MBRETËRESHA OLIMPIA


Resmi osmani

Resmi Osmani Roman

MBRETËRESHA OLIMPIA

(Fragment)

Fundi i udhës së mundimeve.

Ishte dita e fundit e javës së parë të prillit.

Kasandri u dha fund mëdyshjeve. Bëri fli në altarin e Zeusit dhe shortarët shqyrtuan dhe shtjelluan shenjat.Ishin të mbara.Edhe orakulli i Apolonit të Delfit, bënte fjalë për një zjarr që shuhej dhe një dritë që fikej. Shpatullat e flive rrëfenin një kafaz dhe një pellg gjaku.Zotat e kishin përcaktuar fundin: mbretëresha duhet të vdiste.Thirri dyqind ushtarë të rinj e besnikë. Porosia ishte e prerë:

-Mbretëreshës Olimpia i ka ardhur fundi.Edhe vdekja është pak për të këqiat që ka bërë. Maqedonia duhet të shpëtojë nga intrigat dhe hakmarrjet e saj të përgjakshme. Erdhi ora e shpagimit.I pari që do të sjellë lajmin do të ketë shpërblesë. Bëni detyrën!

Ushtarët e armatosur me shtiza të shkurtra dhe kama majëmprehta, u drejtuan për në pallat. Ecnin me hap të rëndë, të zymtë, të menduar e të tronditur, si në një procesion të përzishëm, që mbante mbi supe një tabut.

Oficeri trokiti disa herë në portë, por mga brenda askush nuk u përgjigj dhe nuk e hapën.

-Shkallmojeni portën,-urdhëroi ai.

Pas disa goditjeve me dash dhe sëpata të rënda porta u copëtua dhe u hap kanat më kanat.

U bë një përleshje e shkurtër me rojet e brendshme, që u çarmatosën ose u vranë. Kalimi ishte i lirë.Ushtarët u vunë në radhë dhe me hap të shpejtë hynë në sallën e madhe me ushtat gati për të goditur, por u shtangën: kundruall tyre, të ulur në poltronën e lartë, kishin mbretëreshën. Grua e hijshme dhe e hirshme, krenare, me sy shqiponje e vështrim të guximshëm. Kurora e artë mbi ballin e lartë dhe manteli i purport arqëndisur, hedhur mbi supe e që i mbulonte pëqinjtë, i jepte pamjen e një perëndeshe, para së cilës duhej rënë në gjunjë dhe jo të ngrije armën për ta goditur. Kjo ishte gruaja e mbretit Filip, e ëma e Aleksandrit te Madh. Për të kishin dëgjuar, por ishte hera e parë që e shihnin dhe pamja e saj i goditi në shpirt. E gjitha dukej si e qarkuar me një brerore drite, rrezatonte hir dhe madhështi. Prapa saj ishin rreshtuar zonjat e shoqërimit, Thesalonika dhe Roksana, të gjitha të veshur me të bardha, në një qëndrim të ngrirë. Ajri ermironte temjan, atmosfera e heshtur dhe flaka e pishtarëve, ngjallnin në shpirt një ndjenjë mistike, si në një tempull në pritje të një ceremonie të shënjtë.

Pas asaj stepjeje të vetvetishme, oficeri që printe e mblodhi veten;

-Madhëri, bëhuni gati të largoheni nga kjo jetë dhe shpirtin t’ua drëzoni zotave. Kemi ardhur të zbatojmë vendimin!

Ajo u ngrit më këmbë dhe i kundroi vëmendshëm e me keqardhje ushtarët.

-Jeni kaq të rinj e kaq të hijshëm. Në moshën tuaj ishte edhe Leka, kur u nis për luftën në Azi,- u tha ushtarëve me zë të qetë e të pikëlluar.

-Po u bën dora, goditmëni. Është si të vrisni nënat tuaja. Po a e vret biri nënën?Ja ku më keni. Bëni detyrën për të cilën ju kanë dërguar. Bindja është vyrtyt i ushtarit.

Nga pamja dhe fjalët e saj, ushtarët u pushtuan nga një trazim shpirtëror. Jo. Ata nuk mund t’a vrisnin nënën e Aleksandrit. Ajo vdekje do t’I ndiqte si mallkim tërë jetën. Ulën shtizat, bënë prapaktheu dhe dolën të heshtur nga pallati.

* * *

Çeta e ushtarëve u paraqit kryeulur para gjeneralit. Detyra nuk ishte kryer. Kasandrit i hipi një tërbim i egër, aq sa vuri dorën në shpatë dhe ata pandehën se do të bënie ndonjë hata, por ai e derdhi furinë e zemërimit me të shara të ndyra dhe fyerje që ata s’i kishin dëgjuar më parë prej tij: i quajti bajga, burracakë, frikacakë zemërlepuj,zuzarë, doçër, që kishin mbushur brekët para një gruaje, që tashmë ishte askushi, veç hije e vetvetes.

Dërgoi kalorës lajmëtarë që të sillnin në Pidna të afërmit, etërit dhe vëllezërit e të vrarëve nga Olimpia-Stratonika. Ata do të dinin përse ta vrisnin dhe si ta vrisnin: me gurë, që shpirti t’i delte me dhimbje e mundim.

* * *

Koha nuk priste. Ata, të afërmit e të vrarëve nga hakmarrja e saj, që i kishte thirrur Kasandri, kërkonin shpagë. Të ngarkuar me gurë dhe të vberbuar nga urrejtja, duke sokëllitur si lukuni e qenve të tërbuar, ishin sulur dhe ngarendnin drejt pallatit. Ndjehej zallahia dhe trokëllima e shurdhër e gjurmëve të tyre në kalldrëm. Nga gurmazet e ngjirura delte me gulç thirrja:”Me vdekje, me vdekje!”.Vraponin të shfrynin urrejtjen dhe të shuanin etjen e tyre për gjak.

Ajo e dinte: turma ishte e egër si lukunia e ulqërve të uritur.

Thirri Kadmenë.

-Kadme fisnike, bija ime, që më ke shërbyer kaq vite, merre këtë unazë që të më kujtosh.

Hoqi nga gishti unazën e rëndë, të artë, në mesin e së cilës ishte ngallmuar një gur rubini I kuq si gjaku, në formë vezake me vulën e saj.

-Ma jep gishtin,- i tha dhe pastaj i vuri unazën.

-Bëji edhe shërbimin e fundit mbretëreshës tënde.Ndihmomë të vdes!