top of page

Mediat e Tiranës, embargo për nacionalizmin



Nga Skënder Sadri KAPITI

Të gjitha mediat me përjashtime shumë të rralla, pra,pothuajse të gjitha që dalin në Tiranë u kanë vënë embargo shkruesve, opinionistëve, intelektualëve dhe shkencëtarëve e studiuesve patriotë e kombëtarë, botimeve me tema patriotike e kombëtare,kur dihet historikisht se çëshja e pazgjidhur në Ballkan është ajo shqiptare.

Mediat në Shqipëri si ato të shkruara, portalet dhe televizionet, ato në tërësi janë tipike, janë si avokaturë dhe si zëdhënëse dhe tejskajshmërisht politike, si trashëgimi kjo e medias në diktaturën komuniste, dhe më sakt akoma ato janë edhe servile e mercenare të pushtetit, interesit e parasë.

Televizioni publik shqiptar është dhe mbeti gjithmonë televizion i qeverisë dhe kryeministrit sa që askush nuk e ndjek, ndërsa disa portale e gazeta të shkruara janë aq shumë politike dhe servile të partive dhe të kryetarëve të tyre sa që nuk janë të tilla as vetë gazetat e as portalet e partive politike, e ndonjëra prej tyre është edhe “presidenciale”, si zëdhënëse dhe propaganduese për Presidentin e Republikës.

Edhe kur ndonjëra prej tyre duket sikur denoncon dhe kritikon korrupsionin, edhe këtë ajo e bën në mënyrë selektive, spekulative e korruptive për interes të momentit, duke mbajtuar anshmëri të theksuar e të lexueshme.

Por, të përbashkët këto media kanë mungesën dhe deficitin e madh kombëtar e nacionalist, gjë që do të thotë atë se: mediat në Tiranë janë ashtu si politika, janë politikisht të kapura, materialisht të mercenarizuara dhe për interesin kombëtar aspak të interesuara.

Media në Shqipëri vepron si politika, pasi politika e të gjitha partive politike shqiptare bën një “VETING” dhe skanim të rreptë për moslejimin e depërtimit në politikë, në qeveri, në administratë e në diplomaci dhe as në akademi të elementit kombëtar, nacionalist, të aftë dhe të ndershëm.

Mediat e Tiranës jo vetëm kaq, por ato edhe përçojnë dhe edukojnë mbrapsht dhe keq te publiku në emër të gjoja lirisë së mendimit, shprehjes e shkrimit.

Ato mezi presin dhe konkurojnë njëra-tjetrën për lajme dhe informacione “bombë”, për ndodhi e ngjarje krimesh ordinere, seksuale, droge, skandalesh e e turpesh të tjera.

Janë jo pak media në Tiranë që u shërbejnë edhe interesave dhe agjendave antishqiptare si dhe janë edhe shumë vigjilente për të mos lejuar e as promovuar personazhe e as opinione e studime të personaliteteve të virtytshëm e me bindje nacionaliste, si dhe as intelektualizmin patriotik të mirëfilltë, të cilët fatmirësisht falë teknologjisë dhe mediave shqiptare të vërteta , të lira, demokratike e patriotike të Kosovës, Maqedonisë, dhe të diasporës si p.sh.”Fjala e Lirë”të cilat bëjnë të mundur që shqiptarët të njohin dhe të lexojnë e mësojnë nga shkrimtarë, artistë, historianë, politiknjohës dhe studiues patriotë e nacionalistë shqiptarë.

Botuesit e gazetave të Tiranës kanë vendosur korniza dhe pranojnë e reklamojnë idetë, qëllimet dhe veten e tyre së pari si dhe shokët dhe akrabanë e vet dhe të njëjtët persona, pavarësisht se janë bërë publikisht të bajatshëm pasi shkruajnë po shkrime e opinione të përsëritshme vazhdimisht.

Gazetat në Shqipëri , shumë prej tyre edhe kanë falimentuar , dhe disa të tjera, dalin në treg me një numër shumë të vogël, disa copë, që edhe ato nuk ua blen kush.

Botuesit nxjerrin një numër të vogël gazetash sa për të thënë se ata kanë gazetë, por qëllimi i tyre është vetëm sa të lexohen në faqet e para të tyre në mëngjes për reklamë të emrit të vet në ekranet e televizioneve për interesa e servilizëm por edhe për korruptim, presion e shantazh.

Thjesht dhe me pak fjalë: mediat në Shqipëri në tërësinë e tyre, pothuajse shumica janë media mediokre, të zbrazëta intelektualisht dhe shterpë pasi janë të instrumentalizuara politikisht, servile të pushtetit dhe mercenare të parasë.

Mediatikët në Shqipëri e kanë shumë të zhvilluasr shqisën e “të nuhaturit”, të pabesit e të servilit: pasi sapo e shohin se pushtetit fillojnë t’i lëkunden themelet, papritmas shume nga mediatikët shqiptarë rrotullohen e ndryshojnë kursin me 360 gradë, duke ndryshuar orientimin dhe marrin kahjen prej andej nga fryn era e pushtetit të ri.

Edhe nëpër televizionet shqiptare, nëpër emisione si politike e deri dhe në ato argëtuese e artistike, nëpër studiot e tyre lëvizin, ekspozohen e qarkullojnë sa të njëri e te tjetri televizion po të njëjtën individë me lidhje bisnesesh, politike e pushteti; me lidhje nepotike, familiare, miqsh, të njohurish e shokësh, tipikisht ashtu sikurse është dhe veprohet edhe në politikën shqiptare.

Mediat në Shqipëri jo vetëm se nuk janë të hapura për të promovuar të renë, të rinj, talentin dhe profesionalizmin por që realisht ato i kanë vënë embargo atyre dhe sidomos, sidomos nacionalizmit e patriotimit shqiptar.

Në mediat e televizionet e Tiranë promovohen dhe kanë nostaligji për të shkuarën komuniste, duke përkujtuar me nostalgji por dhe me shumë finesë shkrimtarët, artistët, letraxhinjtë, veprat dhe kulturën e “arritjet” e ishregjimit dhe të ishshërbëtorëve të tij si dhe duke reklamuar edhe ridekorime e rivlerësime për ishët e atij regjimi.

Krejt ndryshe janë dhe sillen mediat, sidomos gazetat në Kosovë dhe ato në diasporë, te të cilat shkruajnë dhe botojnë edhe ata shkrimtarë, studiues, historianë, opinionistë e analistë të mrekullueshëm dhe të vërtetë nga Shqipëria, ata të cilët në Tiranë e kanë “të ndaluar” dhe u vihet “embargo” mediatike.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page