top of page

MEDALJONI I DYRRAHUT


MEDALJONI I DYRRAHUT,

NJË ROMAN ME IDE INTERESANTE

(që e nderon autorin interesant dhe premtues Pol Milo)


Shkrimtari Pol Milo me romanin e tij të ri “Medaljoni i Dyrrahut”(Botime 2M), nuk merr përsipër të vërtetojë shkencërisht ato çështje që kanë shqetësuar njerëzimin qysh nga lindja e tij, për rolin e dijes dhe dritës në jetën tonë dhe sidomos në krijimin e inteligjencës prej tyre. Le që masa e gjërë, as që e vret mendjen për të tilla punë. Ata që kanë interesa kryesisht kulturore, janë intelektualët, për të cilët anglezi George Orwell (Eric Blair), që e kishte zakon të tallej e ironizonte gjithçka, ka thënë se “Disa ide janë aq të çuditshme, sa vetëm intelektualët mund t`i besojnë”. As grekët e lashtë dhe as vetë mbreti i Tretë i Izraelit e Judesë, i mençuri Solomon, nuk i dhanë një shpjegim përfundimtar kësaj çështjeje. Por shkrimtari bën letërsi, pra art. Ai me imagjinatë i përmbledh dy dukuritë që përmendëm më sipër, në një medaljon magjik, dhuruar nga Sofia e parajsës qiellore, i cili kishte aftësinë t`i shpërndante ato anë e kënd rruzullit, për të zgjidhur me një mendim të vetëm gjithçka kishte mbetur e errët. Dhe ashtu si me marifet, ai e bën akoma më interesant këtë roman, kur personazhet e tij pretendojnë se medaljoni ndodhet i fshehur në Durrës. Për të qënë të saktë, duhet thënë se para tij, edhe autorë më të përafruar me shkencën, kanë hedhur idenë se vërtetë medaljoni me yllin me pesë cepa ndodhet i fshehur diku në vendin tonë. Por Pol Milo, me talentin dhe sidomos me kulturën e tij, ka qëndisur një vepër mirëfilli letrare. Dhe në qoftë se të vë në mendime, kjo është pasojë e aftësisë të pamohueshme të tij si shkrimtar me të ardhme, gjë që e ka treguar qysh te libri i tij i parë “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues”. Pak a shumë, romani është ndërtuar në harkun e dy kohëve, ku distanca është rreth 2.000 vjet. Personazhet pa tjetër që janë të ndryshëm, por kjo largësi kohore nuk vihet re fare. Ata duket sikur i përkasin një epoke, ku falë pushtimeve, dhe ecejakeve të ndërsjellta, duken si pjestarë të një bashkësie e të një realiteti. Durrësi i lashtë qëndron dinjitoz krahas qyteteve më të rëndësishme të Mesdheut. Por edhe ky moderni, mbart brenda tij thesare shumë të çmuara. Është kjo arsyeja që djaloshi Poliandër, i cili ka kryer studimet për Filozofi në Universitetin e Romës, vret mendjen rreth tezës së krijimit të inteligjencës në univers. Atë e kundërshton shoku i tij Martini i cili thotë se “inteligjenca përveç se ka lindur me shumë vonesë, pasi lindi jeta në univers, ndonjëherë duket sikur nuk ka lindur ende”.

Kjo është dhe arsyeja përse Andri kërkon prova bindëse. Dhe për të arritur këtu, ai është gati të debatojë dhe polemizojë si me një shofer taksie, si me një menaxher kafeneje, si me peshkatarë të zakonshëm, ashtu edhe me një meshtar famullie apo një mjeshtër të astronomisë, fizikës dhe simbolikës qiellore në fshatin Çetë. Madje, ai arrin edhe të takohet me sytë e mendjes, me vetë Solomonin dhe ta pyesë direkt atë: “Kush ka lindur më parë, inteligjenca apo jeta?” Por Andri pasionant është pa fat; sapo pret të marrë përgjigjen e duhur, e zgjon nga gjumi Martini. Kështu që gjithçka nis nga e para. Por ai nuk mërzitet; vazhdon me durim të kërkojë fillimisht shkakun e pastaj pasojën. Mendimet, sipas autorit, i ngatërrohen e i bëhen lëmsh, por zgjidhja e tij, “do të përbënte padiskutim një zgjidhje të rëndësishme për të gjithë njerëzimin”. Synimi i tij fillimisht i kuptueshëm dhe i përligjur, mos po e shndërron Andrin në Don Kishot, apo më keq akoma, në narcisizëm?

