top of page

MARRËZIA MË E MADHE E NJERËZIMIT



Makinën e ngisja ngadalë, me tridhjetë-dyzet kilometra në orë, sepse ishim brenda në qytet. Arsyeja e dytë qe sepse ashtu dëshironte zotëria që ishte ulur në sediljen e pasme. Herë pas here ai më jepte muhabet vetë, duke më treguar për ndonjë objekt interesant që na dilte përpara syve ose për ato që lexonte çdo ditë. Sepse ai lexonte shumë libra, revista e gazeta. Ndonse i pëlqente të fliste vazhdimisht, gjë që për shoferët është një bezdi e madhe, mua, përkundrazi, më pëlqente. Sepse ai njeri tregonte gjëra vërtet interesante e kurrë nuk përsëriste dy herë një gjë, siç ndodh shpesh me të moshuarit. Kisha gati një vit që punoja me të dhe, me kulturën që kishte si dhe me mirësjelljen që tregonte, më kishte imponuar respekt. Me pak fjalë, ai ishte simpatik njeri e për këtë do më jepni të drejtë më pas. Vështirë është ta mbash punën e mos ta humbasësh. Jo të pakët janë emigrantët,të cilët jetojnë me asistencën që u jep shteti gjerman, e mjaftueshme për të bërë një jetë ku plotësohen nevojat minimale. Kam ikur në Gjermani që në vitin 1990, kur u hapën ambasadat. Në vitet e para edhe unë jetova me asistencë. Kisha statusin e emigrantit politik. Pastaj më vonë kërkova punë e punova në disa fabrika. Lodhesha tepër e rroga më dukej e ulët. Lexova rastësisht në një gazetë që dikush kërkonte një shofer. Jepej adresa, numri i telefonit e unë u lidha shpejt me kërkuesin. Ishte tamam ky plak që kam këtu në makinë. Ai më sqaroi që do të përdorja makinën e tij e do ta shëtisja çdo ditë, sipas një orari të caktuar .Unë pranova.

Benzi i ri, prodhim i vitit 2007 ,ecte e s'ndihej fare. Tapicerinë e kishte me një copë të bukur ngjyrë rozë të errët e aromat e një parfumi të mrekullueshëm më bënin të ndihesha rehat e i qetë. Zakonisht radioja nuk ndizej, sepse plaku fliste vetë. Por kishte raste, sidomos në kohë të keqe me shi e mjegull, kur ai bëhej i heshtur, sikur të ishte prej mermeri e vështrimi i zymtë i bridhte mendueshëm përtej xhameve. Unë e dija tashmë, që duhej të hapja radion me volum fare të ulët, në ndonjë stacion me muzikë. U bë më tepër se një vit që punoja me Benzin e ri e i zoti i makinës, plaku me emrin Fridrih nuk më kishte mërzitur as dhe një herë. Punët me të më kishin ardhur shumë mbarë: duke u martuar formalisht me një femër gjermane, dhjetë vjet më e madhe se unë, (gjëra që bëhen shpesh në Gjermani nga të huajt) kisha siguruar më në fund shtetësi e pashaportë gjermane. Para fitoja mirë, sepse,veç punës me Benzin, në orët e lira punoja si mekanik në një servis makinash, kështu që u dërgoja para herë pas here dhe prindërve në Shqipëri.

Me plakun Fridrih më kishte ngjitur muhabeti mirë. Mund të them madje që ishim bërë si shokë. Shokë! Ai 94 vjeç e unë pa mbushur akoma tridhjetë e pesë! Por ai sillej me mua shumë thjeshtë, bisedonim dhe gjëra familjare e shpesh më merrte me zor e më fuste në shtëpinë e tij. Ajo nuk ishte si çdo shtëpi, por një vilë e bukur trikatëshe, me gjithë ato dhoma, salone e balkone. Pamja e jashtme, edhe ajo e brendshmja, dëshmonin një arkitekturë të vjetër, hijerëndë. Nëpër salone kisha parë fotografi të mëdha, ku kishin dalë prindët e tij, gjyshët e stërgjyshët e tij, ca me frakë të hijshëm e ca me grada të larta, kurse gratë veshur me lloj-lloj rrobash e bizhuterish të shtrenjta, tepër të shtrenjta. Pra zotëria im vinte nga një familje e vjetër fisnikësh, por kjo nuk e pengonte atë të sillej me mua shumë i afërt e i dashur. Ngandonjëherë, kur ishte në qejf, thoshte:

-Hajt të bëjmë një shëtitje jashtë qytetit, se qenka kohë shumë e bukur sot!

