top of page

Me të bukurën në art


Dukuritë estetike tek “Jeshile”, vëllimi poetik i poetit Luan Xhuli!!

ARQILE V GJATA

Hyrje

Me të bukurën në art, kuptojmë një vendosje të pakontestueshme të harmonisë, të pjesëve përbërëse të saj dhe të masës dhe si e tille ajo sjell medoemos ndjesi që nënkupton shijen dhe perceptimin e të bukurës. Ishte Alexander Gottlieb Baumgartner, një filozof gjerman i shek. 18-të që i dha jetë mendimit estetik (Meditationes,18th Century German Aesthetics) e që u pasua nga të tjerë si Leibniz, 1684 me "Meditimet mbi Njohjen, të Vërtetën dhe Idetë” apo Christian Wolff (1679-1754) e të tjerë, të cilët kontribuan në konceptin dhe nocionin e fuqishëm të estetikës së hershme pa e lenë pa përmendur Aristotelin, i cili i mbrojti artet nga akuzat e Platonit, duke argumentuar se janë pikërisht artet, ose të paktën poezia, që japin të vërteta universale në një formë të kapshme, ndryshe, për shembull, nga historia, e cila merret vetëm me fakte të veçanta (Aristoteli, Poetika, kapitulli 9). Një ide që Wolff mori nga Leibniz është ideja se kënaqësia është vetë perceptimi ndijor i përsosjes ekzistuese në një objekt. Por në poezinë e Luan Xhulit kompleksiteti i një logjike argumentuese, si një mendimi estetik ngritur në forma racionale, ndryshe nga të tjerët...na çon drejt virtyteve dhe perceptimeve estetike, ku zbulojmë dhe analizojmë per të nxjerr në pah vlerat estetike në këtë vellim poetik.

Vëllimi poetik “JESHILE”

Mendimet, ngjyrimet, vlera estetike, ku do të veçoja dinamizmin që e përshkon këtë vëllim poetik, janë burim tiparesh estetike për të matur subjektivitetin individual të autorit. Këtu tragjikja vjen si element estetik që mbart vitalitetin në poezinë e Xhulit. Mendimet i tij krijuese, abstrakizmi i tyre ngjallin imagjinatën poetike, si një zë, që fiksohet në mendjen e lexuesit. Duke shfletuar këtë vëllim poetik të bie në sy se niveli i poezive rritet me rritjen e numrit të tyre. Shpesh poetët i radhisin poezitë në faqet e para të librit që botojnë. E kundërta ndodh me “Jeshile”, ku poezitë duke u rritur në numër, zbukurohen e marrin trajta dhe forma interesante ... Dëshiroj të theksoj se poezitë më të mira të këtij vëllimi i gjejmë pas faqes 80-të dhe se mbi 20-të poezi janë të një niveli të lavderueshem... ku dhe dendur spikatin vlera të përdorimit metaforik në zgjedhjen e frazës si njësi frazeologjike të ngarkuar shprehimisht me metaforë e cila është ajo që e sjell, mendimin me elegancë, të mirë organizuar me vlerë esteto- filozofike duke e renditur poetin Luan Xhuli ndër krijuesit e poezisë moderne, bashkëkohore.

Disa veçori estetike dalluese!

Do të veçoja disa dallime karakteristike të cilat i japin jetë këtij vëllimi poetik:

Së pari, Ngjyrimet si veti individuale e poetit. Fuqia e fjalës së bukur, shprehjes dhe mendimit të thellë filozofik, i jep forcë krijimtarisë poetike.

dyti, Kujtesa letrare dhe vizioni epistelogjik letrarë në poezinë e tij.

Se treti, tragjikja si kategori estetike dhe roli i metaforës që mbart vitalitetin e brendshëm të shprehjes së fabulës.

Së katërti, Formati i tij poetik i cili përshkohet nga një filozofi krijuese moderne.