Mos ai ka idenë se me zbulimin e tij do të luajë rolin e Mbinjeriut niçean? Se ishte ky filozofi gjerman që thosh se: “Ajo që duhet të jetë kapërcyer, është vetë njeriu, që duke u bërë “mbinjeri” duhet të ketë guximin të pranojë Kaosin, d.m.th. jetën, ashtu siç është, derisa fati të përkojë me vullnetin e vet”. Se të vjetrit, para se ta degdisnin Kaosin (humnera), në Tartar, besonin se hapësira e zbrazur ekzistonte para krijimit të gjithësisë dhe atje bazohej jo vetëm krijimi i botës tonë, por edhe ai i dijes, e për pasojë i inteligjencës. Në bisedat rreth vërtetimit të tezës së tij, Andrit i takon edhe të përballet me argumente të çuditshme, shpesh edhe krejt praktike, sado që duken qesharake. E tillë është teoria e grepit të peshkut e Petraqit, i cili kërkon t`i mbushë mendjen se “Vetëm në momentin e duhur, me grepin e duhur mund të kapet peshku i duhur”. Por, ka edhe arsyetime si ky, kur flitet për gërmimet arkeologjike: “Gjithmonë krijohet iluzioni që, sa më të vjetra të jenë gjërat, aq më të përsosura duhet të jenë ato. Për shembull, para një mijë vjetësh gjërat kanë qenë më të përsosura se tani, ama, para dymijë vjetësh gjërat kanë qenë edhe më të përsosura se këto tani dhe se ato para njëmijë vjetësh e kështu me radhë, para tremijë, pesëmijë apo para treqindmilionë vjetësh. Sipas këtij argumentimi, i bie që gjërat më të përsosura kanë qenë larg, larg, shumë larg, pikërisht kur u krijua universi. Ai që e krijoi atë, apo krijuesi, ka qenë perfeksionist i vërtetë. Kur ai krijoi universin, fillimisht krijoi inteligjencën në formë pluhuri kozmik, aspak material. Më pas lindi jeta. Jeta lindi si domosdoshmëri e inteligjencës për t`u përhapur përtej materies”. Dhe mendimi përfundimtar i Andrit për rolin e inteligjencës është dominimi i saj mbi shkakun e pasojën, orientimi drejt kënaqësisë kur ka fitore dhe i shmangjes së dhimbjes kur ka humbje. Prandaj ajo ka lindur e para, dhe duhet ditur se inteligjenca është dije dhe dija nga ana e saj është inteligjencë. Lojra fjalësh, por që brenda tyre kanë një shqetësim që të do na ndjekë pas gjithë jetën. Sido që të jetë, jemi para rrethit vicioz: kthehemi te kërkesa që Solomoni i parashtroi Zotit: më jep dijen se ajo është mjeti i duhur për të udhëhequr popullin. Por halli është se kjo nuk mjafton; “miliona njerëz nuk analizojnë kurrë veten… ata … janë të shqetësuar vetëm për mëngjesin, drekën, darkën, punën dhe gjumin. Duke mos u marrë me analizën e vetes, njerëzit rrezikojnë të kthehen në robotë… kurse analiza e vërtetë e vetvetes është arti i madh i progresit”. Pra si ndreqet kjo punë?


Ndofta me atë medaljonin që kaloi nga duart e Solomonit kur ndërtoi atë tempullin e përjetshëm të sherrit mes izraelitëve dhe palestinezëve, pranë Arkës së Besëlidhjes, te qafa e Krishtit i cili ja dha Marie Magdalenës, që për siguri më pas ja dhuroi apostullit Pal i cili pasi e shëtiti brigjeve të Adriatikut, për siguri ua besoi Apolonit e Cezarit, me të cilët qe bashkuar edhe Paulusi, i cili përfundimisht e vendosi në kodrat e qeta të Dyrrahut, vendi që sot quhet Kepi i Palit. Patjetër që ai që do ta gjejë, do të shpëtojë botën mbarë dhe do të hyjë në histori, por njerëzimi i etur për dije, nuk po zbulon dot Atlantidën e jo më një copë të vogël medaljoni. Kështu që, do të rrimë aty ku u nisëm dhe ku gjithkush ka të drejtë të mendojë si të dojë. Sa për shkrimtarin Pol Milo, mund të themi se me këtë roman, ai e ka zbuluar medaljonin e tij, do thosha të artë, dhe tani e tutje duhet të vijojë me guxim dhe siguri rrugëtimin e tij në botën e inteligjencës letrare, pa e vrarë më tej mendjen se kush e bëri e para; pula vezën apo veza pulën.


Shpendi Topollaj

Gusht 2022

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page