Unë bëhesha gati të ulesha në timon, por ai s'më linte.

-Jo,- thoshte buzagaz,- kam qejf ta ngas vetë makinën.

Më fuste krahun miqësisht, hapte vetë derën e prapme të makinës e më ftonte të futesha brenda, si të isha unë padroni e ai shoferi. Në fillim kjo gjë më vuri në siklet të madh, por, kur u përsërit disa herë me këmbënguljen e tij, atëherë u mësova me këtë trill të padronit tim. Në kësi rastesh atij i pëlqente të më ngacmonte nga pak:

-Je djalë i mirë ti, Nik, xhevahir djalë. Edhe i pashëm...

-E di..ma keni thënë dhe herë të tjera, zotëri..

-Si, e di,? Je goxha djalë, të them, merr vesh?

-Ja, pra, kam gruan..- ia ktheja me shaka, duke e parë nga pasqyra si vinte buzën në gaz.

-Lere gruan, mos ma përmend! Atë e di unë që e ke marrë sa për të fituar shtetësinë gjermane.

-Jo, nuk kam tjetër, ju betohem!

-Gjynah, gjynah!- ia bënte ai duke psherëtirë nuk di përse.- Duhet patjetër që të kesh një të dashur. Ti ke nevojë për dashuri e ngrohtësi femre.

Ai kishte të drejtë. Dhe fakti që ai kishte të drejtë gjithnjë në ato që thoshte, më bënte ta çmoja e ta respektoja dhe më tepër.

Zoti Fridrih ishte i datëlindjes 1916. Me shëndetin e pastër e jetën e gjatë ai e kishte sfiduar vdekjen e i kishte vënë përpara pothuajse të gjithë moshatarët e vet, madje edhe më të rinj në moshë. Ç' është e vërteta, duhan nuk kishte pirë kurrë, kurse pijet alkolike i kishte përdorur dhe i përdorte shumë. I pëlqente sidomos uiski, por edhe vera e birra. Ishte pak më i gjatë se unë, domethën rreth një e tetëdhjetë, me trup të drejtë e pa bark. Të shihje me vëmendje lëkurën e bardhë të fytyrës e të duarve të tij, ato ishin të holla, tamam si membrana e qepës. Me fytyrë të pastër, të çelur, me mjekërr gjithnjë të rruar, me një palë mustaqe të vogla e të shkurtra poshtë hundës, me sy tepër depërtues, mbi të cilat vinte një palë syze optike me skelet floriri, si dhe me flokët e pakët të krehur bukur, (çuditërisht atij i kishin rënë pak flokë e të mbeturat nuk ishin thinjur plotësisht,) e me të qeshurën e ëmbël, që i zbulonte dhëmbët e shtrenjtë që kishte vënë, ai njeri cilindo mund ta mashtronte lehtë për moshën e tij.

-Nik, je djalë i mirë,- ma përsëriste shpesh, sidomos kur ishte vetë në timon.

-Po, zotëri, ma keni thënë dhe herë të tjera,- ia ktheja i gjallëruar.

-Ah, ta paskam thënë dhe herë të tjera! Nuk kam bërë keq që të kam thënë ashtu, apo jo? Po kjo do të thotë se kam të drejtë. Edhe që duhet të kesh një të dashur; kam të drejtë, apo jo?

Unë heshtja. Ai niste e rrëfente pastaj plot aventura dashurie, kur kish qenë i ri. Ato ishin të shumta, të lehta, kalimtare, fluturake, si shi vere. Bëhej tepër gazmor kur tregonte. Dinte të fliste shumë bukur.

