Me librin “Krojet e këtyre viseve thonë”


Me librin “Krojet e këtyre viseve thonë”, vjen për lexuesin si model i poetit të epikës dhe lirikës dibrane


Kur Hysni Bruçi botonte në “Zëri i Rinisë”

para 49 vitesh poemën “Është ligji ynë”


Halil RAMA


Libri “Krojet e këtyre viseve thonë”, me tetë cikle me poezi, i poetit Hysni Bruçi, është një prurje krejtësisht e veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit. Si njohës i thellë i historisë, kulturës dhe traditës dibrane, vlerat madhore të tyre i reflekton në poezinë e tij, të shkruar jo në një ditë, një vit apo një dekadë, por që në rininë e tij të herëshme të viteve ‘60-’70-të të shekullit të kaluar.

Vetë titulli i librit “Krojet e këtyre viseve thonë” është intrigues dhe të josh për ta lexuar. Po ashtu edhe titujt e cikleve: “Si sylynjare”, “Fshati rrëzë malit me pisha”, “Ankohen varret”, “Lisnaja përcjell mesazhe”, “Lulezojat e lirishtave të Runjës”, “Nëpër tërmete”, “Vite lufte” e “Dhe thonë rapsoditë”. Një lëndë aq e pasur dhe e larmishme si dhe vetë poezia e këtij liriku, që pas akumulimit të tij në pesë dekada sjell për lexuesin poezi që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën, ndoshta të kyçura në sirtaret e tavolinave të tij të punës si mësues, redaktor letrar në “Ushtima e Maleve” e inspektor i kulturës në ish-Komitetin Ekzekutiv të Dibrës...apo në sepetet e shtëpive të tij në Lukan, Muhurr e Peshkopi, dhe që dalin në dritë me një shkëlqim të rrallë.

Mjaftojnë qoftë dhe pak vargje nga poezia me titull “Bora e gjakut”: “Ra bora e gjakut/ Dhe vatrën e prindërve/ E rralloi,/ Berimin e vëllazërisë/ E përcolli/ E mpiksi/ Gjakun e probatinëve/ Duarshtërngimin/ E ngriu dhe krisi...” për të konkluduar se si drithëron pena e këtij poeti, teksa percepton dhe fshikullon zakonin shfarosës.

Po ashtu tek cikli “Fshati rrëzë malit me pisha”, dallojmë poezinë lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit. Më e dukshme kjo tek poezia “Ngjyra, rreze, zëra”: “Në livadhe kanë dalë luledelet/ Ka filluar cijatja në zabele/ Në shtrunga sa s’derdhet kulloshtra/ Gjallojnë vathët prej shqerrave.../….Në dyqan të fshatit/ mbesën e vogël çova/ Fletorkë të re të më blejë/ Për vjersha...”.


Në tërësinë e këtij libri me 86 vjersha e dy poema, Hysni Bruçi shfaqet si njohës perfekt i poezisë dhe veprave letrare në tërësi të Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Dritëroit, Moikom Zeqos, Preç Zogajt, Shafki Karadakut, e tjerë, teksa na jep në këtë libër nuanca të dallueshme kulturore, në përputhje harmonike me zellin e tij studjues e krijues, me frymëzim nga “lulezojet e lirishtave të Runjës” apo dhe nga rapsoditë, që evokojnë dhe përcjellin ndër brza qëndresën e dibranëve në luftrat shekullore për liri e pavarësi kombëtare.

E pra, ndonëse shumë poezi i shkroi në vitet e sistemit të kaluar, Hysni Bruçi ka ditur t’i shmanget ndikimit të realizmit socialist, duke krijuar poezi me lëng e klorofilë, plot dritë e perspektivë në horizont.

