top of page

MELINA MËRKURI Gjaku shqiptar në themelet e shtetit grek

Updated: Dec 9, 2020



LILJANA ISLAMI


Vlerësime të merituara, portrete të qendisura me ndjenjë adhurimi, fjalë zemre për arvanitasen Melina Mërkuri, e cila mundi të ngjiste me sukses shkallët e hierarkisë politike.

"Gruaja homerike që nuk e humbi pathosin e saj burrëror"..,"Mallëngjim ndërkombëtar".., "Greqia përkulet para saj".., "E lindur për t'u admiruar.., "Melina përgjithmonë".., "Shuhet ylli grek".., "Ikën hyjnesha e fundit greke"..etj etj..

Ishin disa nga titujt e gazetave greke e botërore të dielën e 6 Marsit 1994, kur lajmi mbi vdekjen e gruas legjendare të dyzuar artiste dhe politikane, trishtoi mbarë qytetarët grekë.

Maria Amalia - Melina Mërkuri, lindi në Athinë në Tetor 1920 në familjen me tradita arbërore të Mërkurajve, ikur nga Gusmari i Kurveleshit për në Himarë e më tej në ishullin e Specës, (ishull midis Athinës e Gadishullit të Peloponezit) banuar plotësisht nga arvanitët. Gjyshi i saj, Spiro Mërkuri, u zgjodh njëzëri kryetar i bashkisë së Athinës, qysh në moshën 30 vjeç, gjë e rrallë për një qytet me aq histori.

Për 30 vjet rrjesht, proverbial për ndershmërinë e tij, ndoshta nga më rrallët burra të politikës greke, në vitet e ndërtimit të vrullshëm të qytetit modern.

Të shumtëishin njerëzit që i ofruan toka dhe pasuri të tjera përrallore në shkëmbim tëlehtësirave e përfitimeve të shpronësimeve publike për hapjen, zgjerimin dhe modernizimin e rrugëve dhe instalimin e linjave moderne të mjeteve të transportit masiv të qytetarëve (metro, troleibus, tramvaj, trena etj..), ndërtesave e institucioneve publike, pallateve e gjithë urbanizimit të territorit.




Indiferent deri në vdekje ndaj këtyre përfitimeve, i vuri gjoksin me përkushtim detyrës, duke gëzuar respektin maksimal të qytetarëve duke e zgjedhur unanimisht për 30 vjet rrjesht në atë detyrë. Shpërblimi që mori ishte tepër modest: vetëm emri i një rruge dhe shtatorja e tij në zonën e Pagratit. Ishin pikërisht këto vlera të ndershmërisë që gjyshi i saj tregoi dhe vazhdimësia e traditës familjare që të atit të saj i u besua mandati i deputetit në Parlament në moshën 32 vjeç.

Pikërisht, për shkak të trashëgimisë politike, fati i Melinës u lidh pazgjidhshmërisht me fatet e Greqisë dhe spiegon qartë plagosjen e saj të thellë dhe zhvillimin e një fryme flakëruese me ardhjen e juntës së kolonelëve në 21 prill 1967 në vend.

Herë optimiste e herë pesimiste, me shtetësi e kombësi të mohuar, shpallur armike e popullit dhe e vendit ku u lind e u rrit, ku të parët e saj dhanë djersë e mund për ngrijen e vendit nga zikzaket e historisë, duke shpresuar tej çdo shprese, e ndjeshme dhe e ngurtë, Melina nxorri në pah tiparet e arvanites së vjetër , koshiente për të vazhduar rrugën e Bubulinës - Laskarinës dhe të udhëheqësve të tjerë të Revolucionit grek të 1821, totalisht me gjak arbëror.

Në vitin 1981, kur u krijua Lidhja arvanite e Greqisë, kryesia e përkohëshme, organizoi një takim, me njerëz të shquar të fushave të ndryshme, por Melinën, jo për të mos u dhënë shkas goditieje korbave të zinj, pseudonacionalistë e shovinistë që të mos fillonin krakaritjet për të mbytur çdo zë tjetër me origjinë jo greke. Atëkohë drejtonte Ministrinë e Kulturës, duke gëzuar famën e ministres më të mirë në botë.

