top of page

ME LËKURË TË RE



Mëngjeseve herët, kur vesa ende nuk ish tharë mbi qemerët e portave të gurta, dëgjohej e beftë trokitja e plakut që grumbullonte nëpër fshat lëkurët e kafshëve të therura. Nuk ishte nevoja të thërriste. Të gjithë ia njihnin trokitjen. E rreptë prej çokitjes me shkopin e dorës. Disa ja hapnin portën por të shumtët i përgjigjeshin nga brenda. (Ik o Çelo! Nuk e kemi rrjepur kecin akoma!) Atëherë plaku drejtohej tek porta e komshiut, e kështu me radhë duke trokitur në të gjithë dyert e fshatit. Veçse tek porta jonë, ai sikur ngulmonte më tepër. Trokitjet e dëshpëruara të tij sikur derdhnin aty tërë makthin e një jete të mundimshme. Ndërkohë dy të mëdhenjtë e shtëpisë, babai dhe gjyshi, pyesnin njëri tjetrin me habi, “Po përse nuk i bie ziles ky njeri? Nuk e shikon butonin? apo me shkop e ka më të lehtë?” Për pak trokitja e tij bëhej si zhurma e breshrit mbi llamarinën e kotecit. E rreptë. “Vërtet, përse nuk vendos gishtin mbi zile! Përse e shpërfill kaq shumë veprën e mrekullueshme të babait tim?!” pyesja veten ngaqë të gjithë në fshat e kishin qejf t’i binin ziles tonë. Mos vallë gishtat e tij të kthyer si çekan prej artritit, nuk e shënonin lehtë butonin! Këtë nuk e mësova dot. Plaku ishte mister.

“Ke parë ti, goxha zile në portë dhe tjetri t’i gërdisë gishtat mbi derë! -u rrëmbye një ditë im atë nga sjellja e pakuptimtë e plakut. Megjithëse babai nuk ish dakord as me shkeljen e vazhdueshme të butonit të ziles, siç bënin shokët e mi kur vinin të më thërrisnin për të lozur. Ndaj dhe i përzinte keq. Ata thyenin sokakëve si gargujt nga majë e plepit, kur dikush shtinte me çifte. Për pak, trokitjet e plakut bëheshin të shkurtra dhe të shpejta si të jepte në mors thirrje për ndihmë. Dhe kur përgjigjja nga brenda vononte, prej gjoksit të petëzuar të tij dilte një zë i shkrehur, si lutje e gjatë plot dhimbje. Mërmëriste se donte fort një lëkurë të re. Pa gjetur lëkurë ai rrënohej përditë.

“Na rruaj, o zot i madh, -shpërtheu gjyshja një ditë, -Të fut apo jo në gjynah ky plak? I themi nuk kemi lëkurë për të shitur dhe ai s’dëgjon të shkulet! Veç të rripemi e ti japim zhapën tonë!”–shtoi ajo me shaka dhe shikoi nga unë, të peshonte reagimin tim. Meqë sipas saj rrjepja e njeriut është diçka fare e thjeshtë dhe mund të ndodhë kurdo e tek kushdo, unë u frikësova. Ishte çnjerëzore ajo që propozoi gjyshja, ndaj qysh prej asaj dite, sa herë Çelua shkelte në fshat, më kujtohej fjala e frikshme e gjyshes dhe zemra gati më ikte nga vendi. “Kaq e lehtë qenka rrjepja e njeriut?”-pyesja veten i zverdhur si qitrot në maj, ndërkohë imagjinoja veten të rrjepur midis rrjepacakëve dhe ngrysesha si dimër. Kjo bëri që gjyshja ta çonte edhe më tej shakanë e vet. Përsëriste gjithmonë pa pikë ngurrimi, (të rripemi) (u rropëm) (do na rrjepën) (bythërrjepurit) etj si këto. Ndërkohë plaku mbas porte vazhdonte me lutjen e dhimbsur; “Një lëkurë kërkoj, o njerëz!”

Prekëse lutja e tij, herë herë të bënte të ndjeheshe keq. Po kur nuk ka, nuk merr as perëndia.

