top of page

MALVA HAKER


Parathënie e romani me të njëjtin titull

MALVA HAKER

Ajo kthehu fytyrën nga krahu tjetër dhe tërhoqi çantën për t’i lëshuar vendin një pasagjeri fytyrëqeshur, dhe tha:

- Më falni zotëri!

- Ju lutem, zonjë, faleminderit! - tha, i panjohuri dhe u ul.

Ai zuri vend pranë saj dhe nuk po ia shqiste sytë sikur donte të zhbironte diçka të padukshme brenda tyre. Ajo e vënë në siklet u detyrua që vështrimin plot trishtim që mbartte nga jeta plot trysni ta kalonte përtej qelqit ku nisën të përplaseshin ca kokrra breshëri, “shtator”, murmuriti dhe ciku ballin tek qelqi i dritares dhe i shpërthyen lot... Pas pak u duk se moti po shkëlqente por vetëm ai se njerëzit dukeshin tej mase të tkurrur nga hallet e shumta. Të skamurit udhëtonin ende me trenin rrangallë si dikur që njerëzit e rrasur ngucur, ngucur zinin vend në trenin e dalë boje e me ndenjëse të shqyera. Treni kishte mbetur po ai fatzi, aq sa i ngjante me karrocën e internimit ku kishte udhëtuar për të shkuar te mjeku në qytet, apo ndonjëherë rrallë shumë rrallë për t’u kthyer nga puna e rëndë kur karroca mbushej me thasë me pambuk të mbledhur nga gishtat e grave të internuara. Karrocieri një djalosh i bukur moshatar i saj i mirë e i sjellshëm qe shoku i saj i fëmijërisë, por që nuk bënte pjesë në familjet e internuara. Ndaj e kishte pasur privilegjin të bëhej karrocier në atë kamp të shpifur ku kishte vdekur prej kohësh koha e njerëzve të mëdhenj e të ndershëm. Ai i ish gjendur gjithnjë në ditët më të vështira e për hatër të saj kishte rrezikuar disa herë, ku mund të dënohej me burg pasi në kabinën e karrocës, e kishte çuar atë dhe të dashurin e saj disa herë në qytet fshehtas. Gjë rreptësishtë e ndaluar pasi i dashuri ishte i internuar dhe bënte tri herë apel në ditë e mund të qarkullonte vetëm në dy kilometër katrorë tokë brenda kampit. Treni ecte ngadalë mbi binarë e ajo ktheu sytë nga pasagjerët e paktë e të heshtur, dhe hasi në fytyrat e nemitura dhe pa shprehje. Zotëria që ishte ulur në krah të saj i doli përballë dhe duke i dhuruar një buzëqeshje të lehtë sikur ta njihte prej kohësh, e pyeti:

- Myzeqare jeni? Më duket se ju njoh, diku ju kam parë...

- jo, por atje banoj, më kanë çuar që fëmijë për klimë të mirë.

Ai buzëqeshi dhe tha:

- Si ta marr këtë? Myzeqeja nuk mbahet për klimë të mirë por për rendimente të larta. Meqenëse nuk zbritët as në Kavajën e demokracisë e mora me mend se po shkoje në drejtim të Myzeqesë. Vend i begat, apo jo? Mbajti gjithë Shqipërinë me bukë për dyzetepesë vjet me radhë.

- E tani që të gjitha tokat kanë mbetur djerrë a po vdes kush për bukë? - pyeti, ajo.

- U shpreha keq. Dua të them ka qenë hambari i Shqipërisë.

- Po, ka qenë. Atë moçalishte e thanë krahët e skllevërve të dënuar nga politika, atyre që u pikonin këmbët e duart gjak, e jo makineritë e kohës, zotëri. Ju ushqeheshit mirë nëpër qytete, por, ata që prodhonin hanin me racion e nuk e mbushnin dot barkun me bukë, pale ujë, atë e nxirrnin nga pusi batak.