Çdo ditë mësoja më shumë për jetën e tij, njihja më mirë natyrën e karakterin e tij. Të dielave shkonte në kishë. Gruaja i kishte vdekur para dyzetë vjetësh e me të nuk kishte pasur fëmijë. Çuditesha me një fakt: i dhënë aq shumë pas aventurave me femra e pas pijeve në rini, pastaj një bashkëshort i rregullt e besnik deri në përvujtni, ai thoshte që femër si të shoqen s'kishte dashuruar kurrë në jetë. Për këtë arsye nuk qe martuar më. Mbante në shtëpi dy gra fshatare e ato dukeshin më tepër si meshkuj sesa si gra. Njera ishte për gatim e tjetra për të larë e për pastrim.

-Nik,- m'u drejtua një herë, tek ishim ulur në stolin e një parku të madh e i kishte tërhequr vëmendjen një çift të rinjsh që putheshin babëzisht pa ndrojtje. Unë u ktheva me trup e me sy nga ai e prita ç'do të më thoshte.

-Jeta është e bukur me dashuri, Nik.- vijoi ai mendueshëm- Deri në moshën pesëdhjetë e pesë vjeç kisha gruan që më donte dhe e doja. Pas vdekjes së saj jeta ime e humbi bukurinë. Njeriu jeton gjithsesi, dihet. Vërtet kam ndenjur me plot femra të tjera më pas, por ato kanë qenë veç qetësues të çastit, ashtu si aspirinat që përdorin disa njerëz kur u dhemb koka.

Pas këtyre fjalëve ai lëvizi trupin, u gjallërua menjëherë, duke e larguar me vetëdije trishtimin e foli me tonin e një djaloshi të shkujdesur:

-Nesër do të të sjell një album me foto, kur kam qenë i ri. Pranon?

Dhe të nesërmen nuk kishte harruar. Sapo u futëm në makinë, ai e mori vetë timonin në duar, më dha albumin e u nisëm për shëtitje. Nisa ta shfletoja ngadalë e i përqëndruar. Në çdo fletë shihja portretin e tij, Fridrihun e ri e të shkujdesur si gjithë të rinjtë. Djaloshi Fridrih, me flokë të gjatë e të ndarë në mes, buçkan, gjithnjë i qeshur e po me ata sy depërtues që i kishte dhe në pleqëri. Herë vetëm e herë me shokë e me shoqe, në shkollë, në shëtitje, në festime ditëlindjesh apo në ndonjë lokal vallëzimi. Nganjëherë bëja ndonjë pyetje e zoti Fridrih më sqaronte me dëshirë. Duke parë gjithë atë album e kuptoja që rinia e tij kishte qenë e bukur, pa halle e me plot aventura.

Puna me plakun Fridrih më jepte jo veç para, por edhe kënaqësi e ditën e nesërme e prisja me gëzim. Kur më jepte rrogën, gjithnjë do më shtonte diçka më tepër. Dashurinë që tregonte për mua përpiqesha t'ia shlyeja duke qenë i përpiktë e i ndershëm ndaj tij. Pas shëtitjeve e shoqëroja me respekt deri tek hyrja e vilës. I fusja krahun kur zbrisnim shkallët, i hapja e i mbyllja derën e makinës, e pyesja gjithnjë për shëndetin e si kishte fjetur. Blija parfumin më të shtrenjtë që atij i pëlqente e me të spëkasja makinën. Jo vetëm kur merrja rrogën, por edhe në raste festash ai më jepte shpërblime të vogla e dhurata. Ndodhte gjithashtu shpesh që të ndalnim makinën e ai u jepte lëmosha të majme lypsarëve. Muajt e fundit më ftonte më shpesh të futesha në vilë e më mbante për drekë ose për darkë. Tek ai njeri shquaja shenjat e një dashurie prindërore. O zot, thoja nganjëherë me shaka me vete, ishallah më bën bir për shpirt e të rroj si princ! Po ashtu i sjellshëm ai tregohej edhe me dy gratë punëtore në shtëpi e ato e adhuronin si shenjtor. Kur e hetoja ndonjëherë tek ecte e vinte nëpër sallon, i shkathët, i gjallë e gazmor, thoja me vete se ai njeri do t'i kapërcejë me siguri njëqind vjetët.

