top of page

MBRETI I HUAJ


Faruk Myrtaj

MBRETI I HUAJ

-tregim-


“Këtu do të mbretëroj Madhëria Juaj...” tha Shoqëruesi i Parë, duke treguar në hartë një vend, diku në Mesin e Dheut. Ende-Princi, si nxënës i urtë i bangës së parë të fillores, dëgjoi pastaj për toka të pasura, natyrë bregdetare ku dielli djeg fort, çan gurin, nxeh gjakun e njerëzve dhe, si të mos mjaftonte kjo, hëna mbi kryet e tyre endet netëve dhe ditëve.

Shoqëruesi sapo ish kthyer prej andej. Me anije të posaçme, kishin shpënë Fronin Mbretëror. Në një të ardhme fare të afërt, ende-Princi do nisej për atje për tu kurorëzuar Mbret. Thjesht, pritej që krerët vendas, në grindje të pafund me njeri tjetrin, të nënshkruanin rënien dakord për Mbret të Huaj.

“S’e gjetën dot dikë prej të vetëve?!”, pyeti Ende-Princi, si në ngut t’i besonte shoqëruesit pjesë ende njeriu të zakonshëm.

“Mbreti është dhuratë, Madhëri...” tha tjetri, me sytë nga qielli.

Si gjithnjë kur ndodh ndonjë mrekulli a zihet n’goje Zoti, vijoi një copë heshtje, si rënie shiu në pikun e thatësirave të gjata. Të tëra duken si marrëveshje të njerëzve me natyrën, por asgjë të keqe s’ka, nëse ndodh që popujt e sovranët të përkëdhelen si fëmijët. Shoqëruesit e Parë i dinë këto gjëra, sovranët lindin me këto dije.

Ditët më pas, për tu bërë mbret i sollën libra të vjetra, gazeta të zverdhura, revista të hershme, të kohës kur sa kish nisur të shkruarit, fotografi imazhesh, identikite, skicime të marra me mend të figurave të shquara të historisë së lashtë, dokumente arkivore, pergamenë të ruajtur nga ekspozimi në dritë, ese, përsiatje rreth historisë e kulturës së truallit që megjithatë s’gjente dot qetësi. I mundësuan të shihte filma dokumentarë e artistikë me subjekte antikiteti, për t’i lehtësuar të kuptuarin e thelbit të jetës dhe legjendave aq të shumuara të atyre popujve. E joshën kronikat nga Sheshi i të Urtëve, që besohej se dëgjoheshin dikur, në ato vise.

Mbase tërë popujt kanë pasur një varg perëndish e zotash, por edhe gjysmazota-gjysmanjerëz që gjysmën e ditës zbrisnin dhe luftonin në krahë të njerëzve, teksa gjysmën tjetër të jetës ngjiteshin e ujdisnin paqen prej majës së Olimpit. Me skeptër e virtyte perëndish, me vese njerëzish, ende-sot nderohen e sillen si perëndi e zota të allasojtë.

Ende-princi kundroi më ngè portretet e imazhet e tyre ne pjesë teatrore, luajtur nga aktorë në zë, dialogë dramash me subjekte antike, variante moderne të miteve, legjendave e subjekteve supozuar ndodhur në kohët dikur, aq të lavdishme për ta.

Prej së pari, i bëri përshtypje lënda që i ofruan. Në të, historia dhe e shkuara e largët, sikur rrekej të përbënte edhe të sotmen e tyre. Dukej sikur kjo e fundit s’ish veçse një muaj shfaqjesh teatri klasik, muaj që përsëritej dymbëdhjetë herë në vit, dhe tërë vitet më pas, pa pushim. Mbase përjetësisht.

“Besojnë të shkuarën e lavdishme, Hirësi! Vetëm në të, gjejnë arsye për t’u mbajtur krenarë...”

