top of page

Mësuesja Roza Hoti


SHKRIM PROFIL

Shkruar nga: Fran GJoka



Mësuesja Roza Hoti sakrifikoi për 40-vjet për t'u dhënë dije

e kulturë brezave

“Të shkruash për njerëzit që e meritojnë, është mirënjoheje.”- ka thënë V. Hygoi. Prandaj dhe ne themi sot që të shkruash për mësuesit e dalë në pension është jo vetëm mirënjohje dhe obligim, por dhe një nder dhe reflektim ndaj tyre. Janë sot me qindra mësues veteranë, me flokët e tyre të thinjura, me supet e tyre të krrusura nga vitet, që mbajnë peshën e rëndë të përhapjes së dijes. Pas shërbesës fisnike, fillojnë e meditojnë, kujtojnë vitet intensive në arsim. Sa shumë sakrifica kaluan mësuesit tanë gjatë tranzicionit shqiptar. Është një përvojë që duhet qëmtuar dhe vlerësuar, sepse ata ju përkushtuan tërësisht me mendje e me zemër detyrës së shenjtë të mësuesisë.

Kush ka patur fatin të punojë dhe të jetë nxënës në shkollat Balldre, Kolsh, “Gjergj Kastrioti” Lezhë, me siguri e kujton emrin e mësueses së talentuar Roza Hoti. Kanë kaluar pak vite që mësuesja e klasave të para dhe të pesta ka dalë në pension. Është kënaqësi të bisedoje me të, sepse çdo fjalë e saja të bind, çdo mendim ka peshë, të imponon respekt, kur flet me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesisë, për vështirësitë e punës me nxënësit, sfidat që i prisnin për të ardhmen, përpjekjet për të injektuar tek ata dashurinë për të gjitha lëndët mësimore etj. Për hir të së vërtetës duhet të theksojmë se mësues të tillë, që shkrijnë jetën e tyre për hir të mësimit dhe edukimit, janë të paktë sot në shkollat tona, por mësuesja veterane, Roza Hoti arritjet e saj 40-vjeçare u bënë shembull pozitiv në analizat vjetore që organizonte arsimi në Lezhë. Është kënaqësi e veçantë të punosh me nxënësit e ciklit fillor,- na thotë Roza, - por edhe përgjegjësi dhe detyrim i madh njerëzor, moral e social. Nuk mund të mos ndihesh e përgjegjshme kur ke çdo ditë përballë me dhjetra nxënës sykaltër e të pafajshëm, me atë botën e tyre të çiltër, që presin nga ty se çfarë do t’u thuash sot, çfarë do t’u shpjegosh apo të bashkëbisedosh. Por edhe sot, në pension, kjo grua zonjë rrezaton vlera, shpalos një botë të pasur njerëzore si grua si nënë, si edukatore brezash, duke lënë gjurmë të pashlyera në mendjet dhe veprimet e nxënësve, që i mësoi dhe i edukoi me pasion dhe durimin shembullor.

