top of page

MADHËSHTIA E PIRROS SË EPIRIT


SHPENDI TOPOLLAJ

MADHËSHTIA E PIRROS SË EPIRIT NË VEPRËN E RESMI OSMANIT





Për Pirron e Epirit është shkruar shumë. Kalimi i njëzet e tre shekujve nga mbretërimi i tij, ka bërë që për këtë strateg të shquar, të thuren dhe legjenda. Sido që të jetë, nuk vihen aspak në dyshim, përpjekjet e tij të parreshtura, shpesh edhe me çmim shumë të lartë, për ta zmadhuar dhe fuqizuar mbretërinë e tij, ku u kurorëzua nga Glaukia, qysh në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Ai, pa frikë mund të konsiderohet si ndjekësi më i lavdishëm i rrugës luftarake që përshkoi Aleksandri i madh. Por ndërsa ai synoi Lindjen, Pirrua, syrin e kishte kryesisht nga perëndimi, pa përjashtuar Maqedoninë dhe një pjesë të madhe të Greqisë dhe Thesalisë, të cilat duhej t`i siguronin krahët, për fushatat luftarake që do të ndërmerrte më pas. Për këtë kapedan të jashtëzakonshëm të lashtësisë, ka shprehur admirim Hanibali dhe ka shkruar Plutarku, ai që nuk para gabonte në zgjedhjet e tij. Ma do mendja, se nuk mund të gjendet tekst historie, ku të mos flitet për këtë figurë të ndritur. Portreti i tij, mbetur nga ajo skulptura që e paraqet me një helmetë të lehtë dhe me një kurorë lavdie në kokë, me shikimin burrëror, që të duket se hedh vështrimin diku larg, duke lëshuar shkëndia nga ata sytë e mëdhenj, nuk të shqiten, nga rinia deri në moshë të thyer. Fushatat e tij luftarake, të shoqëruara me elefantë, për shumicën të panjohur aso kohe, arritja e fitoreve me më pak ushtarë se kundërshtari, ndjekja e taktikave të zgjuara dhe të efektëshme, dhënia e guximshme e shembullit personal gjatë betejës, kurajua për t`u ndeshur edhe me vetë romakët, sentenca “Fitore si e Pirros” apo vdekja e tij, nga goditja me një tjegull, nga një grua që ai i kishte vrarë të birin, janë histori shumë të njohura, nga çdo nxënës shkolle.

Me kurreshtjen e ushtarakut të karrierës, kam lexur shumë rreth bëmave të tij. Por përsëri, më është krijuar bindja se për të në vendin tonë, duhej të flitej dhe shkruhej shumë më tepër. E them këtë, pasi e gjej me shumë vend, konstatimin e mikut tim të mirë, të ndjerit Prof. as. Dr. Gjergj Titanit se “Duke qënë pjesë e identitetit tonë historik, e rrënjëve të prejardhjes sonë të lashtë, ai ka qënë dhe vazhdon të jetë objekt studimi dhe admirimi, ngaqë me përmasat e tij, çdo popull do të krenohej. Ai e ngriti në lartësi të papara emrin e vendit të tij të vogël dhe e transformoi atë në një faktor përcaktues të jetës politike e ushtarake të botës mesdhetare të kohës. Ndërsa njeriu ikën, vdes, vepra mbetet. Shekujt dhe brezat pasardhës ia përcjellin njëri - tjetrit.”

Është për të ardhur keq, kur nuk gjejmë në asnjë nga qytetet tona, një përmendore kushtuar atij, a diçka të ngjashme që të na kujtojë, atë që u mbiquajt “Pirro Burri” dhe “Shqiponja e Epirit”.

Po sikur ky udhëheqës i rrallë, të ishte grek a serb, a mendoni se si do të shpalosej dhe nderohej para njerëzimit? Me të, do të krenoheshin ata popuj, në sytë e gjithë botës, siç bëjnë me të gjithë heronjtë dhe historinë e tyre. Dhe për këtë, duhet thënë: “U lumtë!”