-O po ky është çmendur fare! O na merr sot zhapën, o s’shkulet këndej!-thirri pas pak gjyshja e nxehur, dhe u nis me ngut për tek porta e oborrit. Pas saj dhe unë. Fustani i gjatë e me pala shkonte sa andej këndej si perdja e kinemasë së fshatit kur e tërhiqje me litar. Porse plakës shkundjen e fustanit nuk ia provokonte tërheqja e ndonjë litari, por hapat e mëdhenj sipër plloçave të largët në oborr, që ende i rezistonin shkuljes. Kurse unë me hapat e vegjël i bija shkurt. Hyja edhe nëpër baltëra, si tanku lodër me telekomandë i djalit të kryetarit. Kur gjyshja arriti tek porta, unë u fsheha në palët e fustanit të saj. Pastaj u përpoqa të shikoja edhe një herë plakun e lëkurëve, i cili porsa ndjeu zemërimin e gjyshes, vendosi të largohej i palosur keq në mes, duke ngritur lart në erë llërët e tretura. “Ç’u bëre, o i zi? Pse ike ashtu? Ktheu pra, të na marrësh zhapën!..”-thërriste me sa kish në kokë gjyshja por ai nuk e ktheu kokën. Eci heshtazi deri në fund të sokakut, pastaj na humbi nga sytë. Atëherë unë dola nga palët e fustanit, dhe shikova gjyshen në sy, të bindesha se ajo kësaj here bënte shaka. Megjithëqë gjyshja kish përcaktuar dhe pjesën nga ku do të fillonte rrjepjen e vetes. Nga brinjët e thara. Pra nuk u desh shumë dhe çështja e rrjepjes po më hante shpirtin. Makth i pa kontrollueshëm. Gdhihesha dhe ngrysesha i ngrirë prej tmerrit të rrjepjes. “Ku i dihet si vjen puna?-thosha me vete. Gjendem orën e gabuar në vendin e gabuar dhe, brisku famëkeq i plakut të lëkurëve frëngëllon edhe mbi mua!” Shkurt, ishte e pamundur ta mposhtja frikën. Natën në gjumë shikoja brisqe që kullonin llahtarë. “Po të më gjejë mynxyra, si do të jetoj pa lëkurë? Sa gjatë mund ta shtyjë një fëmijë i rrjepur?” –pyesja veten teksa vëreja se mbi trupat tanë të dobët, nuk mbylleshin lehtë as plagët e vogla nga çjerrjet e zakonshme, e jo më të pësoje rrjepje totale.

Kjo bëri të kyçesha gjithë ditën në shtëpi, sa herë Çelo lëkuraxhiu hynte në fshat. Më dhimbsej lëkura ime dhe gëzohesha derisa në fshat kishte akoma disa kokë dhen apo dhi, që ai tu merrte zhapën. Kështu do ta shtynim dhe pak kohë brenda lëkurës tonë. Veç kur fshati të mos kishte më as kecër, atëherë si do t’i bëhej hallit?! Dhe gjithçka dëftonte se ajo ditë nuk ishte e largët. Plagët mbi degën e arrës së Gjileke kishin filluar të mbylleshin, ngaqë çengeli i kasapit varej në të, gjithmonë e më i rrallë.

Kjo u përkeqësua edhe më kur Çelua dëshmoi me gojën e vet se; (po të mos i jepnin lëkura, ndonjë do ta rripte vet të gjallë...) Disa e shpjeguan këtë, se nuk ishte kërcënim dhe nuk u drejtohej fshatarëve, por të gjallave në fshat. Kurse dikush tjetër tha se ishte tepër i bindur, që Çelua me atë fjalë u drejtohej fëmijëve. Pra, ata duhet të rrinë brenda! Kështu e mbylli sqarimin ai. U bënë dy persona në fshat që flisnin për rrjepje njeriu. Ai dhe gjyshja ime. Paçka se gjyshja fillimisht kërkonte rrjepjen e vetvetes, kurse ai të fëmijëve. Përfundimisht deklarata e Çelos kaloi jo si e thjeshtë, por si një hakërrim. Fjala fluturoi në çdo çep të fshatit, të vegjlit të merrnim masa sigurie të ruanin lëkurën. Kështu, fëmijët caktonin rroje tek Shkëmbi i Petësit që porsa të dukej Çelua, ai të këndonte si buqicë dhe shpella e Brame do ushtonte si shpella e Qikllopit, që ata të mbylleshin shpejt brenda mureve të shtëpisë.

Por një ditë vere që kishin shkuar në det dhe laheshin e tërboheshin me valët në breg, dikush më i rritur rrëfeu një të fshehtë të madhe. “Çelua, tha ai, nuk i preferon lëkurët e përcëlluara! Zhapat e përzhitura nuk shiten lehtë!”-shtoi duke hedhur gurë petashuq në det. Çastin tjetër të gjithë dolën nga tenda. U shtrinë mbi zhavorr si bukëfiqe, të piqeshin në diell. U dogjën e u përcëlluan aq shumë, të bëheshim të papëlqyeshëm për Çelon. Disa i përqeshën, i quajtën (harrapë)po kjo nuk i shqetësoi fëmijët. E rëndësishme ishte të ruanin fort lëkurën e vet. Ndaj dhe kur diskutonin, fillimisht i kujtonin njëri tjetrit fatin e madh të gjendurit me lëkurë. Pastaj për të këputur çfarëdo fije dyshimi, e ledhatonin njëri tjetrin në shpinë. “Gëzohu, o vëlla i pa rrjepur!..”

