top of page

LURA DHE PERSONALITET E LURËS


LURA DHE PERSONALITET E LURËS NË NJË VEPËR ENCIKLOPEDIKE

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

· Prof. dr. akademik Shaban Sinani: “Figura e Mark Ndrecë Vladit, me historinë e origjinës, të lidhjeve familjare, të vështirësive të rritjes e të formimit, të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare si antifashist, të përgjegjësive që mori në një prej kohërave më të vështira - në vitet e mëkëmbjes së pushtetit që doli nga lufta dhe të mbrojtjes së tij prej ndërhyrjeve nga jashtë e nga brenda, ka qenë më se e mjaftueshme për një monografi”


Pesë vjet më parë e gjer më frymën e fundit më 20 dhjetor 2020, i ndjeri Dine Kaca, i njohur në gjithë Dibrën e më gjerë për vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale që mishëronte e përçonte kudo, do më kontaktonte që nga Italia dhe për çdo verë që kthehej për pushime në Tiranë, për të më njohur me angazhimin e tij për të shkruar dhe botuar një monografi për Mark Ndrec Vladin e Lurës. E kishte obligim si mik i kësaj familje emërndritur për t’i dhuruar Lurës dhe lurjanëve një vepër enciklopedike, që ndonëse në epiqendër do të kishte Mark Ndrec Vladin, në tërësinë e saj do të ishin Lura dhe personalitetet e kësaj treve me histori të lavdishme.

Aktualisht, unë dhe Lenin Vladi e familja e tij e madhe, ndjehemi disi të lehtësuar që këtë angazhim të Dine Kacës e ka përmbushur më së miri akademik Preng Vorfi, me përgatitjen dhe botimin e veprës “Heroi i heshtur i kohës, Mark Ndrec Vladi i Lurës” që do të promovohet në Akademinë e Shkencave, të shtunën më 27 Maj 2023, ora 10.00.

Kjo monografi është e një rëndësie të veçantë edhe për faktin se ka ekspertizën e Prof. dr. akademik Shaban Sinanit – Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të RSH, i cili në parathënie, ndër të tjera shkruan se: “Libri i Preng Vorfit, kushtuar figurës së Mark Ndrec Vladit, është shkruar me një dashuri të shkëlqimtë për personalitetin të cilit i është dedikuar; për historinë e vendlindjes së tij, Lurës, një mrekulli natyrore e njerëzore, një rezervàt virtytesh e visaresh; për trashëgiminë historike e kulturore që ka ndërlidhur Mirditë e Dibër, Mat e Lumë, me Lurën si krahinë “më vete e me të tjerë”. Figura e Mark Ndrecë Vladit, me historinë e origjinës, të lidhjeve familjare, të vështirësive të rritjes e të formimit, të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare si antifashist, të përgjegjësive që mori në një prej kohërave më të vështira - në vitet e mëkëmbjes së pushtetit që doli nga lufta dhe të mbrojtjes së tij prej ndërhyrjeve nga jashtë e nga brenda, ka qenë më se e mjaftueshme për një monografi”.

Parë nga ky këndvështrim, autori Preng Vorfi e ka përmbushur më së miri misionin e tij, duke na sjellë nëpërmjet referencash, faktesh e dokumentash arkivore tejet bindëse, jo vetëm profilin e personazhit të veprës së tij, por në tërësi Lurën dhe personalitetet e saj që zënë vend nderi në panteonin e vlerave. Kështu ai evidenton historinë e Lurës në dokumentat e kohës, gjurmët e lashta të jetës në Lurë, toponimet, gjetjen e 15 monedhave bizantine në Kepin e Xhitetit, në fshatin Arrëmallë, që tregon për zhvillim ekonomik të trevës; Historinë interesante të Lurës, sidomos gjatë periudhës së Skënderbeut, kur lurasit u përfshinë gjerësisht në luftë kundër pushtuesit ottoman; Lurën si krahinën e fundit të islamizuar në Shqipëri; qëndresën e paepur të lurjanëve ndaj pushtuesve turq, serbë e austrohungarezë dhe kontributin gjatë LANÇ.

Patriotë, luftëtarë e personalitete të Lurës

Referuar të drejtës zakonore, autori sjell në vëmendjen e lexuesit Pesë Kararet e Lurës që nuk janë gjë tjetër veçse Pesë Ligje dhe disa akte nënligjore, që zbatoheshin nga 12 Pleq, 12 Çekiçë e 6 Dhetarë dhe që ishin: KARARET E BESËS, BARAZIA, RRAGJET, BIMËT E GJËJA E GJALLË, si dhe TROJET.

