M Ë S U E S I I L E T Ë R S I S Ë -tregim-
U dëgjua zilja dhe secili nxënës u ulë në bankën e vetë. Hodhëm edhe një herë sytë nga liqeni përtej dritareve dhe mbetemi me sytë në kuadratin e derës ku do shfaqej mësues i muzikës: me çfarë kurioziteti do ta niste orën e mësimit?! Ai gjithnjë e gjente një mënyrë të tillë. Pa e bërë me fjalë, në të njëjtën kohë, ne të gjithë pyesnim pa zëshëm: përse të mos jenë të tërë mësuesit e kësaj bote si mësuesi ynë i muzikës?
Megjithatë, ndjeheshim të gëzuar, gjithë-aq në heshtje se, sido si, mësuesit e shkollës sonë së paku nuk ishin të gjithë si mësues Pasho.
Thuajse tërë ne të tjerët, me përjashtim të Lajdës- e cila s’e kishte problem të mësuarin përmendësh, e prisnim mësuesin Pasho të trembur, gjak-ngrirë, edhe pse prej sa e sa vitesh, zyrtarisht, shpjegonte lëndën e letërsisë. Ishim të bindur për këtë, edhe pse s’qemë në gjendje të jepnim përgjigje për pyetjen: nëse mësues Pasho do shpjegonte lëndë tjetër, jo letërsi, a do ishte ndryshe mendimi ynë për të?
Më zi nga të gjithë ne nxënësit e gjimnazit e priste orën e letërsisë Ledio, edhe pse dihej nga të gjithë se ai lexonte libra jashtë klase më shumë se tërë ne të tjerët së bashku. Nuk e shpjegonim dot këtë kundërshti, por gati-gati besonim se ndokush në Komitet ia vononte transferimin mësues Pashos, vetëm e vetëm që ky ta mundonte, ta torturonte deri në fund, shokun tonë Ledio Bruno.
Sa herë mësuesi Pasho hynte në klasë, pa e vendosur ende regjistrin në tavolinën e ti, si të mësuar përmendësh e dëgjonim të nxirrte nga goja të njëjtat fjalë, si në hap rreshtor, shoqëruar me gishtin tregues: “Le-dio-Bru-no, në dë-rra-së të ze-zë!”
Ne të tjerët vështronim nga shoku ynë, e dinim çdo ndodhte me të, na vinte keq të gjithëve, edhe pse nga që mësues Pasho do merrej vetëm me të, shpëtonte ndokush nga ne që nuk e kishte mësuar dot pjesën përmendësh. Megjithatë, edhe ai prej nesh që s’kishte arritur ta mësonte dot përmendësh pjesën nga “Kak zakalyalas stal” trishtohej aq shumë nga padrejtësia ndaj Ledios sa do ishte gati të merrte notë negative, që shoku ynë së paku të respektohej si njeri nga ne…
Mësues Pasho hapte regjistrin dhe, si gjithnjë, përsëriste të njëjtat fjalë që jo vetëm Ledio, por tërë ne i dinim përmendësh: “Mos prit të të them unë, mor’ djalë. Kur të vij unë, të të gjej në dërrasë!”
Ledio ndërkaq kishte arritur, me shkumësin në njërën dorë dhe në dorën tjetër fshirësen, kishte nisur ta shkruante në dërrasë fragmentin e radhës që mësues Pasho na kishte kërkuar ta mësonim përmendësh nga romani voluminoz ‘Garda e Kuqe’.