Dukej se, edhe kur i duhej të shtonte diçka në dosjen për Shkëlqesinë, shoqëruesi vetëm citonte, thjesht rrëfente. Sigurisht nuk shkoi ndërmend t’i bënte të ditur se në vendin ku po dhurohej Mbret, nuk e kishin aspak dëshirë t’u kujtoje boshllëkun, shkëputjen e kohës Dikur me kohën Sot. Edhe miqtë e vizitorët nga pjesa tjetër e botës, që të tillë e kishin lexuar në librat e historisë dhe artit antik, s’pushonin së nderuari këtë kujtesë, duke bërë kujdes të mos e lëndonin plagën sa heshtja e vjetër të kësaj dhimbjeje.

Vetëm pasi u nënshkrua kërkesa prej krerëve, Shoqëruesi shtoi diçka më shumë për kureshtjen e princit. Palët, ndonse në mëri me njeri tjetrin, mbeteshin njëlloj krenarë ndaj të shkuarës. Të gjithë besimtarë e predikues të kësaj historie imazh, për të cilën janë gati t’i rrezikojnë krejt dukjet e sotme. Veç që imazhi i qenies dikur të mos u ik duarsh, por as të jetë pronë e vetëm ndokujt prej tyre, po pranojnë një mbret të huaj, që s’ka pjesë në këtë të shkuar. Për të mos e shfaqur plagën e vjetër – atë boshllëkun mes së Shkuarës dhe së Sotmes, marrin përsipër të hapin një plagë të re: qeverisjen prej të tjerëve.

Merret vesh, shoqëruesi nuk e artikuloi kaq shkoqur këtë akt paralajmërues për mbretërimin e nesërm atje, por as princi nuk e ushtroi të drejtën për të pyetur, qoftë edhe kot fare. Mbase prej kësaj pyetjeje të pa bërë, Hirësia e Tij vazhdoi të mbetej i shqetësuar, edhe pasi vuri kurorën. Ajri i turbullt ia mugullonte pamjen e gjërave, por s’ishte e thënë të mendohej, aq më pak të besohej se kjo vinte prej rregullit të pashkruar “mbreti s’bën të pyes për gjëra që ende s’i di. Thjesht mban oborrtarë që intuitivisht ja ofrojnë ende-të-paditurën.

Mëdyshja prej mosnjohjes mbahej sa më e fshehur, jo veç pse gjendje të tilla shfaqeshin rëndomë te njerzit e thjeshtë, por se u shërbejnë pa e kuptuar besimeve dhe bindjeve tek hierarkitë. Megjithatë, ndodhte të brofnin pa drojë e fare qashtër. Një mbrëmje, teksa vështronte një perëndim dielli në vendin ku qe pranuar mbret, preku mëngën e shoqëruesit të parë dhe, naiv si një fëmijë, u ndje mirë që guxoi ta pyeste:

“Jam mbret i të gjallëve, apo i të vdekurve këtu...?!”

“Jam pas teje, Madhëri!”, ish përgjigjia e tjetrit.

Njëlloj sa tjetërsia e pafshehshme mes dy kohëve në historinë e këtij vendi, në mos më tepër ia rrëmbente veshin dallesa mes gjuhëve. E folura e atyre që thuhej se sundonin prej dhjetra a qindra vjetësh nuk fshihej dot, si e tjetërt prej zhargonit të përditshëm të njerëzve më poshtë. Që gjuha e të dy palëve aty ishte pa asnjë lidhje me gjuhën e Mbretit, kjo nuk shqetësonte askënd. Dhe as që fshihej. Ishin dallimet në të folurën e njerëzve aty, që tingëllonin lemeritëse, mbase pikërisht pse mbaheshin fshehurazi.

