top of page

Mbi poemën me titull: ‘’LABËRIA MAGJIKE‘’


Ndiesi dhe refleksione, mbi poemën me titull : ‘’ LABËRIA MAGJIKE ‘’ me autor poetin , Dok. Neki Dredha

Në pamje të parë  poema me titull ‘’Labëria Magjike me autor Dok. Neki Dredha e botuar për herë të dytë, në shtëpinë botuese ‘’ Triptik ‘’ 2023 është një libër i punuar mjaft mirë estetikisht . Megjithse kisha lexuar nga krijimtaria e doktorit dhe ,pothuaj e njihja pak a shumë krijimtarinë e tij poetike , në të cilën gjallon vargu popullor tetë rrokshi herë-herë edhe gjashtë rrokshi. Qysh në prolog ndjejva një theks ritmik e një rimë të përputhur e cila më detyroi të nanurisja vargun nëpër gojë. Bie në sy funksioni pragmatik i saj mbështetur mbi një udhëtim shpjegues për turistët e huaj.

Duke lexuar poemën në vazhdimësi ,m’u krijua përshtypje se po udhëtoja edhe vet, bashkë me udhëtarin nga Çekia . Mahnitur nga narrativa aq e detajuar e aq natyrshëm që buronte nga goja e autorit, edhe unë po eksploroja bukuritë magjike të Labërisë. Lirizmi i ngrohtë përzier me epizmin historik depërtuar në shpirtin kristal të labit është buka poetike e kësaj poeme.

Autori me patos e ngrohtësi shpirtërore rrëfen mjaft imtësisht gjeografinë labe .Ai na sjell para syve gjithë toponiminë ,florën dhe faunën e Labërisë Magjike. Lirizmi dhe metaforat e gjetura e hyjnizojnë Labërinë magjike, të veshur me një vel krenarie nga Dok. Nekiu, muza e të cilit shpërthen në vargje të tilla:

Labëri, madem stralli,/ Sy e vesh mbi maja mali! / Kur skërmit dhëmbët çakalli,/ Shkrep , shkëndit thyen qafën djalli!/ Siç shtypet , shkërmoqet zegali! / Shtatlartuar mbi dy dete,/ Magjiplotë të bën për vete,/ Shpirtin trimëror se trete,/ Muza ku thuren sonete!

Pra shpirti artistik ,muza e zjarrtë, njohja në palcë e natyrës , jetës si dhe euridicioni historik i Dok. Nekiut mbi këtë trevë e bën autorin të ngërthejë me njëra-tjetrën e të na i sjelli si një trup i vetëm tri habitate narrativash, bukuritë e Labërisë, natyrën e saj përrallore dhe historinë e lavdishme shekullore, pa lënë anash popullin plot virtyte të rralla njerëzore që gjallon në sqetullat e kësaj treve. Nëpërmjet vargut ajo, na vjen sa e ngrohtë aq dhe borëzuar, sa e butë aq dhe e ashpër, sa e lexueshme aq dhe magjike.Ja si shprehet autori për Vlorën kryeqëndrën e Labërisë:

Vlora zemra labërore,/ Dritë më jep në ëndërrime,. / Parajsa jonë shpirtërore,/ Edeniada plot shkëlqime.



Udhëton poeti, me ligjërim në gojë për krahinat labërore , duke na ringjallur figurat historike,e kjo narrativë është sa një stil artistik aq edhe informativ për lexuesin . Ai shpreh nëpërmjet vargut botën e tij të brendshme , si subjektive dhe sugjestive mbi Labërinë. Faktet , emrat ngjarjet historike ecin në mënyrë kronologjike dhe rrokin hapsira shumë të gjera kohore. Zakonisht faktet historike ,kur vijnë thjesht si informacion janë të mërzitshme dhe nuk lënë gjurmë në memorje , kurse Dok. Nekiu ka gjetur mënyrën më të bukur të përcielljes tek lexuesi historinë. Veshja e ngjarjeve historike me velin liriko-epik apo epiko-lirik,i bën ato më të përthithshme nga lexuesi .Ai nuk pushon së foluri për figurat historike të Labërisë, ku harta kohore e përfshirjes është shekullore, gjë që flet qart për pasurinë e tij historike, ja sa në të thella i ka hyrë historisë poeti i kësaj poeme:

Kush s’la mendjen në Kaninë,/ Horizontin e magjishëm? / Trojanë, romakë, bizantinë,/Sulejman i madhërishëm./ Te ky pirgu kështjellor, / Në kurorën mbi rrethinë, /Jul Çezari madhështor, Donte të kishte shtëpinë!

