top of page

Mbrojtje e fisme e Kujtesës dhe anasjelltas


Akademik Kopi Kyçyku

Poezia si një mbrojtje e fisme e Kujtesës dhe anasjelltas

Disa mendime për vëllimin poetik "Gjurmët e dashurisë" të rumunit Eduard Dorneanu, që do të botohet së shpejti në shqip

Ut vita poesis

Të paktën në periudhën e tranzicionit të krijohet përshtypja sikur poezia rumune është më e pasur dhe më e larmishme se sa vetë gjuha rumune. Një begati e tillë besoj se ka një shtysë të dyfishtë: josh shkrues të shumtë, të talentuar ose jo, të hedhin në letër përjetime gjithfarësh dhe: i përgjegëson (sërish) poetët e mirëfilltë të kapin të tjera thellësi të gjuhës. Pesha e kësaj gjendjeje është e veçantë sidomos në kushtet e cektëzimit të jetës së përditshme, kur pothuajse çdo ngjarje apo imtësi kalimtare duket si pothuajse gati e shkruar dhe mezi pret ta kthesh në të tillë. Por, fatmirësisht, poezia e madhe, ajo që çon më tej thelbet e qënies njerëzore dhe jo vetëm pasqyron realitete, por i riformëson ato në vetëdijen e lexuesit të përkushtuar, duke rigjallëruar në të njëjtën kohë shpresën që jo gjithçka mund të pragmatizohet apo të njëtrajtësohet, do të shkruhet në vazhdimësi, shpesh herë përtej vëmendjes së masmediave dhe të qarqeve letrare të mbarëpranuara, alias zyrtare. I tillë është edhe rasti i poezisë së Eduard Dorneanut (lindur më 1968). Po ritheksoj në këtë kontekst edhe bindjen që poezia e vërtetë e gjen patjetër lexuesin, madje edhe nëqoftëse ky kërkim mund të zgjatë ndonjëherë me vite të tëra. Në vijim do të përpiqem të parashtroj disa bindje vetjake të cilat nuk pretendoj të jenë jo aq gjykime me vlerë, se sa një ditar tepër i përmbledhur përjetimesh të përftuara pas leximit të vëllimit „Gjurmët e dashurisë” (Shtëpia Botuese Eicon, 2022).