Dikur kish qenë e njëjta gjuhë, por pas një takimi të fituesit të luftës së mbrame me një grup gjuhëtarësh, kishte nisur ndarja në të folurën, ndarje që kish sjellë degëzime e ndarje të tjera, në gjithë format e jetës dhe të punëve të tyre. Njerëzit më pas, sikur lindin e rriteshin prej mënyrës se si përdornin gjuhën. Pala që ngjitej në katet e epërme të pallatit të shtetit i qe larguar gjuhës dikur, gjë që nuk ndodhi te pjesa tjetër që, në heshtje të pashpjegueshme, pranoi të popullonte katet poshtë të pallatit.

“Është mirë të flasim për këtë,” i tha një ditë nervoz, Hirësia e Tij shoqëruesit, “përpara se të gjendem mes mërisë së tyre...”

Në faj të mezipritur, i pa akuzuar, tjetri nxitoi t’i sillte një hartë të vjetër të gadishullit.

“Ati Juaj thoshte se s’mund ta njohësh një popull, pa njohur historinë, të shkuarën e kulturën e fqinjëve të tij, madhëri...”

Dukej sikur i pëshpëriti këto fjalë. A thua druhej nga ndokush që mund të gjendej rastësisht aty pari, edhe pse secila prej fjalëve i thuhej një Mbreti, në oborrin e tij.

Shërbyes i vjetër në Oborr, ai e dinte detyrën. Mbretërimi do vazhdonte të ish një ceremonial i pafund të panjohurash e të paditurash, në bashkëjetesë të brishtë të zakoneve e tekave që s’èshtë e udhës të përfliten e as të thuhen me zë. Madhëria sigurisht e kishte parasysh se mbretërit bëhen mbretër vetëm duke mbretëruar.

E la të lirë shoqëruesin atë ditë, por nuk u kujtua t’i kthehej të nesërmen kësaj bisede. As ditët më pas. Kohë më vonë, qortoi veten. Pranoi se edhe për princa që arrijnë të thirren mbretër, ndodh të bëhet vonë, madje tepër vonë.

Mëdyshja vazhdoi të bumehej ngutshëm duke lexuar shënimet e pabotuara të një gjuhëtari thinjur hulumtimesh në “gjuhë vdekurisht të lashta". Popullsia që përdorte dikur këtë gjuhë”, kish të ngjarë të ish para-ardhëse direkte pikërisht e shtresave tashmë të prozvalura. Edhe më gërryese, mund të kish lidhje përmes kësaj gjuhe, me popullsi që tashmë figuronin fqinje.

Dukej po ajo lojë, e këtij Fat që i kish vënë kurorë pikërisht kur koha e mbretërive perëndonte. Për më tepër, në këtë gadishull, kufijtë e të cilit gjallonin në autorësi të dyshimtë, njëlloj si mitet e legjendat, mëtuar e dëshiruar të gjitha prej të gjithëve.

U lëshua në kolltuk, në dëshirë të haej me veten. Tjetërkund po kështu, ndodhnin këto mëri e kurthe, ngjashmëri në lojën e pushteteve, në s’jemi ende gati t’i pranojmë si natyrë të njeriut. Pushtetërimet janë bërë aq të ngatërruara e të brishta sa, në çastin që vendos të pranosh një fron a një karrike, duhej të kesh ditur dhe pranuar se s’mund të jesh dot sundimtar vetëm i një populli të vetëm. Në nënvetëdijen e njerëzimit kthehet e rikthehet nevoja e Njëshave të Fortë, autoritaristëve populistë, perandorakëve të underground-it pa perandori klasike...

I mbylli për të mos i hapur më shënimet e gjuhëtarit e sërish u vështrua në pasqyrë. Mjegullisht i paqartë, si variantet e legjendave fqinje që imponoheshin mbi të sotmen. U ndje i lodhur. i hutuar në gjeratoren e një turbullire prej të cilës duhej të kish dalë përpara se të kurorëzohej. Tashmë ish vonë, mbretërit nuk dorëhiqeshin dhe ai pranoi të mbetej mbret në mëdyshje...

