top of page

Mbi 100 vjet asnjë vrasje në fshatin Zogaj

Updated: Sep 2, 2023



Dr. Skënder Demaliaj: Mbi 100 vjet asnjë vrasje në fshatin Zogaj


Edhe në Tropojë si në gjithë Shqipërinë, pas hapjes së depove ushtarake në vitin 1997 ka patur vrasje. Nga një pjesë e gazetarëve (vendas dhe të huaj), me qëllime të caktuara, padrejtësisht, shpesh në mënyrë spekulative, Tropoja vitet e fundit është paraqitur si vend i krimit dhe tropojani si kriminel. Nuk është e vërtetë… Në Zogaj, në kufi me Kosovën, 60 km larg nga Bajram Curri ka mbi 100 vjet që nuk ka ndodhur asnjë vrasje. A nuk janë edhe këta banorë tropojanë?… Rasti në fjalë ka shpjegimet e tij historike dhe etnopsikologjike. Cilat janë mekanizmat që i bënë banorët e fshatit Zogaj të ruajnë të paprekur unitetin e tyre, të jetojnë, të punojnë, të gëzojnë së bashku si një familje e madhe, pa inate, zemërime, mllefe, zënka, grindje e vrasje me njëri-tjetrin?… Cilat janë ato rrënjë që e kanë ushqyer vazhdimisht tokën e fshatit Zogaj për të mos u tharrë kurrë gjaku shqiptar, ideali shqiptar, karakteri shqiptar?


1. Ruajtja e traditave më të mira të familjes shqiptare

Familja e madhe (në numër) është karakteristikë për fshatin Zogaj. Kjo traditë u ruajt deri në ditët e sotme, ndryshe nga zonat e tjera të Tropojës. Ka një ngjashmëri me familjen kosovare, me të cilën bytyçasit patën lidhje të ngushta gjaku, ngjitur me njëra-tjetrën, por që padrejtësisht Fuqitë e Mëdha të Europës i ndanë më 1913. Në Zogaj janë ruajtur elementët më qenësorë të familjes së Veriut: oda e burrave, roli i kryefamiljarit në organizimin e punëve dhe drejtimin e familjes, respekti për më të rriturit, veçanërisht për të moshuarit. Ata thirren me emrin karakteristik “Baca”. Burra me zë në Zogaj si: Hoxhë Zogu, Myftar Syla, Arif Ahmeti, Rexhep Alia, Zmajl Zymeri, Vehbi Jonuzi, Hysen Kadria, Xhemajl Neza, Faslli Muzia, Brahim Rexha, Musë Avdyli qenë gjithmonë elementë pajtimi e mirëkuptimi. Marrëdhëniet prindër-fëmijë në Zogaj janë marrëdhënie partneriteti. Fëmijët atje nuk ndëshkohen fizikisht. Fjala e tyre dëgjohet nga më të mëdhenjtë. Ata i duan dhe i respektojnë prindërit e tyre. Nuk mbahet mend të ketë patur konflikte prindër-fëmijë. Uniteti në familje ka përcaktuar edhe unitetin në fshat. Zogajt janë shembulli konkret që tregon sa i domosdoshëm është konsolidimi dhe forcimi i familjes shqiptare. Më pak kriminalitet, më pak drogë e prostitucion, më shumë harmoni e dashuri. Më shumë paqe midis njerëzve, më shumë dije, më shumë energji në shërbim të komunitetit e rritjen e mirëqenies.