Preng Vorfi paraqet në këtë vepër me artin e tij të fjalës patriotë, luftëtarë e përsonalitete të Lurës si: Kol Bib Doçi; Dom Nikoll Kaçorri - nënkryetar i qeverisë së Vlorës, Ded Mardeda (Vladi); Gjetan Loka; Ibrahim Gjoçi; Hasan Ajazi; Hasan Kaci, Xhemile Gjogjegja e Gjok Doçi, Hero i Popullit; Ndrecë Mark Vladin, mjekun e humanistin që fitoi zemrat e lurjanëve; Lenin Mark Vladin, ushtarakun që shërbeu me dinjitet për shtetin shqiptar; Ded Mark Vladin, oficerin që la mbresa në artilerinë bregdetare nga Saranda, Kepi i Rodonit, Lezhë e Shkodër, e dhjetra e dhejtra të tjerë që kanë bërë emër, jo vetëm në Lurë e Dibër, por në gjithë Shqipërinë.

Personalitete të huaja e të vendit tonë për Lurën

Madhështinë e kësaj treve autori e paraqet edhe nëpërmjet personaliteteve të huaja e të vendit tonë për Lurën, si: Edit Durham, Franc Nopçe, Loro Mihaçeviç, Margaret Hacluck, koloneli britanik Maklin, Dom NIKOLL KAÇORRI, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e të tjerë, të cilët na kanë lënë shumë burime e dokumente për Lurën..

Kështu, nëse misionarja angleze Edith Durham, shkruan në librin e saj “Brenga e Ballkanit” se: “…Lura mbetet model shumë i mirë i tolerancës fetare”dhe se sipas saj”: “Lura, është Bajraku kryesor i grupit të tmerrshëm të Dibrës (Tigrave të Dibrës), siç e quajnë edhe bashkatdhetarët e tyre myslimanë”, patriarku i letrave shqipe Dritëro Agolli, duke vizituar Lurën, shkruan: “Kur arrita në Lurë, para meje shtrihej një botë tjetër, një botë e gjelbër në të errët, të gjelbra ishin livadhet dhe të gjelbra e të errëta ishin pyjet. Shkëmbinjtë e bardhë dhe të kuqërremtë dukeshin si një mur i madh, për të mbrojtur këtë thesar. Dhe ky mur, në të vërtetë, fshihte thesare”.

MARKA NDREC VLADI, “QYTETAR NDERI”I LURËS


Autorit nuk i kanë shpëtuar paparendësit e personazhit kryesor të vepërës së tij, duke evidentuar: historinë me lavdi të Ndrecë Nikollë Vladit; Mara Ndue Vladin (Nëna e Marka Ndrec Vladit), e cila duke qenë bijë e një familjeje e fisi të dëgjuar në Lurë, e martuar me Ndrec Nikoll Vladin, një burrë trim e i zgjuar i fisit Vladi, një fisi nga më të vjetrit në Lurë, mbeti një zonjë fisnike, që përballoi të gjitha vështirësitë e asaj kohe…dhe për të mbrritur në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XX, kur në Lurë shndrit një meteor, që do të rrezatojë ndër vite si Hero i Heshtur i ditëve tona. Ai është MARKA NDREC VLADI, i cili në Lurë bëri punë të mëdha për vendlindjen e për fshatin dhe për këtë, armiku e vrau në kulmin e rinisë. Ndaj nuk është rastësi që në vlerësim të kontributit të tij, Këshilli i Komunës Lurë, me VENDIM Nr. 94, datë 18.5.2015, i ka dhënë titullin “QYTETAR NDERI”, ZOTIT MARKA NDRECA (Vladi), pas vdekjes, me motivacionin: “Si trashëgimtar i denjë i një fisi me vlera patriotike e atdhetare, që u aktivizua me trimëri në LANÇ, për çlirimin e vendit tonë nga pushtimi nazifashist, ishte ndër organizatorët e parë të ngritjes 91 Heroi i heshtur i kohës - Marka Ndrec Vladi i Lurës së pushtetit të pas luftës në Lurë, pjesëmarrës direkt në rindërtimin e vendit të shkatërruar, përkrahu në ato ditë të vështira disa luras, që, nga regjimi politik i kohës, konsideroheshin me qëndrim të keq politik armiq, dhe mundësoi shpëtimin e disa jetëve të njerëzve në Lurë e jashtë saj, derisa dha edhe jetën e vet në moshën e rinisë, në krye të detyrës që i ishte caktuar”.

