top of page

LULJA E SHKRETËTIRËS


LULJA E SHKRETËTIRËS

Tregim nga  Vjollca Tiku Pasku


Sapo kisha ardhur në Gjermani dhe kisha filluar shkollën për mësimin e gjuhës gjermane. Profesoresha ime e gjermanishtes, e gjatë, me lëkurë të bardhë dhe gjithmonë e vëmendshme, u bë një nga shoqet e mia më të afërta. Ne, nxënëset e saj, kishim të ardhur nga vende të ndryshme, nga Spanja, Italia, Venezuela, Polonia, Siria etj, me dëshirën për të mësuar dhe punuar në këtë vend. Aamiina erdhi ditën e katërt të kursit. E gjithë klasa ktheu kokën nga ajo kur hyri. Thua sikur hyri një lule e zeshkët me bukuri hyjnore. Trupi i saj i drejtë, i hollë, ishte me një mes, sikur të kaloje një unazë të hollë. Fytyra e imët me sy të ngjashëm me liqenin, kur qielli errësohet nga retë, buzë mishtore dhe me formën më të bukur, ku natyra kishte vizatuar buzët femërore dhe me flokë kaçurrel e bënin atë hyjnore. Ajo ishte e shoqëruar nga një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i thinjur dhe me mjekër pak të gjatë. Ai përshëndeti dhe iu drejtua zeshkanes: -Kjo është klasa jote - tha ai dhe iku duke buzëqeshur nga ne, pa harruar përsëri përshëndetjen. Ajo me shprehje të turpshme u ul pranë meje, ku kishte një vend bosh. Më e çuditshmja ishte, se të gjithë mendonin të njëjtën pyetje: “Si është e mundur që kjo vajzë kaq e re dhe e bukur të ketë një burrë të madh në moshë!” Megjithatë profesoresha jonë vazhdoi mësimin pa lënë shteg për asnjë diskutim. Ne filluam të miqësoheshim ngadalë me të edhe për faktin se ajo fliste gjermanisht rrjedhshëm, ndërsa ne ishim ende në hapat e para. Por kishte nevojë për të ndjekur më tej studimin e gjuhës gjermane, që të vazhdonte universitetin. Ajo mësonte shpejt, i pëlqente të këndonte , sidomos ato të vendit të saj. Ne e dëgjonim gjithmonë me ëndje. Nuk e di si hyri aq natyrshëm në zemrën time. Filluam të mësonim së bashku dhe gjithashtu diskutonim tema të ndryshme. Shpesh me ne bashkohej edhe Martha nga Polonia. Ajo kishte vite që ishte martuar dhe priste fëmijën e parë. Martha thoshte gjithmonë, edhe po te lind, provimin e gjermanishtes përsëri do ta jap. Në pushimet midis orë të mësimit, mblidheshim të katërta dhe diskutonim rreth temave të ndryshme. Aamiina shikonte me admirim Marthën. Ajo shprehej gjithmonë se donte të kishte fëmijë, por më parë studimet, sepse më pas do ti përkushtohej tërësisht fëmijës. Megjithatë vija re se e mbulonte një hije trishtimi sa herë bisedonim për traditat dhe zakonet e kombeve tona. Një ditë, teksa po bisedonim për traditën e fesë myslimane, për synetin tek meshkujt, befas Aamiina pyeti: -Po femrat?... -Kjo është absurde, nuk bëhen femrat synet! - i thashë duke e vështruar me habi. -Ja që në vendim tim bëhen, dhe kjo është tradita më monstruoze që zbatojnë tek ne. Vajzave u presin organin gjenital të dukshëm nga jashtë dhe plaga e hapur mbyllet plotësisht përveç një vrime të vogël për të urinuar. Pjesa e jashtme e klitorisit dhe mini labia hiqen tërësisht ose pjesërisht. Shpesh bëhen me brisk rroje ose copa qelqi. Ka raste që vajzat e vogla vdesin nga infektimet e ndryshme dhe mungesa e kushteve higjienike. Kjo është e vetmja mënyrë që një grua të jetë e pastër dhe të sigurojë një martesë të mirë. Ky zakon është e rrënjosur në shpirtin e njerëzve, aq sa askush nuk i shpëton, pa dallim klase apo niveli. Vetëm burri ka të drejtë ta presi pjesen e qepur dhe ditën tjetër ai u tregon të afërmve gërshërët me gjak. -Kjo do të thotë se ti.... - unë e lashë mendimin tim përgjysmë .. -Po, - tha Aamiina, - natyrisht edhe unë nuk i kam shpëtuar. Gjymtimi që më kanë bërë në vogëli më mohon të ndjej kënaqësinë e gruas tani. Jam martuar me Fridirih sepse ai më do, pavarësisht diferencës së moshës. Por unë jam një grua e vdekur në tokë. Do vazhdoj shkollën studimet dhe do përpiqem të luftoj nëpërmjet organizatës Botërore të Shëndetësisë, kundër traditës, që e konsideron gruan vetëm një vegël, për ti shërbyer kënaqësisë mashkullore... Një ndjenjë kryengritëse më zaptoi shpirtin, si ka mundësi që një traditë mijëravjeçare, ndoshta edhe para Krishterimit, të vijë deri në ditët e sotme?!... Erdhi koha e provimit. Martha lindi një djalë të shëndetshëm dhe më pas kaloi si mesatare provimin. Ndërsa Aamiina mori pikët maksimale për të vazhduar më tej shkollën. Gjithkush nga ne, mori drejtime të ndryshme në jetë.

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page