- Ajo ishte kohë e zezë, mos u ktheftë më! - tha, zotëria.

- Amin, por shumë humbën në errësirën e madhe... Si tha këto fjalë ra heshtje asnjëri s’po fliste më.

- Unë po zbres këtu, - tha i panjohuri papritur, banoj prej pesë vitesh në këtë qytet. Dhe juve ju kam parë në televizorë, jeni... jeni... Pasi u përshëndet zbriti, dhe treni u nis.

Meqenëse kishte akoma rrugë vendosi të lexonte “ Tre Shokët” të Remark, por kur bëri ta nxirrte librin nga çanta dora i zuri në dhuratën e vogël që ia kishte lënë si një porosi të veçantë Alisa për mësuesen e saj. Ah, psherëtiu dhe harroi gjithçka tjetër dhe u fut në rrjedhën e jetës së kampit, te i cili ishin sakrifikuar aq shumë jetë. Ajo psherëtiu thellë dhe kapi mprehtësinë e asaj vajze vizionare të lindur e rritur në kampin ogurzi dhe loti i saj që i ngjau më shumë me një margaritar, i solli para sysh kampin e lodhur të atyre viteve në krizë dhe në depresion. Kur zbriti koha qe pus. Binte një shi i hollë dhe i qetë që e kishte marrë shtruar tamam shi prej Myzeqeje që siç e kishte marrë shtruar nuk do të pushonte gjatë. Ndjeu një rrëqethje në të gjithë trupin elegant, mandej, hapi çadrën duke heshtur vështrimin drejt rrugës që të çonte tek shtëpia e Malvës. Me kujdes iu desh të kapërcente ca pellgje uji që i dilnin përpara ndërsa shitësit ambulant shpresonin të merrte diçka nga malli i lagur. Pasi kapërceu trotuaret e prishura kaloi nga krahu ku ndodhej shtëpia dhe që larg mundi ta dallonte. U afrua por gjithçka iu u duk e shkretë dhe e braktisur. Perdet e katit të dytë ishin gjysmë të varur nga brenda, ndërsa ujë i çatisë derdhej përgjatë mureve të shtëpisë. Bahçja që dikur tërhiqte vëmendjen e çdo kalimtari me bukurinë e rrallë, shihej e mbytur në ujë dhe ca lakra gjethet e të cilave kishin hapur krahët ngjanin se po notonin në detin e vogël. Më tutje ca presh prisnin kalbëzimin e plotë në ujërat e turbullta të asaj vjeshte të nxituar. Para saj shtrihej një gardh i rrëzuar e një deriçkë e vogël që qëndronte e mbështetur te një pjesë e gardhit që të linte të kuptoje se prej kohësh nuk e kishte lëvizur njeri. Hodhi vështrimin më tutje dhe iu shndërrua gjithçka madhërishëm si dikur njëherë plot me lule të shumta e një bukuri përrallore po i shkëlqente përpara syve. E futur në botën e një përralle bëri të ecte përpara, por këmbët i fundosën në ujë e në baltë dhe përnjëherë mendoi se gjendej përpara një rreziku. E tromaksur ngriti sytë dhe vuri re se në vend të të gjitha atyre mrekullive të dikurshme ku gumëzhinte jeta dhe rinia, kishte vdekur e dukej pa jetë. Tashmë kishte zënë vend myku deri një metër mbi mure. Ishte mësuar të sodiste vite më parë bimët që harliseshin, lulet me një blerim të dendur dhe gjurmët e tri vajzave të bukura. Tani nga pamja e llahtarshme nuk guxonte të thërriste apo të futej më brenda sepse, ngado rreth shtëpisë shikonte liqene e do të fundoste deri në gjunjë. Ajo nisi të thërriste që nga gardhi emrin e mamasë të saj disa herë, por kur nuk mori asnjë përgjigje këmbënguli dhe nisi të thërrasë përsëri por këtë herë emrin e Malvës. Në vend të përgjigjes ajo mori të lehurat e një qeni që vinte nga një oborr aty pranë. Si u bind se nuk pipëtinte më asgjë dhe çdo gjë dukej hijerëndë dhe e humbur, iu kujtua se në atë qytet jetonte halla e mësueses dhe vendosi që dhuratën t’ia besonte pikërisht asaj. Nxitoi hapat dhe u ndal poshtë një ballkoni të një shtëpie private me shpresë se më në fund e gjeti zgjidhjen e po e kryente më së miri porosinë. Por dhe atje zërin e saj nuk e dëgjoi njeri, por e shoqëroi një mace e bukur që mjaulliu me një zë vajtimi dhe duke e vështruar në bebe të syrit iu afrua. Ajo u përkul, ledhatoi macen e çuditur nga pozicioni ku ndodhej, e nga ana tjetër nisi ta bezdiste dhurata që po e shtrëngonte fort në grushtin e dorës tjetër.