Shoqëruesi kish lënë të kuptohej se lipsej ca më shumë praktikë në odën e njëqind pasqyrave. Gjestet e fjalët, deri buzëqeshjet, hedhja e hapit, valavitja e lehtë e dorës për turmat brohoritse, lirshmria përballë kamerave, mund ta mbushnin boshllëkun që gjuha, gjuha e e tij aty ku ai mbretëronte, si gjuhë e tretë, do gjëmonte, kudo ku ai do shkelte. Me kalimin e javëve, edhe më shumë se në fillimet, po i dukej vetja nj lloj humbameno.

“E vërtetë që ka edhe dobësi mbretërore...”

“Janë pjesë e vullnetit mbretëror, Madhëri,” respektoi distancën e autoritetit shoqëruesi i parë.

Mbreti i la të kuptonte se bënte mirë të largohej, duke i kujtuar që të nesërmen t’i sillte abetaren e shkollave tek fqinjët. Tjetri e vonoi, por nuk e ndali hapin. Mbase s’ish momenti t’ja bënte të ditur se fqinjët, po aq gjuhë-vjetër, s’kishin prova të shkruara po aq të hershme sa gjuha e tyre e folur. Siç s’kishin prova as për familje të tyre mbretërore. Mbase prandaj, tërë prijësit atje silleshin si mbretër pa kurorë. Atij midis tyre, që e bëri fronin të ligjshëm duke u ulur vetë në të, ende nuk i janë së paku mirënjohës që, si mbret, ai ish njeri prej tyre.

Ditën tjetër, erdhi edhe reagimi: “Kërkova abetaren, jo fëmijërinë e mbretërisë të tyre...”

Në pak ditë e këmbeu tri herë këshilltarin për gjuhët, gati e përzuri të fundmin e tyre, dhe s’thirri tjetër. Jo qëllimisht, por u dha krahë kureshtive për orët e tij të vona, neglizhoi dyshimet në përkatësinë “I Huaj”, gjersa ndjeu se, pa e kuptuar, tërësia e dyshimeve po shndërrohej në trill mbretërimi. Gati po besonte se drama e mbretërve të Shekspirit ishte diçka minore, përballë dramës së sundimtarëve të sotëm, kur e njoftuan se ishte planifikuar ceremonia në Panteonin e Kujtesës Kombëtare.

Kjo vizitë, sigurisht do kryhej dikur, por s’dinte të thoshte për ku shkonte kur shpura doli nga Pallati. Cilët ishin të vdekurit dhe të gjallët që e prisnin, dhe përse u duhej shkuarja e tij? Vazhdoi të pyeste si të ndodhej përballë pasqyrave që, të gjitha, reflektonin hutesën e tij. Mbase kish pyetur me zë, që dikush iu gjend fare afër: “Dëshironi gjë, Madhëri?”

Njerëzimi ish duke u bërë më i vështirë dhe, mbase prandaj, më lehtë i sundueshëm prej të panjohurve si ai. Po ç’faj kanë të gjorët, gjetën një mbret që ia zbraz barkun shoqëruesit të tij!

“Këtu mbretron e shkuara...”, i shkeli syrin vetes, kur u përkul lehtë mes harqeve antike.

Ciceroni rrekej të ofronte sa më shumë hollësi, me idenë se ky Mbret do t’i fiksonte më lehtë ngjarjet. Për një mbret vendas, prania e ciceronit do ish simbolike. Vendasit i dinë këto hollësi, i mësojnë qysh fëmijë, lindin mes rrëfimeve e monumenteve të së shkuarës së lavdishme.

“Kurse ti...”