Mëson lajmin dhe shkon e zemëruar në mbrëmje:

- Mirë more vëllezër, po mua më harruat, a nuk jam dhe unë gjaku juaj? A nuk jam edhe unë arvanite?

Kontributi i saj financiar ishe rregullisht i pranishëm.

Në vitin 1984, financon shumën e madhe për kohën, 150 mijë dhrahmi për organizimin e Lidhjes dhe përjetësimin e këngës e valles së herëshme arvanitase.

Ky veprim provokoi zemërimin dhe dufin e kampit të zi të pseudopatriotëve me sharjet dhe fyerjet më të rënda.

Pak korba e mbysin zërin e shumë bilbilave.

Shumë intelektualë të shquar u ndodhën në dilemën :

Ose të ngrënë zërin e të paguajnë çmimin për guximin, ose të ulin kokën e të heshtin për gjëra që një shekull më parë ishin evidente si, fakti që krerët e Revolucionit ishin mbi 90 % arvanitë, përbërja e Parlamentit në dominancë arvanite, gjuha e folur lirshëm, veshjet kombëtare festive ishin ato arvanite, lagja e vjetër në qëndër që të çon tek Akropoli quhej dhe quhet edhe sot PLAKA, pastërtisht shqipe, rojet para parlamentit edhe sot bëjnë ceremoninë e parakalimit ditor, të veshur me fustanellën tradicionale të Labërisë, por që sot, fatkeqsisht, po varroset çdo element i kësaj tradite e kulture.

Pasioni i saj ishte teatri.

Në intervistat e saj, ajo pohon se qysh në moshën 5 vjeç ishte shoqëruesja e gjyshit gjithë kohës, gjë që luajti rol vendimtar në formimin dhe karakterin e saj.

Kur ishte 10 vjeç, ndodhur me pushime në ishullin e të parëve, Specia, fshehurazi, vesh fustanin e të ëmës dhe hyn në një kafene të ndaluar për fëmijë e fillon këngë e valle.

Duartrokitjet e pa reshtura të të rriturve e inkurajojnëkrahas pëllëmbës së të ëmës së befasuar. Nga ai moment, i përkushtohet teatrit me gjyshin për dore.

Vazhdon studimet në shkollën e Teatrit dhe në përfundim, shfaqjen e parë publike teatrale e jep me veprën "Monopatet e Lirisë", ku roli dhe liria e saj e brëndëshme shkrihen në një për gjithë jetën. Në 1960, në kinematografi arrin kulmin me fituesen e çmimit të festivalit të Kanës, me filmin "Kurrë të dielën" e të këngës "Djemtë e Pireut", me të cilën, jo vetëm u bë e njohur jashtë Greqisë, por reklamoi natyrshëm ishujt mahnitës të vendit dhe natyrën e mrekullueshme për të tërhequr turistët nga gjithë bota, veçanërisht ata amerikanë në shumicë artistët e holliëudit.

Melina që nuk dinte të mbante për vete, i ofroi me fisnikëri vendit që e rriti, gjithë shkëlqimin dhe flakërimin e saj, jo vetëm në fushën e kulturës me pafundësinë e çmimeve e nderimeve nga gjithë strukturat botërore, jo vetëm në fushën e artit e kulturës. Personaliteti i saj dhe autoriteti i jashtëzakonshëm politik, i mishëruar në aftësitë e jashtëzakonëshme organizuese në luftën kundër Juntës ushtarake të kolonelëve, kulmon me shfaqjet koncerto - manifestuese, së bashku me të vëllanë, Spiron, në 18 vende të botës, nga Australia në Porto Riko, Amerikë e Europë, sensibilizuan qarqet influente intelektuale e politike si Robert Kenedi, Miterra, Olaf Palme, Greta Garbo.

