Më pret në dritare
Nga Fatmir Terziu
Ti numëron yjet
unë rrëkëllej të disatën me fund
më pret dhe i lutesh Zotit
mos jam përhumbur gjëkund,
mos jam ngrirë nga të ftohtit,
e unë, unë,
numëroj rruzat e gradacionit
si një varkë e përmbytur në një lumë.
Jam i tejçuar brenda qelqit,
dhe hesht,
nga brenda i flas me heshtje dreqit,
ti më pret,
derdh lotë,
dy jastëkë janë lagur e terren vetë,
gjumi është i kotë.
Në botën vizive të gotës,
shoh drithma, pasqyrime, shpirtra,
nga pjesa e ndryshkur e botës,
mësyjnë mise, topmodele, shtriga,
e ti?
E ti, ia ke ngrirë sytë orës,
lutesh mos ndodh e liga.
Ti s'je me mua,
unë s'jam me ty,
unë bërbëllis me lëngun të dua,
ti e miraton kushedi.
E gjitha është në një gotë
që më vlon në sy?
Apo e gjithë kjo është një lojë
e pashkruar për ne të dy?
Dhe zgjohem nga loti yt
e ndjej është mëngjes i vërtetë
një kohë e pikturuar tek sytë
ngre dolli me rrëketë.
Të dy jemi zgjuar
dhe kërkojmë të shkojmë përtej ëndrrës,
ti si një aktore e skenarit të pashkruar,
unë si produkt i lëndës!
E skena duket e përsosur fare,
ti nuk i lëviz sytë askund,
ende i mban në dritare
pret,
të mbaroj atje larg gotën time me fund.
Opmerkingen