MBI ROMANET "TOKËSORËT NË HAPËSIRË-KOHË...


MBI ROMANET "TOKËSORËT NË HAPËSIRË-KOHË...Ç' TRONDITJE"

DHE "POST-NJERIU", TË AUTORIT AGRON Z. SHEHU (RECENSË)


PUNOI

Fatmiroshe Xhemalaj

Studiuese e shkencave shoqërore


Tiranë, më 17 dhjetor 2020



Autori, Agron Z. Shehu, me banim për mbi 25 vjet në Kanada, vjen para publikut, jo vetëm shqiptar, por edha atij të huaj, me romanin "Post-Njeriu"(shqip-anglisht). Ky është volumi i dytë i romanit "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje" botuar së pari në Amerikë në vitin 2010, në Shqipëri në vitin 2012 dhe në Spanjë në vitin 2017

Duke qenë një vëzhgues i madh i realiteteve të shoqërisë njerëzore, por edhe i ligjeve të natyrës, në volumin e parë, për nga vet titulli i tij, autori na zbulon përmes lojës fantastike dhe shkencore të personazheve Higgs, Hitt, Ardi, Kuark, Gluon, shkaqet e tronditjeve të tij, për ç'ka ka ndodhur dhe ndodh me "tokësorët" si edhe ai i quan; pse tokësorët gjenden ende përkundrejt problemeve të mbijetesës, ndërkohë që mundësitë për një jetë në paqtë janë të mëdha.

Zanafillën e "tronditjeve", të fantazisë, autori e ka marrë nga atdheu i origjinës, Shqipëria. Fëmijërinë e kaloi në vështirësi të madha ekonomike rrëzë malit Shëndëlli të fshatit Aranitas (dikur pronë e familjes së madhe mesjetare shqiptare të Arjanitëve), në Mallakastër. Por edhe pse në vështirësi ekonomike ai ishte nxënës i shkëlqyer. Aranitasi ishte shtysa e parë e zhvillimit të fantazisë, te fëmija Agron. Shkolla ku mësoi deri në klasën e pestë, kishte qenë shtëpia e një ministri, ndërtuar në vitet 30' të shek. XX, me standarde europiane të kohës dhe, fëmijës Agron i zhvilloi fantazinë se si duhet të ishin shtëpitë, jo si shtëpia ku jetonte; standardi i dytë që i dha Aranitasi ishte natyra e tij- një fshat i bukur, rrethuar tërësisht nga kodrat, që përshkohej në mes nga lumi Gjanica e përrenj që derdheshin në të. U rrit i lirë në këtë natyrë duke menduar vazhdimisht se çfarë kishte përtej horizontit ku jetonte.

U formua në rini në qytetin e Fierit dhe të Tiranës (ku mbaroi universitetin për inxhinier nafte, në vitin 1977) ku pasioni për të mësuar gjithçka që ndodhte rreth tij, e bënë të kuptonte se diçka nuk shkonte me shoqërinë ku jetonte. Që në këtë kohë autori shquhej nga të tjerët në fushën e matematikës, fizikës, letërsisë, historisë, filozofisë dhe arteve, pasi në këto fusha rezultatet e tij ishin maksimale.

Profesioni e bëri të shkonte në vende të ndryshme të Europës, por jo vetëm, dhe kuptoi se "tronditjet" ishin më të thella e më të gjera.

Vendosi t'i gjykonte "tronditjet" parë nga një vend tjetër, dhe më një këndvështrim horizontgjerë e gjithëpërfshirës, duke vënë në qendër NJERIUN, jo më shqiptarin, italianin, gjermanin etj., jo më të pasurin apo të varfrin, jo më të bardhin, të ziun, të verdhin; jo më "partizanin apo ballistin" (si ndodh në Shqipëri), por NJERIUN si qenie njerëzore pavarësisht të gjithave.

Në romanin e parë ka shkruar, dedikuar njeriut, prandaj ndoshta dhe romanin e dytë e titulloi POST-NJERIU, për të skalitur profilin e tij se si duhet të jetë ai.

Agroni shkoi në Kanada, e pikërisht aty, në atë vendin e ftohtë për nga natyra, Agroni gjykoi ftohtë për ç'ka ndodhte me "tokësorët" duke e shtrirë gjykimin, jo më tashmë nisur nga Aranitasi, Fieri, Tirana, Shqipëria, Europa apo Kanadaja, por në hapësirë-kohë. Këtu qëndron thelbi i ideve të tij në kërkim të lirisë së njerëzimit, në hapësirë-kohë, të cilat ai vendosi t'i lërë me shkrim si "testament" për shoqërinë njerëzore në të dyja romanet.