Megjithatë, aty - këtu, ka njerëz që më shumë në aspektin atdhetar, venë talentin e tyre në shërbim të trajtimit të jetës dhe veprës së tij. I tillë është edhe romani i Profesor doktor Resmi Osmanit, me titullin “Mbretërimi i Pirros së Epirit”.

Është interesante të dihet, se ky autor, me profesion agronom, pasi ka botuar një sërë librash të kësaj fushe, sot në moshën 70 vjeçare, ka shkruar edhe disa libra, kryesisht me temë historike. Deri këtu, gjithçka duket normale. Por kur vjen puna që ai me aq kompetence, merret edhe me problemet e strategjisë dhe taktikave ushtarake, atëherë, nuk ka sesi të mos e respektosh edhe më shumë. Kuptohet, se e gjithë kjo vjen nga kultura e tij e gjerë. Kulturë që e ndjen çdo lexues në çdo faqe të këtij libri, ku veç të tjerave, bie në sy, edhe njohja e thellë e pafundësisë mitologjike, gjë kjo, jo dhe aq e zakontë dhe e lehtë. Veç duhet theksuar, se duke qenë vetë Resmi Osmani, nga Mazreku i Çamërisë, ka piketuar jo pa qëllim Pirron nga Thesprotia. Në gjithë historinë e saj, kjo trevë është shquar për burra të zotë, të virtytshëm, bujarë dhe të zgjuar. Por Pirrua mbetet më i shndritshmi ndër ta. Ai rrezatoi me ndriçimin e tij, në çdo skaj të botës. Edhe sot e kësaj dite, ai kumton para kujtdo, se në këto troje të lashta, kanë jetuar njerëz krenarë, njerëz që kanë lindur e rritur, figura të përmasave proverbiale si ajo e Pirros, i cili edhe kur u bënte fli e dhurata perëndive, u lutej vetëm të ishte i shëndoshë, se pasuria e lavdia, thosh, vinë vetë pastaj; pra dinte ai si i fitonte, me forcën e mendjes dhe të krahut. Ky luftëtar i rrallë, ishte në të njëjtën kohë edhe aq njerëzor, sa për varrosjen e armiqve me nderimet e duhura dhe trajtimin e lirimin e 1.800 robërve romakë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, në vitin 1952, e mori si shembullin që duhet ndjekur edhe sot e kësaj dite. Por shembullin më të madh prej tij e mori heroi ynë kombëtar, Gjegj Kastrioti Skënderbeu, i cili jo vetëm trashëgoi cilësitë e tij prej burri shteti, strategjinë dhe taktikën e tij, jo vetëm përdori emblemën me shqiponjë, përkrenaren, dhe zhvilloi fushata si ajo në Itali, por për koinçidencë, mbretëroi me të njëjtën madhështi si ai, plot njëzet e pesë vjet.

