Vështrim analitik nga Mimoza Çobo
ETIKA E MËSUESIT, NË ROMANIN “MËSUESE FRESKITA” TË SHKRIMTARIT VULLNET MATO
Emri i shkrimtarit, Vullnet Mato, me përvojë letrare, prej dhjetë romanesh dhe po aq vëllime me poezi e tregime, dëshmon se ai është një poet e prozator mjaft prodhimtar në letrat shqipe. Ky autor, njihet për forcën e fjalës artistike, me të cilën godet shkakun kryesor dhe evidenton pasojat, duke pasur në bagazhin e tij, njohjen e thellë jetësore e profesionale të realitetit për të cilin shkruan. Ai ka punuar prej vitesh në arsim, direkt me nxënësit gjimnazist, si dhe në drejtorinë arsimore, ku gërshetohen problemet dhe kontradiktat për zbatimin e programeve mësimore. Si shkrimtar me filozofi prozaike, të mirënjohur, ai ka përgjithësuar në këtë roman të ri, personazhe jetësor, të ngritur në art, me një kredo artistike konkrete, origjinale. Ka krijuar figura që kanë magjinë të ngërthejnë ndjenjat dhe mendimet e lexuesve pasionantë, të cilët, kanë kaluar nëpër bankat shkollore dhe kanë njohur mësues, jo vetëm si mësuese Freskita, e këtij romani, por edhe personazhe të tjerë, pozitivë e negativë të kësaj sfere.
Romani i ri, “Mësuese Freskita” është një vepër cilësore e rëndësishme, që ngre në art realist dhe pasqyron me vërtetësi e logjikë artistike, veti të karakterit e të temperamentit, që lidhen pazgjidhshmërisht me misionin madhor të mësuesisë. Është një vepër dinjitoze për etikën e mësuesit, që shpreh esencën e përpjekjeve dhe aspiratave të shenjta, duke e ngërthyer lexuesin, në rrjedhën e një botë të fuqishme ndjenjash, përfytyrimesh e mendimesh, që mbartin në embrion, qelizat e dashurisë njerëzore. Të gjitha këto, përbëjnë së bashku, madhështinë e mesazhit të romanit, vizatojnë portretin shpirtëror të papërsëritshëm e human të misionarëve të dijes dhe nënvizojnë aspekte themelore të etikës së tyre prej edukatorësh dinjitozë. Në këtë vepër, shkrimtari Mato merr përsipër të përshkruajë e zbërthejë deri në detajet më të imëta botën intelektuale të mësuesit, që pasi ka formuar profilin e tij të brendshëm, aspiron me shpirt, të përmbushë misionin madhor, duke e djegur veten si qiri, për filizat e rinj të së ardhmes. Pikërisht prej këndej, lexuesi arrin të ndjejë e përfytyrojë procesin real të arsimimit, nëpër disa kapituj episodik të vrullshëm, me kufij kohorë, që shtrihen deri në ditët tona dhe krijojnë një tablo solide të veprimeve brenda fabulës së romanit.
Në thelbin e parimit universal të kompozicionit të këtij romani, vihen re prirja realiste e ngjyrimin piktorik të realitetit, si rikrijim unik, me mendime dinamike të konsoliduara, që prekin ndjeshëm vetëdijen e lexuesit. Mato përveçse shkrimtar realist, është edhe një njohës i mirë i problematikave të mprehta dhe i vështirësive që kanë hasur misionarët e dijes, duke i sjellë të gjitha këto në përfytyrimin e lexuesit, jo si përjetime vetjake, apo si vizione të thjeshta, por si vatra të nxehta, që krijojnë në vetvete hapësira të gjera me lidhje të fuqishme organike, që konceptohen si forca lëvizëse me peshë, për të nxjerrë në pah, jo vetëm karakterin epik edhe atë liriko-filozofik të romanit, por dhe ecjen përpara të vet arsimit shqiptar.
Vepra ka në strukturën e vet ndërtimore, tridhjetë kapituj episodik që pasqyrojnë me vërtetësi ngjarjet, me lidhje logjike dhe specifika të ndërtimit sintaksor të fjalëve. Duke reflektuar talent të veçantë në rrëfim dhe në ndërtimin unik të dialogëve, shkrimtari Mato ka arritur, jo vetëm përsosmërinë e talentit të tij, por edhe të përmbushë misionin human si shkrimtar modern, duke stigmatizuar me kamxhikun e fjalës artistike, fenomenet që e vështirësojnë realizimin e misionit të mësuesisë, në marrëdhëniet simbiozë mësues-nxënës, si dhe në triumfin e dashurisë, që lind në zemrat e dy mësuesve, Sandrit dhe Freskitës.