Kjo përkujdesje zgjati gjithë vitet e vegjëlisë, derisa një ditë nga fundi i prillit qarkulloi në fshat se Çelua i frikshëm, vdiq. Madje lajmërimi i vdekjes së tij u transmetua edhe në radio. Nuk e di si u ndjenë të mëdhenjtë për humbjen e tij, po ne të vegjlit e festuam fshehtazi. Madje kënduam dhe një copë nga himni kombëtar, pastaj u ngatërruam dhe vazhduam me himnin e flamurit, për ta mbyllur në fund me disa vargje nga kënga “Ato maja rripa rripa, seç gjëmojnë!” Por të tilla ngatërresa nuk përbënin turp. Kështu u ndodhte të gjithëve kur gëzonin, i pleksnin e i trazonin këngët bashkë, ngaqë dëshironin ta përfshinin gjithçka të madhe e të bukur, brenda një teksti.

Gjithsesi tek kushdo dallohej entuziazmi. Dhe me të drejtë. Më në fund shpëtuan nga Çelua të pa rrjepur! Të paktën kështu mendonin. Nga lumturia disa nisën ta thërrasin shokun, jo me emrin e vet, por me epitetin e madh.( O i pa rrjepur.) Emra të tjerë do të tingëllonin krejt pa kuptim. Për këtë u krenuan edhe të mëdhenjtë në fshat. Fëmijët që rritnin ata, i mbulonte lëkura e vet...

Por fatkeqësisht e liga kish ndodhur, për më keq, nuk e dinte askush. Gjithçka u zbulua rastësisht, ditën që u rrëzua nga buza e madhe Pirrua i Mëhille. Doktori që erdhi ta vizitonte, porsa e pa djalin të zhvokur e të përgjakur, shastisi një çast, pastaj ngriti pak të dyja duart duke thirrur si i shkalluar. “Po copën tjetër të lëkurës ku e ka ky vogëlush?..” Atë çast, dikush nga kryesia i nduku buzën dhe doktori heshti. Pastaj mjeku e rrotulloi djaloshin e plagosur ta vizitonte nga shpina. Unë që kisha mësuar të shpoja në turmë, prej kindave të fustanit të gjyshes, dola thuajse në reshtin e parë. Aty e dëgjova fort mirë doktorin që pyeti për lëkurën e munguar të Pirros dhe, këtë u mundova ta përcillja mbrapa, tek shokët, por ai i kryesisë më kuptoi dhe ma tërhoqi veshin fort. “Mistrec, më tha, doktori nuk pyeti për lëkurën, po për sandalet e tij!” Unë mbeta si muç. Përgënjeshtrimi i tij sy për sy ma ndrydhi zemrën. U ftoha krejt. Nuk munda të flisja për të. Kështu, rrjepjen e Pirros nuk e mësoi askush. Mbeti sekret. Veç disa vite më pas, kur ne e braktisëm fshatin dhe shkuam të punonim matanë kufirit, e para që na dëgjuan veshët pas kontrollit të lehtë mjekësor nga doktorët e huaj, ishte fjala; “Ore, po këta qenkan fare të rrjepur!” Nuk kanë aspak cipë mbi vete! Shumë nga ne i nisën urgjent nëpër spitalet rrotull. Njëri nga ata që iu ushtruan terapisë për lëkurë të re, isha dhe unë që tani po ju rrëfej këtë histori. Netët në spital mu bënë si muaj. Drita e ftohtë që kisha mbi sy, po mi thante ëndrrat. Shikimi mu zbeh dhe kokërdhoku mu zmadhua, gjë që i tmerroi infermieret. “Sa i mjerë!” dëgjoja të pëshpëritnin sipër kokës, megjithëse shpesh herë kaloja në jerm. Kur u përmenda, prekja vazhdimisht veten duke u habitur për lëkurën e re. “Kush do ta paguante lëkurën time të re dhe si e humbëm lëkurën e vjetër! Kur na rropi Çelua i frikshëm dhe nuk e ndjeu askush? Kush vallë e kish blerë lëkurën time të vjetër, dhe a i ujdisej bukur mbi trup? Më mundonin shumë pyetje, por ajo që më tmerronte ishte frika mos dikush ma zhvishte përsëri lëkurën e re, ashtu si Çelua i frikshëm dikur.

Qysh atëherë kanë kaluar shumë vite dhe unë ende rruaj dyshime e prek veten të shikoj, e kam apo jo lëkurën e re...

49 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page