Diskreditimin ndërkombëtar të Juntës dhe sigurimin e mbështetjes morale e financiare nuk e ndërpreu as nga fyerjet personale e as nga bomba e vendosur në podiumin e saj në Gjenovë, ku do të fliste në 1971 para 10.000 puntorëve të kantierit detar. Gjatë kësaj periudhe i vdes e ëma dhe për shkak të presionit ndërkombëtar, autoritetet i japin vetëm 5 orë leje për ta përcjellë. Pos pikëllimit të thellë e të dyfishtë, e rrëmben turma.

Përfiton nga rasti dhe mban një fjalim emocionues në qëndër të Athinës.

Policit që i merr mikrofonin, e tenton ta largojë, i a rrëmben përsëri e i përgjigjet duke vazhduar fjalimin:

- Linda këtu e nuk ma mohon dot askush.

Në 1977 zgjidhet deputete dhe nga 1981 e deri në 1989, ministre e kulturës.

Gjithashtu edhe në vitet 1994 derisa dha frymën e fundit me amanetin që të varrosej me fustanin e kuq të Lirisë.

Ëndërra e saj ishte kthimi në Greqi i kryeveprave të arkitekturës së lashtësisë, mermereve të Partenonit në Akropol, grabitur në 1900 nga lordi Elgin, në Angli, duke gjymtuar kështu, një nga majat e kulturës së lashtë botërore.

Themeloi Institutin e Kulturës dhe me paratë e saj, pak më poshtë Akropolit, në pamundësi të vendit, së bashku me bashkëshortin, francezin e mirë Zhyl Dasie, ngriti muzeun dhe sallën më të madhe e la bosh, së bashku me amanetin që të mos hapet derisa të kthehet edhe skulptura e guri i fundit i rrëmbyer, si një akuzë dhe thirrje për gjymtuesit e kulturës europiane.

"Qytetërimi është industria e rëndë e Greqisë", do të shprehej sa herë që kërkonte sensibilizimin e institucioneve kulturore europiane si UNESCO, etj.

Për këtë amanet u përpoq edhe i shoqi me themelimin dhe funksionimin e fondacionit "Melina Mërkuri" pas vdekjes së saj, si një amanet për të kryer atë që ajo nuk e përfundoi me shuarjen e yllit të saj në marsin e 1994, edhe pse kishte aq shumë për të bërë.

Një kortezh 20 km i gjatë me 3 milionë e gjysëm athinas shoqëruan Divën e mëndjes dhe të shpirtit për në banesën e fundit, nga aeroporti deri në varreza, pa llogaritur banorët që hidhnin lule nga dritaret e ballkonet mbi arkivolin e saj.

Asnjë grek i kohëve moderne nuk u varros me të tilla nderime të madhështisë popullore, sa Hyjnesha e fundit arvanite.

Shumë peronalitete botërore shprehën keqardhjen për gruan burrëreshë.

Greta Garbo do të shprehej:

- Nuk nevoitet asgjë tjetër, veç të ngrejë sytë Melina dhe ja, Akropoli vetë.

Për nder të saj Komisioni i Europës dhe Manuel Baroso aprovoi titullin e nderit "Melina Mërkuri" për të gjithë fituesit në fushën e artit e kulturës për çdo vit, me shumën koresponduese 1.5 milionë euro, si dhe UNESCO, me vlerësimet për njerëzit me kontribute të rralla në mbrojtjen dhe shpëtimin e objekteve të kulturës, me çmimin që mban emrin e saj, në çdo dy vjet, shoqëruar me shumën 20 mijë euro.

Edhe pse atdhetare e përkushtuar, sillte aromë ndërkombëtare në Greqi, jashtë klisheve që diktonin rrethanat e politikës. Ndjehej ambasadore e kudondodhur.

Fjala MIQËSI për të kishte rol parësor deri në vetflijim, për t'iu gjëndur pranë kujtdo, shprehen njerëzit rreth saj.

Në vitin 1988, kur mbante postin e Ministres së Kulturës, vizitoi vendin tonë dhe me krenari pohoi se vizita në Himarë është në respekt të origjinës së paraardhësve të saj.

60 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page