Kujtesa ndërmjet trashëguesit e saj të vërtetë dhe ata të mundshëm

E shkruar me tone liriko-epike, me dërgesa kumtimesh diskrete, por të qarta, drejt hapësirash kulturore, poetike dhe mistike universale, duke respektuar nganjëherë një strukturë si të Këndimit të Këngëve (Vepër me subjekt fetar, sh. im), në një rumanishte të pasur e të saktë, - që grish për interpretime të panumurta, por e udhuar nga përjetime të pangatërrueshme, - besoj se poezia e Dorneanut vjen në radhë të parë të mbrojë Kujtesën Kolektive dhe ta begatojë, duke u nisur nga një hapësirë specifike (le të themi Malini, vendlindja e autorit, sidhe nga vetëdija e tij si zëdhënës i kujtesës përkatëse) dhe ia del mbanë ta shndrrojë Kujtesën në një ngrehinë ku mund të strehohen udhëtarët e brezave të ndryshëm, shtëpia e të cilve tanipërtani është vetmia. Në gjirin e kësaj vetmie të madhe të qarkuar nga „ata që jetojnë në kleptokracinë e botës së re”, fillon t’i bëjë thirrje heraherës me klithmë nevojës për çlodhje, për përshtatje të vetmisë ndaj përmasave të secilit udhëtar. Poezia e Dorneanut ka si axis mundi fshatin Malini dhe nuk rreket të tërheqë vëmendjen mbi të, por vetëm të mbajë gjallë pikërisht atë që mbart më të qëndrueshme e më të gjithëbotëshme (universale) kujtesën kolektive. Nga qëndra e kësaj kujtese, duke u mbështjellë me mantelin e anonimit, që ”Zoti e thërret me emër në çdo përvjetor të ditëlindjes”, poeti rrëfehet: isha fëmijë / kisha një ndjesi jo me përzgjedhje të dhembjes / besoja se atëhere kur pranvera ik / plaçkitësit e heshtur të fshatrave malorë planëzojnë ndërkaq një hakmarrje / të re / për të rindërtuar kështjellat prej akulli në të cilat vdesin / jetimët dhe vjershat e palexuara / në agim. Falë disa metaforave aspak të sforcuara apo me tepri, Poezia e Dorneanut përpiqet ta mirëpresë për një farë kohe lexuesin në një „fshat” individual, përtej pengesave gjuhësore dhe kulturore, në një lloj fëmijërie virtuale, e cila të bashkon me njerëz të shumtë pa t’i fshirë ngjyresat dhe aq më pak emrin. Me miqtë apo njerëzit, pa të cilët nuk mund ta mposhtim vetminë. Ndër shkrimtarët rumunë dhe ballkanas që e kanë himnizuar miqësinë, - si një rigjetje të vdekatarit tek njerëzit, ose si një pasuri shpirtërore, nganjëherë e hidhur për shkaqe të ndryshme, por vazhdimisht e shoqëruar nga pavdekësia (në trajtën e një kulmi të individualitetit, në qëndër të Kujtesës) Dorneanu kumton një përvojë elegjiake, peshërëndë, që mbetet si një gjurmë gjaku të pastër në një pejsazh të mjegulluar e të përbaltur parreshtur nga ideologji dhe psikoza. Miqtë e poetit janë protagonistët e disa flijimeve që fitojnë rëndësi dhe vlerë simbolike sa më anonimë duken nga këndvështrimi zyrtar. Ata nuk vdesin, por ikin vazhdimisht „përtej së kaltrës”, atje ku e padukshmja e sotme është jeta në plotërinë e saj. Vargjet kushtuar miqësisë na shtyjnë të kuptojmë edhe një herë se për fisnikërimin e ekzistencës së secilit prej nesh gjithmonë në të shkuarën është vetëflijuar dikush, qoftë disa miq, qoftë ca të panjohur, mioritikisht ose jo, por vazhdimisht me nënshtrim të plotë ndaj Murosjes (Murimit), ndërsa mirënjohja jonë edhe kur nuk merret përsipër ose nuk perceptohet kurdoherë, na mbështet heshtaz nga përmasa të tjera dhe na aftëson të shkruajmë poezi të mirëfilltë. Theksojmë se fryma elegjiake e Dorneanut, pa kërkuar fajtorë dhe / ose ndëshkime, përhap dritë mënçurie dhe morali të epërm, kurrsesi mungesë shprese apo, thënë në trajtë eufemistike, të interpretueshme.

E dashura ime e dashur

E trupëzuar (e shkruar) në Valentinë, - prani femërore gjithëpërfshirëse, e mistershme, por jo e ftohtë, që frymon dhe kuvendon në kufirin midis sekretes dhe diskretes, e përkushtuar, - femra e poetikës së Dorneanut njeh e dhuron në të njëjtën shkallë zgjuarësi, baraspeshim dhe kënaqësi trupore. Ajo është e besueshme, ngaqë është e gjallë. Ashtu siç është e gjallë edhe nëna e dhembshur, me shpirtin e të folmen e përkryer nga vuajtje të heshtura. Teksti i Dorneanut, me atë kompleksitet fatlum që mund të shprehë më shpesh dhe më saktë thjeshtësinë e dashurisë, bën një portretizim të vetvetishëm të Femrës së gjithëkohëshme, pa e shformuar me teprime universaliste, por edhe pa e idolatrizuar me teprime specifike. I Dashuri im i dashur, - thotë ajo, - ndjehem vërtet hyjnia jote / atëhere kur marr symbyllur atë për të cilën ti nuk mund / të ndjesh keqardhje / dhe as ta fshehësh / dhe të dy shndrrohemi në një trup të pathyeshëm. Për poetin, Dashuria është njëherazi ikje dhe rigjetje, por jo medoemos një ikje e imponuar nga koha drobitëse e përjetuar përmes kërkimesh të papërfunduara dhe as një rigjetje e diktuar nga lodhja e ikjeve, Ajo është, në thelb, një bashkim e „rrjedhje e përbashkët”, një jetesë apo përjetësim i shkallëzuar „në një botë të shënjave tona, vetëm tonave”.