Le të ndalemi për ta konkretizuar këtë tek poezia “ATDHE” e ciklit “Lisnaja përcjell mesazhe”:

“Ushqyer këtë fjalë fëmijës/ Me ninullat e qumështin e gjirit;/Është zemra tek fjala Atdheu/ Fluturimi i dallëndyshes/ E foleja e skifterit…./ Është shamia e zezë e nënës/ E rrukullima e lotit të jetimit,/ Është çfarë ka sofra/ E të zotit të konakut,/ Është edhe/ Pena e Dritëroit/ E huta e Dedë Gjo Lulit...”.

Nga tërësia e lëndës voluminoze, por edhe mjaftë cilësore e këtij libri, mund të konkludojmë pa asnjë mëdyshje se Hysni Bruçi është model i poetit kombëtar, ndaj duhet marrë si shembull që duhet ndjekur nga të rinjtë. Poezia e tij është e mbështetur në tabanin kombëtar dhe qëndron larg të ashtuquajturave skema të realizmit socialist.

Me këtë libër ai vjen si një xhevahir i ri, i rrallë, në gjerdanin e poezisë shqipe, të krijuar nga mijëra poetë shqiptarë ndër vite e shekuj.


Po kush është Hysni Bruçi (për ata që nuk e njohin nga afër) ?


Në vitet ‘60-’70-të të shekullit të kaluar, në faqet e gazetave e revistave, të përditshme, javore e të përmuajshme periodike që botoheshin në Tiranë, do të tërhiqte vëmendjen firma e mësuesit Hysni Bruçi nga Muhurri i Dibrës. Publicistika e tij po zinte vend të rëndësishëm në gazetat “Zëri i Popullit”, “Mësuesi”, “Bashkimi” etj. Po ashtu në rubrikat letrare-artistike të gazetave “Drita”, “Zëri i Rinisë” e “Puna” si dhe të revistave “Nëntori” e “Ylli” ai do të shfaqej, jo vetëm me reportazhe e skica letrare, por edhe me vjersha e poema.

Mësuesi i lëndëve gjuhë shqipe – histori në shkollën 8-vjeçare “Nexhat Agolli” Muhurr, në vitet 1960-1961, që kishte shërbyer edhe në shkollat e zonave Luzni e Kastriot si dhe me klasë kolektive në Rreth-Kale e Shqath (që kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera Shkollën e Mesme Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë e më pas edhe Shkollën e Lartë dy vjeçare pa shkëputje nga puna), do të shpërthente si një talent i rrallë në krijimtarinë poetike të asaj kohe. Kështu që në maj 1969 H.Bruçi do të botonte në “Zëri i Rinisë” poemën “Është ligji ynë” (Vite lufte), kur lexuesve të atyre viteve do t’u mbeteshin në mendje vargjet e asaj poeme: “Njerëz fytyrëmvrejtur/Kasolle perdhecke/ Rrugica të ngushta ku sundon uria…/Nën këto çatira të kalbura prej kohës/ Nën këto trarë të nxirë prej blozës/ Flen urrejtje e madhe.../Këtë urrejtje të grumbulluar prej vitesh/ Kush mund ta zbonte/ Veç ëndërrës për liri?/ Kështu u bë flamur/ Luftëtari i parë i lagjes sonë/ Dhe për liri/ Grykën e pushkës quante diplomaci….”


Ndërkohë, qe nga të parët që u angazhua me Lëvizjen Amatore në fshat. Ai kishte lindur në Lukan, por u rrit e u mirëformua në Muhurr, që ishte vendlindja e nënës së tij. Këtu mori arsimin fillestar dhe po nga Muhurri nisi rrugëtimin e tij të gjatë në fushën e mësuesisë, letërsisë, artit e kulturës. Pasi kishte spikatur për talentin e tij si poet me vjershat e poemat e botuara në shtypin qëndror, Hysni Bruçi mori pjesë edhe në përgaditjen e Almanakëve të parë letrarë “Dibra”.

Që me fillimin e botimit të gazetës lokale “Ushtima e Maleve” nisi të punojë aty, një vit si korrektor letrar e pastaj për disa vite si redaktor për kulturën e punën me talentet e reja letrare.