Në një nga këto dreka mikpritëse, përfitova nga sjellja e tij e shpenguar dhe mora guximin e pyeta:

-Zotëri, ç'mendim keni për ne shqiptarët e për Shqipërinë?

Ai më vështroi gjatë, mendueshëm e vuri paksa buzën në gaz. Sapo kishim mbaruar së ngrëni e ishte pastruar tryeza. Qemë ulur në divan përballë njeri-tjetrit.

-Dëgjo, Nik,-m'u drejtua i qetë,- unë kam pak njohuri për Shqipërinë tuaj, por, ja, të kam ty këtu e gjykoje vetë se ç'mendim kam.

Tunda kokën i kënaqur nga përgjigjja e tij dhe e falenderova.

-Ju shqiptarët, - foli ai si me vete,- jeni një popull që vini nga një racë e pastër, e bardhë, nga e cila vijmë edhe ne gjermanët. Për këtë kam lexuar shumë libra. Di për fatin tuaj të hidhur si një komb i vogël që ka qenë pre e më të fortëve: romakëve, sllavëve e turqve. Di që keni qenë të izoluar nga bota për disa dekada pas luftës së dytë botërore e tashti erdhën kohë të reja edhe për ju. Gëzohem, sepse jam i sigurtë që kudo shqiptarët do të tregojnë cilësitë e tyre më të mira si racë, talentin, karakterin e fortë, trimërinë, ndershmërinë e besën, kupton?


Shëtitjet me zotin Fridrih i bënim edhe paraditeve, edhe pasditeve e ato ishin të bukura, të këndshme e të larmishme. Shumë nga bisedat tona kishin si temë Mynihun e kuriozitetet e tij, problemet e dashurisë, artin e sportin. E dija që ai më donte e më respektonte si gjithnjë e unë e adhuroja si njeri, të cilin natyra e ka pajisur me të gjitha të mirat: në paraqitjen e hijshme, në shëndetin e pastër e jetëgjatësinë, por edhe në virtytet e bukura morale, si njeri me shpirt fisnik, i dashur, i dhembshur, i thjeshtë e i zgjuar.Por një ditë mes nesh ndodhi diçka e papëlqyer. Një moshatari im, tek servisi ku punoja me orë pasditeve, më zgjati një gazetë, duke më thënë me ironi: "Lexoje këtë, se ke edhe emrin e padronit tënd!" Tallja e tij shprehej qartë. Në një nga faqet e gazetës, një fotografi e madhe me oficerë nazistë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Mes tyre nuk e pata të vështirë të dalloja dhe zotin Fridrih me pamje të hijshme e krenare. Duart po më dridheshin. Më filluan dhimbjet e kokës. Lexova disa rreshta, ku thuhej se të gjithë ata oficerë madhorë të Hitlerit me firmën e tyre kishin vrarë e shfarosur mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm në Poloni, Çeki, Rusi e gjetkë dhe kudo nëpër qytete, fshatra e kampe përqëndrimi. O zot, thashë me vete, paskam mbajtur gjarpërin në gji! Si ka mundësi? Si është e mundur që ky njeri, kaq i mirë e kaq fisnik sot me mua e me të gjithë, të ketë qenë aq katil dikur? Gazeta, që siç dukej, ishte me prirje të majta, e akuzonte dhe Fridrih M, me firmën e të cilit ishin shfarosur 3000 vetë në një kamp famëkeq të Austrisë. Ato çaste sikur para meje u përmbys dheu. Toka u bë qiell e qielli humnerë. Çuditërisht më doli përpara syve fytyra e plakut Fridrih, por këtë radhë tepër e shëmtuar. Aq e shëmtuar, sa më erdhi të përzier. Po zieja nga një inat i brendshëm, i cili më tepër drejtohej kundër vetes: si më kishte mashtruar ai njeri me pamje e sjellje ëngjëlli? Zhgënjimi më rëndonte si një gurë i rëndë në krahëror.

