top of page

„Matura 72“ e Sakip Camit, si një aktivizues i gjallë i memorjes


„Matura 72“ e Sakip Camit, si një aktivizues i gjallë i memorjes


Prof Dr Fatmir Terziu


„Kazma është pas dere dhe ajo do shokë“, - më thoshte im Atë, ndërsa mora udhën për të renditur veten me emra të mëdhenj, që kishin dalë nga bankat e asaj shkolle të mesme në Elbasan. Të tjera si këto, ndoshta me një diskurs shpotitës janë ndjerë dhe dëgjuar edhe nga veshët e të tjerëve, që më pas i kanë kthyer në zë që flet për shumicën. Shembuj të tillë si „Mos jeto në një mënyrë që të bën të ndihesh i vdekur“ apo edhe „Kujdesu për atë që ka rëndësi“ ndoshta kanë qenë një shtysë edhe për veshë të tjera të moshës së shkollës së mesme. Tek e fundit një pyetje është në thelb, para se të shkojmë tek pika kryesore e kësaj ndalese që mori shkas nga romani i shkrimtarit dhe studiuesit historian, Sakip Cami, me të cilin ai ngre nga memorja dhe i vendos në mendjet dhe memorjet e të tjerëve kujtimet e gjimnazit. A nuk është kjo arsyeja, pse ne të gjithë shkuam në shkollë të mesme - për të zbuluar se çfarë na bën të ndihemi të gjallë, çfarë ka rëndësi? Por këto mësime nuk mund të përvetësohen në vetëm katër vjet. Kjo është arsyeja, pse Sakip Cami e zgjon atë kohë katërvjeçare, dhe vazhdon të shkruaj, sikurse mjaft të tjerë për ato vite të arta të formimit personal.

„Matura 72“ e Sakip Camit, si një aktivizues i gjallë i memorjes dhe si një historian, vërtet shkon si një gjilpërë në një beze të fortë shtroje me këtë risi, por që ajo, pra shtroja e bukur e qëmtuar dhe qëndisur estetikisht, bëhet një shtrojë e lehtë dhe e qetë në komunikim me një shtresë për të cilin autori kërkon të rivendosë gjuhën e memorjes me një udhë të re. Ky roman i shkruar për të rinj dhe adoloshentë është një lidhje me kujtimet dhe refleksionet mbi të shkuarën dhe me ato që seleksionohen për të bërë vendin e tyre edhe sot tek brezi në fjalë. Autori jo më kot citon në prologun e tij: „Pranë kam mbesën time me laptop në duar. Pranë ka edhe Ipadin dhe telefonin, bisedon me shokët dhe shoqet, u shkruan miqve të njohur e të panjohur nga i gjithë globi.“


Romani kalon në një udhë të gjatë dhe qetësisht me një penë të thukët, me një zhbirrim në vite dhe njohuri na sjell fakte mjaft interesante, që fillojnë nga koha kur „humb adoleshencën“ për arsye të njohura e të sqaruara në roman shkon me xhaxhain për dore në shkollën e re jashtë fshatit të tij, njeh historinë dhe lexon me mendje e me sy në labirinthet që librat ende nuk i kishin sqaruar për nxënësin e ri të shkollës së qytetit të Delishit. Autori që në fillim na sqaron se „Qyteti i Delishit ishte një qytet i ri, i sapondërtuar dhe që po vazhdonte të zgjerohej. Kishte marrë emrin e fshatit ku ishte ngritur. Fshati i vogël njihej që në lashtësi. Kalaja e Sebastës i rrinte si kurorë mbi krye. Ndoshta kjo kala kishte marrë emrin e Princit Sebasta nga Kurbini. Tani kishin mbetur vetëm disa mure, për të cilët nuk kujdesej askush. Vetëm një tabelë me mbishkrimin :”Vend historik”, “Ruhet nga shteti” dhe asgjë më shumë. Më tej në Albulenë ishte zhvilluar një nga betejat më të famshme të Skënderbeut.“

Tematikat e shumta nga fillimi një jete të re, mësues Doda, qyteti i Delishit, hiti ynë muzikor dhe mësues Doda, secili lutej në mënyrën e vet, biçikletat „Mifa“ dhe garat e çiklizmit, në aksionet kombëtare të rinisë, shoqja e klasës që imitonte babain e saj, mësuesin e Historisë së Partisë, kur ndiqnim fshehurazi Festivalin e Sanremos, një incident gjatë punës prodhuese, komandant Taho, ushtaraku që na bëri ta duam zborin ushtarak, dashuria e „ndaluar“ e mësuesit nga Kosova me nxënësen e tij, Djemtë e bordurave, një ngjarje në kinemanë e qytetit, e deri tek arrestimi i komandantit, janë një rend i bukur leximi, që natyrshëm sekush ka një pjesë të vetën aty, normalisht, ata që ishin pjesë e shkollës së mesme të asaj kohe.