Në gjysmën e dytë të viteve ‘’70-të, në Dibër po bëhej një hop përpara për gjallërimin e jetës artistike dhe kulturore dhe gazeta “Ushtima e Maleve”, sektorin e kulturës të së cilës e drejtonte Hysni Bruçi pati ndikim të dukshëm në nxitjen e promovimin e talenteve të reja. Madje, që këtu u evidentuan dhe u tërhoqën në institucione njerëz të pasionuar e të përkushtuar.

Në mars të vitit 1978 fillon punën në sektorin e kulturës të Komitetit Ekzekutiv, ku dha një kontribut të çmuar për organizimin dhe masivizimin e artit e kulturës në rrethin e Dibrës. Ishte koha kur u arrit që Estrada e Peshkopisë të klasifikohej “profesioniste” dhe të krahasohej me të Korçës, Sarandës dhe të Fierit. Ajo arriti të realizonte katër premiera në vit dhe të përfaqësohej denjësisht edhe në eventet kombëtare. Pasurimi i orkestrës së saj me instrumentistë të shkolluar të oboes, flautit, trombës, violinçelit etj, është padyshim edhe meritë e Hysni Bruçit që drejtonte sektorin e kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Ai inkurajoi dhe mbështeti muzikantë të talentuar që të krijonin e drejtonin grupe të ndryshme artistike. Në Lëvizjen Artistike u përfshinë këngëtarë që bënë emër brenda e jashtë vendit. U rrit profesionalizmi në trupën e aktorëve e të regjive të shfaqjeve; u rrit niveli artistik edhe me skenografinë e shfaqjeve. Gjatë kohës që Hysni Bruçi drejtonte Sektorin e Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit u krijua edhe Trupa e Teatrit Dramatik Amator që realizonte dy deri në tri premiera në vit. Vatër e argëtimit të fëmijëve u bë Teatri i Kukullave. Orkestra Frymore e qytetit të Peshkopisë arriti të marrë çmimin e dytë në takimin kombëtar të Korçës. Shtëpia e Pionierit po bëhej shkollë për përgatitjen e talenteve të reja. Dega e Librit, me çeljen e 16 librarive në fshat e në qytetet Peshkopi e Bulqizë përmirësoi dukshëm punën me librin. U krijua edhe Dega e Monumenteve të Kulturës. U ngrit edhe Ansambli Artistik “DIBRA” (që fatmirësisht e ruan edhe sot këtë emër), i cili arriti të japë shfaqje të suksesshme edhe jashtë vendit, si në Turqi, Prishtinë, Shkup etj. Hysni Bruçi pati rol parësor edhe në formimin e Shoqatës së Historianëve si dhe të Bërthamës Arkeologjike të rrethit të Dibrës. Puna studimore solli edhe riorganizimin e Muzeut Historik dhe ngritjen për herë të parë të Muzeut Etnografik të rrethit. Sipas një programi të posaçëm pune të Sektorit të Kulturës në Komitetin Ekzekutiv që drejtohej nga Hysni Bruçi, u ngritën MuzeTematikë në Dovalan, Sinjë, Okshtun, Bulqizë, Ostren, Lurë, Zerqan, Zogje e Kastriot. Po bëhej praktikë pune që çdo vit të organizoheshin sesione shkencore në zona.

Në tetor 1978, u zhvillua Konferenca e Parë Shkencore e rrethit për çështje të historisë e kulturës të Dibrës. Për herë të parë aty u paraqit projekt-ideja për Rrugën e Arbërit, që po bëhet realitet në vitet e demokracisë, falë edhe rolit determinant të gazetës me të njejtin emër “Rruga e Arbërit” dhe Lidhjes së Intelektualëve Dibranë.

