Nga Resmi Osmani
Tregim
Malli çan edhe gurin
Kujtimit të nënëdajës.
Anadoll, Yzgat, fundmarsi 1934.
Nanëmadhe Xhevria, ndjeu të mardhur dhe një dhimbje që i theri në gjoks, i rëndoi kapakët e syve dhe i zbriti deri në majat e gishtave. Nuk mbushej dot me frymë. Përjashta dielli ishte ngritur.Tha ta nxirnin përjashta në shullë. E rrëgjuar, mbuluar nga bora e thinjave, fytyrën me tipare fisnike, brazduar nga prrenjtë e rrudhave. E katandisur një grusht, mezi hidhte këmbët. Çdo çap, plumb i rëndë.çdo çap një dhimbje që e përcillte me një ofshamë. Jehona e së keqes që e sfiliste së brendshmi. E mbante nga krahu e reja[1]. I shtroi një shilte mbi ulësen e drunjtë, në anën lindore të kasolles, ku dielli kish nisur të derdhte bujarisht ngrohtësinë, dhe e ndihu të ulej. I rregulloi shallin e leshtë mbi supet e krrusura, mandej e la vetëm në qetësinë dhe heshtjen e saj të dhimbshme. Kishte për të bërë punët e shtëpisë.
Po bëhej viti që lëngata e pandarë, që s’dihej nga vinte, ishte rënduar dhe tinëzisht, ditë pas dite, me gjuhën e helmët i lëpinte eshtarat, i kafshonte zemrën, i moliste shpirtin. Në sytë e saj kishte dhimbje të heshtur.Tashmë ajo ishte bërë pjesa vuajtëse e trupit të drobitur. Kështu nga dita në ditë, keq e më keq. Djemtë, të tronditur tek e shihnin të mpakej e tukeqej, prunë një heqim[2]nga komuna, një armen mesoburrë, kaluar mbi një kalë dori. Pas një shqyrtimi të imtësishëm e të kujdesëshëm, ai u tha se nuk gjente ndonjë shkak të dukshëm. “Sëmundje pleqërie, e moshës, zemra është dobësuar – tha ai, pastaj si u mendua: - është sëmundje malli. Malli çan dhe gurin. Ky vend është i huaj për të”. I dha ca barëra dhe shurupe për fuqi e i tha si me shaka të bënte gajret, se ishte ende heret për të ikur nga dynjaja e rreme. Mori pagesën dhe u largua. Ajo nuk kuptoi asgjë nga ato që ai i tha. Përveç ane-nënë, nuk merrte vesh as një fjalë turqisht.
Hodhi shpatullat pas murit. Qielli ishte i kthiellët dhe drita të merrte sytë. Për çudi, në këtë vënd,verës retë ishin gjë e rrallë. I puliti qepallat dhe nisi të dremiste, por shkundi kryet dhe e zboi gjumin, se gjumi ishte një me vdekjen. Donte të ishte e gjallë. Shikimin e hodhi brënda vetes.E ç’mund të shohësh brenda vetes? Shumçka që ka qenë , që është apo s’është, pamje që kujtesa i ruan dhe i shfaq sa herë që t’i kërkosh, por jo atë që e mendon se do të jetë. Aty papra, digjej ajo flaka e qiririt të mallit, që po e shkrinte përditë.
Po bëheshin pesë vjet që gjendeshin këtu, në zemër të Anadollit, në qarkun e Juzgatit, në Çekerik-koi. Në këtë vend i degdisi hyqymeti[3], për vitet e provës, që ata duhet të rrëfenin, me sjellje të mirë, që ishin rob për së mbari, e musliman me besë, para se t’i njihte si shtetas turq. Pas kësaj mund të zgjidhnin e të shkonin për të jetuar ku të donin. Këtë do ta dëshmonte kryeplaku-myftar efendiu, plaku shtrigan, që nuk i donte muhaxhirët. Djemtë thoshin se s’kish të ngopur me ryshfete.