1. Ku ka mirëqenie, ka më pak krime, më shumë bashkëpunim e solidaritet



Në Zogaj çdo oxhak e ka një familje që banon akoma atje, nuk janë larguar të gjithë. Vendi është i parshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë e të bletarisë. Fusha e Zogajt është nga më të njohurat në malësinë e Gjakovës për sasinë e barit, ka kullota në Majën e Fushave dhe Bjeshkën e Sylbicës. Tradicionalisht shumë familje kanë mbarështruar me qindra krerë bagëti. Lujla e trumzës e përhapur në të gjithë zonën ka rritur sasinë e bletëve dhe të mjaltit. Ngjitur me shtëpitë të zë syri taraca të punuara bukur, me mure të qëndisura, të mbjella me mollë, rrush, dardha, qershi e kumbulla. Ka puse uji të rregulluara bukur për ujitje. Në çdo shtëpi ka ujë të pijshëm. Sektori i minierave ka ndihmuar në rritjen e mirëqenies. Aty ka vendburime të shumta me mineral të pasur kromi. Zogajt e patën dhuratë nga Zoti: tokën, kullotën, mineralin dhe i shfrytëzuan me efektivitet. Shumë prej tyre pas viteve `90 u bënë sipërmarrës të kromit. Tregtinë e zhvillojnë me Gjakovën nëpërmjet Qafës së Prushit. Në spitalet e Gjakovës kurohen dhe në shkollat e Kosovës arsimohen. Kanë mësuar nga mençuria, toleranca dhe gjakftohtësia e gjakovarëve. Banorët e Zogajt janë bujarë. Ku ka bujari ka fisnikëri, ka dhimbje e dashuri për njerëzit. Volteri thoshte se puna të largon tri të këqija: vesin, nevojën dhe mërzinë. E përkthyer kjo në gjuhën e pleqve të Zogajt: “Ai që nuk punon është ngatrestar e i pa marrun vesh”, “dembeli është gjithmonë i unshëm për të bërë gjëra të këqija e të liga”. Është kjo arsyeja që në Zogaj të gjithë punojnë. Edhe në mërgim djemtë e fshatit Zogaj dallohen për punë të ndershme dhe sjellje qytetare. Asnjë ngjarje e hidhur apo incident nuk u ka ndodhur. Punët e mëdha: kositjen, vjeljen e prodhimeve të vjeshtës gjithnjë i kanë bërë së bashku dhe së bashku i bëjnë edhe në ditët e sotme. Kështu përballohen më me sukses, forcohet ndjenja e kolektivitetit, rritet prodhimi. Ku ka bollëk ka më pak vjedhje. Zënkat, rrahjet, vjedhjet të çojnë në krime të rënda, në vrasje. Varfëria e kalbëzon njeriun, karakterin, dinjitetin, moralin e tij. Kjo është arma më vrastare për të shpërbërë një komb. Fjala e urtë bytyçase: “Më mirë tre groshë të hallalit se treqind të haramit” është rrënjosur prej shekujsh në vetëdijen e banorëve të Zogajt.

Respektohet ligji, respektohet shteti. Kryepleqësia është në lartësinë e duhur të detyrës dhe të përgjegjësisë. Soloni poeti i lirikës antike greke i këshillonte athinasit:

“Sundimi i keq s’i sjell tjetër qytetit

veçse të zeza, të zeza pambarim,

ndërsa sundimi i mirë sjell vetëm rregull

e harmoni të përgjithshme dhe të këqinjtë

i hedh në pranga, zbut dhe egërsimet,

frenon mendjen e madhe, shuan çdo dhunë,

mjerimit ia than lulet, drejtësinë

e çalë e bën të drejtë, kryelartëse,

i vë fre dhe grindjet qytetare

i dërmon fare, zënieve të përgjakshme

ua pret furinë dhe për hir të tij

urti e rregull njerëzit gëzojnë.”



1. Veçoritë psikologjike të njerëzve në Zogaj

Janë të shoqërueshëm, gjakftohtë, të durueshëm, mirënjohës, bujarë, të sjellshëm, fjalëmbël, tolerantë dhe me zemër të madhe. Shoqërinë e kanë të pastër, nuk dinë t’i bëjnë hile njëri-tjetrit. Po bisedoja një ditë me një të moshuar, i cili më tha: “Është më mirë me bajtë (me durue) se me kajtë (me qajtë)”. Më solli shembuj si i kishin zgjidhur mosmarrëveshjet pa i mbajtur mëri e inat njëri-tjetrit. Të keqen nuk e mbrojnë asnjëherë edhe kur i përket trungut të tyre familjar. Të ligut i hapin rrugë, e lënë në punë të vet, kur nuk i dëgjon e izolojnë. Izolimi është total dhe ai është i detyruar o të largohet nga fshati, o të rregullohet. Në Zogaj pluralizmi hyri natyrshëm. Kjo falë edhe traditës së mëparshmë në këtë fshat, ku njerëzit e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin, hynin e dilnin tek shtëpia e njëri-tjetrit, pavarësisht nga bindjet dhe rreshtimet e tyre politike. Edhe para viteve `90 nuk kishte familje të izoluara politikisht, pavarësisht se ndonjëri ishte dënuar për agjitacion e propagandë dhe arratisje në Jugosllavi. Në Zogaj u kuptua dhe u realizua shprehja “Opozitarë, por vëllezër”. Njerëzit e kuptuan se kanë nevojë për ndihmën, mbështetjen dhe për fjalën e ëmbël të njëri-tjetrit, për të punuar e për të gëzuar bashkërisht.

