top of page

MALUA…


Lumturi Plaku

Udhetimi prej jugut ne veri te Italise vazhdonte i shoqeruar me kujtime te dhimbshme te emigranteve, lene mbas kraheve atje ne Memedheun e deshiruar.

Menjëherë, pas Marianës e mori fjalën Malua, një burrë i urtë e shumë i rezervuar. Fliste pak, shumë avash e në bisedë e sipër, bënte një ndalesë, që kush ishte duke dëgjuar, mendonte se e mbaroi ç’kishte për të thënë. Në kamp, shpesh shkonte e ulej midis fëmijëve të vegjël dhe fillonte luante bashkë me ta. Shpesh i trishtuar, tundte kokën, i puthte e largohej, me sytë që i mbusheshin me lot. Kishte mall për fëmijët e tij, që i kishte rritur me shumë sakrifica e nuk i kishte pranë. U kollit sikur do pastronte zërin e iu drejtua Kasemit:

- O Kasem, më mbeti në mendje ajo, që tregove për mikun tënd italian, kur the që kënaqej duke shikuar djalin që mbushte barkun vetëm me gjëra të zgjedhura e nuk hante thërrimen e bukës. Gjatë kohës, që flisnin të tjerët, unë me mendje kisha ikur shumë larg, sepse ti, pa dashur, më vure gishtin e më ngacmove një plagë, që më dhëmbi shumë e do më gërvëlisi gjithë jetën.

Të gjithë u kthyen dhe shikuan Malon, e merakosur, që vazhdonte të fliste:

- Ndoshta fëmijët e mi e kanë harruar, por unë e kam thikë në zemër e më shpon, sa herë shikoj sallamin. Të detyruar prej kushteve të vështira që kishim në ekonomi, apo nga rrethanat e tjera, gabojmë e pendohemi më pas, por ndonjëherë nuk e vlen.

Ishte dita kur do merrnim racionin e sallamit, që e prisnim si pikat e shiut në Sahara, se nuk kishim asgjë për të sajuar që të hanim bukën. Në muaj, jepnin vetëm gjysmë kile për familje, iu kujtohet, besoj?... Gruaja ishte kthyer nga puna e do shkonte të zinte radhën për vajguri e me që në shtëpi s’kishte asgjë, siç i thonë, kalonte miu e thyente hundët, dërgoi fëmijët të blinin racionin e sallamit. Unë isha në punë e kur arrita, nga oborri dëgjoja zërin e gruas, që me plotë kokën, po iu gërthiste fëmijëve. Hapa derën e pyes:

“Ç’ka ndodhur, përse gërthet, moj grua, çfarë kanë bërë?”. Ajo me fytyrë nxirë, sikur kishte vdekur njeri, me letrën e ambalazhit të sallamit në dorë, gjithë nerva, më përgjigjet;

“Lermë mos më fol! Këta dy agallarët, të gjithë racionin e sallamit e kanë ngrënë duke ardhur rrugës. Ja ç’kanë prurë këtu, vetëm letrën bosh. Ti dhe unë e dimë shumë mirë pse e blejmë. Doja t’u jepja pak atyre, të hanin bukën nesër në drekë, se që të dy s’jemi në shtëpi, e pjesën tjetër ta çoja tek Drita në frigorifer, ta ruaja për një çikë meze, se do na vi Samiu me Leonorën. E tani ç’do bëj... këta nesër çdo hanë e … për ata, që do vinë, çdo t’u jap?”

Pa mbaruar fjalën gruaja, unë humbamenua… eh!... Ca nga lodhja, ca nga njëmijë halle, ca nga uria se në punë kisha marrë dy feta bukë me një vezë me miell të skuqur e një bisht prasi, iu afrova të dy fëmijëve, që rrinin kokë ulur e iu dhashë nga një shpullë të fortë pas koke.

Gruaja, që deri atëherë po gërthiste, si nënë që i dhëmb zemra, më shikoj me inat e sa s’po më hante të gjallë, për atë, që bëra. Ju tha atyre të futeshin në banjë, të laheshin e m’u kthye mua me zë të ulët:

“S’je në vete! Si i qëllon ashtu? Janë të pa ngrënë se po të kishin barkun plotë as nuk e shikonin me sy sallamin. Faji është i imi që dërgova ata ta blinin. Tamam sikur t’i varësh në qafë zorrët ujkut. Ata janë të uritur, o burrë e nuk kanë faj. Edhe unë iu fola, që mos ta bëjnë herë tjetër këtë gjë e nuk ua kursej, se jap edhe shpirtin për ta, por më vjen mendja vërdallë, s’kam me çfarë të mbledh vaktin. Mos i qëllo ashtu, se po i rritim me gjakun e trupit! Ne për vete as e provojmë si e ka shijen sallami, gjalpi e për ata e ruajmë, por ka arritur ku s’mban më, po na hy thika në palcë e nuk e dimë si do shkoj ky hall”.

O Zot ç’bëra! Unë u pendova në vend dhe e dënova veten duke e mallkuar. Vazhdimisht më del para syve shikimi fajtor, që më hidhnin fëmijët, sikur kishin vrarë dynjanë, e pse? Ç’kishin bërë more vëllezër?...S’kishin bërë asgjë të mjerët... Kishin ngrënë një copë sallam... Ai shikimi tyre, sikur më thoshin; “pse na qëllon, kemi uri”, m’u duk sikur më dënoi Zoti e më dërrmon edhe sot, kur e mendoj. E jo vetëm shikimi i tyre, por më dërrmuan edhe fjalët e gruas, që i dhëmbi shpirti se fëmijët s’kishte faj. Ajo ishte nënë e kishte të drejtë, por fukarallëku është maskarallëk, o vëllezër.

Ai ndërpreu të folurën e duke u munduar që mos ta kuptonin të tjerët, uli zërin, se filloi t’i dridhej prej ngashërimit e me sytë në lotë, si në mërmërimë, sikur të ishte atje pranë e shoqja, i thotë:

“Eh, moj grua! Në të vërtetë, nuk dinim si do shkonte halli, që na kishte rënë të gjithëve si popull. E kujt i shkonte në mend që do hapeshin kufijtë e do merrnim rrugët e të shpërndaheshim, si gjethet e vjeshtës, që i shpie era ngado… Ku ta dija unë i mjeri, që do ndaheshim edhe si familje? Unë mora rrugët këndej e ju më ngelët atje. Oh!...”.

Kishte ndenjur në këmbë, sikur mbante konferencë duke u kthyer sa para prapa e kur mbaroi, u ul tek vendi i tij e më shumë prej mallit, zuri kokën me duar.

Xha Suloja u përlot, por për të lehtësuar gjendjen shpirtërore të Malos, i thotë me shaka:

- Eh, na flet kështu tani, o Malo, se të ka marrë malli, që nuk i ke këtu pranë, as gruan dhe as fëmijët, pa po te ishin këtu, as nuk do ta hapje gojën. Hajde tani, mblidhe veten se ne jemi burra. Zoti na e bëftë mbarë e u bashkofshin të gjitha familjet që janë ndarë prej hallit, ca andej e ca këndej.

- Nuk e mohoj, o Xha Sulo, që familja më mungon shumë dhe vetë ndjehem si trungu i një peme të djegur; pa degë, pa fletë, tharë çdo gjë. Megjithatë ju betohem, se do forcoj rrënjët e do i mbaj mirë në tokë, të mblidhem me familjen sa më parë, se nuk ka kuptim jeta vetëm, si një copë trung i thatë - u përgjigj Malua me zë të trishtuar, por sikur lexoj me rimë një poezi...

E te tjera e te tjera kujtime...

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page