top of page

MBRESA LEXIMI NGA ROMANI “BIRI” TË FLUTURA AÇKA


Next Baushi

I trembesha leximit të këtij libri, sepse e ndjeja se do të përjetoja emocione të forta, do të përjetoja të gjithë dhimbjen e BIRIT. Ndaj nuk guxoja ta lexoja, doja ta shtyja ne kohë leximin e tij, por sa më tepër e largoja mendimin, aq më tepër më tërhiqte.Dhe kështu fillova.

Sytë e mi gjatë gjithë leximit nuk u thanë nga lotët që rridhnin curk, ashtu sic thotë edhe vetë shkrimtarja në faqen 303, “Mëma – kjo enë prej dheu, nuk do të mjaftonte për lotët që derdha”. E po të mendosh sa enë të tilla ka mbushur me lot mëma për Birin.

Në faqen e parë lexoj titullin e parathënies : “E paBir”. Një fjalë e pahasur ndonjë herë, një fjalë e lindur në brishtësinë e pamatë të një nëne, në skajshmëri të dhimbjes. Për mua, kjo fjalë përmbledh të gjithë domethënien e të qënurit pa bir, do të thosha mjaft e gjetur, emblematike. Më pas, një histori tronditëse por e përshkruar në imtësi e denjësishme në çdo detaj hap pas hapi, tejet i prekshëm për nga ajo dhimbje sublime, që mbush 365 faqet e saj, (që për çudi përkojnë me 365 ditët e vitit), të një jete të jetuar katërcipërisht të plotë, me BIRIN dhe për BIRIN, që nga mëmësia e deri sa BIRI e shndërroi në E paBir.

Një përjetim gati hyjnor i papërsëriteshëm, tejet i fuqishëm që vetëm një nënë e përjeton denjësisht, BIRIN. Tashmë e ka pranë vetes në çdo çap që ajo hedh, në çdo sekondë të jetës së mëtutjeshme për ta kthyer në FLUTNESHË TË LIRË, ashtu siç dëshironte BIRI.

Pa dyshim kjo vepër letrare është i shenjtë për nënën e BIRIT. Ky libër është i rëndësishëm për të gjitha ato nëna, që kanë patur fatin e saj, por që nuk ia kanë arritur për shumë arsye ta përjetojnë në këtë mënyrë.


BIRI është kryevepra e saj, por edhe libri më i mirë shqiptar që kam lexuar deri më sot. Ky libër të gozhdon, të emocionon deri në palcë, të bën pjesë të asaj dhimbje sublime që vetëm nënat i provojnë nën lëkurën e tyre. Pavarësisht, se nuk kam patur atë privilegj, për të qenë nënë, pavarësisht se nuk kam përjetuar ato çaste të mrekullueshme kur nëna mëkon me gjirin e saj krijesën e vet, mjafton të kujtoj disa rreshta të autores që thotë pak a shumë kështu: “ Jeta ime filloi me lindjen e BIRIT dhe mbaroi me ikjen e tij”.

Flutura Açkën shkrimtare, ose Flutneshën, e BIRIT, pa droje e radhis në kulmin e piramidës së shkrimtarëve shqiptare të tri dekadave të fundit, sepse e tillë është ajo. Në çdo faqe të librit, une jam ndjerë pjesë e saj, virtualisht ky libër më transformojë në grua, në një person që i vjen “Era njeri”, ashtu siç e thotë në disa raste vete autorja në librin e saj. Kjo vepër letrare e shkruar aq rrjedhshëm aq natyrshëm aq shpirtërisht dhe aq shqiptarisht, ka ngërthyer e do të ngërthejë në 365 faqet e saj qindra e mijra lexues. E një ditë, ndofta do të dëgjojmë, që Flutura Açka i ka dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore, nje kontribut të çmuar, ashtu siç po e dëshmon.

Te BIRI unë njoha Fluturën e vërtetë në të gjitha dimensionet e saj.

Nexhi Baushi 15.11.2020 ora 19.50.

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page