjeje që shteti jugosllav e kishte hartuar në fund të vitit 1970-të. “Programin e bashkëpunimit arsimor dhe kulturor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë për vitin 1971-1972”, të cilin ambasada jugosllave në Shqipëri ua kishte dorëzuar organeve kompetente në Tiranë, duket se e plotësonte tashmë inercia vajtje-ardhje e këtyre makinave tipike “Libërbuz”. Njëkohësisht dhe platforma e të njëtit vit që shteti shqiptar kishte hartuar prej dhjetëra pikash kryesore dhe disa anekse mbi marrëdhëniet kulturore me Kosovën, ku parashiheshin shkëmbime delegacionesh të përbërë nga pedagogë, intelektualë, arsimtarë, artistësh, sportistë, si dhe dhurimi i literaturës për fusha të ndryshme etj., kuptohet tashmë se kishte vetëm një pikë të mbetur, atë të fundit në këtë aradhë. Sidoqoftë Elbasani të paktën kishte këtë shans të shihte makinat me këtë nënshkrim teksa parkoheshin para Turizmit “Skampa” e më pas fati i tyre gjithnjë e më shumë shuhej e shuhej, derisa një ditë nuk u panë më, madje dhe emri “Libërbuz” mbeti vetëm një enigmë.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page