top of page

...ME DINJITETIN TONË


Gjokë Dabaj

FQINJËT PO FSHIJNË PRAPANICËN ME DINJITETIN TONË

Po shohim këto ditë me kilometra radhë makinash të shqiptarëvet, për të hyrë në shtetin grek. Të zotët e makinavet, shqiptarë, rrinë si delet. As sa macet nuk mund të mjaullijnë: “Na ikën puna!..”, “Mbetemi pa punë!..” Komb i mjerë! Komb shkurtpamës!

I kishim fabrikat! E kishim punën! E kishim bujqësinë sa çuditej bota! E kishim tregtinë, tonën!

I lamë të shkatërroheshin që të gjitha! Madje, i shkatërruam vetë! Nuk ngopeshim duke thyer xhamat e trenavet, xhamat e seravet, xhamat e shkollavet e të bibliotekavet! Dhe duke djegur librat nëpër sheshe!

Oxhakët e fabrikavet i dënuam të mos nxjerrin tym kurrë më! Mbetën për t’i fotografuar turistët! Minierat i lamë t’u shemben galeritë dhe të na mbushen me ujë. Magazinat, plot me mall, me ushqime sa për tre vjet, me tekstile, me enë kuzhine, me pjesë makinash, i shpërthyem, i plaçkitëm, i rrënuam dhe u nisëm me vrap drejt Greqisë e drejt Italisë, duke mallkuar pushtetarët tanë, që s’i kishin hapur kufijtë me kohë.

Ja ku i kemi tani fqinjët, që po na i mbyllin të gjithë llojet e kufijvet! Vetëm kufijtë, për të hyrë ilaçet e tyre të skaduar, mielli i tyre i dyshimtë dhe domatet e tyre të stërfryra, nuk po mbyllen!

…Nuk na pranonte kush me letra, as në Kakavijë, as në Kapshticë! As në Bari, as në Brindizi e as në Ankona! Duhej të ishim refugjatë, mjeranë, që dikush të na jepte një copë punë e një copë bukë! Duhej të kapërcenim Gramozin, rrugë pa rrugë, nëpër shi e borë, që të mund të arrinim parajsën: një copë shërbëtori te një plak apo plakë e Greqisë, që edhe vetë i kishin fëmijët e tyre refugjatë! Duhej të rrëzikonim jetët, me skafet që niseshin nga brigjet tanë dhe s’dihej, mbërrinim apo s’mbërrinim gjallë matanë! Aq sa edhe sot, nënat plaka, po shpresojnë se i kanë diku bijtë e tyre të humbur!

Shqiptarë mjeranë, që dheun e vet e lanë të shëmtohej dhe shkuan të qerdhesin afendikonjtë, duke ndërruar edhe emrat! Emra, vënë prej prindërish qorrçe dhe braktisur prej vetë nesh, edhe më qorrçe! Sepse ashtu po e kërkoka punëdhënësi apo një qurrash, lëshues dokumentesh!

Kush jam unë, që ti kërkon të ma ndryshosh emrin?!Kush jam unë, që ti kërkon ta quash Greqi krejt Jugun e Shqipërisë?! Kush jam unë, që ti ma quan Sërbi gjysmën tjetër të Shqipërisë?!

Qesharakë, deri përtej çdo lloj komedie e farse! Del atje, te rreshti 5 apo 6-kilometërsh i makinavet, një ministre e mbrojtjes!.. Mirë që s’kish ngjeshur një shpatë e s’kish marrë një shqyt me vete, apo një kallash, nga ata që i patëm hedhur rrugëvet!.. Dhe zëri i saj s’ish aspak më i fortë se zëri i një mize! Madje, as mizë kali, por mizë krejt e zakonshme, nga ato që vijnë vërdallë hirrës!

Të mos e zemërojmë grekun, se na e mbyll derën për në BE! Një grek, një anëtar BE-je, i cili s’ka hapur as edhe një shkollë shqip ndër shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, në një kohë kur një Tito i keq lejonte universitet në gjuhën shqipe! Një i tillë grek paska në dorë të na e mbyllë apo hapë derën e Evropës?! Kurr mos u haptë!

...Ç’është kjo ditë e keqe për ne shqiptarët?! Ç’do t’u thonë fëmijëvet të vet këta që po i gdhijnë e po i errin ditët, duke pritur mëshirën e një doganieri brekëqelbur, për të hapur qoftë edhe një sportel më shumë?! A kështu do t’i mbrojnë shqiptarët vlerat e vetëvetes, duke ia lënë fajin një virusi dhe duke harruar që, po ato dyer, na janë mbyllur sa herë i është tekur cilitdo prej fqinjëvet tanë?!.

Por jo për fajin e tyre!

Për fajin tonë, shekull mbas shekulli, sepse jemi një komb i krimbur! Një komb i krimbur, i cili, doemos, duhet ta gjejë një rrugë, për t’i pastuar krimbat prej vetëvetes! Ndryshe, dinjiteti ynë mbetet përgjithmonë një copë leckë.

36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page