Siç theksova edhe në fillim të fjalës time, më vjen mirë që autori Preng Vorfi, për të na dhënë sa më të plotë figurën e Mark Ndrec Vladit, i është referuar edhe shënimeve të Dine Kacës, që shërbeu si kuadër I lartë, drejtues politiuk në Sllovë, Lurë, maqellarë, kryetar lokaliteti në Zall Dardhë e Përgjegjës Grupi I instruktorëve në Komitetin e Partisë Dibër.

Rrugëtimi i gjatë i Marka Ndrec Vladit në detyra të rëndësishme

Dine Kaca, si kuadër e drejtues-politik, me emër e përvojë në Dibër, kishte dëshirë të madhe të shkruante një libër me shumë vlera për Dibrën, ku në qendër të kishte si objekt “veprimtarinë dhe historinë e Marka Ndrec Vladit dhe të bashkëshortes së tij Dila”. Autori Preng Vorfi, materialet e Dine Kacës i ka trajtuar siç i ka në shënimet e tij, duke ruajtur autenticitetin e tyre nga origjinali. Dhe ja çfarë shkruhet ndër të tjera në shënimet e Dine Kacës:

Rrugëtimi i gjatë i Marka Ndrec Vladit në detyra të rëndësishme dhe kontributet që dha gjatë Luftës Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e plotë të vendit dhe në vitet e para të periudhës së pasluftës, në kryerjen e reformave dhe të aksioneve për të zgjidhur emergjencat për Lurën, pjesëmarrja e tij aktive për ndërtimin e Shqipërisë së Re dhe periudha si oficer i Sigurimit të Shtetit, janë një dëshmi e gjallë e njeriut që e lidhi gjithë jetën e tij për t’i shërbyer deri në çastet e fundit të jetës Atdheut e shoqërisë shqiptare. Në karakterin e Marka Ndrecës lindën dhe u formuan, lulëzuan dhe u demonstruan virtyte e cilësi të rralla: dashuria e përkushtimi që Marku kishte për Atdheun, për t’i shërbyer atij edhe me sakrificë supreme. Te Marka Ndreca ishin çimentuar guximi dhe trimëria, mprehtësia dhe nuhatja, gjakftohtësia dhe shpejtësia e manovrimeve për zgjidhjen e situatave në kohë lufte e paqeje. Ai pati krijuar marrëdhënie të mira me të gjitha grupmoshat, që nga fëmijët e shkollave e deri te të moshuarit. Zotëronte informacione të hollësishme e të gjithanshme, realiste dhe, mbi këtë bazë, ai vepronte me kurajë, duke marrë vendime të drejta, të cilat i zbatonte në kohë në vendin e duhur. Karakteri e patriotizmi i Marka Ndrec Vladit kishte një bazament me themele të qëndrueshme. Ai as nuk shitej tek të tjerët dhe as nuk blihej, qëndronte njeriu më me besë, që e bën të fortë e më të besueshëm te njerëzit, i cili fitoi zemrat e tyre. Gjatë luftës bëri më shumë se partizani partizanëve. Në fillim të vitit 1942, në bashkëpunim dhe me ndihmën e Gjok Doçit, Marka Ndreca në shtëpinë e tij krijoi grupin apo njësitin e parë të të rinjve antifashistë për Lurën. Kulla e Marka Ndrecës u bë shtëpia e parë ilegale në Lurë, kur Gjok Doçi vinte nga Shkodra e bënte propagandë kundër regjimit fashist. Marku dha një kontribut të madh në rrugën e Brigadave III - IV S në të gjitha veprimet e tyre për çlirimin e Lurës e të Mirditës, si ndërlidhës e informator, kreu shumë takime me krerë e kuadro të luftës në zonën Fan-Mirditë. Pas çlirimit, Markut iu besuan detyra me rëndësi, si: kryetar i Frontit për Lurën, anëtar i lokalitetit, drejtues i Partisë për Lurën dhe detyra të tjera në Komandën e vendit, në Lurë e Selishtë. Në kohën kur mori de juro e de fakto detyrën e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Marka Ndreca do të jetë njeri më i besuar për të ndihmuar shumë lurjanë që kishin hyrë në rrugën qorre. Ai arriti t’i bindë dhe ata të largohen nga rruga e gabuar ku ishin futur. Marka Ndreca, duke qenë një kuadër i aftë, diti të punojë me të gjitha shtresat e popullit, me individë të gënjyer, që nuk kishin kryer krime dhe i ktheu në rrugën e mbarë, por u bëri thirrje edhe krerëve që ishin bashkuar me armiqtë dhe vepronin bashkë me bandat kundër pushtetit popullor. Rasti më tipik për Marka Ndrecën është puna e madhe e tij në Selishtë, në luftë kundër bandave, me radiolojën “LIQENI I VAJKANIT”, ku u kapën dhe u shpartalluan 10 banda deri në fund, me likuidimin e bandës famëkeqe të Hamit Matjanit. Marka Ndreca, me aftësitë e tij, ndihmoi një burrë fisnik në Selitë të Mirditës, Preng Gjok Dedën, që e largoi nga bandat, të cilit iu fal jeta dhe u kthye në familje me tre djemtë. Në misionin e ri dhe të fundit që Marka Ndrecës iu dha në fundvitin 1953, duke hyrë viti 1954, nga Dega e Brendshme e Dibrës me Degën e PB të Mirditës, ai përfundoi tragjikisht në mbrëmjen e 1 janarit 1954, duke rënë në krye të detyrës, vetëm 500 m larg shtëpisë së tij. Kjo ishte një vrasje e pastër politike e tipit UDB, që ka lidhje për shkak të detyrës, për faktorë e motive politike dhe të aktivitetit të tij të gjithanshëm. Ceremonia mortore ishte madhështore. Mori pjesë gjithë Lura, burra të ardhur nga Reçi, Dardha e Selishta, erdhën të shumtë edhe nga Mirdita. Në ceremoninë e përmortshme qënrim burrëror mbajti edhe nëna e tij Dila Marka Ndreca. Ajo ishte një grua e veçantë, me kontribute të jashtëzakonshme gjatë Luftës, përkrah Marka Ndrecës. Këtë e tregoi me pritjen e përcjelljen e partizanëve, në aksionet lokale e kombëtare për zhvillimin e Lurës. Ajo u zgjodh kryetare e organizatës së gruas në Lurë dhe e drejtoi me përkushtim e aftësi deri në fund. Ishte shembull në aksione për luftën kundër analfabetizmit, pjesëmarrjes së vajzave e të grave në luftë kundër zakoneve prapanike dhe afirmimin e së resë, modeli i gruas në familje e shoqëri. Kjo familje do të mbetet gjithmonë një trashëgimi e vyer për Lurën dhe lurjanët.

