top of page

MALL I DASHURISË


BAJAME HOXHA -ÇELIKU


PRANVERË DO TA QUAJ


Ah, pranverë do mbetet ndjenja e një puthje ëndërrimi,

me prarim pranvere, me gjethe të gjelbra dëshpërimi.

Anembanë degëve të ullinjve ku shtrihet tërë gjelbërimi,

i dashur im, sot do desha të ishe i pranverës prarimi.


Kur dielli ndizte llërëpërveshur atëherë mbeti vështrimi,

sikur fliste hëna e ty të vetëtinë sytë ëmbël mbi mua.

Krahët shtrirë poshtë meje në syt`e mi mbet ngazëllimi,

atëherë qeshi dalldisur hëna me dashuri ndër duar.


Kur ti ecje me hapin tënd të matur, të bukur djaloshar,

kryelartë pëshpëritje buzëqeshur si zemr’e larë në ar.

Fytyrë ndezur të shihja ndaj zemra dëgjohej që larg,

pastaj trokthi i saj avitej, tronditej si zokth në acar.


Shkëlqimi dhe freskia në ty mbet si e heshtura pranverë,

zë shkrirë nëpër vite mbi degë të bajames ti le një fole.

Kur pulëbardhat ktheheshin dhe lejlekët aq të dashuruar,

i yti vështrim timin pushtonte, sa nuk kish të krahasuar.


Ashtu ndezur me puthjen time mbi të tuat buzë kërkuar,

kur timin afsh pulëbardha ta sillte me puhi ngatërruar.

Edhe unë ca nga cazë, e mbushur plot epsh, zjarr, flakë,

dot s’qëndroj pa tëndin gji, që e ndiej në timin asht.

Eh, moj jetë me dit`e net thua çastit do t`venitesh?!

Do të ikim nga kjo botë me shumë dhimbje s’ka dyshim,

vetëm dua që t’më kuptosh se sa shumë desha ndër vite,

ata sy plot xixëllimë që s`i ndahen fundit tim.


BREGORET


Ti ike diell më larg nga këto bregore,

të cilat blerojnë gjithmonë në pritje.

Sikur t’i shohësh sa shumë gjelbërime,

ëmbël shtrihet dhe hëna ndër vise.


Ti diell, eja, shtri krahët ndër bregore!

Më poshtë një fushë e blertë të pret,

xixat e tua dërgoja me flakë rrufeje,

si foshnja ushqimin e uritur po pret.


Gjëmon kjo fushë bashkë me bregoret,

ngre kryet një lul’e bukur përpjetë.

Po vuan i saji shpirt, e përvëlohet,

nën drithërima rrezen tënde pret.


ARDHJA JOTE MË BËN TË BUKUR


Kur ti më vjen ndër ëndrra gëzimin ëmbël ndjej,

poshtë portokajve dimërorë plot gaz dëfrej.

S’duhet vetëm borë, në zjarrin tonë ne heshtim,

malli përkëdhel, ndërsa unë e ti nuk rreshtim.


Kur më vjen ti ardhja jote më bën aq të bukur,

se më ngjall çdo ndjenjë e flatroj si flutur.

Kërkojmë veç burimin që shpirtin të freskojmë,

me lotin e zemrës thellë mallin flakërojmë.



NË TËNDIN GJI



Më zuri gjumi ndër krahët e tua,

duke përgjuar nga ty një sinjal.

Mbështjellë aty gjer në t ‘aguar,

ëmbël më erdh e bukura fjalë.


Në tëndin gji seç pëshpëritja,

erdhe ti zemër?! Sa dua të pres!

Aq të ndjeva, sa më... bërtita,

kët’ shpirtin tim veç ti e ndez.


TË KËRKOJ


Ti vjen në ëndrra e më pushton,

i yti shtrëngim agimet më zgjon,

zgjon ëndrrat, ndjenjën e zjarrtë,

po digjem për ty, vuaj çdo çast,

të zjarrtë veç ti më bën çdo natë.



GJERDANI



Edhe unë s’do ta heq asnjë sekondë,

nga qafa ime e brishtë ndezur flakë.

Atë gjerdan dimër e verë do ta mbaj

e çdo qelizë që ta ndjejë të bërtasë.


Ah, sikur pas ajrit ta dërgoje si dhuratë,

atë thjeshtësi tënden dhe ëndrrën e gjatë.

Atë pjesë të dashurisë ta thashë, ta thashë...

Për mua do të ishin sa shtatë qiej bashkë.


Bregoret me zjarr duken se ulen qartë,

ulen, por përsëri ngrihen më shpejt se aq.

Bashkë me atë gjerdanin tënd të artë,

që mbështjell aq ëmbël një të hollë qafë.


MALL I DASHURISË



Meqë lotin do ta nis e mallin gjatë do ta puth,

të puth pragun e zemrës e thellë gjer në fund.

Dua tani shpejt fluturimin, porsi zogëz ta marr,

të vij në ty frym’ ëmbël e çiltër plot gaz.


Do t’ kalojmë një natë të flaktë plot afsh mbështjellë,

loti pranë do më rrijë dhe ti si djalë me lot e mbërthen.

Sa shumë do t’ psherëtijmë, do të qajmë atë natë,

gjersa ta shkrijnë të gëzimit lot mallin e ngratë.


Me lotin do të jap gurgullimën e një burimi kristal,

do të nis sisën me qumësht të thithë qengji laran.

Po s’arrita sot, ta dish, s’do mund të arrij më kurrë,

në shpirt jeton ai zë, që kush s’mund ta shkulë.


VËRTET


Zot, më quajte trëndafil,

po a jam vërtet e tillë?!

Në i do të miat petale,

mos i lë të vyshken fare!


MË MBYLLE


Më mbylle në guaskë,

o dashuria ime!

Po unë,

jam e fortë si shkëmbi.

Dua të dal tashmë

e të bukurin,

gjelbërim poetik

të zë.



VJEN E MË GODET


Si tërmet më trondit çdo hap zemër e trishtuar

dhe duket një shkulm si një valë që po afron.

Bëj ta kap s’e kap dot se kam frikë të trazuar,

po vjen më godet porsi një det që shkulmon.


lartësohet, hyjnizohet me xixa vështrimesh.

Një shpuzë më djegë buzën aq sa s’ belbëzohet,

Është malli, malli si suvalë më vrau hiresh.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page