Me radhë na ringjall figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e Labërisë , që nga ato parahistoriket e deri tek ato bashkëkohëset . Autori flet për to, me një patos e krenari që zor e gjen tek poet tjetër , i vesh me figura letrare nga më të gjeturat, ku për të ngacmuar ndjenjat e lexuesit dhe për të prurë sa më fuqishëm potencialin e tyre estetik i vesh me metafora e kompozita ( fjalëforma ),sa herë- herë të kujtojnë vargjet e ‘’ Iliadës ‘ së Homerit

Vazhdon muza hergjele e poetit, duke u përsiatur labirinteve jetësore të labit. Hyn ajo , si një prej tyre nëpër gëzimet ,hidhërimet, ardhjet , ikjet , dasmat , lindjet e deri tek ndjenjat më sublime të të rinjve.Lirizmi i vargut të poemës sjell një erotizëm elegant , fin dhe sqimatar të përpunuar si me fie filigrani, gjë që shpreh një lloj individualiteti të poetit. Eros që e bën lexuesin të ngacmohet estetikisht nga vargje si këto:

Gojë e vashës , shegë e çarë, / Gjoksi, dardhë dimërore, / Buzët, petale nektarë, /e ndezin si hamullore,/ Duke ecur anës fushës, /Ku misri bojë njeriu, / Djali gjerdani rreth gushës, /buzët vashës ia përpiu.

Vetëm një poet me muzën zjarr dhe shpirtin burim dashurie, si Dok. Nekiu mund të përsiatet kaq ëmbël dhe kaq virgjër ndaj ndiesive rinore ,le pastaj ndërkallja në përditshmërinë dhe gastronominë labe, që gërvisht imagjinatën duke bërë të ndëren para syve, gjithë tradicioni i oxhaqeve, odave , qosheve dhe sofrave labe. Bujaria dhe mikpritja e kësaj treve ,ashtu si e gjithë genit arbëror kërcet, pothuaj në çdo varg të kësaj poeme kaq të bukur ,dhe kaq të vërtetë. Kushdo që e lexon në vargjet e saj gjen grishjen për të vizituar Labërinë ,këtë trevë hyjnore, magjike ashtu siç na e thotë dhe titulli i gjetur nga Dok. Neki Poeti .

 Si përfundim në këtë poemë , përveç kënaqsisë estetike pashë edhe :

1. Një narrativë shëtitëse , mbi bukurinë mahnitëse të Labërisë.

2. Një informacion , të detajuar, shumëkohor mbi figurat historike të Labërisë.

3. Ndjeva flladitjen dhe aromën ambroziane të natyrës labe.

4. Hyra si një nga të sajat, në përditshmërinë labërore.

5. Njoha palcërisht karakterin ,trimërinë,burrërinë, ashpërsinë,bujarinë dhe mikpritjen labe.

6. U ndjeva mbytur nga brishtësia ,delikatesa dhe bukuria e shpirtit rinor lab

7. Njoha një gjuhë të zhdërvjellët që ka përdorur autori, ku herë- herë zhytem në gjuhën parake shqipe dhe herë-herë dal në sipërfaqe si gjethja mbi valë ,në standarten hyjnore shqipe.

8. E së fundmi u kënaqa me trokun e vargut rimëputhur e alterrnuar të tetë dhe gjashtë rrokshit ,që këngëzonte duke gjëmuar si polifoni labe.

              Faleminderim dhe mirënjohje poetit, doktor që na solli këtë krijim me vlerë !...

                         JETË TË GJATË DHE SUKSESE DOKTOR NEKIUT !...

                             Me respekt Natasha!...

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page