Resmi Osmani, e ka shkruar këtë libër, me skrupulozitet historiani (pra jemi para një romani historik), por edhe me korrektesën e gjuhëtarit. Ai, nuk përdor asnjëherë fjalë që nuk janë në fjalorin tonë. Për më tepër, ai krijon fjalë të reja si shkumëbardha e detit, erëmiroi ajrin, pjesa mesore, fushëtirë e anëdetit etj. Gjithashtu, duhet pranuar se ai e njeh mirë edhe letërsinë artistike. Ka krahasime dhe metafora shumë të arrira. Fjala vjen: “agimi gishta trëndafili”, “Era u ndërpre papritur, velat e bardha u varën si ca krahë zogjsh të vrarë…”, “kamxhikët e shiut rrihnin muret me vërtik”, “Të mprehtë si tehu i thikës e ke mendjen moj zonjë”, “Trungjet e lisave i vishte mjekra e gjelbër e myshkut” ose vini re përshkrimin para betejës: “Hapat e rëndë trondisnin tokën. Zogjtë ndaluan fluturimin, njerëzve u mehu fryma, dielli çau renë që t`i sodiste”. Dhe për të mos shkuar më tej, pasi me këto përshkrime ndeshemi kudo gjatë leximit, po shkëpus diçka që mendoj se e nxjerr të plotë idenë: “Frynte një puhizë e lehtë që kundërmonte erë mali. Nata ishte e magjishme. Yjet dhe hëna derdhnin dritën e zbehtë që e vishnin gjithçka me mister e fshehtësi. Bulkthat cicërinin dhe lakuriqët e natës silleshin rrotull si ca shpirtra të shqetësuar. Para tyre deti i qetë i kishte hapur gjoksin dritës së hënës, dallgët putheshin me të dhe si të turpëruara e të dehura nga magjia e dashurisë psherëtinin e shuheshin në breg.” Flisni or miq! A nuk u dhimbsen dallgët? A nuk u duken ato si njerëz me ndjenja e me shpirt? A nuk u kujton e gjithë kjo diçka të paharruar nga mjeshtrat e mëdhenj të letrave?

Duhet thënë se në këtë libër, autori shpesh e ka ngritur fjalinë, në lartësinë e sentencës. Ja disa prej tyre: “Molosët… kur këndojnë, jehojnë malet, kur vallzojnë, dridhet toka”, “Arma nuk të bën trim, por bën që të fitojë trimëria”, “Pastroni nga myku gjykatoret”, “Ç`mbret do të isha po të mos më shanin?!”, “Nuk dua t`a vjedh fitoren”, “Numrat vlejnë për bagëtinë, trimëria për ushtrinë”, “Këtu (është fjala për spartanët) gratë ishin burra dhe burrat luanë” apo fjalët e Pirros kur mësoi vdekjen e të birirt: “Vdiq më vonë sesa pritej”.

Përmenda njohjen e thellë të mitologjisë nga ana e autorit. Ai e përdor atë jo thjesht si stoli, jo për t`u treguar lexuesve sesa di. Ai e vendos atë si shtratin që i duhet për atë kohë kur zhvillohen ato ngjarje, mbushur me besëtytni, perëndi, orakuj, magjistarë, tempuj etj. Ja sesi e ndërthur ai mitologjinë me historinë që shtjellon: “Ne do t`i lutemi hyut tonë ilir Redonit…”, “Eolin e mirë e zuri gjumi…”, “…shqytin ia kishte zili edhe Efesti”, “Neoptolemi mori krahë, falenderoi perëndinë e hakmarrjes, Erininë…”, “Zeus, bir i Kronit, o hy pellazgjik, mbrojtësi ynë!” e shumë të tjera si këto.