“Po, por ju vetë më kërkuat!”, do t’i thosh ciceronit, nëse do duhej. “Dhe, unë s’jam si mbretërit dikur, nuk jam pushtues. Erdha për të urtuar krenarinë tuaj. Pranuat një himn pa tekst, një flamur laraman, edhe në Kushtetutë e zbehët mëvetësinë, krejt pa dhimbje për veten e sotme. Vetëm te Tempujt e së Shkuarës, bini në gjunjë në prani të njeri-tjetrit. Dhe, e vetmja gjë për të cilën jeni gati të më luteni mua, të huajit, është veç të pranoj t’i përkulem të shkuarës suaj…”

Më në fund, momenti kur u gjendën pranë një mbishkrimi në gjuhën e vjetër. Në të vjetrën fare, të vjetër sa s’thuhej dot sa, prej kujt të përdorur, e deri kur...Shkruar, gdhendur në pllakë guri. Shembëllim varri, por kuptohej përse s’ja shpjegonin si të tillë. Ligjërimi i ciceronit erdhi dhe u mek, si historia që këputej e vazhdimësia mbetej pa gojë.

Ata të gjithë do donin ta kapërcenin këtë moment. Ishin gati t’i luteshin të mos pyeste, të dy palët. Mos, mos pyet...

Prej kur nisi përgatitjen për Mbret i Tyre kështu. Shoqëruesi i Parë ish aty, një hap pas tij por aty ku gjendeshin nuk qe rasti të pyeste atë. Për shenjat e kodet e së shkuarës së tyre, duheshin pyetur vetëm ata. Viktima dukej sikur ish ciceroni, por pyetjen do ta dëgjonin të tërë përqark. Krejt pa shmangshëm, rivalët midis, tërë ata që nënshkruan ardhjen e tij.

“Mund të më thuash diçka...për këtë mbishkrim...”

Edhe nëse ish përgjigje që s’mund ta merrte, sërish do pyeste. Nëse shembëllente me ndonjë kryekomandant që jepte urdhër për një sulm që dukej shkoqur se do mbyllej me vdekje të të gjithëve, ndjehej i vendosur në shtysën për të pyetur. Ata e dinë: edhe marathona, vjen në fundin e saj, dikur...

Ciceroni, përkulur si oborrtar, hutuar nga ç’dinte, jo prej mos-dijes, duke ndjerë vështirë përgjigjen, jo bindjen ndaj mbretit, më në fund s’mund të mos jepej:

“Kur s’arrijmë të kuptojmë, marrim me mend, Madhëri...”

Në tërë pamjen, dridhjen e buzëve e njomjen e syve përgjatë artikulimit belbak në gjuhën e ditës, Hirësia ndjeu dhimbjen e thellë e të parrëfyeshme përqark. Pamundësia e shpjegimit të dallimeve mes gjuhëve dhe epokave, këputja si e vetëtimtë e historisë, kush-e-di pse-ja që gjuhët s’mund të ishin vazhdime të njera-tjetrës por plagë e dhimbje që mbanin gjallë dramën e këtij trualli, dramë që luhej në skenën e jetës së këtij vendi e më gjerë akoma, mënyrë ekzistence në këtë gadishull.

“Edhe e imja, mbretit tuaj, përderisa pranova këtë rol. Tashmë në këtë botë, s’ka dhimbje pjesësh, dhimbje vetëm organesh s’ka më. Tanimë dhemb tërë trupi...”

Iu desh ta lerë ashtu ciceronin, të përkulur, jo përballë tij si Madhëri. Krrusur e përvuajtur prej mos-shpjegimit, i pa gojë për të vërtetën që mendohej e vdekur, por nuk heshtej dot së gjalli. Të kesh pasur tjetër gjuhë, nuk është mëkat. Dhjetra gjuhë vdesin në mospërdorje, në padashje e në pa-dije të njerëzve që urrehen e vriten për gjëra shumë më pak të përjetshme e më pak njerëzore. Harresa dhe, më keq akoma, të këmbyerit e historisë, ishte tjetër. Sëmundje e re, pa diagnozë, trulloste e mbante pergjumshëm, edhe pse në ecje e sipër, kombe të tërë. Ardhur përmes shekujsh, përkëdhelur pa dashuri, historia e lexuar verbër, ndëshkonte ashpër.