I gjori shoku ynë! Sa më shumë libra lexonte, aq më i ditur dhe i mencur dhe i dashur bëhej në sytë tanë. Në pushimet midis orëve, në pushimin e gjatë, apo kur dilnim në fund-javë pasditeve vonë për shëtitje në Shëtitoren e Qytetit, ai na rrëfente ato që lexonte dhe ne sikur bëheshim më të mirë dhe më të mencur gjithashtu. Mezi prisnim të gëzoheshim së dëgjuari atë, edhe pse e dinim se ndërkohë sa më shumë lexonte aq më i pa-pranueshëm bëhej për mësuesin Pasho dhe më i pasigurt për fjalët që merrnin ose jo shkronjën ë në fund. Ndjeheshim ngushtë kur në shëtitoren anës liqenit, me Ledion, përballë mësues Pashos. Na dukej se na kujtonte ta linim një orë e më parë shëtitjen, me një përmendësh si Ledio të rrezikuar si ngelës.
Ne të gjithë ishim të pa-sigurt për vendosjen me të tepërt të shkronjë ë në shumë fjalë, ose për mungesën e po asaj ë-je. Mbase kjo kishte lidhje me zonën tonë gjeografike dialektologjike folklorike, por vetëm Ledio e pësonte. Qëndronte tërë orën e mësimit atje, në dërrasë, në mëdyshjen hamletiane “të ketë a të mos ketë ‘ë’?”
Sa herë ndjehej në dilemë (duhej apo s’duhej ë?), Ledio bënte ç’bënte e zvargte shkumësin sa mundte, e zgjaste shtyrjen e fjalës, deri në cep të dërrasës e zhvendoste fjalën me ‘ë-në’ në mëdyshje. Dhe, kur ia dilte ta çonte deri atje, gjithnjë në dilemë, në fund të saj e shkruante ë-në përgjysmë. Duke u lutur pa zë që ajo zanore, e bukur si tërë zanoret e tjera por që i bëhej e mallkuar prej mësues Pashos, së paku në ato momente të rrinte urtë, të mos binte në sy, të sillej si e pa-zëshme.
Ndërkohë, të tjerë nxënës dilnin aty, pranë Ledios që i duhej të vazhdonte të shkruante, dhe deklamonin të njëjtën pjesë përmendësh. U duhej të qëndronin me shpinë nga ai, por mbeteshin në frikë mos mësues Pasho kujtohej dhe i kërkonte mendim nëse ë-të e Ledios duheshin apo s’duheshin?
Ledio më në fund e përfundonte së shkruari në dërrasë pjesën përmendësh dhe mbetej në pritje. Ishte vetëm ai tashmë në dërrasë. Nga mimika e mësuesit Pasho, që lexonte pa zë tekstin e riprodhuar në dërrasë prej tij, arrinte të kuptonte nëse e kishte rënduar veten me numrin e gabimeve ortografike e drejtshkrimore. Ne të gjithë ishim në të njëjtin hall me të, edhe pse vetëm ai përgjigjej. Sado që feja ishte e ndaluar, na dukej se Ledio Bruno ishte Xhordano Bruno dhe Krishti që paguante për tërë gabimet dhe ë-të tona.
Momenti kulmor ishte kur mësues Pasho do shprehej nëse ato ‘ë-të’ në fund të fjalive, që Ledio i kishte spostuar deri në cep të dërrasës duheshin apo s’duheshin. Nëse mësuesi thoshte se ë-ja duhej, dëgjohej zëri i shokut tonë Ledio që pëshpëriste: “Po, ja tek e kam ‘ë-në’ profesor!” Nëse dëgjonte nga goja e mësuesit Pasho që ë-ja atje nuk duhej, Ledio, që me kast nuk e hiqte kurrë dorën prej atje, e fshinte lehtë e shpejtë sa më padukshëm, të mos binte në sy mësuesit Pasho, prej atje në tavolinë ku ky ndodhej.
Shqyrtimi i pjesës përmendësh, shkruar në dërrasë të zezë, përfundonte dhe ne të tërë merrnim frymë thellë, edhe pse e dinim se kjo histori sërish do të mbyllej si çdoherë me të njëjtat fjalë. Më shumë dukej si një Pazar edhe pse ishte mësues Pasho ai që kishte në dorë kandarin dhe gurët në të. vetëm ai fliste.