Për gjurmët

Në përfytyrimin kolektiv, në vazhdën e një ndodhie, - qoftë edhe pa rëndësi të mbarëpranuar njëzëri, - mbetet një gjurmë. Kjo mund të jetë një gërvishtje, një plagë e pashëruar ose e pambyllur, një tatuazh i padukshëm ose një shënjë e sipërme që nuk mund të shpjegohet nga kushdo. Këtu poezia i ndan e i përzgjedh lexuesit. Varet se si jeton secili (lexues), çfarë kërkesash ka nga jeta dhe sidomos për çfarë është i gatshëm të flijohet që të bëhet apo të mbetet një emër, jo një numur. Poeti ligjëron nga një hapësirë në të cilën „dëgjon si rrjedhin në tokë gjaku dhe rinia” e tij, çka cakton një çmim që nuk mund të negociohet kur bëhet fjalë për gjëra thelbësore. Nga ky këndvështrim, gjurma është një çelës prej dhe drejt hapësirës në të cilën jemi të pangatërrueshëm dhe ku „pranvera nuk është ndonjë femër e zhveshur nga rinia, / pranvera nuk është një femër e veshur nga ndonjë verban”. Në poezinë e Dorneanut, ashtu si në fjalë - përjetime të tjera thelbësore, dashuria vibron njëherazi në disa shtresa dhe konotacione, por besoj se të gjitha i nënshtrohen Dashurisë si jetë e marrë dhuratë dhe e cila, duke u dhënë e duke u marrë nga të tjerët, mund ta lehtësojë parapërjetimin e parajsës. Sigurisht, të gjitha në një vizion të besueshëm e të mundshëm, aspak patetik, që u jepet atyre lexuesish, të cilët nuk kënaqen vetëm me konfortin lëndor dhe nuk i refuzojnë vuajtjet, - me ose pa dashje, - përderisa kemi vetëm një jetë. Në poetikën e Dorneanut dashuria është një faqe tjetër e besimit në Krijues e në Murosje, ndërsa gjurmët e saj, ashtu si në raste fare të paktë, me ndihmën e Kujtesës, mund të luajnë të njëjtin rol dhe të ushtrojnë të njëjtin ndikim mbi ekzistencën.

Tekst dhe intertekst

Ndodhemi përpara një poezie të thellë, peshërëndë, që lexohet në atë vetmi ku vetëm ne dimë çfarë do të donim të ishim. Ndodhemi pikërisht si në praninë e një mozaiku gjurmësh që shkoklohen dhe që ngarkesa jetësore i pengon të bëhen publike. Poeti dëshmon thjesht: dhembja ime është shi prilli dhe rënkim vashe mëkatare / në folenë e palmave të perëndishme. Nganjëherë mozaiku merr trajtën e një udhe nëpër kaos dhe mjegull, ndërsa gjurmët ngjajnë si gurët mbi të cilët duhet të çapitemi për të kapërcyer një lumë.

Disa të dhëna për autorin

Poet, prozator, memorialist dhe gazetar kulture, EDUARD DORNEANU është lindur në fshatin Malini (Suçeava, Rumani) më 1 tetor 1968. Është anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë. Ka shkruar shumë libra me prozë: Ditari i ujrave të purpurt (2011), Ditar netësh e mëngjezesh të shpërdoruar (2011), Ditar pranvere të gjymtuar (2011), 7, 63 (2013), Malini (2014), Larg Trojës (2016), Malini, vëll. II (2017), Malini, vëll. III (2018), Malini, vëll. IV (2020); libra me poezi: Gotik (2011), Vllazëria e trëndafilit të këputur (2011), Betimi i Tempullarit (2011), Lutja e gurtë (2011), Mëngjeze të pakuptueshëm (2011), Erotika e Shënjtë (2015), Sublimim (2017), Poetika (2021), Gjurmët e dashurisë (2022). Është laureati disa çmimesh të rëndësishme letrare, ndër të cilët: Çmimi „Libri i Vitit”, dhënë nga Dega e Brashovit e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe Shoqata Kulturore Libris Cultural për vëllimin „POETIKA”. Për librat e tij kanë shkruar Radu Voinesku, Karmen Ardelean, Iolanda Malamen, Valeria Manta Taikucu, Ruksandra Anton, Liviu Antonesei, Kristian Kraçiun, Ana Magdin, Dorina Shishu, Adi Sekara, Stelian Curlea.

223 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page