Tingëllonte hakmarrje e së shkuarës por, si tërë inercitë që fundojnë në shuarje, mbahej gjall në emër të nostalgjisë. Kjo botë, me këto ndasi e grupime për shkaqe të pafundme, ku individi ende dëshiron të mbetet Njeri, pa hequr dorë prej rrekjes për gjënë që ka pasur, ose s’ka mundur ta ketë, i ka dhënë forma të rrejshme gjer edhe pushtimeve. Dikur niseshin ushtri për të zgjeruar zotërimet, vendasit rezistonin gjer në shuarje fryme. Vjen koha, pushtimet duken të panevojshme, siç qaset ora e shuarjes nga leksiku i mbretërive të qëmotshme. Vijnë kohë kur periferitë lusin sunduesin. Miliona nisen si emigrantë, pikërisht për andej nga ku sunduesit mund të niseshin. Gjenden gjithnjë zëra që bëjnë thirrje të mos zihet n’goje ç’ka ndodhur dikur dhe përse. Si për plagët që marrim në lojën fëmijërore. Në heshtje të gjatë, individë e kombe grumbullojnë drojë, rrisnin rezerva ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj të vërtetës e virtytit dhe, duke iu gëzuar vetmive dhe meditimit, rrezikojnë t shndërrohen në besimtarë të verbër, pa Zot. Pas çdo dite, bëhet gjithnj e më e pa mundur që ëndrra, mbrujtur panatyrshm, të mund të strehohet tek djepi i tyre i dikurshëm. Si ky ciceron, dhe të tjerët në emër të të cilëve shprehet, dhimben ngaq s’mund t’i dorëzohen të sotmes, thjesht ngaqë u vjen keq prej vetes që janë.

Madhëria e Tij largoi vështrimin prej ciceronit. Në çastin më pas, edhe prej mbishkrimit. Atje përtej, me kast, a krejt naivisht, turma brohoriste. Në dëshirë për ta përjetuar fëmijërisht, do desh t’i ish ca më afër asaj turme, edhe pse ajo qe urdhëruar t’i mbetej sa më larg. Trupat e Gardës midis, si për të mbushur boshin mes të shkuarës e të sotmes, të palëvizshëm, si kufi, që gjithnjë u shërben vetëm atyre që e ngren. Gjëmonte ajri. Ky lloj kufiri prej boshi, torturues në jehonën e shurdhët.

Ata njerëz pa emër, si ushtarë të thjesht, mbase ia ndjen edhe frymëmarrjen. Dukej çapitje e ngeshme mbretërore, por shpura përparoi për andej. Si vesh i etur për gjuhë tjetër.

S’kish të drejtë të shfaqej trishtuar. Përkundrazi, ndjeu një lloj luksi jo aq të këshillueshëm për oborret: ëndjen e të gëzuarit me këta njerëz të zakonshëm. Kish nisur ta donte këtë vend? Në heshtje, si tërë këta shtetas të thjesht, si çdonjeri nga këta ushtarë anonim që thirren me një numër rreshtor, por shërbejnë për këtë truall, pranuar si fat.

Dikur besoi se kishte gjetur ç’e bënte të ngjashëm me këtë shtresë. Njëlloj si ata, edhe Ai, mbreti, vështrohej si i huaj. Nuk e pranonte dot si shkak të mjaftueshëm të folurën ndryshe, por qè i sigurt se nëse mbretërit e Shekspirit mbeteshin pa gjumë nga fantazmat e paraardhësve, fantazmë e këtushme ishte dhe do mbetej e shkuara që trazonte të sotmen.

“Në cilën gjuhë, bëj mirë të mbretëroj?!”, provoi të shprehej intim, ditën më pas, në sallën e madhe të shtetit.