“Ledio Bruno, Edhe sot je diku midis notës 4 dhe notës 5. Nëse ti kësaj here zgjedh të marrësh notën 4, të mbetem unë ty një gjysmë note borxh për herën tjetër. Nëse ti zgjedh notën 5 për sot, më mbetesh ti një gjysmë note borxh për herën tjetër. Zgjidh e merr!”
Mësues Pasho fliste për Ledion, por vështronte nga ne. Ne, klasa, shokët e Ledios, duhet të bindeshim se ai vërtet ishte gjykatës i rreptë, por deri në fund mësues i drejtë. Sot, nuk do ta themi kurrë, nëse ai do të na kërkonte t’ia shprehnim këtë bindje, por ai s’na pyeste, kurrë. I mjaftonte ajo që besonte ai vet.
Shoku ynë Ledio natyrisht ndjehej nën sedër. S’do donte kurrë të merrte notë ngelëse, aq më pak në letërsi, lëndën më të dashur për të. Edhe ne të tjerët ndjeheshim ngushtë. Si ka mundësi që ai që lexonte më shumë të rrezikonte kalimin në lëndën e letërsisë?! A thua ishte më mirë të mos lexoje!
Si çdonjëri prej nesh, Ledio e dinte se s’ishte mirë t’i mbeteshe borxh mësues Pashos e, megjithatë, zgjidhte notën 5. Edhe ai, me shpresën tonë se, deri herën tjetër, deri në fundin e semestrit, mësues Pashos do t’i miratohej transferimi dhe do shkonte në vendlindjen e tij. Nuk ua uronim dot nxënësve të atjeshëm ta kishin të tillë mësuesin e letërsisë, por tek e fundit le ta paguanin edhe ata çmimin për vendlindjen!
Ledio ndjehej aq i lënduar sa ai qe i bindur se mësuesi zëvendësues i letërsisë, çdokush që do sillej në vend të mësuesit Pasho, pa asnjë dyshim, absolutisht, do ishte më i drejtë, më i mirë edhe për të. Edhe ne besonim kështu. Nëse as gjer atëherë ai nuk do transferohej, nëse edhe pse e fundit edhe shpresa vdiste, mbase ia vlente të luteshim që mësues Pasho të bënte ndonjë gabim politik (jo thjesht ortografik, si ë-t e Ledios, pra) dhe ata të Komitetit ta hiqnin nga shkolla, ta degdisnin në ndonjë fshat të thellë! Në fakt, ne të tjerët e mendonim këtë hakmarrje. Ajo çfarë Ledio, që lexonte shumë, donte të ndodhte ishte që mësues Pasho të lodhej me mungesat apo tepricat e ‘ë-ve’ të tij dhe ta pyeste Ledion për librat e lexuar jashtë programit mësimor.
Në atë kohë ne s’dinim ç’ishte letërsia sic e morëm vesh më vonë por, po të ishte kjo që na ofronte mësues Pasho, edhe autorët e librave prej të cilëve do duhej të mësonim përmendësh, pa e ditur, bëheshin edhe ata bashkëfajtorë në këtë mundim të pa-arsyeshëm. Mbeteshim pa frymë në zgjedhjen e pjesëve që duhej të mësonim për mendsh: “Tetë faqe nga ‘Si u kalit çekani’”, thoshte, kur dëgjohej zilja e mbarimit të orës.
Ledio Brunos iu desh të mësonte gjatë tërë verës që në vjeshtë të mezi-merrte një 5, sipas nesh nota më absurde në lëndën e letërsisë, prej gjithë notave që kishim ne nxënësit e të dy paraleleve.
Për më trishtë akoma, shtatorin tjetër nuk transferuan mësues Pashon por pikërisht mësuesin e muzikës. E caktuan në një fshat të thellë, më malorin e rrethit tonë, si një kuriozitet që askush prej nesh nuk e kishte menduar…
Comments