Me pak fjalë , fabula e romanit është kjo: Në një shkollë të mesme, në një qytet malor, në juglindje të Shqipërisë, nisin maratonën e mësimdhënies, dy mësues të gjuhëve të huaja të ardhur nga qytete të mëdhenj të vendit. Pasioni për punën dhe përkushtimi i tyre në mësimdhënie, kthehet në mision për heronjtë lirikë të këtij romani. Sandrin dhe Freskitën, i bashkon fryma e ngrohtë e bashkëpunimit, për të rritur cilësinë e mësimit në lëndët anglisht e frengjisht. Kabineti i gjuhëve të huaja, bëhet jo vetëm streha e maratonës së misionit të tyre, por edhe oazi i qetësisë dhe i dashurisë, në atë botë të zhurmshme që i rrethon. Heroi lirik, Sandri, ndonëse i tërhequr nga bukuria natyrale, sensualiteti dhe inteligjenca femërore e Freskitës, arrin me dhimbje të frenojë ndjesitë shpirtërore, të cilat janë majaja e dashurisë. Ai ndien një stepje të çuditshme, që ia frenon hovin, për të gjurmuar në lëndinat e dashurisë. Një stepje të ndikuar nga tutela e prindërve qysh në hershmëri, të cilët me mbikëqyrjen e rreptë dhe këshillat ngulmuese, kishin synuar që ai t’i shmangej alkoolit dhe femrave, për të qenë i dëlirë e i virtytshëm, parime morale këto, që ishin bërë pjesë e ndërgjegjes së tij. Mbase këtu gjendej dhe shkaku i vërtetë për atë lloj ndrydhjeje që ndiente nga joshjet e Freskitës, edhe tani që ai kishte dalë në jetë. “Mendja e tij e gatuar kësisoj , thoshte prej ditësh: Po të lidhem me këtë vajzë, do të thotë të bëhem gati për t’u martuar. Po a jam unë dhe prindërit e mi gati?… Pastaj, ku?... Në këtë qytet malësie? Kush më jep transferim me gjithë grua? Apo të mbetem këtu për tërë jetën, si ca që kanë vite dhe nuk shkulen dot?... Po ç’ne, bre !... Prandaj ai peshonte mirë çdo fjalë e frazë, që mund ta fuste marrëdhënien e tyre të thjeshtë, në një lak të padëshiruar për të. Por duke soditur përmasat e imëta e të magjishme të hireve të saj, përhumbej shpesh në hapësirat e një përfytyrimi të mjegullt, që i shkaktonte të rrëqethura të lehta e ia ndiznin gjakun. Duke ndierë se mbi të po ushtrohej vazhdimisht një forcë tërheqëse, që e bënte t’i këndonte zemra, Sandri duhej patjetër të shkundte fort pemën e trurit e të rrëzonte frutat e dyshimta të mendimeve për jetën. Teksa Freskita me natyrën e saj të pakrahasueshme me asnjë femër tjetër, e kishte mbërthyer të tërin në grackën e bukurisë e të nazeve të saj.
Në portretizim mbresëlënës që i bën syve të Freskitës, autori hyjnizon bukurinë femërore, si krijim i përsosur mbi të gjitha bukuritë tokësore: “Oh, sytë e saj kishin një shkëlqim fosforik të çuditshëm. Brenda tyre ndizeshin e vezullonin çdo çast ca farfuritje të bardha, si luhatjet rrëzëllitëse të yjeve të largët. Përqendrimi marramendës i atyre syve të bukur, linte të kuptohej fare mirë, ç’mund të bënte ajo me ata sy, po t’ia drejtonte një burri në fytyrë…” Duke lartësuar kësisoj kultin e bukurisë femërore, si simbol i së bukurës natyrale tokësore, autori Mato shprehet: “Femrat kanë vitrinën e tyre të përhershme, të cilën dinë ta reklamojnë me aq marifet, sa me mallin e tyre të zakonshëm, i bëjnë të çmenden meshkujt …”
Mirëpo kjo vitrinë e saj, nuk çmendte vetëm meshkujt, por edhe femrat ziliqare, që e thumbonin si grerëzat e uritura dhe agresive në stinën e verës. Ndërkohë dhe Sandri duhet të kapërdinte goditjet e breshëritë e fjalëve të drejtorit të shkollës, lidhur me jetën e tij intime. Megjithatë ai kishte arritur të kuptonte se Freskita ishte për të, si nevoja e domosdoshme që ka toka për detin, për të qenë në lidhje të ndërsjellë. Më vonë, pas shumë episodeve të trishta, sheshimi i pengesave në intimitetin e tyre, erdhi si pasojë e ndryshimeve në stafin pedagogjik, të cilat krijuan tek ata besimin, se nuk kishte më pengesa për dashurinë e tyre të pastër.