Lura, me bukuri përrallore, liqene, që krahasohen me Zvicrën e vendet nordike

Profili i Mark Ndrec Vladit, si dhe i nënës së tij Dila Marka Ndreca, plotësohen më së miri në këtë monografi edhe nga opinion/vlerësimet e shkruara për të nga: Tefta Cami-ish-Ministre e Arsimit dhe Kulturës; prof. dr. Petrit Bara; Ahmet Kaçorri; Ilir Balili; Nezir Buci; Haziz Ndregjoni; Ramazan Vladi; Ded Llesh Doçi; Fadil Asllani; Han Sul Kaci; Lazam Istref Kaci; Ismail Staf Hoti; Qazim Prrejsi; Fatos Daci; Xhaferr Han Mena; Osman Vladi; Zef Vladi; Demir Osman Vladi; Aqif Ademi; Ali Ibrahim Mena; Halit Karasani; Pjetër Lleshi; Elta Lenin Vladi, Mevlud Buci dhe Nikoll Vladi. Këto opinion/vlerësime kanë si emërues të përbashkët atë që shkruan autori Preng Vorfi si dedikim: “Të shkruash për Lurën është sa e vështirë, por edhe kënaqësi, se ke të bësh me një trevë me histori të lavdishme në të gjitha periudhat e historisë, nga Mesjeta, Koha e Artë e Skënderbeut, luftërat, nga dyndjet sllave e deri në Luftën e Parë e të Dytë Botërore, Lufta e lavdishme Nacionalçlirimtare e deri me çlirimin e plotë të vendit. Ke të bësh me një zonë fiziko-gjeografike të rrallë, me bukuri përrallore, liqene, që krahasohen me Zvicrën e vendet nordike. Lurjanët janë një popull kreshnik. Në të gjithë rrjedhat e historisë kanë qëndruar kryelartë, si krahina e Kanunit, e unitetit të besimeve fetare dhe e Karareve. Lura është vendi që ka shkruar faqe të lavdishme të historisë dhe ka nxjerrë heronj, si: Gjok Doçi, burra shteti, si Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetar i parë i Qeverisë së Vlorës, 1912, e dëshmorë në luftën për ruajtjen e trojeve shqiptare e deri te Marka Ndrec Vladi, që u flijua në krye të detyrës”

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page