U bë shkak djali i madh. Pas reformës agrare, vdekjes së të atit, burgosjes dhe rrahjeve nga astonomia[4], iu ngrit mëndja. Tha se në Çamëri, nuk jetohej dot më nën grekun. Duhet ta linin vendin, të shkonin në Shqipëri apo Turqi. Kështu përditë. I ishte ngritur mendja.U bë gërnjar, i turrej së shoqes e fëmijëve kot nasi koti, pa shkak. S’e mbante vendi.Më anë tjetër, hoxha i fshatit, kur shkonin në Xhami që të falnin namazin, ua bëri mendjen ujem: “Ç’kërkoni në Shqipëri? Është vend fukara. Në Turqi, po, vend i madh, nga lind e perëndon. Turqia është xhenet, more, xhenet mbi dhe, që se keni parë as në ëndërr!” Këto fjalë e të tjera përditë. I bindi dhe të dy vllezërit. Ajo nuk deshi, as të kusherinjtë dhe njerzit e të njëjtit gjak. Këtu kishin hedhur rrënjë,denbabaden, kishin fis e gjiri, varret e të dashurve. Desh Zoti mall e gjë boll, vënë me punë e djersë, malli është i ngjitur me shpirtin si mund ta lësh e të ikësh?. Ata e morën me të mirë,që ti kthenin mendjen por tek e fundit s’ia vunë veshin dhe bënë si deshën. E vendosën. Shitën mall e gjë, shtëpi e katandi, lanë pas krahëve gjithë çishte dashuri e dhimbje e tyre, njerëz të gjallë e të vdekur, gurë e drurë, çanë det e stere dhe ja ku janë: në zëmër të Anadollit. Ikën të shpëtonin nga zgjedha e grekut, gjetën përbuzjen dhe mos kokëçarjen e turkut.
Medet or djalë ç’na bëre, na le pa vatan, pa njeri e në varfëri.
Tjetër vend, të tjerë njerëz, të tjera zakone, të tjera halle.
Rrafshnaltë e Andollit, stepa dhe hapsira pafund. Tokë shterpë, e kuqërremtë që mezi e çante plori, bënte ca grurë që mezi arrinte dy pëllëmbë. Fusha lakuriqe, pa një pemë, pillte veç ca gjëmbaçë me lule bojqielli dhe pelin të hidhur. Dimër i gjatë, i egër, i ftohtë me borë e ngrica, erëra të ftohta që zbrisnin nga malet. Të ftohtit të hynte në palcë. Dimërit ujqërit e uritur të Anadollit zbrisnin gjer në fshat dhe ulërimat e tyre ngjethëse, tmerronin fëmijët. Vendësit bënin zjarr me bajgat e thata të lopëve, që i thanin dhe i mblidhnin beharit! Po të mos blinin nga fshatarët thëngjill druri, që e sillnin që larg nga pyjet, sido që shtrenjt, s’do të kishin dalë gjall nga të ftohtit e acartë. Shpirtin e mbanin me bollgur, çorbë gruri që i hidhnin edhe pak pasterma, supë me thjerza, shoqëruar me qepë të kuqe që i bënte vendi.Vitet e para bënë si bënë, por kur ai pak kapital që kishin sjellë me vete, firoi, të tre djemtë u pajtuan argatë në çifligjet e agallarëve vendës. Lanë mallin ku ishin zot, dhe u bënë hysmeqarë.
Pranverë e verë pa gëzime
Pa një ditë të bukur.
Pa një lajm të mirë.
Nga lindja frynin stuhirat e rërës, erërat përvëluese të shkretëtirave, që të merrnin frymën, mbarsur me idhësirën e pelinit dhe barërave që i zharriste dielli. Ditën qielli pa re, i kthjellët e i kthiellët sa të merrte sytë. Dielli vinte saçin dhe digjte e përvëlonte. Natën yjet dukeshin të largët dhe hëna e zbetë si fytyrë meiti. Të çante murriela dhe luzma e mizave të nxirnin sytë. Toka, që edhe ajo vuante, digjej për një pikë shi që s’binte e s’binte. Vjeshta vinte me mjegulla e të ftohta.
Ky ishte xheneti i premtuar!
Anadolli, humbëtira e syrgjinit.
Anadoll’i sterrosur.