Resmi Osmani, edhe në portretizimin e personazheve, shndërrohet në piktor. Ata, të mbesin në mend me veçoritë e tyre. Për Pirron, thotë se kur vrenjtej të shtinte frikën. Me trup të zhvilluar, muskuloz, ngjante me një krep shkëmbi të shkëputur nga mali. Antigonën, gruan e tij na e paraqet si një lule delikate e brigjeve të ngrohta të Nilit që fati e solli në malësitë e ashpra të Epirit. Ajo, shfaqet para nesh me “Flokët e lidhur kurorë me një diademë të artë, (që) linin të dukeshin rubinët e vëthëve që nga drita dukej sikur digjeshin flakë. Vargu i perlave ndriçonte butë lëkurën e sedeftë të qafës, veshur me një tunikë të shkurtër, ajo i ngjante Artemisës gjahtare. Ishte e freskët dhe e bukur si një lule lotusi në breg të Nilit.” E tillë ajo mbeti deri në fund, kur papritur vdiq: “Mbretëresha u shua ngadalë dhe dha shpirt ndaj të gdhirë të ditës në fund të janarit… Edhe e vdekur ajo ishte e bukur; qerpikët e gjatë e të zezë të syve të mbyllur i bënin hije fytyrës së zbehtë dhe në cepat e buzëve i kishte ngrirë një buzëqeshje e lehtë, thua se po u buzëqeshte engjëjve”. Po kështu na jepet gruaja tjetër, princesha siçiliane Lanasa “… ajo ishte shtathedhur, trup ngjeshur, zeshkane me flokë të zezë që i derdheshin mbi supe, kapur me një diademë me gurë të kuq. Hunda e drejtë, balli i lartë, mjekër energjike, sytë e zezë me vështrim krenar, goja e vogël dhe buzë të plota mishtore si qershi, gjoksi i hedhur, këmbët muskulore. Ngjante si një amazonë luftëtare, e bukur dhe krenare, mesa dukej edhe tekanjoze.” Kështu vazhdon edhe me gratë e tjera të Pirros, Zajminën nga Iliria dhe Brikenën, bijën e Bardhylit të Ri. Me këtë kujdes ai skalit Neandrin, Gjellonin dinak, Kinean e mençur, djemtë e Pirros, apo Neoptolemin, me të cilin bashkqeverisi, gjersa zbuloi pabesinë e tij, për të cilën e ndëshkoi, Alketin, djalin e mbretit Arryba, vëllanë e Lalesë, (të dashurës se princit Ptoleme, biri trim i Pirros), që u vra nga kali, Myrtillon tradhtar që iu pre koka etj.

Pirrua i Epirit, ashtu si Aleksandri i Madh që kishte për mësues Aristotelin, zgjodhi për këshilltar, një njeri të ditur si Kinea. Babai i Lekës së Madh, i shkruante Aristotelit se më shumë se për lindjen e djalit, i falenderonte perënditë që ai kishte lindur në kohën e tij dhe shprehte bindjen se me mësimet dhe edukatën që ai do t`i jepte, do ta bënte të denjë për emrin që mbante dhe atdheun e tij. Njësoj si ai, vetë Pirrua i shkruante Kineas: “Hyjnitë më dhanë për të sunduar fronin e etërve të mi, mbretërinë e Epirit. Ty Kinea të kanë dhuruar diturinë, mençurinë dhe gojtarinë e rrallë të Demostenit. Eja në Epir të bashkojmë trimërinë me mënçurinë, për të kryer bëma të mëdha, që do t`i mbajnë mend brezat.” Dhe Kinea, e vlerësonte Pirron që ishte i vetmi mbret pas Aleksandrit, që kërkonte libra. Vetë Pirrua kishte shkruar “Strategjinë”. Me Kinean, ai zhytej në biseda të gjata filozofike. Mjaft bukur na është dhënë nga autori, diskutimi i njohur mes tyre për etjen e Pirros për luftra, duke pushtuar Italinë, pastaj Siçilinë, pastaj do të hidhej në Afrikë deri në Kartagjenë dhe pastaj do të pushtonte Maqedoninë, Greqinë dhe pastaj… “Do të kemi një çlodhje e prehje të gjatë. Do të pijmë përditë sa të na dojë shpirti dhe do t`i ngrysim ditët me biseda të bukura e të ëmbla para kupës së verës e nën hijen e pjergullës!” Dhe pastaj… përgjigja e zgjuar e mësuesit që me mjeshtëri e drejtoi bisedën andej nga deshi: “Po ç`është ajo arsye që na pengon të pimë e dëfrejmë edhe tani, pasi kemi nën zotërim pa ndonjë mundim, tërë këto që kërkon t`i fitojmë me përpjekje, me gjak e me rreziqe dhe dëme për ne e të tjerët?” Besoj se nuk ka si jepet më qartë natyra agresive dhe aventureske e Pirros i cili e kërkonte dhe nuk i trembej rrezikut. Koha ishte e mbushur me intriga, pabesira, vrasje, aleanca të çastit dhe pushtime të papritura, kështu që Pirrua nuk mund të bënte përjashtim nga ai realitet. Sot, ne nuk mund ta gjykojmë atë, jashtë këtij konteksti historik. Ne, gjë me të cilën merret dhe Resmi Osmani, e analizojmë atë, si burrë shteti dhe gjeneral të pashoq. Prandaj, duhet vënë në dukje, se ato këshillat që Pirrua u jep oborrtarëve të tij për forcimin e shtetit, të ligjit, të financave, apo ndërtimet e qyteteve të reja, janë akoma aktuale. Ai, di me se mund të ngrihet në këmbë ekonomia e vendit, duke u mbështetut te mundësitë dhe burimet e tij natyrore. Kurse ajo që në libër zë pjesën më të madhe, ashtu siç edhe pritet, është përshkrimi kronologjik i betejave të zhvilluara prej tij. Ato jepen me detaje, me saktësi, me shifra luftëtarësh, të rënësh, robërish, armatimesh, furnizimesh, terreni, dhe si të tilla, janë të besueshme dhe objektive. Aty, shohim manovrat e përdorura dhe gabimet e bëra. Nuk ka ekzaltime dhe egzagjerime. Konsideratat për kundërshtarin janë të merituara. Konsujt romakë (pas zbarkimit në Tarent), si Levini, Fabrici, Publio Decio Mur, Klaud Emili apo plaku i verbër dhe me autoritet Klaud Appi, vizatohen ngrohtë; ata janë të arsyeshëm, me përvojë, trima dhe atdhetarë. Kurse ushtria romake, si dhe ajo spartane, kanë të gjitha vlerat e ushtrisë së vendeve me traditë dhe histori të lavdishme nëpër luftra.

