PESË LIRIKA NGA MYSLIM MASKA
MËZI I BARDHË…
Në rrugicat
E shpirtit tim
Rend një Mëz i bardhë
Ku po shkojmë
Me galop?
Patkonjtë nxjerrin flakë…
Mëzi më pa
Në sy me dhimbje
Dhe nisi të qajë… 3 – 3 – 2017.
RA YLLI NGA QIELLI…
Ra ylli nga qielli
Dhe gati më bëri shkrumb,
Minjtë gajaseshin së qeshuri
Pëllumbat po qanin…
Ime shoqe u ngrit në qiell
Mori arkivolin e Hënës
Të më çonte në DROBONIK,
Ishim të varfër… 3 – 12 – 2018.
TË KUJTOHET?
Të kujtohet ty atëherë
Se si era krehërhollë
Krihte vjeshtën flokëverdhë,
Mpikste ajrin erëmollë?
Dhe si hyre befasuar
Si vegim, si një perri,
Shpirtin tim të akulluar
Çuditërisht e shkrive ti.
Ti e brishtëza delikate,
Flakë verbuese vetëtime,
Ti, e ëmbla buzëmjalte,
Ti, vesëndërr dashurie?...
‘MIQ ME PERËNDINË’ , BOTIMET TOENA,20O2
MALL
Malli po më vyshk e po më çmend
Për ju shokë e miq të bekuar.
Dua që t’ju puth, por nuk më lenë,
Dua t’ju shikoj , por më verbuan.
Na veçuan se u deshëm shumë
Dhe ma ngulën thikën mu në zemër,
Gjersa s’po na lenë as në gjumë
Të çmallemi të paktën në një ëndërr.
MIQ ME PERËNDINË, TOENA, 2002.
BALADË
Duheshim aq shumë,si hëna me yjet,
Si dy zogj të dehur, pranverës në pyje.
Kush na malllkoi vallë, njerëzit apo djalli?
Ti e gjallë varrosur, unë vdekur së gjalli.
S’desha të të vrisja, por të të përkëdhelja,
S’di se si në dorë më qe fshehur vdekja.
Pse më vrave, pse – më pyet, - Dridhet mali
Kur më vjen në ëndrra dhe më vdes së gjalli.
Comments