Në thelbin e saj, një kulturë përcaktohet nga normat dhe vlerat e përbashkëta të një grupi njerëzish. Me fjalë të tjera, një kulturë e veçantë shfaqet sa herë një grup njerëzish gjejnë mes tyre konsensusin për mënyrën dhe arsyen e realizimit të gjërave. Banorët e Zogajt e kanë këtë kuturë dhe bashkërisht e realizojnë atë që është më e mira dhe në dobi të komunitetit.

Në Zogaj padrejtësia që i bëhet njërit konsiderohet se u bëhet të gjithëve – na thotë dhe njëkohësisht kryeplaku, Ibrahim Hajdarmataj, i cili gjendet pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve në çdo çast. Drejtësia është burim i përbashkët i të gjithë virtyteve, por edhe i trimërisë qytetare, urtësisë dhe ndershmërisë. Shekspiri thoshte: “Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe duhet të shihet sesi bëhet”.

Sipas statistikave në këto 30 vite numri më i madh i vrasjeve është në vitin 1997 – 1542 të vrarë. Atëherë kur shteti kishte rënë dhe popullsia ishte armatosur 100%. Në këtë vit numri i vrasjeve në Zogaj është zero, bile as konflikte nuk ka. Po sipas statistikave 20% e vrasjeve në këto vite janë për konfliktet që lidhen me pronën. Në Zogaj të gjithë e respektojnë pronën e njëri-tjetrit, askush nuk tenton t’ia marrë atë. Krimi trimërohet kur njerëzit janë indiferentë, nuk e godasin e nuk e luftojnë atë për ta parandaluar. Krimi në Zogaj ndeshet në rezistencë të pandërprerë. Lufta kundër tij është një qasje e gjithë shoqërisë, bashkëpunimi është në të gjitha nivelet. Asnjëherë nuk është konstatuar ndonjë parcelë e mbjellë me hashash në Zogaj, bile as nga djemtë e fshatit që punojnë jashtë nuk ka asnjë përdorues dhe të dënuar për drogë.

Pabarazia ekonomike, përjashtimi politik dhe social, mungesa e qasjes në shërbimet kryesore – janë shkak i mosmarrëveshjeve, i konflikteve dhe i krimeve. Në Zogaj këto shkaqe nuk ekzistojnë.

Shoqëria që duam është: promovimi i vlerave të drejtësisë, iniciativa e lirë, shoqëria që punon si një trup i vetëm për një ekonomi e të ardhme më të mirë e më të sigurtë. Ejani në Zogaj dhe do ta gjeni atë. Varfëria e shpresave është faktor pengues në përpjekjet e një shoqërie për të ecur përpara. Banorët e Zogajt aspirojnë, besojnë, e shpresojnë për ditë më të bukura e të lumtura. Kjo rrit mobilizimin, entuziazmin, bashkimin, dëshirën për të jetuar gjatë e me nder. Moraliteti i një shoqërie me të vërtetë demokratike, autoriteti i ligjit kërkojnë përputhjen e fjalës me veprimin. Banorët e Zogajt janë njerëz të fjalës, të besës e të veprimit.

Njerëzit në Zogaj kanë të drejtë morale e legjitime të mblidhen së bashku. Të veshur bukur, me rroba kombëtare, me tupan, çifteli, fizarmonikë e autopalant të shkojnë në fshatrat e Tropojës e në gjithë Shqipërinë dhe me zë të lartë t’u drejtohen shqiptarëve: “Ndaloni vëllavrasjet! Duajeni dhe bashkohuni me njëri-tjetrin! Pak gjak shqiptari është derdhur deri më sot?!” E për veprimtari të tilla nuk duhet të kursehen lekët nga shteti dhe nga organizatat joqeveritare… janë efektive, tepër domethënëse. Jemi të vonuar…




124 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page