Krahas motivit të dashurisë, në roman trajtohen me teknikë mjeshtërore, motive të larmishme që karakterizohen nga tone madhore, jo vetëm për të ardhmen e heronjve lirikë, por edhe ngjarje, që e shtyjnë subjektin në rrjedhën funksionale të idesë kryesore. Nxënësit të nëpërkëmbur nga mësuesja Këze Quka, që teorinë e vet e mbështet në ashpërsinë dhe shtypjen sistematike me dhunë, fillojnë të t’i kundërvihen asaj. Ja si shprehet nxënësi çapkën Nuz kokëmadhi: “Siç kemi mësuar nga ajo vetë, rebelizmi dhe revolta janë të ligjshme kur lindin si kundërpërgjigje e shtypjes që i bën njëra palë, palës tjetër. Në rastin tonë, uzurpatorja Këze Quka kërkon me dhunë të na shtypë të gjithëve, të na bëjë petë e të na mbushë me gjizën e kafkës së saj …”. Nuzi me shokët e klasës e shfryjnë të gjithë mllefin që kishin për Këzen, duke pritur hyrjen e saj në mësim me përplasje të forta këmbësh. E gjendur në situatë të vështirë, Këzja nuk mund të denonconte atë sjellje në drejtori. Sepse i kujtohet rasti i mësueses së gjeografisë, kur pati çuar një nxënës te nëndrejtori dhe ai i kishte thënë me keqardhje: “Pesëdhjetë mendjet tona, janë pesëdhjetë parmenda që lërojnë secila sipas mënyrës së tyre në këto qindra mendje të njoma. Dikush plugon thellë, dikush cekët dhe dikush shkarravit nëpër to. Ju mos bëni këtë plugimin e fundit?…”
Si mjeshtër pene me përvojë romaneske, Mato arrin ta tërheq natyrshëm lexuesin në rrjedhën e subjektit të romanit, duke shkrirë frymën e tij poetike, me meditimet lirike të heronjve lirikë. Për më tepër, frymën poetike të autorit e ndiejmë në brendinë e çdo fabule, të pasuruar me një galeri metaforash me ngjyrime emocionale të pazakonta. Me ngjyrimin piktorik të tablove të mësimdhënies dhe të dashurisë, ky shkrimtar çel portën e fildishtë, prej së cilës lexuesi fillon të ndiejë flladet e jetës, të zgjojë në memorien e tij jetën shkollore, si dhe të marrë mesazhin e rëndësishëm, se vlera e mësuesit është universale dhe se dashuria e Sandrit dhe e Freskitës është fryma, më e shtrenjtë që ushqen qelizat jetësore.
Mato ka arritur të krijojë një galeri me personazhe të individualizuar e të tipizuar sipas pozicionimit të tyre, të gërshetuar me të gjitha hallkat e kompozicionit të romanit, por nga ana tjetër edhe të unifikuar, të cilët shkrihen, për të mishëruar qëndresën përballë stuhive të jashtme. Kështu Sandri, që e kishte filluar punën me vrullim të fuqishëm pasioni, pasi e ndjeu veten, se për pushtetarët kishte po aq pa vlerë, sa edhe një kovë me ujë në lumin që rridhte përbri qytetit malor, arriti të dalë fitimtar në kapërcimin e pengesave në profesion, duke zgjidhur me ngulm enigmën e heshtjes së gjatë në dashuri, duke marrë vendime të prera për jetën. Po ashtu Freskita, si vajzë dhe mësuese plot jetë, me temperament të fortë, me instinktin e lindur të femrës, për të dhënë e për të marrë dashuri, del triumfatore mbi pengesat dhe paragjykimet provinciale. Ajo bëhet simbol i lirisë individuale të femrës, që lartësohet gjithë dinjitet përballë thashethemeve të rëndomta dhe presioneve që ushtrojnë mbi të mësueset, Këzja dhe Pina, të cilat nxirrnin në shesh armën e vetme, atë të pushtetit të burrave të tyre.