Prej heshtjes që u rrëzua dhe u thërmua në çast pa zhurmë, si hije reje, ndjeu sa shumë i lëndoi. Do ish tjetër fare, sikur të njëjtën gjë t’ja kish thënë Shoqëruesit të Parë, por nuk kthehej dot mbrapsht. Salla e kish dëgjuar.

“Mund të përdorni edhe gjuhën tuaj, Madhëri...”, u shprehën njëherësh liderët e të dy grupeve.

“Jo, jo...!”, pëshpëriti, si sufler varfanjak dileme mbretërore.

Ai e dinte, por e provoi reale, përballë tij. Aq urreheshin palët në sallë, sa gjysma do t’i vinte menjëherë pas, nëse ai do ta braktiste fronin e dhuruar, dhe do të ikte bashkë me të, për të shpëtuar prej gjysmës tjetër. Aq e lehtë mund të mos ishte kjo ikje, nëse do duhej të mendoje se pala ikëse do t’ja linte të gjitha rivalëve të vetë. Por, vetëm kështu, me ikje të gjysmës, do mund të shpëtonte gjysma tjetër dhe do të qetësoheshin të dy palët.

Në ke dëshirë t’i mirëkuptosh të tjerët në natyrshmërinë e tyre dhe pastaj t’i falësh, provo të meditosh më gjerë, përtej rastit. I erdhi aq qetësuese kjo urti, në llozhën e mbretit, teksa salla vazhdonte të gumëzhinte dy gjysmash, si rrotë mulliri që vazhdonte të bluante miellin dikur.

Veç mbreti i pranuar, qenkam edhe pushtuesi i tyre, i vetëtiu ndër mendje. Njerëzimi në trojet e vjetra është plakur. Kujtesa i sjell gjithnjë e më shumë dhimbje. Duket sikur jeta e sotme është bërë më e paqme, njerëzit nuk kanë frikë se nisin sërish kryqëzata e pushtime. Por instinkti, si nostalgji për kohët dikur, i josh ta kërkojnë sunduesin atje ku ai është, tashmë në formë tjetër. Pjesë të mëdha popujsh mërgojnë për jetë më të mirë atje ku mirëqënia është e tillë, ndaj dhe shkojnë e dorëzohen vullnetarisht te sunduesit potencialë. Kërkojnë pa pushim, të gjithë, mbretër, sundues, administratorë, bankierë, të huaj, të tjerë, të ndryshëm prej tyre. E tëra vjen prej brenda vetes. Por gjer atëherë, kur të mos ketë diferenca, dallime, kur edhe vetë kujtesa të jetë e njëjtë, duhet pritur ca si gjatë.

Sapo kish zënë n’goje gjuhën, aty për aty, të dy palët vendase u duk se ishin njësh. Përballë tij u shfaqën bashkë. Thua se i lanë mënjanë mëritë e përjetshme, ngaqë duhej të ishin një përballë tij. Me siguri që po ato grindje e kacafytje do t’i rifillonin sërish, fill në çastin tjetër, por, në sy të tij, përderisa ai ish aty, dhe përderisa ai ishte një i huaj, e shmangën sa hap e mbyll sytë hijen e gjuhës së vjetër, që duket se ai ua riktheu aty, si fantazmë.

E tërë salla, platea në ç’do ndenjëse, tërë llozhat, u shndërruan në mjedis shkurresh në shkulme ere. U dhanë, u hepuan si në lëkundje tërmeti, epiqendra e të cilit ishte pikërisht ai, Mbreti. Sytë digjeshin lotësh. Në fytyrat gërrente pafuqia për të ndryshuar ç’kish ndodhur mes shekujsh, betejë e shpallur që s’duhej humbur edhe një herë tjetër aty, në pak sekonda. Tymi i trishtimit endej në ajrin e sallës si pas një himni për heronj të rënë nën flamurë të panjohur.

Ju vetë më keni sjellë, thosh prania e Tij.

Po ne...kush jemi ne, bërtiste heshtja e tyre.

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page