Nga Gladiola Jorbus
Ata u martuan dhe jetuan të lumtur përgjithmonë… Kështu përmbyllen të gjitha përrallat. Por në fakt, jeta rezervon dhe surpriza të pakëndshme. Ndodh që dashuria mbaron dhe çifti ndahet. Dikur gjërat ishin ndryshe.
Burri dhe gruaja formonin familjen, të ashtuquajturën bërthamën e shoqërisë. Ata ishin të përkushtuar në rritjen e fëmijëve, duke u shndërruar kështu në burim force për ta, iu shërbenin si pikë referimi dhe mbi të gjitha si model për t’u ndjekur. Ndoshta me kalimin e viteve, dashuria zbehej, por partnerët me durim qëndronin së bashku, edhe pse pasioni i dikurshëm mund të ishte zëvendësuar me përzemërsi dhe respekt.
Sot shumë njerëz mund të artikulojnë mendimin se martesa është e shenjtë. Po atëherë, pse kaq shumë martesa përfundojnë në divorc? Përse ndarjet ngjasin dhe për hiçmosgjë ?
Hierogamia (nga gjuha e vjetër greke "martesa e shenjtë") ishte një ritual që simbolizonte bashkimin apo lidhjen mes dy perëndive. Në shekullin XX u kurorëzua martesa mbretërore, martesa e shekullit, një lloj hierogamie për të gjithë botën (Diana dhe Çarls).
Por s’jam e bindur, nëse Lady Diana ashtu si Hirushja, Bukuroshja e fjetur apo Borëbardha ishte një bashkëshorte dhe një princeshë po aq e lumtur. Këtë e vërtetojnë më së miri rezultatet fatale të martesës së saj: skandale të njëpasnjëshme, divorc, vdekje plot thashethemnajë. Ndodh dhe në familjet më të mira!
Martesa është vërtet një lloj kontrate që firmoset për të gjithë jetën; as për një vit, as për gjashtë, as për dymbëdhjetë, por vlen në të mirë e në të keq, deri në vdekje. Ndaj, para se të hidhnin hapin final do të ishte me vend që partnerët të reflektonin mirë, të vlerësonin personalitetin e njëri-tjetrit, të dëgjonin zemrën dhe ndjenjat e tyre.
Është papjekuri dhe papërgjegjshmëri ta mendosh martesën si shpëtim dhe arratisje nga realiteti apo skamja; është çmenduri të biesh pre e impulseve erotike ose kapriçove sentimentale. Do të thotë që s’ke minimalisht as idenë më të vogël, se çfarë nënkupton një jetë së bashku.
Për të përballuar me sukses martesën nevojiten mirëkuptim, komunikim, besim, respekt, tolerancë, besnikëri. Vërtet që intimiteti është i rëndësishëm, por që dashuria të konsolidohet plotësisht duhet punë dhe impenjim.
Martesa është një angazhim që kërkon shumë energji, sepse të ndryshon mënyrën e të jetuarit. Që një martesë të jetë e suksesshme, vetëm dashuria nuk mjafton. Kompozitori austriak Franz Schubert, përveç operës sensacionale Ave Maria i ka dhuruar njerëzimit dhe një shprehje aforistike adekuate, për këtë bashkim të bekuar: “Lum ai njeri që ka gjetur një mik të vërtetë, dhe akoma më i lumtur është ai, që këtë mik e ka gjetur te gruaja e tij”.
Shpeshherë, martesa konsiderohet një premtim romantik ose një marrëveshjeje ligjore. Por premtimet shkelen lehtë dhe sapo nisin problemet e para nxitojnë t'i japin fund.
Dashuria është një ndjenjë shumë e brishtë. Ajo ka nevojë për stimuj të vazhdueshëm. Bashkëshortët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, të mirëkuptojnë dallimet në karakter, të evitojnë intolerancat emocionale. Ndonjëherë puna e partnerëve, pavarësia dhe pushteti në rritje i femrave, niveli social-ekonomik mund të bëhen motive serioze grindjeje, mund të shkaktojnë nervozitet e të provokojnë konkurrencë mes tyre.
Edhe pse të pashprehura apo të nëndheshme, ato mund të dridhin themelet e marrëdhënies në çift. Ç’do të përfitonim tjetër, përveçse indiferencë, keqkuptime, mungesë komunikimi, apati?
Duhet të kesh gjithnjë dëshirë të flasësh duke e parë tjetrin në sy, të shprehësh vazhdimisht frikën, pasigurinë, lumturinë, të japësh pa kursim, të përballesh me problemet, të kesh durim. Kështu mund të funksionojë martesa, përndryshe do të ishte njëlloj si të konsumonim produkte njëpërdorimëshe.
Martesa është një institucion, është një univers më vete, një art për t’u zbuluar; është rrethi i florinjtë në gisht, është hapi drejt altarit, janë duart që bashkohen, buzët që shqiptojnë “Po”, sytë që betohen, zemrat që rrahin fort. Martesa është e mbushur me të njëjtën butësi, të njëjtin sensualitet, të njëjtën xhelozi, ashtu si në tango, ku çifti dashurohet dhe lufton me njëri-tjetrin, njëkohësisht.
Po muaji i mjaltit a mund të zgjasë përgjithnjë? Edhe pasi burri dhe gruaja kanë jetuar së bashku për shumë vite? Edhe kur tashmë njohin dhe dinë gjithçka të njëri-tjetrit? Edhe atëherë kur eksplorimi dhe misteri kanë përfunduar? Do të dorëzoheshin vallë?
Që raporti në çift të mbetet gjithmonë i freskët, i ri dhe emocionues, njerëzit do të duhej të mësonin sekretin e përshtatshmërisë, derisa të shkriheshin në një. Dashuria mbetet domosdoshmëri për njeriun. Lindjen dhe vdekjen, dy nga momentet më madhore në jetë, s’i vendosim ne.
Vetëm dashuria është në duart tona, veç ajo na jep dinjitetin e të qenit njeri, e të qenit ndryshe nga kafshët, bimët apo robotët. E nëse çdo dashuri do të kremtohej në martesë, ky do të ishte kurorëzimi i ëndrrës së mbarë njerëzimit. Sepse martesë do të thotë familje, dhe familja është e shenjtë.
Comments