Së pesti, Ky vëllim poetik kristalizon tërësisht individualitetin krijues te poetit.

Ngjyrimet poetike si elemente njohëse!

Ngjyrimet poetike janë elemente njohës dhe përbëjnë vlerë për tërë hapsirën krijuese që poezia të tingëlloje fuqishem e të ndryshojë raportet mes lexuesit dhe poetit... Poeti kërkon “të ngjyros ëndrrat”, dhe

“ndryshkun e lotit të dikurshëm

e ruan si shenjë të mos plaket.”,

“Nga përkëdhelja e dorës së nënës

kaçurela i kish flokët”,

me të tilla elemente përkëdhel bukur vargun dhe e ndrit atë me ngjyrimet që i mvesh fjalës dhe kuptimit të tërë vargut për të sjell filozofinë e mendimit të tij estetik.

Ngjyrimet dallohen dhe marrin vlera, kur ato ndërtohen edhe si metafora. Poezia këtu flet me metaforë. Mendimet kanë peshën e çapitjes dhe hapat drejt rrugëtimit poetik sjellin freskine e asaj bote që troket fort në krijimtarinë e poetit. Kemi të bëjmë me një komunikim artistik që është në gjendje të ndërtojë ura komunikimi midis kohëve të ndryshme dhe mundëson pika takimi si me të kaluarën edhe me të tashmen.

Poeti e shikon të kaluarën ndryshe, duke e gjallëruar kontekstin e poezisë dhe lexuesi përjeton dinamikën në mënyrë të pandërprerë. Ai sjell forma të stilit të tij krijues.

“Në të njëjtin tren kisha njohur Oskar Uajld-in, Dritëroin, Pazolinin, Leonin, Trebeshinën...

dhe shumë të tjerë, që as emrin

s’ma treguan gjatë bisedës me shpirtin”

Bazamenti mbi të cilën ngrihen fabulat ka firmën e të veçantes së tij në lëvrimin e kësaj poezie.

Tragjikja si kategori estetike dhe roli i metaforës që mbart vitalitetin e fabulës!

Tragjikja në poezinë e vëllimit poetik “Jeshile” është dhimbja që ngjizet në artin poetik. Janë si refleksione estetike, ose imazhe të gjalla të ndërtuara fuqishëm me nënkuptimet që ato prezantojnë:

“Mes faqeve të librit prehet një mushkonjë,

me nekrologji pabesie.

Mbajta zi për krimin,

duke shfletuar faqet e heshtjes”

Ky tragjizëm poetik të vendos përball një “realiteti” tragjik, jo si vrasje me gjak, as me vdekjen si fenomen i kobshëm...por si tragjedi e një “krimi” hipotetik në aspektin sa filozofik, aq dhe poetik i cili shfaqet dhe në përmbajtje...”flijohem pa kushte/në skalion të mbrojtjes” ; edhe në figuracionin që mbart vitalitetin e vargut e të asaj çka shpreh:

“Ah, prindër të mi/edhe të vdekur/s’pushuat së qari”.

Është prurje e veçantë tragjikja në poezinë e Xhulit. Atë e gjejmë si element të shtrirë edhe në kohë...tek poezia “Gjakpirës” gjejme elemente dramatik që përbëjnë një veçanti dhe trajtesë që nuk i ngjan klasikes.

Ka këndvështrime shumë interesante, në formë dhe në përmbajtjen ideore shumëplaneshe...

Mjafton poezia “Gjarpëri”, dhe të provojë këtë lloj tragjizmi si kategori estetike, të skalitur, të mbarështruar me shumë filozofi estetike ku spikat e bukura therese e fjalës “gjak”, se si vjen me një kreshendo e ndertuar si jehonë edhe shembëlltyre e së “keqes” mbi atë çka poeti lançon:

“Kam pirë gjakun tim,/ një jetë të tërë,/pa akuzuar asnjëherë gjakpiresin.../Prej dhimbjes,/prerjes me thikën e ndryshkur,/ u bëra pre me emërues frike... Ai gjak/nuk qarkulloi në rrugët e zakonta,/as në zemër,/të përshëndeste dhomëzat e mikpritjes.”