Natyrisht, që pjesa e fundit e librit është ajo më prekësja. Ngjarjet që çuan në vdekjen e Pirro Burrit, janë në vetvete si një roman. Ato gati - gati, duken si fantazi. Pirrua, legjendari Pirro i Epirit, nga i cili dridheshin shtete të fuqishme, vritet në Argos të Argolidës, nga një grua e thjeshtë. Dhe me se? Me një tjegull, hedhur me zemërim që nga maja e një çatie. Një grua, bëri atë që nuk mundën ta bënin mbretër e gjeneralë, madje as ushtri të tëra. Një grua, duke vrarë njeriun më të shquar të kohës, bëri, siç thotë autori që “Armët shungulluan. Toka u drodh si të kishte rënë tërmet. Era përhapi lajmin e kobshëm. Ushtria shkrehu armët. Shqiponjat ndalën fluturimin. Joni ngriu dallgët. Malet e Epirit hodhën mandilen e zezë dhe e qanë me lotët e borës…” Pra, një grua e hidhëruar për humbjen e të birit, bëri që vetë Shqiponja e Epirit të ndërpresë fluturimin. Dashje pa dashje, kishte ndryshuar vetë rrjedha e historisë. Ishte këputur në mes një ëndërr që vetëm një njëri, një burrë i shquar dhe strateg si ai, mund ta bënte realitet dhe jo me forcën e armëve, por ashtu siç besonte, me atë të trimërisë që nuk i ka munguar kurrë popullit që e lindi. Por, ishte ashtu siç thosh ai vetë: “Të rënët lënë pas famën dhe bëmat, për ta këndohen këngë e balada dhe emri e lavdia e tyre u kalohet brezave.” Dhe për krenarinë që duhet të na japë, fama e këtij njeriu të përmasave epokale, biri i nderuar i Çamërië, Resmi Osmani, ka punuar pa bujë dhe shkruan një roman të tillë që patjetër do të zërë vendin e merituar në fondin e artë të romanit shqiptar. Dhe është për t`u përgëzuar fakti që ai, pas botimit të këtij romani, vazhdoi me vullnet të jashtëzakonshëm, t`u kushtojë libra të tjerë mjaft cilësorë, figurave legjendare të historisë tonë si Akeksandri i madh, Mbretëresha Olimpia, Teuta e Ilirisë, Mbreti Gent, Andra Topia etj.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page