Mësuese Këzja është një nga personazhet më të tipizuar të romanit. Siç shprehet edhe shkrimtari Mato, ajo ishte një shëmbëllesë, që përhihej para syve të drejtorit, si model i mësueses rigoroze dhe kërkuese, shtyllë e palëkundur e moralit, ku përplaseshin dhe ktheheshin mbrapsht të gjitha paudhësitë e moshës rinore të shkollës. Ajo hetonte, rrëmonte në këndet më të fshehta, gjurmonte shenjat më të maskuara të nismave, apo ideve të vijave të kundërta në atë shkollë. Prandaj dhe e quanin “Radari” i shkollës ,”Antena” e radios së drejtorit dhe e organeve kryesore të rrethit. Ajo acarohej e përplasej me këdo, si guri i bilardos, të cilit i mjafton vetëm një shtysë e lehtë, për të hallakatur të gjithë gurët e tjerë. Ekzistenca e personazheve të tipit Këze dhe Pina me karakterin e tyre thumbues, përbëjnë palcën e personazheve që ngjizin formën e dialogimit teatral, që në roman është mjaft bindës, i mprehtë dhe therës njëkohësisht.
Drejtor Allamani denoncohet në vepër, si përfaqësues i institucionit arsimor, që me qëndrimin e tij pedant, gërmon në jetën personale dhe në intimitetet e zemrës së Sandrit, shkakton drama dhe fyen rëndë dinjitetin e mësuesit. Madje me cinizmin e tij, ai bënë të pamundurën të shkatërrojë dashurinë e dy mësuesve, duke i përcjellë transferimin Sandrit në një shkollë të mesme të zonës.
Gjuha e përdorur në roman është jashtëzakonisht e gjallë dhe e pasur me ndërtime gjuhësore të veçanta. Stili i veprës është i gjerë, i qartë dhe elegant dhe mbart në vetvete unin e autorit dhe trashëgiminë e tij kulturore. Shkrimtari Mato, e vjel subjektin e romanit jo pa qëllim në provincë, ku konservatorizmi ushqehet me thashetheme, duke e paraqitur këtë atmosferë dramatike, në mënyrë objektive e kronologjike, me mjete të fuqishme satire, që i japin unikalitet mendimit artistik dhe thellojnë e përforcojnë idetë themelore të veprës .
Bukuria dhe madhështia e stilit të Matos, ka në thelb një dimension të fuqishëm metaforik, ku shkrihen në vetvete konkretja me abstrakten. Ligjërimi dialogjik në strukturën fjalore të veprës, thekson pikëpamjet e bashkëbiseduesve, të cilët mbartin peshën e romanit, përplasjet, kundërshtitë, situatat e veçanta me ngarkesë ideoemocionale, theksojnë ironinë e brendshme, që shkon deri në sarkazëm therëse. Dialogu lirik është energjik, i ngarkuar me tension të brendshëm. Duke gdhendur me përsosmëri dhe fantazi, kornizën prozaike të romanit, autori sjellë për lexuesin tablo unikale me gërshetime befasuese të epizmit, lirizmit dhe të patosit dramatik, që kanë të bëjnë me jetën e personazheve lirikë dhe jo vetëm. Të gjitha këto, si dhe forca e arsyes e përdorur me inteligjencë, i japin kësaj vepre atribute të veçanta dhe të përhershme, si një krijim tepër origjinal me unitet dhe kombinim artistik të fuqishëm, për të cilën Mato, shquhet në fushën e prozës së gjatë.
Meqenëse në këtë roman është mishëruar artistikisht një epokë e veshur me probleme ideologjike, filozofike e shoqërore, me vese e virtyte, që përjetësojnë në kujtesën e atdhedashurisë shqiptare kontributin e misionarëve të arsimit kombëtar, i mbetet kritikës dhe lexuesit t’i japë autorit vendin meritor në letrat shqipe.
Komentarai