Në ato vite, Rrethi Letrar i Dibrës fitoi statusin e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit. Dhjetëra krijues dibranë që tanimë kanë botuar edhe librat e parë me poezi e tregime, debutimin e parë e patën në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”, në kohën kur sektorin e artit, kulturës e letërsisë e drejtonte redaktori i talentuar Hysni Bruçi.

Për piktorët e skulptorët u dhanë 9 studio. Sektori i Artit Figurativ arriti që çdo vit të çelë ekspozitë. Punët e disa piktorëve dibranë zinin vend në ekspozitat vjetore kombëtare. Masivizimi solli që disa qendra pune e shkollat të ngrenë grupet artistike.

Të 26 shtëpitë e kulturës në zona arritën të ngrenë grupet foklorike me 50-60 pjesëmarrës. Në orkestrat e tyre hynë edhe instrumente të rrallë muzikorë si: gajdja e Klenjës, kavalli i Kastriotit, fyjet e Selishtës, lauria e Murrës, culet e Venishtit e Palamanit, sharkia e Çidhnës, pipzat e Lurës etj. Hysni Bruçi tregon se orkestra e grupit folklorik të Çidhnës kishte rreth 30 instrumentistë.

Po ashtu ai vlerëson krijimin dhe interpretimin e valleve si: vallja e brezave, vallet lirike të Grykës së Vogël e të Kalasë së Dodës, vallja e Xhafer Kabës, vallet dyshe të burrave të Zall Dardhës, Muhurrit e Maqellarës, vallja këmbë mbas këmbe e Katër Grykëve, Vallja “Hore” e Sllovës, vallja humoristike e Pollazhanit, etj.

Shpërthyen këngë brilante si: “Na knojnë pushkët nëpër kulla”, “Shtatë liqejt e Lurës”, “300 duvakët”, “Këngë për Mahmut Dacin”, këngët epike për Kosovën (“O prite Azem Galicën”, “Këngë për Jakup Ferrin”) etj. Emra këngëtarësh të tjerë dibranë u bënë të njohur e të dashur për artdashësit brenda dhe jashtë vendit Vlerësimi i mëtejshëm i punës me folklorin, për të cilin H.Bruçi tregoi përkushtim të rrallë, bëri që Dibra të marrë vendin e parë në Festivalin Folklorik kombëtar të vitit 1978.

Hysni Bruçi ka realizuar edhe kumtesa e studime për çështje të historisë e kulturës së kësaj treve. Ato janë referuar në Sesione Shkencore e disa janë botuar në revista e organe shtypi. Të tilla kanë qenë: “Tema e Qëndresës në krijimtarinë e popullit”, botuar në “Dibra e dibranët”, “Vlera pedagogjike në Abetaren e Kolë Gjumarit”, botuar në gazetën “Mësuesi”, “Disa të dhëna historike për lidhjet e Dibrës me Qeverinë e Vlorës të 1912-tës”, mbajtur në Konferencën Shkencore të Kulturës të rrethit (1978); “Mbi disa shkaqe e koncepte të mënyrës së jetesës” si dhe “Shkaqe e pasoja të thashethemeve”, botuar në “Zëri i Popullit”. Gjithashtu Hysni Bruçi ka realizuar trajtesa me vlerë, si: “Ornamenistika në kostumet e shtatë zonave etnografike të Dibrës”, “Instrumentistë në kohë që bënë emër dhe Orkestra Folklorike e Dibrës”, “Figura mëmëdhetare të Dibrës dhe çështje të simboleve përkujtimore”, “Zall Dardha – një nga djepet e folklorit të Dibrës”, “Rapsodia Dibrane dhe profile rapsodësh” etj. Do të mjaftonte qoftë dhe botimi në një libër i këtyre kumtesave, studimeve e trajtesave, të realizuara, të mbajtura në sesione shkencore e të botuara me firmën e Hysni Bruçit, për të kuptuar kontributin e tij të veçantë për zhvillimin e letërsisë, artit e kulturës në Dibër.

52 views0 comments