Librat e ndaluar dhe leximi i tyre fshehtas, ose leximi i librave të verdhë sikur quhej atëherë kanë një ndalesë n roman. Autori na jep një fakt: „Po kështu ishte ndaluar edhe një libër me tregime i Dritëro Agollit me titull:“Zhurma e erërave të dikurshme“. Dritëroi më pas kishte shkruar libra me vlerë, të cilat i bënim edhe recension, por këtë libër e kishin ndaluar dhe e kishin bërë karton. Kurioziteti ynë për të ishte i jashtëzakonshëm. Përse e kishin ndaluar? Çfarë trajtonte?'“

Mbrëmja e maturës zë një vend të rrëndësishëm memorial. Këngët që këndoheshin dhe këndohen ende kanë një qëllim mjaft domethënës. Në këto memorje autori shkon e zhbirron pas 20, 30, 40 dhe pas 50 vjetësh duke na dhënë një pasqyrë të bukur reflektuese, një trajtesë të pastër, që të shohim veten, kohën, moshën dhe zhvillimin e jetës në një kalendar pasqyrues, kronologjik, qëllimtar dhe diksursiv. Disa romane për mësuesitt e shkollës së mesme lënë pas dikotomitë krejtësisht dhe arrijnë sublime, ose qasje të ndryshme diskursive, ky roman është mes të dyjave, memorjes dhetrajtesës së rrjedhës historike. Për të qenë të drejtë, këta trajtesa kryesisht e lënë kampusin pas gjithashtu, por japin një risi të jetës mësimore në gjimnaz. Po mendoj për disa ndalesa të shkurtra artistike të këtij autori, që të bëjnë vërtetë për vete. Në romanin e tij nuk mer jetë vetëm ajo që trajtohet, por i rijepet jetë asaj risie të jetës së një qyteti të vogël.

Megjithatë, ndonjëherë, të gjitha këto forma narrative, diskursi i tyre dhe trajtesa memoriale, pra të gjitha këto mund të shërbejnë si korrigjuese në sferën e rrjedhave jetike, nëse jo personale. Ato janë dhe një aspekt i bukur për brezat që të shohin krahasimin dhe ndryshimin në kohë, hapësirë dhe vend, aq më shumë kur kanë redaktor një emër të sinqertë e të njohur të krijimtarisë së sotme letrare, sikurse është Ahmet Prençi.



Auori Sakip Cami: Qindra artikuj publicistikë si dhe disa libra artistikë si poezi, publicistikë, monografi, studime etj.

1. “ Vërshimet e Drinit” (poezi), 1996

2. “Karateisti i Vogël” (poezi për fëmijë), 1997

3. “Ujvara të Përgjakura” poezi, 1999

4. “Daullja bie për ata që kanë veshë” fabula dhe satira, 2001

5. “Fshati i martirizuar” (monografi), 2002

6. “Drejt NATO-s”, artikuj publicistikë, 2004

7. “Rrëfime popullore dibrane”, 2006

8. “Shpirti ynë liridashës” (monografi me bashkëautor), 2007

9. “Edhe unë kam të drejtat e mija” (poezi për fëmijë) 2010

10. “Muharrem Xhediku, kompozitor i tangos shqiptare”, me bashkëautor, 2010

11. “Njeriu i mirë” , 2010

12. “Një jetë në shërbim të njerëzve” 2011

13. “Dibra në këngët dhe tregimet e popullit”, 2012

14. Rrahman Parllaku, një legjendë ne kufirin e dy koheve, me bashkautor, 2014

15. Monografi për Sefer Efendi Kazazin, me bashkautor , 2015

16. Monografi për Bajram Ndreun e Zall Dardhës, me bashkautor, 2016

17. “111 poezi të zgjedhura” 2016

18. “Figura dhe ngjarje të shquara të Dibrës” 2017,

19. “Refleksione fëmijerie “ 2017

20. “Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në Dibër, 2019

21. “Fisi Cami i Dibrës”, Monografi, 2019

22. “Mos ma prekni lumin tim” , rrëfime historike 2021

23. Matura 72, roman, 2022

24. Dibra, ngjarje dhe luftëtarë, 2022

66 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page