Të nesërmen paradite, gjatë shëtitjes në periferi të qytetit, rrija i heshtur e i zymtë, por po zieja përbrenda. Padroni im si duket e kuptoi shpejt këtë gjendje, sepse më pyeti:

-Çfarë ke sot, Nik, që je i mërzitur?

Nuk ia dhashë përgjigjen në çast, por e çova makinën në anë të rrugës, e ndalova ngadalë e u ktheva me fytyrë nga plaku. Buzët më dridheshin.

-Ç'pate, Nik, ndonjë defekt? - pyeti ai shkujdesur.

-Jo, zotëri, nuk ka defekt. Dje lexova në një gazetë për ca oficerë nazistë, të cilët kanë urdhëruar gjatë Luftës së Dytë shfarrosjen e mijëra njerëzve të pafajshëm. Në një fotografi të madhe, mes shumë oficerëve, ishte dhe portreti juaj..

-Ah, ashtu?- shprehu habi plaku, por e kuptova që shfaqi dhe shqetësim. E hetova ngultas në sy dhe ndjenja e zhgënjimit po më nxiste për hakmarrje, ndaj e sulmova ballas.

-Në disa rreshta lexova se me firmën tuaj janë shfarosur në dhomat me gaz 3000 njerëz të pafajshëm..

Plaku rrudhi fytyrën e lëvizi njërën dorë në mënyrë të pavullnetshme.

-Pallavra!- tha me një zë metalik, që s'ia kisha dëgjuar kurrë më parë.-Janë gazeta të majta sharlatanësh, që duan të mbjellin konfuzion tek njerëzit.

-Më falni, zotëri,- i fola me zërin që më dridhej,- por kjo për mua është krejt e papritur, nuk di si..

-Dëgjo, Nik,- m'u drejtua duke u përpjekur të rishfaqë atë qetësinë e tij të zakonshme,- kam menduar që nuk kemi përse ta hapim këtë kapitull në bisedat tona. Lufta është një dosje e mbyllur, sepse gjërat janë sqaruar të gjitha.

-Por ka edhe dosje që nuk mbyllen për shumë vite,- e kundërshtova unë i nervozuar e po çuditesha me vete për kurajon e guximin që kisha marrë. Fundja, me ç' të drejtë po e shqetësoja? Kurse ai nënqeshi duke rrudhur buzët e më tha:

-Po, është e vërtetë që kam qenë oficer i Hitlerit e këtë e dinë të gjithë këtu. Kam punuar në shtatmadhorinë e tij. Por nuk kam vrarë njeri, as me duart e mija, as me urdhërin tim e këtë dua që të ma besosh. Kisha mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e lartë për inxhinieri aviacioni dhe isha i detyruar të shkoja në luftë, më kupton?

-Të gjithë oficerët nazistë..-e ndërpreva unë, por ai s'më hapi rrugë këtë radhë:

-Prit, më fal të të sqaroj për këtë. Po të kisha vrarë njerëz, nuk do ta mohoja, sepse do të zbatoja urdhërat nga lart, siç bënë plot të tjerë Po të kisha urdhëruar shfarosjen e 3000 vetëve në kampet e përqëndrimit, gjyqet ndërkombëtare do më kalbnin burgjeve e nuk do të isha sot këtu me ty. Ose do të arratisesha diku larg me emër të rremë, siç kanë bërë të tjerë. Unë nuk kam qenë anëtar i partisë naziste, babai im po. Nazizmi në fillim si ideologji qe shumë progresite dhe atë e përqafuan miliona njerëz në Gjermani e vende të tjera, sidomos të rinj. Tjetër punë ç'rrugë mori pastaj, ashtu si me komunizmin tuaj në Shqipëri. E unë, me rroben e oficerit nazist, e shikoja që kjo rrugë ishte pa krye. Por si unë kishte dhe oficerë të tjerë nazistë, madje edhe në shtabin madhor të Hitlerit, të cilët edhe ata e shikonin aventurën e tij si fatale për fatin e Gjermanisë. Këta ishin oficerë të zotë, të ndershëm e patriotë, të cilët përbënin pjesën më të shëndoshë të nazizmit. Dhe të siguroj që edhe unë kam bërë pjesë pikërisht në këtë grup. Luftërat janë marrëzia më e madhe e njerëzimit. Unë personalisht nuk e kam dashur luftën e gjithnjë jam përpjekur të mos i marr njollat e saj, sidomos njollat e kuqe të gjakut.

