top of page

Mbijetesë për pak sedër.


Sofida Vaja


Sot jam 29-ë shkallë mbi ditën e lindjes. Kur them 29-ë, ëndrrat e mia ofendohen pavetdijshëm por më duhet të them se në të gjitha shkallët jam krenare për hapin e sigurt. Hapin e vogël që mbillte nga pak një karrierë të vyshme, një personalitet model në shoqëri e mbi të gjitha një forcë femre për të cilën ka kaq shumë nevojë Shqipëria të prezantohet. Asnjëherë s'më ka gricur vetbesimin të them moshën time as kur më kanë pyetur në televizione famëkeqe me shume klikime, edhe herët që më ftonin të flisja për librat e mi ishin kurioz mbi moshën. Sa vlenka një shifër kur në shpirt gjallon dëshira për të mbetur ëndërrimtar në vendin ku ëndrra nuk i ngjan asaj amerikane (?) Çdo ditë kalendarike e kam jetuar në vendin tim me sy mbyllur se nesër do ta qëndis të ardhmen vetë duke harruar se të tashmen isha duke e jetuar gënjeshtërt. Po dukem pesimiste? Në cilin vit pas ardhjes së demokracisë jeta në Shqipëri është dukur optimiste? Në vendin e sforcuar nga sistemet politike por tejet të ndjeshëm ndaj tabuve. Po flas për vendin e bukur që e lag deti dhe e pjek buza e malit, që e ngroh fort dielli dhe e ul me këmbë në tokë politika. Unë, një ndër të rejat fare të zakonshme të vendit tim sfidoj veten duke dëshiruar që një ditë të zgjohem në mëngjes dritësuar nga shpresa se nuk ka pandemi me të madhe ,se aktorët në pushtet, që të futet në venat e karrierës dhe ta merr shpirtin ngadalë për vite me rradhë. Por përsëri frymën e marr brenda rrethit vicioz të sistemit ku jetoj sepse besoj bindshëm në magjinë intelektuale të të rinjve që e duan fort Shqipërinë. Sa patetike është të flasësh për ngërçet e vendit tënd kur fal Zotit flet çdo ditë gjuhën tënde? Kur ke nevojë për borxh sigurisht çuni xhajës do të hap telefonin sepse s'je kurrë i mjer diku braktis në bulevardet e New Jersey-it, kur një kafe turke dhe një filxhan i kthyer të shijon sa shtatë udhëtime rreth e përqark Europës? Kështu do mendonte edhe shitësi i qumështit që po kalon poshtë pallatit, atij që familja i mësoi të rritet si lis në tokën e tij, kështu do mendonte edhe brezi i gjysheve tona të çmuara të cilat e deshën demokracinë në të gjitha jetët, madje edhe unë deri në këto momente kështu dua të besoj. Por prap bëhem patetike dhe gjuha më shkon ku dhemb dhëmbi... sepse vendi ku shkolla kushton dhimbshëm sa duart e çara të babait dhe pagjumësia ndër vite e nënës...është vendi që s'duhet të guxosh mos të jesh krenare për të. Ku është parë mos të jesh koklart për vendin ku të rriti me shqiponjën dykrenare (?) Asesi kurrë ta mendosh! Cili patriot do të duartrokiste të hidhje poshtë mirqënien që të jep atdheu yt me asistencën më të ulët në Ballkan, sigurinë e shtetit të së drejtës ku polici vishet dhe zhvishet nga uniforma sa herë ndërrohen interesat e partisë, në shëndetësinë me këmisha të bardha dhe portofola të zinj? Por unë, një ndër ata fare të zankonshmit e diplomuar herë ekselentë e herë të tjera me çertifikime të akredituara anekënd më dhemb kur mendoj se ngërçet partiake po kthehen në pengesa të një lufte të përditshme mbijetese. Mbijetese për pak sedër. Sedrën që lexohet nëpër diploma, zhgaravitet përditë nga përbuzja e klishes se ka punë por jo profesionistë. Brenda një arene ku flitet për drejtësi por gishti nuk drejohet kurrë nga vetja, brenda një klase me ngjyra partiake ku karrigia siguron prosperitet shumë më shumë se fokusi te punësimi i të rinjve. Brenda një teatri komik me pak aktor por me dhjetra role vetkomanduese, gjendesh përsëri i paklikuar. Me koeficent 0 mundësie per t'u degjuar. Çfarë ka nevojë të dëgjohet sot? Të gjitha përgjigjet e të rinjve që kanë aplikuar për kontrata pune në dyert e Europës. Rregjistrimet në kurse gjermane duke mbushur klasat rend dhe përpjekjet e panumërta për të kaluar Shengenin me pashaporta 3 mujore. Kam nevojë të dëgjoj një nënpunës të ri në administratën publike të më flas për një histori të tijën suksesi se si arriti deri aty, një deputet të zonës për programin që ka mbi mbështetjen e të rinjve të papolitizuar, pa tester partie dhe fushata, të dëgjoj një politikan që nuk baltos personalitetin e antarit të partisë tjetër nga foltorja por gjykon mbi kontributin që i vesh vota e popullit, mbi të gjitha kam një nevojë të etur për të parë në këtë çerek shekulli jete një herë partitë politike të ulen në tryeza bisedimi për ta bërë këtë vend përsëmbari qoftë edhe një ditë, duke bashkuar asetet akademike dhe eksperiencat politikbërëse në praktika zhvillimi urban, ekonomik dhe social. Të paktën për hir të armikut të padukshëm virusit ku po vdesin bashkë me trupin edhe ëndrrat.... Ëndrrat? Çfarë ëndrrash kanë të rinjtë në vendin tim? Ato ëndrra që nuk zgjasin më shumë se veçse një mirazh?

Por unë jam banore e integritetit fasad dhe propagandës së skamjes që bërtet përditë me zë dhe figurë prandaj "nuk guxoj" të kërkoj më mirë sepse aty balta asht' më e ëmbël se mjalta. Vetëm në Shqipëri!


PASAZH:



"Si është të jesh grua?

-Më pyet mua!"

Këto ishin fjalët e një gruaje me shenja të nxirash në personalitet, me fraktura në ndërgjegjie dhe pellgje faji në sy sepse ishte lindur femër. Hoqa pallton time dhe ia hodha mbi sup. Doja ta ndiente se nuk ishte vetëm në shiun e rrëmbyeshëm të botës maskiliste. Përse të gjitha rrugët të çojnë drejt peshës së mëkatit se peshorja anon më tepër nga burrat? Kur flasim, rrokjet marrin konotacion rozë, kur ngrem kokën lart, qielli ngjyroset rozë, kur ecim, hapat gjykohen rozë.

Cilët janë këta që duan të na skuqin faqet rozë kur vetëm rrezet e diellit na i gjakosin fytyrën?

Me pyeti:"Si është të jesh grua?"

Si çdo ngjyrë tjetër-i thash.

Ajo me shtrëngoi dorën fort sikur copa e ajsbergut të shkëputej prej masës dhe të binte mbi zemrën time. E ndieja se brenda saj kishte furi. Në trup arrija t'ja dëgjoja vërshimin e gjakut, vitalitetin po i merrnin sytë dhe cepin e buzës që i lëvizte nga një fije buzëqeshje. Po ndihej e gjallë si kurrë më parë. Kishte harruar të jetonte si grua. Morëm rrugën dhe zhurmës së takave të mia iu shtua edhe një tjetër simfoni- krenaria e heshtur e një gruaje.


69 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page