Hodhi sytë nga perëndimi. Atje, larg, matanë detit ishte Çamëria, mall’i pashuar. Eh, Çamëria! Me ditë të bukura, ngjyer me dritë dielli, të stolisura me blerim, dimërat me shira të buta. Netëve, hëna herë si vetull e artë eherë e plotë, dhe yjet e ndritur, kullosnin në livadhet qiellorë. Dukeshin aq afër sa po të zgjasje dorën mund t’i cikje. Kur ishte e vogël ajo kishte një yll të sajin. Me të kuvendonte dhe i kërkonte t’i plotësonte dëshirat. Atje tani kishin lulëzuar bajamet, me bartdhësinë e bukur nën qiellin e rimtë, blegërinin dhentë dhe lodronin shqerrat në livashe. Ca më von do të lulzonin ullinjtë, limonat e portokallet. Puhiza që frynte nga deti kishte njelmësinë e valëve dhe amzën e pjalmin e luleve, trëndelinës borzilokut e manxuranës. Ca më pas, në qershor, gruri dhe elbi do të zverdhonin në ara, kuajve do t’u grahnin në lëmenjtë, do të mbusheshin hambarët, pa do të piqeshin pemët, fiqtë rrushi dhe shegët, që pikonin mjaltë. Pa do të vinte vjeshta, ullinjtë degëvarur nga kokrrat e zeza që ndrinin nga vaji, prisnin dorën e vjelësve. Pa do të nisnin dasmat, gëzimet, këngët dhe vallet, vashazt do të niseshin nuse dhe djelmtë dhëndurrë. ….
Çamëri me halle.
Çamëri, nuse e stolisur.
Çamëri, që ikëm e të lam e më s’të pam.
Kishte pulitur sytë. As fjetur as zgjuar. Vegimet s’i ndaheshin, i shfaqeshin si mirazhet në shkretëtirën e mallit. Vegime, të mjegullta, të largëta si të pezullta, të ëndërrta. Shtëpia e madhe me dy kate, që llapste e zbardhte nga gëlqerja. Bashoda shtruar me qilima, shilte e jastëkë të kadifejtë të qëndisur për të pritur miqtë. Avllia, porta me qemer, ovoroi me lule trëndafili, manxuran e borzilok, furra ku piqeshin mishi i qëngjit, birjani, gjyveçi, buka e mbrume që ermironte ajrin mëngjesor, dy portokallat nën ballkon, ngarkuar me kokrrat e arta, aq shumë sa i ndanin me gjitonët dhe ato s’mbaroheshin. U shfaq i ati i djemve i pështjellë nga një mjegull e tejdukshme. Me fustanellën e bardhë njëqind fletëshe, që ajo ja priste e qepte vetë me ind të blerë në Janinë, xhamadani me sumbulla sermaje, zostra[5], këpucët telatinë me xhufka, mbi krye festja e bardhë. Dukej i menduar, në pamje kishte një qortim., për braktisjen e shtëpisë dhe të dheut të të parëve. I qëndroi larg dhe ia bëri me dorë, si ta ftonte që ta ndiqte.
E nxori nga kjo përhumbje, e reja që i solli kafenë dhe shurupin për fuqi. I qëndroi mbi krye deri sa i piu.
Pastaj. Përsëri vetëm, në mbretërinë e heshtjes, që s’ishte heshtje, sepse ajo çmallej e fliste me hijet e të vdekurve të saj. E ndjente, kishte ardhur koha që të shkonte pranë tyre. Por medet, varri i saj do të ishte larg nga të tyret, në vënd të huaj, vallë a do ta treste dheu?
Malli çan gurin , kishte thënë heqimi. Po a ka mall guri? Ku ta dish, mbase ka- mendoi ajo. Kur shkëputet nga mali, e venë përpara rrëketë dhe merr rokullimën tatëpjetë. Gur i rrokullisur, që s’dihet ku qëndron. I vetmuar, i djegur nga dielli, i mardhur nga akulli, i lagur nga shiu.E pse jo?Netëve me hënë atë e zinte malli për malin, për shkëmbin nga ishte shkeputur, deri sa çahej e thërrmohej. Gur i rrokullisur.A nuk ishin edhe ata si njw gur i rrokullisur?
Kaluan muajt. Zemra e saj nuk duroi dot më. U shua në një ditë shëndreu me stuhi bore, me emrin e Çamërisë në gojë. E varrosën në varrezën e xhamisë së fshatit. Vendësit nuk u afruan. Kishin boll hallet e tyre , nuk u lipseshin edhe ato të jabanxhive.
Si të ishte njeri pa njeri, e përcollën dhe ja dorzuan tokës së huaj, hoxha dhe tre djemtë e përlotur.
Ajo do të ishte pengu i tyre i përjetshëm.
Korrik 2019.
[1]Nusja e djalit.
[2]Heqim tur. Mjek, doctor.
[3] Pushteti, turqisht.
[4]Policia greke.
[5]Brezi I mesit që mbanin burrat çamë
Tregim i shkruar bukur.