Filozofia krijuese moderne në formatin krijues të poetit!

Aristoteli thotë: “poezia është më filozofike se historia”. Kjo thënie e art e filozofit na tregon se një vëllim poetik, pa filozofi, nuk mund të jetë mirëfilli një poetikë e mirë dhe e vleresuar. Dhe pikërisht është lexuesi dhe kritiku që dinë ta vendosin atë në vendin që i takon.

Libri poetik “Jeshile” përbën një shembull të vyer se si dhe sa autori filozofon me poezinë e tij. Poeti në fjalë, prodhon komplekse figurash plot trokitje filozofike. Imazhe meditativ, muzikalitet imagjinues, sjell situata të mrekullueshme poetike në lëvizje, të gjalla midis reales dhe fantazisë të gatuara mjeshtërisht. Autori ka një shtysë të thellë ndaj ides dhe frymëzimit.

Nga ky binom rrjedh vrullshëm fraza e lakuar, e stisur, e zgjuar, e ndërtuar si një studim mendimesh i thelluar në një shtrirje lineare dhe natyrshëm vjen si:

“Muri

jeton me të gjitha shqisat e mia.

Frymëmerr,/fotografon

ecjen,/dëgjon,/hesht,

si para një ikone mëkati ”,

me domethenie e një filozofi gjuhësore ku qëndron brendashkruar e bukura e mesazhit si një karakteristikë estetike poetike e vargut të këtij vellimi.

Aty gjejmë absurdin...

Por ky absurd është një realitet jetësor.Aq bukur sa edhe absurde tingëllojnë vargjet:

“...E varrosa,/duke lehur unë,/në vend të qarjes.”

Ky absurditet është vetë jeta dhe dhimbja brenda saj. Jeta për faktin se është një mrekulli, shihet e lidhur ngushtë me dhimbjen, me lotët, por në poezi lotët janë ngulçim, lehje si një shije që s’harrohet kollaj.

Metaforat çmendurisht hyjnë në mardhenie me qeniet njerëzore për të ardhur tek realja, tek çfarë është prezente në shpirtin e poetit dhe vjen buçimtas në sytë e lexuesit:

“Mëngjesi grindet si një mashkull”/“

U shtuan të çmendurit

Çmenditë rrethuar me drurë halorë

Janë në grevë papunësie...”

”Të fliste mërzia”.

”Niveli(i dëshpërimit) rritet gjeri tek gryka e vetes”

Poeti ynë të bind,poezia e tij është filozofike. Shumë poezi si:

“Në garë me veten”, “Para se të vdiste”,”Bregu i ikjes”,”Dyshoj”,”Kam harruar të numëroj”, ”Gënjeshtër dashurie”, “U shtua kalendari” , “Ahmatova” etj. kanë baraspeshën e mendimit filozofik të gdhendur mjeshtërisht nga ana gjuhësore e filozofike.

Vizioni Epistemologjik Letrar!

Doja të cekja një dukuri, që ndoshta dhe nuk është trajtuar në krijimtarinë e shumë krijueseve që shkruajnë poezi.

Kjo dukuri e quajtur vizioni epistemologjik letrar vjen si një largim nga ideologjitë dhe ndikimet politike të ndryshme.

Ky term ka të bëj me të padukshmen, të natyrshmen të cilat janë në harmoni me idetë dhe perceptimet e poetit, se sa dhe si ai i është larguar vizionit ideologjik dhe atij politik.

“Vizioni epistologjik letrarë, bazohet në fuqinë e nevojës për të zbuluar, për të kuptuar dhe për të interpretuar të vërtetën, faktet, të strukturat, marrëdhëniet dhe vlerave letrare”

Ky vizion epistemologjik letrar bazohet në parimet estetike të së vërtetës universale shkencore ku autori e zbulon dhe e shfaq si formë dhe dukuri letrare poetike.