Zot, - thirri, - përse e mora përsipër këtë amanet?! Këtu paska marrë fund çdo gjë! Vallë, a do të gjej njeri ku ta dorëzoj, do të ketë njeri të gjallë?

Edhe ajo vetë nuk dinte më asgjë për jetën e vajzës të mahnitshme, që prej shumë kohësh, atë të përpara mbylljes së kampeve të internimit. Mendueshëm ecte nëpër rrugët e atij qyteti të vogël e ndërsa shiu vazhdonte, ajo e përhumbur e tëra në kujtime të hidhura, harroi të hapte çadrën. Ashtu, ec e ec nëpër rrugica pa e kuptuar fare ishte bërë qull, por gjithsesi, amanet duhej çuar në vend.

Kishte shumë vite pa u kthyer në këtë vend për t’i shpëtuar pikërisht asaj që po i ndodhte tani: kujtimeve të tmerrshëm të kohës së diktaturës!

Si në një film serial i dolën të gjitha përpara sysh, serial që përmblidhte të gjitha jetët e atëhershme, vuajtjet, barakat, të internuarit dhe në çast, aty për aty vendosi ta shkruaj jetën dhe historinë e një shkolle në kampin e internimit, ku kaloi vetë plot tridhjetetre vjet e dënuar në skëterrën ku era e komunizmit e bënte cilëndo ditë të bukur errësirë të plotë. Ato kujtime të sakta dhe të besueshme të së shkuarës me të vetmin qëllim që para botës të prezantonte njerëzit e vërtetë duke u mbështetur në ngjarje e fakte historike të një diktature të egër e barbare.

- Unë mes hijeve të tmerrit do mundohem t’ju tregoj më të tmerrshmet, më të paimagjinueshmet që mund të keni parë, lexuar apo dëgjuar. Dua t’ju tregoj për kampin, apelin, barakat, spiunët, kanalet kullues, vapën e të ftohtin, për përbuzjen, përdhosjen e për të gjitha tmerret brenda atij kampi jetëzi, për vuajtjet e secilit, për fjalën tonë të munguar, për lirinë që na i kishin mohuar pa asnjë arsye dhe pa asnjë të drejtë. Dua t’u tregoj për shkollën që ishte shtëpiza më e bukur për ne, vendi më i bekuar e më i dashur, aty ku merrnim dije e ku gjenim pak diell për të ngrohur jetën tonë të ftohtë e të zymtë. Dua t’ju tregoj për vete, për drejtorin, për Ninën, për Ginën, për heroin tonë Xhoin e pavdekshëm dhe për atë, Malvën, dashurinë e të gjithëve.

Ashtu si Luçia që mbetet një figurë e lashtë mitike, me rolin e bukur si bartëse e dritës në dimrat e errët suedez, ashtu dhe Malva dhe e gjithë rinia e internuar mbeten bartës së dritës dhe dijes në dimrat e egër të komunizmit në Shqipëri.

Me këtë parathënie merr zanafillën romani, me titull: Malva Haker.

9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page