top of page

Me shpirtin e gjyshit në kalërim


Pajtim Xhelo

Me shpirtin e gjyshit në kalërim

Pranë varfërisë shikimin hedh larg,

Jo në vila, në kolltuk, as në avjon,

Lëndinave që përqasen në një varg,

Tok me shpirtin e gjyshit që kalëron.

Po nxiton tani mendimi shkretëtirës,

Ndërton oaze në paqe, në liri,

Larg dhëmbjes, larg trishtimit, larg mëshirës,

Rërës së pafund, një kontinent të ri.

E shpërfilli varfërinë shpirti im,

Po rrugët e mia ndërpriten diku,

Merak' i gjyshit më merr në kalërim,

Veç trupin pa shpirt e mendim lë këtu.

Heraherës gjyshi ndalon rrugëtimin,

Ca fantazma terri që quhen kufi,

Hije pa pik ghaku që nxitin dyshimin,

Dhe botën tkurrin në tjetër madhësi.

Sa të frikëshme këto hije, si natë,

Po të mos ishin, bota do qe veç dritë,,

Kalërimi ynë do ish i pamatë,

Në lugina të zhveshura nga lakmitë.

Mbrëmjeve në ankth, mëngjeseve me shpresë,

Vera përqas hijet, vjeshta lakuriq,

Dimrit akull, pranverës lule e vesë,

Kjo botë të josh e të braksis o miq!

Nisa mendimet si kuaj ergjele,

T'i mbroj nga ndonjë pritë apo lak,

Vallëzojnë të bekuara atje,

Shpirti këndon në një liri pa cak

Një çast u duk se u shpërfill varfëria,

Pa botës i vesha ngjyrat e ylberit,

Kuaj të pabindur mendimet e mia,

Këtu më lanë, vetëm , mua të mjerit.

Pjtim Xhelo, 1969, Tiranë ( e pabotuar)

Të kam falur

Ishin lotë apo margaritarë,

Që shndrisnin nëpër faqe duke rrjedhur?

Rrëke që bor' e shkrirë ka shpërndarë,

Apo ujvara dhëmbja paska hedhur?

Pse si hije m'u faneps mikja ime?

Vallë kujtimet kohën patën vrarë?

Si jehonë zbriti sot në vegime,

Zë i trishtë i mëkatit të parë.

Hiri që mbeti kur zjarri qe shuar,

Ësht' i ftohtë, nuk ndez dot më asgjë,

Edhe sikur ëndrën ta mbaje zgjuar,

Koh' e lodhur do plakte dhe atë.

Gishtat e erës flokët t'i rrëmbyen,,

Të dridheshin lehtë supet ç'i pash,

Plagët e tua seç më mallëngjyen,

" Fshi lotët, pa të kam falur! - të thash.

Flakën e re ishe ti që e shove,

Po pse sot unë po ndihem me faj?

Si cigane u ende dhe harrove,

Më le me shpresën, strukur në një skaj.

Nuk di pse ndjeva shpirtin të lënduar,

Pse dhëmbja jote po më dhëmb dhe mua?

Si vala kthehet bregut përmalluar,

Mos tek unë koh' e largët u zgjua?

Si fllad mbrëmësor sërish t'u afrova,

" Të kam falur! - të thosha përsëri,

Si ëngjëll hënor, puthje të dhurova,

Që zjarri të ndizej, duhej shkëndi.

Me dorën e ftohtë lotët t'i fshiva,

Edhe pse pa faj u ndjeva fajtor,

Inatin akull në gjak e shkriva,

Ti ule sytë me ankth drithëror.

Je penduar për mëkatin e shkuar?

Me lotë s'ndizet më zjarri i parë,

Nuk dua të të shoh kështu, trishtuar,

Një vdekje e falur nuk duhet qarë.

Pajtim Xhelo. 30 qershor 2020

Kur dashuron poeti

I kam bërtitur shpirtit tim ndonjëherë,

Pa qejfmbetur, më ka mbajtur dhe mëri,

Fajtorët mund të kenë qenë të tjerë,

Nuk e dija, e gjykoja si njeri.

Sa vite patën shkuar kur e kuptova,

Se ai shpirt ishte një yll në liri,

Te Zoti u luta, i thash që gabova,

I përsosur nuk mund të jesh në rini.

Nuk i fola më, e lash dhe u largova,

I penduar, thash të rrija në vetmi,

Veç ciganin shëtitës nuk e harrova,

Se nuk më braktisi gjatë as ai.

Natës bridhte në të tjera galaktika,

Te Rrug' e Qmështit prisja me merak,

Qeshte,shkelte syrin , edhe më thosh : " Ika!",

Në ëndra më çonte gjumi pakngapak.

Në ëndra i shihja ato galaktika,

Ku shpirti im dashuronte në liri,

Pa shpesh më mbanin peng ankthi edhe frika,

Mos e robëronte ndonjë marrëzi.

I thash një mëngjes kur më erdhi si drita:

" Mos më ler të tretem në merak kaq gjatë,

Pse gjumin ta bëj të trembur nëpër prita,

Kur ti pas dashurive endesh çdo natë?

M'u përgjigj : " Kur n'agim vi e të shikoj,

Nga bota yllore në hyjnoren vi,

Pa në galaktikat e tjera s'harroj,

Të dashuroj siç bën ti në poezi.

Nëse shëtis atje si cigan kudo,

Pranë meje, si dyzim, je edhe ti,

Jam shpirti yt i lirë dhe mos harro,

Poetë jemi të dy në dashuri.

Ti fle këtu, po në ëndra je me mua,

Se shpirti nuk rrika dot vetëm, i shkreti,

Si të jemi ndarë, sërish do të dua,

Dhe do kujtoj : Kur dashuronte poeti!

Pajtim Xhelo, 30 qershor 2020

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page