Në poezitë “U shtua Kalendari”, ”Përpara detit”, ”Në qoftë se do më kërkojë njeri”, “Ligj i pa shkruar”, “Do të bëhem vrasës”, shfaqin karaktere vizionesh dhe tipare epistologjike letrare:

“...Një ditë,

në këtë karvan bubuzhelash.

Udhëtim emigranti ecja ime,

kuisi ngarkesë supit mbetën të ikurit,

që nuk vdiqën dot.

Në mes të karvanit zura vend dhe unë

i përndjekuri i të vdekurve,

përfaqësues gjysmak i të gjallëve.

Më lodhën këto rrugë,

shtruar me asfaltin e ankthit,

të të qenit pa krahë./Më lodhën...

Do të bëhem vrasës një ditë,

tradhëtar i kësaj varreze me të gjallë.”

=Individualiteti Krijues si Frymë Unike e Poetit!

Profili individual poetik i poetit Xhuli nëpërmjet vëllimit të tij poetik “Jeshile” vjen plot simetri në përmasat e poezisë, sjell emocionin si tipar të ndjeshmerisë, sjell nje poezi të ekuilibruar mirë pa anësime, harmonia e karaktereve dhe bukuria e vargut vjen metaforikisht e pjekur, gjuha vjen pa deformime, e kuptueshme dhe pavarësisht filozofisë shprehese, ajo është tejet e kristalizuar në kuptimet që sjell në sytë e mendjet e lexuesit. Nocionet estetike janë në harmoni me përmbajtjen. Poeti ka vetformuar statujën e tij krijuese dhe i gëzohet frymës së tij krijuese po aq sa edhe dhimbjes, gëzimit, luftës dhe dilemave të botës së tij shpirterore tejet të veçanta dhe unike të patjetërsueshme të tij. Se fundmi do të parapëlqeja të citoja fjalët e poetit:

“Unë, që jam dashuria,/Unë, që jam vdekja...”!

Poeti në fjalë, është një krijues që reflekton sigurisht, modelin e tij krijues në poezi. “Jeshile” prezanton me se miri botën e poetit dhe vjen në duart e lexuesit me shumë vlera, kryesisht do të veçoja ato estetike dhe gjuhësore, të arrira dhe kuptimplote të ilustruara dukshëm me poezitë dhe velin e tyre poetik.

Disa përfundime:

-Luan Xhuli, është një krijues që reflekton plotësisht modelin e tij si poet.

- Një pasqyrim i kulturës së poetit, vjen me tepër si një reflektim krijues biografik përmes krijimtarisë së tij.

-Përmes analizës kundrejt objektit të poezisë së këtij autori, dalin në pah disa dukuri dhe elemente estetike në vëllimin poetik “Jeshile”, të cilat vijnë natyrshëm nëpërmjet gjuhës së tij poetike.

-Vështruar nga një qëndrim  personal objektiv, arrij në përfundime, (pa përjashtur dhe mendimet ndryshe të lexuesëve) se:

Gjithëçka kam shkruar mjaftojnë si dëshmi për të thënë se në formatin e tij poetic, autori  lëvron poezi të cilat përshkohen nga një filozofi krijuese moderne.

Në këtë vëllim poeti L.Xhuli  ka kristalizuar  tërësisht  individualitetin e tij krijues duke na dhënë një profil të dukshëm unik.

Literaturë e konsultuar:

Luan Xhuli, “Jeshile”, Shtëpia Botuese, Milosao, Poezi, 2015.

Studia humanitare, 7-8, Instituti Alb-Shkenca, f,53.

Valter Memisha, Studime për fjalën shqipe,botart, Tiranë 2011.

Gjovalin Shkurtaj,Si të shkruajmë shqip, Botime TOENA, Tiranë 2008.

Nëntor 2017

120 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page