Pse në hapësirë-kohë? Sikur do t'ju thotë tokësorëve se sa më gjerë t'i shikosh dhe gjykosh ngjarjet historike dhe dukuritë natyrore shtrirë në hapësirë-kohë, aq më të drejta do të jenë vendimmarrjet për jetën, paqen, të cilat ai i dëshiron me aq ngulëm për shoqërinë njerëzore.

Përmes dy romaneve, Agroni ka marrë përgjegjësinë të formulojë, shkaqet që e tronditin shoqërinë njerëzore dhe për më tepër të jap edhe zgjidhjet se si shoqëria njerëzore mund të jetojë në paqe.

Në këtë punë, ku vihet në lojën e personazheve fanta-shkenca, autori, pa e pasur qëllim në vetvete, e ndoshta pa e ditur as vet ka pasuruar edhe gjuhën shqipe me fjalë që janë të reja për ne të tilla si: udhëdrejtuar, mbërritësit, pritësit, shumëlargët, aqlargët, shqetësimatike, i mirëseardhi, pajetësia, ujëzonin, jetëzonte, tejshmërinë, pasardhjen, përshtypjelënës, jetëhumbjesh etj.

"Tronditjet" e autorit, që përshkruhen me mjeshtëri në romanin e parë, në fakt nuk janë "tronditje", por "ulërima" për veprimet apo mos veprimet e tokësorëve për t'u qytetëruar. E them "ulërima", pasi tokësorët, sipas tij, kishin mënyra më të paqta për të arritur qytetërimin, jo duke ngrënë njeri-tjetrin. Ai "ulëret" kur përshkruan fillesat e makabritetit në kohën kur tokësorët jetonin në kopenë primitive dhe për të mbijetuar hanin njeri-tjetrin; "ulëret" kur sheh se Aleksandri i Maqedonisë, vriste e priste NJERIUN (qenien inteligjente) nga të gjitha anët, pa asnjë shkak, duke pohuar se qytetërimi nuk përhapet me luftë duke vrarë njeri - tjetrin, por me "luftën" për krijim, zhvillim, duke vënë në punë logjikën e kombinuar me ndjenjat pozitive për të ruajtur NJERIUN, planetin Tokë, që siç shprehet autori "nuk gjenden kund në gjithësi"; "ulëret", kur përshkruan me mjeshtëri artistike djegien e mendjes së ndritur të njerëzimit, si dhe ai e vlerëson, Xhordano Brunos. U dogj trupi, shprehet autori, por mendimet, idetë e tij nuk u dogjën, ato ndriçojnë qeniet inteligjente edhe sot, sepse mendimet janë të padjegshme; "ulëret", kur përmes lojës së personazheve, përshkruan krimet e Adolf Hitlerit kundër njerëzimit, apo kur hidhet bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki që shkretuan mijëra jetë njerëzish.

"Ulërimat" e autorit, që e kanë bazën në dashurinë për njeriun dhe në atë të planetit Tokë, duket sikur duan të "zgjojnë" njerëzimin sot, për të përdorur mendjen vetëm për zhvillim, jo për të zhdukur jetë inteligjente.

Mjeshtëria dhe fantazia e autorit në përshkrimin e "tronditjeve-ulërimave", por edhe të përpjekjeve për të gjetur rrugën e shpëtimit jepet në të dyja romanet përmes lojës së personazheve si: Higgsi, Hitti, Ardi, Kuarku, Gluoni, Krispri dhe Siborgu. Këta emra të personazheve tingëllojnë për ne, pak sa çuditshëm, por autori i bënë me dije lexuesit në romanin "Post-Njeriu", se emrat e personazheve kanë një kuptim kur shprehet: "Higgsi merrej shumë me mikrobotën, prandaj dhe planetin ku mbërriti e quajti Proton ndërsa qenien e parë që ndeshi e quajti Kuark. Vet Kuarku të birin e quajti Gluon. Të gjitha ata emra ishin grimca që përbënin atomin. U quajtën ashtu ngaqë imazhet njerëzore kishin shkuar vetëm deri te planeti Proton dhe universi dukej aq i stërmadh sa që galaktika ‘Rruga e Qumështi’ në përbërje, ngjasonte me një atom…"

Kush e lexon s'mund ta besojë që vetë galaktika jonë është sa një atom...!!!. S'mund ta kuptojë, sepse koncepti i njeriut për hapësirë-kohën, është formuar brenda dis