Çdo njeri prej nesh e ndjen se merr gjithnjë nga mësuesit e tij, diçka e tyre është fiksuar fort: edhe formimi, idetë, kultura, mendimet dhe personaliteti i tyre, ngjizen tek brezat e fëmijëve dhe si pa kuptuar bëhën pjesë e përsonalitetit të tyre edhe kur ata rriten. Mendoj se ka të drejtë Kastriot Kodheli, ish Drejtor shkolle, Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale se me mësues të tillë që pati Lezha dhe fshatrat përrreth, aq të ndërgjegjshëm, të apasionuar pas mësuesisë dhe që s’të krijonin kurrë probleme institucionit të arsimit s’kishte nevojë për drejtues. Mësuesja e nderuar, Roza Hoti u lind në Zadrimë të Lezhës. Arsimin bazë e mori në fshatin e saj të lindjes, ndërsa studimet për mësuesi i mori në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, Shkodër. Pas shkollimit të saj emërohet menjëherë mësuese. Fillon kështu për mësuesen e re të ciklit fillor rruga e vështirë, por shumë e bukur e mësimdhëniës. E përgaditur e bindëse në vetvete për profesionin e nderuar të mësuesisë me ndjesi e ndershmëri qytetare, ajo nga një dekadë në tjetrën shpalosi aftësitë e saj dhe shumë shpejt Roza u bë pjesë e preferuar e kolektivit dhe e komunitetit prindëror. Një jetë e tërë në mësuesi e veprimtari shoqërore është e mbushur me shumë synime të merituara. Për 40 vjet me radhë punoi pa u ndjerë fshatrave të Lezhës dhe gjithnjë u shoqërua me motivacionin si mësuese me kalueshmëri e cilësi të lartë në mësimdhënie e mësimnxënie. Në dekadat e fundit u emërua mësuese në shkollën “Gjergj Kastrioti” Lezhë, shkollë me emër në rang kombëtar. Duhet thënë se kudo që punoi, Roza karakterizohej nga cilësi të spikatura individuale dhe njëkohësisht profesionalizëm të lartë, rrezatonte kulturë dhe edukatë qytetare, duke u bërë frymëzim për emancipimin e femrës lezhjane, edhe pse ka pak vite dalje në pension, gjithnjë ka mbetur në mesin e të gjithëve si misonare e arsimit, si një ndër mikeshat me të dashura dhe të respektuara, mësuese korrekte e kërkuese, pasionante dhe mbi të gjitha një shpirt prej demokrateje të vërtetë. Ka ish nxënës të saj tani intelektualë të spikatur në fusha të ndryshme të jetës e të shoqërisë, që me nostalgji tregojnë se ajo, asnjëherë nuk u pa dhe nuk u ndje, duke u ankuar edhe pse, siç dhe dihet, sistemi totalitar dhe i tranzicionit të ndryshimit ishin mjaft të vështirë. Sa punoi, profesionin e mësuesisë e donte dhe e kishte shumë për zemër. Përveçse ishte një veprimtare e dalluar shoqërore, mësuesia mbetet për Rozën pasioni dhe dashuria e saj e parë. Kudo ku punoi shkëlqente në shpjegimin përefekt të mësimit, ku kishte një përsosmëri në mënyrën e komunikimit me nxënësit, ku spikaste në demonstrimin e një gjuhe të pastër letrare kombëtare shqipe. E për të gjitha këto, punonte shumë, madje shpeshherë sfidonte edhe lodhjen e netëve, kur jo pak raste humbiste për orë të tëra kohë dhe njëherësh këmbëngulte në të mësuarit aktiv dhe të qëndrueshëm të nxënësit, sidomos për klasat e para të arsimit 8 e 9-vjeçar.

Në këtë mision përkushtimi, lodhje dhe sacrifice, Roza kishte gjithmonë përkrahjen dhe mbështetjen e bashkëshortit të saj, Toninit, i cili përpiqej t’ia lehtësonte sadopak barrën e rëndë të angazhimit në mësuesi dhe kontributin shoqëror dhe edukativ. E natyrisht, ndërmjet tyre, përveçse një kontributi të përbashkët familjar, lindi dhe u lidh dhe një jetë bashkëshortore e admirueshme, model për qytetarët lezhjanë. U rritën dhe u shkolluan dy vajzat dhe djali i saj. Të gjithë me arsim të lartë universitar, duke u bërë model në punë e në komunitetin ku jetojnë e punojnë. Sot mësuese Roza gëzon e qetë pensionin e rrethuar nga dashuria e pafund e nipave dhe mbesave të saj.

Pasioni vazhdon e nuk zhduket kurrë. Mësuam se në një prej dhomave të shtëpisë së saj, Roza, me kërkesën e vazhdueshme të prindërve lezhjanë, ka marrë përsipër të punojë pasditeve individualisht me një grup nxënësish që tregojnë ngadalësi në përvetësimin e programit në lëndët bazë gjuhë, matematikë dhe lexim letrar. Ajo u qëndron pranë, i vëzhgon, kontrollon dhe mban shënimet përkatëse për arritjet e çdo nxënësi. Këtu më vjen ndërmend një thënie e "Mësuesit të Popullit", Mark Vuji: “Mësuesi plaket para kohe nëse s’është aktiv e krijues”.

