Meditim për shqiptarët dhe Europën


Alfred Papuçiu


Herë pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili para do kohësh më shkruante: “Lexova ciklin e shkrimeve - mbrojtje e shkëlqyer e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej. Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit, por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë . Ju përgëzoj edhe për stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme. Me respekt të veçantë, Hamiti”

Ndërsa një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:

“Përshëndetje nga Tirana ,Alfred! Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po "ktheheni" here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari...E lexova edhe shkrimin për Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe jam duke lexuar librin "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara", i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe urime! Luani”

Këto mendime të shprehura janë pasqyrimi i një qëndrimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që tashmë është krijuar? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar baballarët e Europës disa dekada më parë, do të bëhet më në fund realitet.

Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Çurçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont, Alfred Borel. Monumenti "Homazh për Etërit Themelues të Europës", përpara shtëpisë së Robert Schumanit, në Scy-Chazelles nga artisti Zurab Tsereteli, zbuluar në 20 tetor 2012, përfaqëson katër themeluesit e Evropës - Alcide de Gasperi , Robert Schuman, Jean Monnet dhe Konrad Adenauer.

Kontinenti europian kufizohet në perëndim me Oqeanin Atlantik, në veri me Arktikun dhe në jug me ngushticën e Gjibraltarit, Detin Mesdhe, Detin Egje, ngushticën e Dardaneleve, Detin e Marmarasë dhe ngushticën e Bosforit. Kufijtë e Europës në lindje janë më pak të dukshme, sepse nuk ka pengesa kryesore natyrore. Në mitologjinë Greke, Europa është një princeshë fenikase. Në veprat e Homerit, Europa është një mbretëreshë mitologjike e Kretës dhe jo një term gjeografik. Më vonë, fjala nënkuptonte Greqinë kontinentale që nga viti 500 para Krishtit. Pas Krishtit, kuptimi i saj përmban gjithë tokën në veri.

Bashkimi Europian (BE) është një shoqatë e shteteve europiane, të bashkuara rreth fushave ekonomike dhe politike, për të siguruar ruajtjen e paqes në Europë dhe për të promovuar përparimin ekonomik dhe shoqëror.

Ndërsa në perëndim të kontinentit, shtete relativisht të fuqishme u zhvilluan rreth vitit 1000, në lindje kombet e lindura shpejt u gjendën nën mbikqyrjen ekonomike, kulturore dhe mbi të gjitha fetare: Perandoria Bizantine dhe më pas Perandoria Osmane. Ky është veçanërisht rasti në Ballkan, ku popuj të tillë si bullgarët, serbët dhe rumunët përgjatë mesjetës deri në fund të shekullit XIX ishin në pozitën e vasalëve. Kjo do të shpjegonte pjesërisht dobësinë e institucioneve demokratike në shtetet e Ballkanit, që nuk kanë shumë kohë që janë krijuar. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete - kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian.

Qasjet gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004 -2007. BE e 27 - 29 në 2012 - e ka vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent. Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në tërësi, vërejmë se BE përmbledh "vetëm" 27 shtete nga 49 që përbëjnë kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht Kosovën). Në vitin 2010, mbi një sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE kishte 500.3 milion europianë, ose 42.1% të zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët? Europa jashtë - BE mbledh kështu 22 shtete - një numër që ka rënë në vite - të cilat janë shpërndarë shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë) dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey, Guernsey), Man, ose Faroe, si dhe bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d'Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto mikro-territore kanë gati 250,000 banorë.

Natyra dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda elektoratit dhe grupeve politike kombëtare! Ne mund të identifikojmë disa grupe shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar. Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin.

Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit. A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë? Shqiptarët nuk kërkojnë ndrime kufinjsh me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas Shqipërisë dhe Kosovës. Ishin këto padrejtësi historike, siç dëshmojnë analistët largpamës, që do të sillnin ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”. Në fundin e shekullit të XX, situata gjeopolitike e Europës Juglindore ka ndryshuar. Demokratizimi i kësaj pjesë të Europës ka mundësuar jo vetëm çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste, por është krijuar një entitet i ri në Ballkan. Republika e Kosovës, vend sovran, i lirë dhe i demokratizuar, në cilin shqiptarëve ua lanë jashtë në Londrën e vitit 1913, po përpiqen aktualisht të përparojnë në liri, demokratizim dhe evropianizim. Problemi çam nga “tabu” është kthyer në temë e ditës në bisedimet ndërkombëtare.. Sot pas mbi 100 viteve ndarjeje, shqiptarët janë një faktor i pranuar nga Europa, në procesin e njohjes së vlerave perëndimore të lirisë, demokratizimit . Kombit i janë hapur mundësitë për të shfrytëzuar këtë rast për ta bashkuar atdheun e tyre në një Europë të të njëjtave vlera. Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë, mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë) të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe Europës!? Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese, në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ».

Kam një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europėn e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, sidomos ata të stafit të ri, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni. Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. « Arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë Zografë Kokthi që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure, Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar në vendimarrjen famëkeqe të deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë, vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë Tereza, Isa Boletini, Adem Jashari, Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.


#alfred #papuciu

0 views

Shkrimet e fundit