top of page

Mbi librin “Ditari i Pandemisë”


Meri Lalaj


Sapo mbarova së lexuari me një frymë librin e Agim Vincës “Ditari i Pandemisë” (Rrëfime nga karantina). Shumë e shumë vite më parë në Pogradec më pati rrëfyer doktor Misto Marko (Mirosh Markaj) pseudonimi letrar, shkrimtar e dramaturg se atje në anën tjetër të liqenit përballë nesh në fshatin Veleshtë të Maqedonisë jeton një poet me emrin Agim Vinca. Më dukej se po të rrija buzë liqenit as shiut përmasa tij ujore do të afrohej pak e nga pak dhe do shihnim poetin Agim. (E kishim aq afër dhe nuk e takonim dot). Pas viteve 1990, lexova poezitë e tij dhe në mendje më ka mbetur libri i tij poetik “Kohë e keqe për lirikën” si edhe një cikël me poezi kushtuar Parisit, të cilin ma dërgoi mua dhe e botova në shtypin tonë. Në vitin 1998, u ndodha në Strugë ku takova miken time këngëtaren e mirënjohur Fitnete Tuda, e cila më rrëfeu se Agimi ishte daja i saj.

Libri “Ditari i Pandemisë” (që ma dha për ta lexuar mikja ime Drita Harito-Lazri. (Për fat të keq librat midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk qarkullojnë). Ky libër është shkruar në llojin non-fiction (jo i trilluar), i përket atij lloji që më së shumti lexohet në ditët tona kudo nëpër botë, sepse libri i shkruar në formën e ditarit rrëfen të vërtetat e atyre 100 ditëve të kaluara në ngujim. Autori rrëfen ditë pas dite se çfarë ndodh në Kosovë në ato ditë kur krejt bota ka ndalur frymën për të përballuar coronavirusin. Veçse Kosovës nuk i mjafton thjesht përfshirja në këtë luftë me sëmundjen infektive që ditë e për ditë shtrin përdhe shpirtëra njerëzorë, Kosova përfshihet edhe në një luftë të egër të pakuptimtë të njerëzve të paskrupullt të etur për pushtet, ata në vend që të zgjidhin hallet e popullit grinden porsi çakej kush e kush të zhvasë sa ë parë një karrige. Agim Vinca duke gërshetuar talentin e tij si poet e shkrimtar na e paraqet e përshkruan të kthjellët situatën politike dhe shëndetësore. Ndonëse libri i shkruar në një situatë kaq të vështirë mbart faqe pas faqesh optimizëm për jetën për të ardhmen sepse ashtu siç ka shkruar Rudyard Kipling tek poezia “Në qoftë se” “Të mbahesh fort kur nuk ke ku të mbahesh, përveç vullnetit që të thotë: “Mbahu fort!” Dhe në rrëfimin e gjatë “Ditari i Pandemisë” mbi gjithçka në këtë libër mbizotëron dashuria për kombin, për familjen, për Fluturën (bashkëshorten), për bijtë dhe nipat, për miqtë e dashur të botës letrare e të tjera. Gjuha e autorit është një shqipe e kulluar me përjashtim të disa fjalëve (por nuk duhet harruar se është një ditar i përditshëm shkruar për veten e vet). Libri përshkohet nga të gjitha ngjyrat e jetës nga të gjithë tingujt e saj dhe kur të lexohet ky libër në të ardhmen do të shërbejë si një pasqyrë rrëfimi për një kohë të pakohë kur njerëzit e deshën jetën edhe më fort.

Shkrimtarit Agim Vinca uroj suksese të mëtejshme!

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page