Ndihesha i qetësuar disi nga gjykimet e tij. Megjithatë akoma më bëhej sikur kisha prapa kurrizit një oficer nazist. Nga ata që shfarosën miliona njerëz të pafajshëm, që përgatitën bombat atomike dhe rrënuan gjithë Europën. Ndihesha i turbullt, pa këmbë në tokë.

-Zotëri,-i thashë më në fund, duke u munduar të përmbaja veten,- më vjen keq që do t'ju lë, por tashti ndihem shumë konfuz e kam nevojë të jem vetëm..

Dhe pas këtyre fjalëve e përshëndeta me mirësjellje, dola nga makina dhe eca si somnambul. Ai nuk tha asnjë fjalë, por më përcolli me një buzëqeshje të hidhur, që sikur m'u ngjit mbi shpinë.

Të nesërmen nuk dola fare në punë. As tek servisi nuk shkova pasdite. Edhe të pasnesërmen paradite qëndrova në shtëpi. Më vinte keq që isha sjellë në mënyrë të padenjë me plakun Fridrih. I kisha djallosur punët keq. S'kisha si të mos u besoja fjalëve të tij plot arsyetime bindëse. Çdo çast më tingëllonin në veshë fjalët e tij:"..Ne ishim pjesa më e shëndoshë e nazizmit. Luftrat janë marrëzia më e madhe e njerëzimit.."

Aty nga ora katër mbasdite dëgjova zilen e telefonit celular. E vura në vesh shpejt e zemra më rrihte me forcë.

-Alo?- shqiptova i hutuar, pa parë fare se kush po më kërkonte.

-Ç'kemi, Nik?

Ishte zëri i plakut Fridrih! Çuditërisht më erdhi mirë që më kishte marrë në telefon, gjë që unë mbase s'do ta bëja kurrë. Zëri i tij m'u duk i ngrohtë, i afërt.

-Hiç..kot..ja..po rri..- belbëzova e më erdhi të qaja s'di përse.

-Doja të të pyesja a ke ndonjë plan sonte në orën gjashtë?..- pyeti zëri matanë, por mua m'u duk sikur ta kisha plakun aty pranë. Ai i shqiptoi ato fjalë krejt natyrshëm, sikur të mos kishte ndodhur asgjë mes nesh. Isha treguar gomar!

-Kush..si?.Jo, jo..nuk besoj. Nuk kam ndonjë plan..

-Po mendoja sikur të dilnim një shëtitje andej nga parku. Si thua, Nik? Dalim e të harrojmë atë luftën e mallkuar.

Heshta një çast. Jo, nuk më dilte para syve më si oficer nazist, por ai plaku i bukur e fisnik, që asnjëherë nuk e kishte dashur luftën.

-Mirë, zotëri.- iu përgjegja më në fund si i çliruar nga një makth.- Do të vij në orën gjashtë, t' ju marr për shëtitje.(Isha gati të qaja nga gëzimi, i bindur që ai nuk do më gënjente kurrë.)

-Dhe ta harrojmë atë luftë të mallkuar, apo jo, Nik? (Edhe zëri i tij këtë radhë ishte ngashëryes)

-Po, zotëri, ta harrojmë atë luftë të mallkuar!- përsërita unë e mbylla telefonin duke marrë frymë lirisht.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page