Edhe pse po i afrohet të 70-tave, Roza paraqitet tepër dinjitoze në vetëdijen e saj qytetare. Si e kujton vetë Roza, kualifikimi profesional i mësuesve në atë kohë: ishte tepër serioz, me provime të një niveli shumë të lartë dhe ku vlerësoheshin me notë, të cilat pasqyroheshin edhe në dëshminë përkatëse. Nuk të falnin atëhere. "Të ishe mësues, ishte nder e privilegj, duhet ta meritoje". Dhe Roza, si shumë bashkëkombëse të saj në mësuesi, e merituan plotësisht falë vullnetit e përgjegjësisë dhe sedres së theksuar që i karakterizonte. "Me mësues të tillë të ditur, të emancipuar, tolerantë në maksimum, në shërbim të brezave, do të mbetën në kujtesën e brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë si një ndër emrat më të nderuar dhe të respektuar, një ikonë e shkollës dhe komunitetit, ku dha kontribut të çmuar për 40-vjet rresht dhe mbetet sot një grua, nënë, gjyshe e bashkëshorte model- ,kështu e mban mend Rozën një nga ish-kolegët dhe shoqet e saj-, ishte e veçantë në të gjitha drejtimet".

Emërohesh sot mësues e s’bëhësh dot i tillë. Puna është të meritohet ky emër i nderuar i mësuesisë. Jo më kot shoqëria e sotme njerëzore investon për të pasur arsim të mirë, mësues që i japin shpirtin arsimit, që vuajnë së bashku për t’i bërë ata qytetarë të aftë dhe për të bërë shoqërinë të zhvilluar. Kur e pyetën Kryeministrin japonez mbi sekretet e zhvillimit teknologjik, ai u përgjigj: “Mësuesit i dhamë rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit dhe autoritetin e Perandorit”. Por politika shqiptare dhe vetëdija qytetare nuk arrijnë të vlerësojnë rolin detërminat të mësuesit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të ndershme dhe të zhvilluar.

Lezha dhe tërë Shqipëria ka sot mjaft mësues të përkushtuar. Bashkitë, Drejtoritë e Arsimit Rajonal dhe vetë drejtoritë e shkollave të evidentojnë, t’i ftojnë, të bashkëbisedojnë e të këmbejnë përvojen shumëvjeçare të fituar. A do të ishte mirë që mësuesit më më emër të këtij niveli, të të gjithë shkollave, të ftoheshin në një veprimtari të përbashkët, që edhe vetë kjo kategori mësuesish cilësorë në punë shumëvjeçare ta ndjenin se Bashkia apo MAS i nderon! A nuk do ishte e frytshme që gazetat më prestigjoze dhe stacionet televizive më me emër të kishin një rubrikë për këtë kategori mësuesish, ku me autoritetin e prestigjin e padiskuteshëm janë bërë me emër përpara nxënësve dhe komunitetit. Kjo do të ishte sinjifikative, në mënyrë që të ndjejnë ngrohtësinë e shtetit e të shoqërisë. Kontributi i heshtur ndër vite dhe mirënjoheja e njërëzve dhe ish-kolegëve janë sot sodisfaksioni më i madh i jetës së saj profesionale. Me aq sa mundëm, përcollëm vlerat shpirtërore, humane të kësaj mësueseje të nderuar, që jetën 40-vjeçare të punës ia kushtoi mësimdhënies dhe edukimit. I urojmë shëndet dhe vetëm shëndet e jetë të gjatë bashkëshortore!

25 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Dec 11, 2022

Urime Frani! kur shkruan per "Misionaret e dije dhe edukimit", eshte fisnikeri dhe atdhetari, pasi mesuesi eshte ai qe pergatit qytetaret e kombit.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page